Hotel “Dajti” shndërruar në gërmadhë, Fullani shpenzon për volejboll

0
153

Ervin Kaduku

 –   Pse e bleu hotelin më të famshëm të Tiranës, kur përdorimi i tij nuk hynte ndër përparësitë e Bankës së Shqipërisë? Sa qira paguan kjo bankë në muaj për të përdorur mjedise të tjera, derisa guvernatori të në kthejë “luksin” e objektit për të cilin Tirana ishte krenare për një shekull rresht? Dhe, në fund, a do ta detyrojë kush guvernatorin Fullani t’u përgjigjet këtyre pyetjeve?

 

Hotel_Dajti

Banka e Shqipërisë vazhdon të shpenzojë qira marramendëse për strehimin e saj deri në mbarimin e rikonstruksionit të zyrave të saj në zemër të Tiranës, ndërkohë që prej disa vitesh ka blerë plot 30 milionë euro ish-hotel “Dajtin”, i cili po shkon drejt degradimit nga dita në ditë. Guvernatori Fullani ka parashikuar në strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2013-2015, rikonstruksionin dhe rikthimin e “Dajtit” në gjendjen e mëparshme. Por, duke parë se në këtë dokument të publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë, realisht mungon afati i nisjes dhe përfundimit të rikonstruksionit të kësaj godine, atëherë vetvetiu lind dyshimi që, edhe këto 3 vite në vazhdim, kjo godinë do të vijojë rrënimin e plotë si pasojë e braktisjes, kushteve atmosferike dhe mungesës së investimeve. Fullani ka premtuar edhe më parë rikonstruksionin e ish-hotel “Dajtit” dhe, megjithëse ka miratuar dhe një vendim për një fond të konsiderueshëm, një gjë e tillë nuk ka ndodhur konkretisht. Fillimisht, në datën 16 qershor 2010, Ardian Fullani vendosi që të blinte ish-hotel “Dajtin”, për një shifër prej 41.4 milionë dollarësh. Menjëherë më pas, Fullani miraton një vendim për përshtatjen e pjesshme të hotelit-bankë “Dajti”, me një vlerë prej 567 mijë dollarësh. Në një vendim të tretë, pak kohë më pas, Fullani miratoi shpenzimet për projekt-zbatimin e përshtatjes së hotel-bankës “Dajti”, me një vlerë prej 1 milionë dollarësh. Sot, 3 vite pas këtyre vendimeve, hotel “Dajti”, ka mbetur po ashtu, ndërkohë që Banka e Shqipërisë vijon të paguajë qira marramendëse për t’u strehuar.

Aktualisht, Fullani ka parashikuar që gjatë periudhës 2013-2015, hotel “Dajti” të rikonstruktohet dhe t’i kthehet bankës për funksionimin e ndërtesës në shërbim të veprimtarisë së saj, të cilat parashikojnë rikthimin e ndërtesës në të gjitha aspektet e saj në gjendjen fillestare, ringjalljen e këtij objekti dhe kthimin e shkëlqimit të dikurshëm. “Restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitekturës së godinës, por natyrisht në kushtet e shekullit të ri, pa harruar edhe mjedisin e gjelbëruar përreth tij. Kjo ndërtesë me bibliotekën e pasur të saj do të jetë një dritare e kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun, veçanërisht me kërkuesit, akademikët, studentët dhe median”, – thuhet në strategjinë afatmesme të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013-2015.

 

Transaksioni

Ka qenë 26 maji i vitit 2012, kur guvernatori i Bankës Qendrore është prononcuar për herë të parë rreth transaksionit të shumëpërfolur për blerjen nga ana e bankës për 30 milionë euro të ish-hotel “Dajtit”.

Guvernatori Fullani në deklaratën e parapërgatitur për këtë çështje shtoi se procedurat qe Banka ka ndjekur për blerjen do të jenë transparente dhe se ai ishte i kënaqur që godinës do t’i rikthehej shkëlqimi i mëparshëm. Zoti Fullani nuk pranoi, gjatë një konference për shtyp, t’i përgjigjej asnjë pyetjeje dhe nuk u dha kështu përgjigje dyshimeve të shumta të ngritura për këtë transaksion financiar lidhur me mungesën e një gare për blerjen e hotelit, me faktin nëse kjo blerje ishte parashikuar në buxhetin e Bankës Qendrore apo të faktit tjetër se përse banka, e cila do të rikonstruktonte dhe zgjeronte godinën e vet kryesore, bleu një godinë të rrënuar, për ristrukturimin e së cilës nevojiten miliona euro të tjera, sipas ekspertëve të fushës.

 

Ligji

Po t’u referohemi kërkesave ligjore për prokurimet publike, del se shitja e hotelit nuk i është nënshtruar ankandit sipas ligjit ndërsa është shkelur dhe Kodi Civil. Ligji numër 1638 datë 17.12.2008 për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurën e shitjes, detyron institucionet që, në rastin e shitjes të një prone shtetërore, t’ja nënshtrojë atë procesit të ankandit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kalimi i pronës shtetërore nuk ka nevojë të bëhet nëpërmjet shitjes por mund të bëhet edhe me transferim të së drejtës të administrimit të kësaj prone. Kësisoj Banka e Shqipërisë për shkak të rikonstruksionit të godinës ekzistuese mund ta merrte në administrim godinën e ish-hotel ‘Dajtit’ sikundër ndodhi me Drejtorinë e Aviacionit Civil pak kohë më parë. Ndërkohë, BSH ka preferuar ta blejë këtë objekt. Banka e Shqipërisë është në shkelje të legjislacionit për çështjen në fjalë, sepse ky institucion nuk mund të blejë asgjë pa tender. Mjafton t’i referohesh faqes zyrtare në internet të Agjencisë së Prokurimeve Publike, për të vërtetuar faktin se BSH ka çelur tender për të blerë letra të bardha e stilolapsa, ndërkohë që nuk e ka bërë këtë për blerjen e ish-hotel “Dajtit” në shumën prej 30 milionë eurosh.

 

Intervista

“Zëri i Amerikës” është e vetmja media, së cilës Fullani i ka dhënë një përgjigje lidhur me këtë transaksion. Sa më poshtë, vijon pyetja dhe përgjigjja përkatëse.

 

“Zëri i Amerikës”: Gati dy vjet më parë banka bleu për rreth 30 milionë euro ish-hotel “Dajtin”. Pati atëherë shumë polemika dhe akuza ndaj bankës për një veprim të tillë. Ç’po ndodh me hotel “Dajtin”?

Ardian Fullani: Lëvizje të rëndësishme institucionale gjithmonë janë të vështira për t’u tretur. Po bëjmë fjalë për simbolin e Shqipërisë, për hotel “Dajtin”. Jo vetëm aq. Hotel “Dajti” ka qenë një simbol i arkitekturës ballkanike për vetë rëndësinë që kishte autori Bozio. Pa dyshim që do të trajtohej kjo në shoqërinë shqiptare. Ky nuk është vetëm aq. Ky hotel është simboli i rinisë sonë. Është një simbol i ndaluar yni, nganjëherë edhe për ta parë, jo vetëm për të hyrë brenda. Ajo është godinë plot me hije, bukuri, nostalgji. Duke qenë simbol, kur kryen një transaksion të tillë ke mbi shpatulla një përgjegjësi shumë të madhe, jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Ky ishte shansi më i madh që iu dha Bankës së Shqipërisë, nuk diskutojmë këtu për çmimin, i cili është një oportunitet i shtuar për Bankën e Shqipërisë.
Me blerjen e hotel “Dajtit” përfundojmë konfigurimin e Bankës së Shqipërisë. Në fund të këtij viti në mbarojmë rindërtimin e godinës kryesore, e cila është një vepër arti, është katër kate nëntokë, rreth 20 metra poshtë nën tokë. Do të lehtësojë qarkullimin e Tiranës me rreth 100 makina dhe jo më kot ka numrin një në Tiranë pranë sheshit “Skënderbej”. Përfunduam vitin e shkuar godinën teknologjike moderne të përpunimit të bankënotës. Kështu që do të kemi një mundësi tashmë e tutje një përpunim modern dhe lehtësim të punës së bankave dhe do t’i japim mundësi konsumatorëve ta përdorin më me efektivitet dhe të jenë më dinjitozë për paranë që ata kanë në kuletat e tyre. Përfundimi hotel Dajtit mbyll këtë trekëndësh dhe është mjaft i rëndësishëm për ne. Do të mundohemi që të ruajmë traditën dhe njëkohësisht të bëjmë një godinë moderne pa ndryshuar asgjë nga fasada e saj. Njëkohësisht edhe duke e ristrukturuar. Tashmë që ne jemi brenda dhe po bëjmë punime në të kuptojmë që është një godinë e vjetër, ka nevojë për shumë punë, për shumë ristrukturim. Pa dyshim që do të jetë po ai simbol për shqiptarët, por me një vello të re.

 

……………

 

Guvernatori ka folur këtu si një poet amator, por aspak si ekonomist. Në fakt, ai është tepër i rezervuar publikisht për shpenzimet. Pak kohë më parë u mësua se BSH synonte të blinte 5 fuoristrada me një vlerë totale prej 1 miliard lekësh të vjetra. Sipas të dhënave, 3 prej tyre ishin të blinduara dhe do të përdoreshin për transferta parash, ndërsa dy të tjerat do të bliheshin për stafin.

 

Shpenzimet

Të dhënat zyrtare nga vetë bilanci i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Për vitin 2012 u planifikuan 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH, kurse për aktivitete sportive janë planifikuar 37 mijë dollarë, por në vitin 2009 ishin shpenzuar mbi 350 mijë dollarë. Vetëm për katër ditë aktivitet, ekipi i volejbollit i Bankës së Shqipërisë shpenzoi qindra mijë dollarë, pak më shumë se sa buxheti i gjithë vitit të ekipit kombëtar të volejbollit për femra.

Shpenzimet janë të larta edhe për vizita, udhëtime, dieta dhe pritjet e ceremonive të ndryshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency