Ëndrra e Skënderbeut zgjat vetëm 30 minuta

0
192

Altin Vorpsi

Tridhjetë minutat e para të kësaj ndeshjeje ishin adrenalinë e pastër. Tomiçi dhe dy herë Shkëmbi, pas penalltive të fituara nga Pejiçi, arrijnë të zerojnë disavantazhin e ngritur në Kazakistan nga miqtë një javë më parë

 

skenderbeu1Skënderbeu korri dje fitoren më të hidhur të historisë së vet. Korçarët, edhe pse mundën rivalët nga Kazakistani, nuk mundën që të kthenin në realitet ëndrrën që zgjati për vetëm 30 minuta.

Adrenalina

Tridhjetë minutat e para të kësaj ndeshjeje ishin adrenalinë e pastër. Tomiçi dhe dy herë Shkëmbi, pas penalltive të fituara nga Pejiçi, arrijnë të zerojnë disavantazhin dhe të përfshijnë të gjithë stadiumin në një ëndërr të bukur, por që si e tillë, edhe në këtë rast, nuk zgjat shumë.

Goli që prishi gjithçka

Në mbyllje të pjesës së parë, Shakhtari ngushton në 3-1 rezultatin dhe kjo goditje, që gjeti të pavëmendshme mbrojtjen korçare, ndikon jo pak në moral. Ky ishte goli që mbylli gjithçka. Në atë pikë të takimit, Skënderbeu pa se tre golat e shënuar nuk i bënin më punë. Për të kapur fazën “play off” të Ligës së Kampioneve duheshin dy gola të tjerë.

Gabimi fatal

Kundërshtarët ishin dukshëm nën presionin e kampionëve të Shqipërisë. Dëshira dhe nevoja për të shënuar edhe dy gola të tjerë, ndoshta një objektiv i mundshëm, ishte një moment shumë i bukur për të qenë i vërtetë dhe Pejiç, atëherë kur pritej më pak, nuk shënon, por lë skuadrën me 10 lojtarë, pas një nervozizmi të tepruar.

Nga ëndrra në makth

Minutave të mbetura u shtohet edhe lodhja, veç epërsisë numerike të kundërshtarit, që shënon edhe golin e dytë në minutën e 66. Këtu mbyllet kapitulli i Champions League për kampionët e Shqipërisë që, të paktën, edhe në 90 minutat e fundit fituan, dhuruan emocion për më shumë se 30 minuta, por ndryshe nga ndeshja e shkuar, këtë herë u mungoi fati.

 

 

SKËNDERBEU-SHAKHTAR 3-2

Golat: Tomiç 9′, Shkëmbi 20′ (pen), 29′ (pen) / Khizhniçenko 38′, Bayzhanov 67′

Skënderbeu: Shehi, Arapi, Ademir (Fagu 85′), Radaš, Gvozdenoviç, Orelesi, Tomiç (Abazi 61′), Lilaj, Shkembi, Pejiç, Morina (Ejupi 64′). Trajner: Mirel Josa

Shakhter: Mokin, Vasiljeviç, Poryvaev (Tarasov 61′), Dzhidiç, Maliy (Bayzhanov 46′), Simčeviç, Vičius, Ghazaryan, Cañas, Finonçenko, Khizhniçenko (Zenkoviç 72′). Trajner: Viktor Kumykov

 

Kartonë të verdhë: Tomiç 59′ / Vasiljeviç 20′, Maliy 28′, Dzhidiç 45+2′

 

Karton i kuq: Pejiç 54′

 

Formula 1

Skuderia Lotus – Renault është një prej ekipeve protagoniste të këtij sezoni në Formula 1, megjithatë kampionati më i shpejtë në rruzull krejt ndryshe nga ç’pretendojnë drejtuesit më të lartë vazhdon të jetë tepër i shtrenjtë dhe lajmet më të fundit bëjnë të ditur se ekipi nga Enstone është në vështirësi të theksuar financiare. Por fakti që janë kompetitiv nuk mjafton, pavarësisht se në lojë është titulli i botërorit të Formula 1. Alarmin e lëshon adresa elektronike prestigjioze, gjermane, motorsport – total, sipas së cilës Lotus ka plot 120 milionë Euro borxhe, një shumë tepër e lartë, aq sa për shkak të saj ky ekip është duke luftuar për të mbijetuar. Një prej drejtuesve teknikë të skuadrës Ing. Alan Permane në një intervistë të dhënë për Auto Motor Und Sport pranoi se ekipi nuk ka edhe shumë fonde deri në fund të sezonit. Për momentin skuadra Lotus – Renault renditet në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm për konstruktorë, me 189 pikë, vetëm 5 më pak sesa Ferrari dhe 19 pikë diferencë kundrejt ekipit Mercedes që mban pozicionin e dytë pas skuadrës Red Bull. Zhvillimi i makinës ende nuk ka përfunduar, por me sa duket nuk ka as shpresa që të vazhdojë, pasi Permane deklaroi hapur se çfarë ishte programuar tashmë është vënë në jetë dhe do të përdoret në garat e parashikuara. Një sinjal preokupues ky për një ekip që lufton në vendet e para të Formula 1, por që për momentin nuk arrin dot të paguajë as pilotin e saj kryesor Kimi Raikonen. Kampioni I botës I vitit 2007 pranon se një gjë e tillë I ndodhi vjet te kjo skuadër dhe po përsëritet sërish këtë sezon, sidoqoftë piloti finlandez nuk pritet të vuajë edhe për shumë kohë, pasi vitin 2014 mendohet të kalojë te Red Bull ose Ferrari. Edhe marrëveshja me Infinity Racing, që nga sa u bë e ditur në muajin Qershor bleu 65% të grupit të ekipit nga Enstone, nuk duket se mjafton për të shmangur telashet, pasi nuk ka filluar akoma të vihet në praktikë. Konfirmimi I gjithçkaje vjen nga goja e vetë numrit 1 të skuadrës Eric Boullier, I cili pranon se skuadra ka një plan për t’u riorganizuar në aspektin financiar dhe rrogat e prapambetura do të shpërndahen brenda vetëm pak ditësh. Kurioz gjithsesi mbetet fakti se Kimi Raikonen pavarësisht se nuk është paguar rregullisht nga ekipi Lotus ushqen shpresa për titullin botëror të pilotëve, teksa kur kanë mbetur edhe 9 gara gjithsej, deri në fund të sezonit, numëron 34 pikë diferencë kundrejt kampionit në fuqi Sebastian Fetel.

 

Masa: E ardhmja tek Ferrari është e pasigurt

E ardhmja e Felipe Masas tek Ferrari është e pasigurt dhe këtë e thotë vetë braziliani, i cili deri tani ka realizuar një sezon zhgënjyes. Masa, në një intervistë të publikuar në gazetën sportive spanjolle “AS”, theksoi se mbetet optimist për një përmirësim të mundshëm të rendimentit të tij në pjesën e mbetur të Botërorit të Formulës 1, por pranoi se “në fund, do të jenë rezultatet ato që do të përcaktojnë të ardhmen e tij”. “E ardhmja ime nuk është ende e qartë, por mundësia për të qëndruar është këtu dhe më e rëndësishmja në këtë moment janë rezultatet”, deklaroi braziliani. “Jam i kënaqur për ritmet që kam vendosur në prova zyrtare, por duhet të rrisim rendimentin tonë në garë, ku duhet të jemi shumë më të qëndrueshëm”, shtoi piloti brazilian. Megjithatë, problemi më i madh i pilotit të dytë të Ferrarit, është krahasimi me dy herë kampionin e botës brenda skuadrës, Fernando Alonson. Që prej vitit 2010, kur spanjolli mbërriti në skuadër, ai ka arritur të ngjitet 38 herë në podium, në krahasim me dhjetë herët e Masës, ndërsa diferencat duket se vijnë gjithmonë e në zmadhim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency