Gjykata e Durrësit po liron vrasës e trafikantë

0
166

Prokuroria e Përgjithshme: Të gjitha vendimet e gjykatës janë apeluar

KLD: Nuk ka ende një inspektim, por verifikohen të dhënat

 

gjykata1Një i dënuar me 23 vjet burg për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen është liruar nga Gjykata e Durrësit me argumentin se qëndrimi i mëtejshëm në qeli rrezikon jetën e të burgosurit. Rasti i lirimit të të dënuarit Mark Gj., i cili duhet të kryente edhe tetë vite burgim nuk është i vetmi në Gjykatën e Durrësit. Në një material konfidencial që investigim.al disponon, rezulton se në harkun kohor prej 15 ditësh nga kjo gjykatë janë liruar të paktën 6 persona të dënuar për krime të rënda. Materiali i hartuar nga Prokuroria e Durrësit tregon se arsyet e lirimit që gjykata ka përdorur janë nga më absurdet. Stresi apo ankthi nga ambientet e mbyllura, gjendja shëndetësore e prindërve apo bashkëshorteve dhe kujdesi për fëmijët janë disa nga argumentet e gjykatës për lirimin e të dënuarve për trafik droge apo vjedhje me pasojë vdekjen. Të gjithë të dënuarit e liruar, sipas Prokurorisë, kanë përfituar nga neni 59/a i Kodit Penal i cili parashikon se i burgosuri mund të vuaj një pjesë të dënimit duke qëndruar në shtëpi. Por, në të gjitha rastet, Prokuroria e Durrësit thotë se Gjykata ka shkelur ligjin duke shfrytëzuar vetëm një nga pikat e këtij neni që thotë se dënimi i mbetur apo dënimi i dhënë nuk duhet të jetë më pak se dy vjet heqje lirie. Në një analizë të rasteve të të liruarve nga qelia, organi i akuzës thotë se të burgosurit nuk duhet të përfitonin nga “qëndrimi në shtëpi”.

Raporti

“Theksojmë se për caktimin e vuajtjes së dënimit me “Qëndrim në shtëpi”, gjykata në secilin rast ka marre parasysh thjesht kriterin ligjor, “ka mbetur pa vuajtur edhe dy vjet burgim” siç parashikon neni 59/a i Kodit Penal, ndërsa nuk ka marrë parasysh asnjë nga kriteret e tjera, që duhet të plotësohen në çdo rast kur aplikohet një dënim i tillë”- thotë prokuroria në materialin konfidencial. Por, çfarë parashikon neni 59/a i Kodit Penal i cili u fali lirinë disa të dënuarve për krime të rënda? Në pjesën hyrëse të këtij neni thuhet se përfitojnë nga “qëndrimi në shtëpi” të dënuarit me burgim deri në dy vjet, ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit. Por për të përfituar “lirinë” nga ky nen, të dënuarit duhet të përmbushin një sërë kriteresh të përcaktuara mjaftë qartë në pikat e tjera të nenit 59/a. Nga ky nen mund të përfitojnë baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç; personat në kushte të rënda shëndetësore; personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore dhe të rinjtë nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Për personat e sëmurë specifikohet se gjykata mund të vendos qëndrimin në shtëpi apo në një qendër të kujdesit dhe shëndetit publik.

Rastet

Referuar raportit që i është dorëzuar edhe Prokurorit të Përgjithshëm, rezulton se në datën 17 korrik, Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e të dënuarit Ardian B. duke caktuar që vuajtja e mëtejshme e dënimit të bëhet me “qëndrim në shtëpi”. Ky shtetas është arrestuar një vit më parë kur policia sekuestroi një automjetin e tij sasinë prej 8 kilogramë e 200 gramë heroinë. Operacioni për arrestimin e të dyshuarit u zhvillua në qendër të qytetit të Durrësit dhe vetëm pak kohë më parë ai u dënua me 6 vjet burg nga Gjykata e Apelit Durrës. I pandehuri përfitoi uljen e dy viteve burg nga procedura me gjykim të shkurtuar dhe qëndroi në qeli vetëm dy vite. “Pasi ka vuajtur dy vjet nga dënimi, Ardian B. ka aplikuar, që pjesën tjetër të dënimit ta vuajë me “qëndrim në shtëpi”. Gjykata ka pranuar kërkesën, duke arsyetuar se bashkëshortja e të dënuarit nuk ka mundësi të kujdeset për fëmijet, pasi është në gjendje të sëmurë”- thuhet në raportin e prokurorisë së Durrësit. Rasti i mësipërm ka pasuar një tjetër vendim të Gjykatës së Durrësit, gjithashtu i kontestuar nga prokuroria. Më datë 01 korrik 2013, kjo gjykatë ka pranuar kërkesën e të dënuarit Mark Gj. duke vendosur lirimin e të dënuar me 23 vjet burg për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen. Gjykata arsyetoi në vendimin e lirimit se qëndrimi i mëtejshëm në qeli mund të rrezikojë jetën e të dënuarit. “Rezulton se i dënuari Mark Gj., kishte për të vuajtur edhe 8 vjet burgim, dhe paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke pasur parasysh veprën e kryer si dhe faktin se ka shfaqur probleme mendore dhe mund të përbejë rrezik për shoqërinë”- thotë prokuroria. Por pavarësisht pretendimeve të akuzës gjykata ka vendosur ta lirojë nga qelia, sipas saj për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të të dënuarit. Por çuditë e Gjykatës së Durrësit nuk kanë të mbaruar. Rastet e parregullsive në lirimin e të dënuarve, të evidentuara nga akuza, tregojnë se dy ditë pas lirimit të të dënuarit për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekje, gjykata ka liruar një tjetër person të dënuar për trafik ndërkombëtar narkotikës. Lutfi Sh. sipas prokurorisë ka përfituar “qëndrim në shtëpi” për 1 vit e 11 muaj burg që duhet të shlyente. “Më datë 03.07.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka pranuar kërkesën e të dënuarit Lutfi Sh., duke caktuar që dënimi i mbetur prej 1 vit e 11 muaj, të vuhet me “qëndrim në shtëpi”- thotë prokuroria, e cila nuk është dakord me këtë vendim të gjykatës. Sipas saj, ky person është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda me 8 vjet burgim për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në sasira të mëdha. “Arsye e aplikimit të këtij dënimi është gjendja jo e mirë e prindërve të të dënuarit”- citohet në raportin e Prokurorisë së Durrësit. Lista e të dënuarve vijon me vendime të tjera të dhëna nga Gjykata e Durrësit, e cila më datë 04.07.2013 ka vendosur “lirimin me kusht” të të dënuarit Kanan Xh., i dënuar me 6 vjet burgim për veprat penale: “prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. “Ky i dënuar duhet të vuante edhe 1 vit e 8 muaj burgim nga dënimi i dhënë. Gjykata ka vendosur lirimin e tij para kohe me kusht duke argumentuar se i dënuari ka probleme shëndetësore”- thuhet në raportin e prokurorisë. Ndërsa në datën 12 korrik, kjo gjykatë ka liruar edhe dy të burgosur të tjerë të dënuar respektivisht për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë dy të vdekur. Judmir K., i dënuar më parë me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” ka përfituar lirim me kusht nga Gjykata e Durrësit. “Ky i dënuar kishte për të vuajtur edhe 9 muaj burgim nga dënimi i dhënë për akuzën e mësipërme. Gjykata ka urdhëruar lirimin e tij para kohe me kusht duke argumentuar se i dënuari duhet të kujdeset për familjen e tij”- thotë prokuroria. Po në të njëjtën datë kjo gjykatë ka pranuar kërkesën e të dënuarin Ylli Gj., “qëndrim në shtëpi” për pjesën e mbetur të dënimit prej 1 vit e 11 muaj burgim. “Ky shtetas është dënuar me 5 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy personave. Ky i dënuar sipas prokurorisë ka vuajtur masë më të vogël në burg se dënimi që do vuajë me qëndrim në shtëpi”- raporton prokuroria.

Marrë nga Investigim.al

 

Prokuroria e Përgjithshme

Të mbahet qëndrim ligjor ndaj këtyre rasteve

Situata e krijuar ditët e fundit në Gjykatën e Rrethit Durrës ka alarmuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme, e cila është vënë në dijeni të informacionit për rastet e lirimit të të dënuarve për krime të rënda. Për këtë fakt është vënë në dijeni edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla i cili ka urdhëruar vartësit e tij të mbajnë qëndrim ligjor për çdo rast ku janë vërejtur parregullsi në vendimin e gjykatës. I kontaktuar nga investigim.al, Albi Serani këshilltar për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm thotë se ky institucion është në dijeni të vendimeve të Gjykatës së Durrësit. “Për të gjitha rastet ku janë konstatuar vendime në kundërshtim me ligjin prokurorët e prokurorisë së Durrësit kanë bërë ankim në Gjykatën e Apelit”- thotë Serani. Sipas tij, lidhur me rastet kur gjykata ka urdhëruar lirimin e të dënuarve për krime të rënda, Serani thotë se të gjithë vendimet janë apeluar nga prokuroria e Durrësit.

KLD

Ende nuk ka nisur inspektimi, por verifikohen të dhënat

Por lirimi i 6 të dënuarve për krime të rënda në vetëm 15 ditë nuk ka shqetësuar sa duhet Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili nuk ka nisur ende një inspektim në Gjykatën e Durrësit. Elis Kuçi zëdhënës i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i kontaktuar nga investigim.al tha se në raste të tilla ndiqet një procedurë e caktuar deri në nisjen e një inspektimi ndaj një apo disa gjyqtarëve. Ai sqaroi se materialet denoncuese që mund të vijnë nga media apo ankesat e qytetarëve mblidhen përgjatë muajit dhe më pas është juristi i KLD-së ai që vlerëson nëse ka vend për inspektim apo jo. “Këto materiale vlerësohen nga juristi i institucionit dhe në rast se ka vend për inspektimin e gjyqtarëve, ato u përcillen inspektorëve. Kjo procedurë kryhet çdo fund muaji pasi më parë janë mbledhur ankesat e qytetarëve apo informacionet e bëra publike në media”- tha për investigim.al Elis Kuçi zëdhënës i KLD-së.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency