Brazil 1950, SHBA “dëshpërojnë” për herë të parë Anglinë

0
118

Përgatiti Altin Vorpsi

Edhe pse konsiderohet nga të gjithë si vendi që nuk “dashuron” futbollin, mund të themi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkruar historinë e kësaj loje. Përfaqësuesja e shtetit nga Amerika Veriore ka mundur që të “dëshpërojë” për herë të parë ata që kanë shpikur këtë lojë. Pikërisht përfaqësuesen e Anglisë, që duke pasur një konsideratë të lartë për veten, kishte refuzuar që të merrte pjesë në botërorët që u organizuan në 1930-ën, 1934-ën dhe 1938-ën. SHBA-ja mundi Anglinë në takimin që mori nofkën “krisma që u dëgjua në tërë botën” (e njëjta nofkë që ka marrë edhe nisja e Revolucionit Amerikan).

 

APP2001101205974Botërori që u zhvillua në 1950-ën, përveç faktit se ishte i pari që u mbajt pas Luftës së Dytë Botërore dhe dramës së Marakanasë (Brazili vendas humbi në stadiumin e vet Kupën përballë Uruguait), do të mbahet mend gjatë edhe për ndeshjen e fazës së parë, atë midis SHBA-së dhe Anglisë. Për amerikanët bëhej fjalë për një “rikthim”, pasi kishin marrë pjesë edhe në Botërorin e zhvilluar në 1934-n, ndërkohë që sa u përket anglezëve, duhet thënë se ishte hera e tyre e parë. Duke e konsideruar veten si “mjeshtra” apo “shpikës” të kësaj loje, ata kishin refuzuar të merrnin pjesë në tri edicionet e mëparshme. Gjithsesi, aventura e tyre e parë ishte mjaft e hidhur. “Kushërinjtë” amerikanë i mundën 1-0 në një takim që do të njihej në historinë e futbollit me nofkën “The shot heard around the world” (krisma që u dëgjua në tërë botën).

Pjesëmarrëset

Duke parë se në ç’gjendje e la Evropën Lufta e Dytë Botërore, u vendos që edicioni i katërt i Kupës të Botës të luhej jashtë kontinentit të vjetër, pikërisht në Brazil. Në atë edicion morën pjesë vetëm 13 shtete (numër ky tek dhe i papërshtatshëm për kompeticione që ecin me sistem eliminimi), pasi shumë përfaqësueset u detyruan që të hiqnin dorë apo edhe të përjashtoheshin (siç ishte rasti i Gjermanisë). Një pjesë e mirë e skuadrave që hoqën dorë, ishin nga Evropa Lindore: të munguarat e mëdha ishin Hungaria (që fitoi Medaljen e Artë në Olimpiadën që u mbajt dy vite më pas në Helsinki) dhe Bashkimi Sovjetik (nuk preferoi që të përballej me ekipet perëndimore). Ndërkohë, u ndie edhe mungesa e Austrisë dhe e Çekosllovakisë. “Të copëtuar” nga lufta ato nuk mund të merrnin pjesë edhe pse ishin paraqitur mjaft mirë në edicionet e para. Një tjetër skuadër e madhe që mungoi ishte edhe ajo e Francës, që refuzoi që të zëvendësonte Turqinë. Ndërkohë, në Amerikën Latine, Argjentina, Peruja dhe Ekuadori nuk morën pjesë për arsye të tyre. Sa i përket Gjermanisë, përfaqësuesja teutonike ishte e përjashtuar nga FIFA, kështu që nuk udhëtoi drejt Brazilit. Ndërkohë, gjatë evenimentit Indisë nuk iu lejua që të zbriste në fushë, pasi ekipi indian kërkonte të luante pa këpucë, ashtu siç kishin bërë gjatë eliminatoreve…

Eliminatoret e dobëta dhe përbërja e skuadrës

Sa i përket fazës eliminatore që kishin bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet thënë se nuk lanë mbresa. Ata edhe pse u mundën dy herë nga Meksika, arritën të merrnin një vend në Botëror falë një barazimi (1-1) dhe fitoreje ndaj (5-2) ndaj Kubës. Shumë prej lojtarëve të zgjedhur nga “selection committee” patën një rol vendimtar në atë fazë: në këtë listë speciale janë të skalitur emrat e Walter Bahr, Gino Pariani, Harry Keough, Frank Borghi, Benny McLaughlin, Frank Wallace, John Souza dhe Charlie Colombo. Pak ditë pasi Federata Amerikane e Futbollit nxori listën e futbollistëve që do të merrnin pjesë në Botëror, erdhën edhe (vetë)përjashtimet e para. Kështu Benny McLaughlin nuk mundi që të shkonte në Brazil, pasi kishte probleme në punë si dhe kishte fiksuar tashmë datën e martesës! Një tjetër futbollist që nuk mori pjesë në Botërorin e Brazilit, ishte edhe Jack Hynes, që u la jashtë ekipit, pasi kritikoi mënyrën se si përzgjodhi lojtarët USSFA. Kështu, tek ekipi i SHBA-së, të shumtë ishin edhe ata që do të mund të debutonin me fanellën kombëtare pikërisht në një eveniment të madh si Botërori: Ed McIlvenny, Ed Souza, Joe Maca, Joe Gaetjens, Robert Annis, Geoff Coombes, Adam Wolanin dhe Gino Gardassanich (portieri rezervë ishte nga Çikagoja). Nga tërë këta futbollistë vetëm tre prej tyre nuk kishin lindur në SHBA. Rreth tyre u ngritën disa akuza që më pas FIFA i sheshoi duke mbyllur një sy. Sa i përket stafit teknik duhet thënë se Walter Giesler, presidenti i USSFA (Federata Amerikane e Futbollit) udhëtoi me ekipin drejt Brazilit, pasi bëri edhe rolin e menaxherit të skuadrës, ndërkohë që Bill Jeffrey u emërua si teknik.

Periudha parapërgatitore

Skuadra përfaqësuese e SHBA-së u transferua në Brazil shumë kohë përpara se të mbahej evenimenti i shumëpritur. Kështu, tekniku i amerikanëve pati tërë kohën e mundshme për të përgatitur një përfaqësuese dinjitoze. Futbollistët u stërvitën me rregull dhe shumë prej atyre që në jetën e përditshëm bënin punë të tjera arritën që të kapnin ritmin e kësaj loje. Jeffrey krijoi një skuadër kompakte që e tregoi vetveten dy takimet miqësore që zhvilloi para se të fillonte Botërori. SHBA-të u mundën vetëm 1-0 përballë “All-England team” (The English FA XI), ndërkohë që në takimin e dytë humbën thellë, 5-0 përballë Beshiktashit.

Faza e parë

Trembëdhjetë kombëtaret u ndanë në katër grupe. Pikërisht SHBA-të bënin pjesë në grupin e 2-të së bashku me Spanjën, Anglinë dhe Kilin. Në këtë fazë vetëm skuadra që do të renditej e para do të arrinte që të kualifikohej për me tej. Takimi i parë për amerikanët ishte ai që u zhvillua në 25 qershor në Koritiba, ku SHBA u përball me Spanjën. Sa i përket lojës duhet thënë se që në këtë ndeshje ata surprizuan të tërë. Pas 15 minutash që kaluan nën presion të “furive të kuqe” amerikanët shënuan gol: Gino Pariani, pasi mori një top nga e djathta, stopoi bukur sferën dhe kur pa se kishte shumë kundërshtarë nga pika e penalltisë lashtoi një silurë që u “pre” në këndin e majtë të portierit spanjoll. Kështu të vendosur për të mbrojtur rezultatin amerikanët rezistuan deri dhjetë minuta para fundit të tërë takimit kur Charlie Colombo humbi një top në mbrojtje dhe i dha mundësi kundërshtarëve që të barazonin. Kështu me të marrë golin mbrojtja e SHBA-së u trondit dhe mori kështu edhe dy gola të tjerë në pesë minutat e fundit të një ndeshje që u mbyll 3-1. Gjithsesi ky rezultat nuk uli moralin e amerikanëve që e dinin fare mirë se kishin të bënin me një kundërshtar shumë herë më të fortë se ata.

Triumfi përballë “mjeshtrave”

Pas betejës me spanjollët përfaqësueses së SHBA-së iu desh që të zhvillonin edhe një tjetër që këtë herë do të thoshte shumë për ta. Belo Horizonte, më 29 qershor, ishte fushëbeteja e takimit midis SHBA-ve dhe Anglisë. Këta të fundit ditët e para të atij evenimenti ishin relaksuar më shumë se ç’duhet. Duke qenë se nuk ishin mësuar me kushtet e këqija të fushave braziliane ata zakonisht ndërroheshin në dhomat e tyre të zhveshjes. Ndërkohë, përballë SHBA-ve ata bënë gabimin e madh: dërguan në tribunë një pjesë të mirë të titullarëve, pasi kërkonin t’i çlodhnin për ndeshjet e tjera. Ndërkohë që nga ana tjetër SHBA-të kishin përgatitur këtë garë me profesionalizëm dhe zbritën në fushë me bindje të plotë në aftësitë e tyre. Pak pasi nisi ndeshja, një futbollist anglez lëshoi një silurë që përfundoi pak centimetra larg traversës dhe në atë moment kamerat e televizioneve braziliane inkuadruan disa prej lojtarëve të Anglisë që në tribunë vunë buzën në gaz. Këta të fundit kishin bërë keq llogaritë. Vija e mbrojtjes e SHBA-ve qëndroi e bashkuar përballë sulmeve të njëpasnjëshme të fanellave të bardha të Anglisë që së bashku me 10.500 spektatorët kuptuan se po luhej një takim i vërtetë. Momenti i madh erdhi në minutën e 37-të: aksioni i nisur nga Ed McIlvenny që dhuroi një top të bukur drejt Walter Bahr përfundoi në rrjetë. Ky i fundit u hodh fort për të kapur topin që u prek me kokë Joe Gaetjens (nga ngjyra e lëkurës dallohej që nuk ishte amerikan, vinte nga Haiti) që realizoi në anë të kundërt të portës të mbrojtur nga Bert Williams. E pabesueshmja aty u kthye në realitet. Anglia, edhe pse kishte edhe një pjesë loje në dispozicion për të barazuar, nuk ia doli. Në fillim ishte Charlie Colombo që shpëtoi “in extremis” Anglinë dhe më pas Frank Borghi bëri mrekullinë duke pritur topin (e goditur me kokë Jimmy Miullen) në vijën fatalë në minutën e 59. Më tej anglezët u munduan që të ndryshonin rolet në fushë me qëllim që të vinin në presion Lombardo Borghin, por më kot. Në minutat e fundit “frustrimi” u ul këmbë kryq mes “tre luanëve”. Dhe kur amerikani, John Souza dribloi plot gjashtë lojtarë anglez në mes të fushës, ishullorët u kthyen në qesharakë. Më tej amerikanët iu afruan sërish golit me anë të Frank Wallace që pas një pasimi të Pariani, u dal vetëm nga portieri i britanikëve. Pak minuta më pas kryesori fishkëlleu tri herë duke mbyllur edhe tërë takimin. Kështu skuadra më e fortë e botës u mund nga një ekip gjysmë-profesionistësh që shumëkush nuk mendonte se do të mblidhte 11 lojtarë për të zbritur në fushë.

Lajmi

Ky lajm kaloi Atlantikun, por askush, nga Londra e më tej, nuk i besonte se përfaqësuesja e “tre luanëve” ishte mundur diletantët amerikanë. Një gazetë shkroi për një gabim fatal të televizioneve, pasi sipas tyre (gazetës), Anglia kishte fituar 10-1 atë ndeshje. Përpos këtyre kurioziteteve, duhet thënë se humbja e deprimoi aq shumë kombëtaren angleze, saqë ajo doli kokulur edhe nga takimi me Spanjën, duke u eliminuar kështu në mënyrën më të keqe nga një kompeticion, që pak vite më parë e konsideronin si të fituar.

Robledo rezultoi fatal

Sa i përket kombëtares amerikane, mund të themi se aventura e tyre mbaroi më 2 korrik, në Recife, në takimin fundit në grup kur u përballën me Kilin. Falë një starti të dobët amerikanët pësuan menjëherë dy gola. Më pas në pjesën e dytë në pesë minutat e para ata arritën që të barazonin falë golave të Frank Wallace dhe Souza. Por ja që temperatura e lartë (më shumë se 40 gradë) e stadiumit të Recifes “rëndoi” shumë këmbët e SHBA-ve që katër minuta pasi kishin sjellë ekuilibrat morën një gol që u shënua nga sulmuesi i zotë i Kilit, Robledo (kishte rënë në sy edhe me Anglinë). Ky i fundit qe protagonist edhe në një episodi që në futboll nuk shihet shpesh. Robledo, që u tregua shumë pak sportiv, pasi kalonte mbrojtësin amerikan Colombo çdo herë që sulmonte. Madje kërkonte vetë duel me të duke qenë se e kalonte gjithmonë. Kileni bëri që Colombo, i deprimuar dhe i mërzitur, të linte fushën. Në atë çast Kili përfitoi mjaft mirë nga superioriteti numerik, duke shënuar edhe dy gola të tjerë duke e dërguar rezultatin në 5-2. Kështu ky rezultat solli edhe triumfin e Spanjës.

 

Fundi i “përrallës”

Kështu, edhe pse kombëtarja e SHBA-së nuk arriti që të kalonte grupin, pjesëmarrja në Botërorin e 1950-ës do të mbahet mend gjatë pasi ata mundën Anglinë. Ai botëror ka hyrë në historinë e SHBA-së, ndërkohë që anglezët kërkojnë që të harrojnë një dramën që për shumë vite “i persekutoi”. Për fat të keq amerikanët nuk e shfrytëzuan mirë atë çast magjik të futbollit të tyre. Vetëm në 1952-shin ata u rimblodhën serish për një turne që bënë në Britaninë e Madhe ku luajtën me Irlandën dhe Skocinë… por tapeti i blertë tregoi se entuziazmi që i ndihmoi për të mundur “mjeshtrat”, nuk ekzistonte më.

 

Aventura e SHBA-së në Botërorin e 1950-ës

 

25 qershor 1950

Koritiba, Estadio Brito

 

SPANJË – SHBA 3-1

 

Spanja: Eizaguirre (c) – Alonzo, Antunez, J. Gonzalvo – M.Gonzalvo, Puchades – Basora, Hernandez, Zarra, Igoa, Gainza

 

SHBA: Borghi – Keough (c), Maca, McIlvenny – Colombo, Bahr – Craddock, J.Souza, Gaetjens, Pariani, Valentini

Golashënuesit: J.Souza 17′ (0:1) , Igoa 54′ (1:1) , Basora 56′ (2:1), Zarra 63′ (3:1)

Arbitri: Vianna (BRA) Anësorët: Costa (POR) e Delasalle (FRA)

Spektatorët: 9.000

 

 

29 qershor 1950

Belo Horizonte, Estadio Mineiro

SHBA – Angli 1-0

 

SHBA: Borghi – Keough, Maca, McIlvenny (c) – Colombo, Bahr – Wallace, J.Souza, Gaetjens, Pariani, E.Souza

 

Angli: Williams – Ramsey, Aston, Wright (c) – Hughes, Dickinson – Finney, Mortensen, Bentley, Mannion, Mullen

 

Gol: Gaetjens 38′

 

Arbitri: Dattilo (ITA) Anësorët: Galeati (ITA) e Delasalle (FRA)

Spektatorë: 10.500

 

2 Korrik, 1950

Estadio Maracaná, Rio de Janeiro

 

Kili – SHBA5-2

 

Kili: Livingstone (c) – Farias, Machuca, Alvarez – Busquets, Rojas – Prieto, Cremaschi, Robledo, Riera, Ibánez

 

SHBA: Borghi – Keough, Maca, McIlvenny – Colombo, Bahr (c) – Wallace, J.Souza, Gaetjens, Pariani, E.Souza

 

Golashënuesit: Robledo 16′ (1:0), Cremaschi 32′ (2:0), Pariani 47′ (2:1), J.Sousa 48′ (2:2), Cremaschi 54′ (3:2), Prieto 60′ (4:2), Cremaschi 82′ (5:2)

Arbitri: Gardelli (BRA) Anësorët: Alvarez (BOL) e Heyen (PAR)

Spektatorë: 8.501

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency