Berisha: Rama ngatërron ngjyrat me financat, ja si funksionon skema në çdo vend të botës

0
145

Ina Jano

Çdo qindarkë kalon përmes bankave, shpenzimet bëhen vetëm nëpërmjet thesarit

Legalizimi falas, dështimi tjetër i Ramës

 

sali-berisha-mbledhje-qeverie-portret-lsa1Dy ditë më parë, Kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë prezantoi projektin e Partisë Socialiste për atë që ata e quajtën rimëkëmbja ekonomike dhe një program për financat e vendit, që do të zbatohet në shtator kur Rama të jetë në krye të ekzekutivit. Megjithatë, ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi nga kreu i qeverisë aktuale, zoti Berisha, i cili në Facebook është shprehur se kryesocialisti ka një padijeni totale për financat dhe e vetmja gjë që ai di të bëjë, është të ngatërrojë ngjyrat mavi me treguesit ekonomikë. Kryetari i ekzekutivit ka komentuar deklaratat e Ramës për financat publike duke thënë se Rama dëshmon padije në ato që thotë. “Në fletërrufenë e tij për financat “piktori” dëshmon padije, vrer dhe injorancë totale në çdo fjalë dhe frazë të tij. Për çdo njeri që njeh abc-në e financave publike është e qartë si drita e diellit se në financat publike të Shqipërisë çdo qindarkë hyn nëpërmjet bankave dhe vetëm bankave dhe çdo qindarkë shpenzohet nëpërmjet thesarit dhe vetëm thesarit, i cili mund të kontrollohet online nga çdo qytetar”, – komentoi Berisha në Facebook.
Sipas Kryeministrit, Rama i ngatërron financat me ngjyrat mavi, ndërsa shton se në lidhje me programin financiar kjo është një praktikë ndërkombëtare dhe që ndiqet në çdo vend të botës në mënyrë të njëjtë. Zoti Berisha sqaron se për çdo vend të lirë të botës, përfshirë këtu edhe SHBA-në, të gjithë treguesit fiskalë ekonomikë publikohen së paku një herë në vit nga Banka Botërore dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. “Për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër të lirë të botës, përfshirë këtu dhe SHBA, prodhimi i brendshëm, borxhi publik dhe tregues të tjerë kryesorë fiskal ekonomike përllogariten dhe publikohen së paku një herë në vit nga Banka Botërore, FMN dhe për vendet evropiane edhe nga Komisioni Evropian. Por “piktori” financat i ngatërron me ngjyrat mavi, zymtësi dhe vrer. Ai i lexon ato si Ungjillin sipas Canit (Çimit) apo Kuranin sipas Cacit. Prisni, prisni, ky është ndryshim!! Padije, vrer dhe urrejtje në veprim”, – përfundon Berisha, komentin e tij në faqen e tij zyrtare.

Legalizimet

Po ditën e djeshme, lideri i ekzekutivit është ndalur në një tjetër reformë që ka paralajmëruar Rama. Ai ka vendosur fokusin tek legalizimet, një prej premtimeve më të bujshme të kreut të selisë rozë gjatë fushatës elektorale. Rama ka premtuar se ai do të bënte legalizim falas për çdo shtëpi dhe ky ishte një prej atyre deklaratave që ka bërë të mundur tërheqjen të sa më shumë votave. Pikërisht në këtë pikë është ndalur edhe Berisha, i cili ka pohuar se tashmë, Rama e ka shndërruar fjalën legalizim me fjalën inventarizim të banesave dhe të frymorëve. “Legalizimi falas, mashtrimi tjetër i madh i Piktorit dështak! Të dashur miq, premtimi i bujshëm i “piktorit” për legalizimin falas është dhe mashtrimi tjetër i madh i tij. Kështu pasi për një muaj me radhë hoqi nga fjalori i tij fjalën legalizim, ai dje njoftoi se këtë 4 vjeçar do bëjë vetëm inventarizim si të banesave ashtu dhe të frymorëve, të cilëve u premtoi dhjetëra herë gjatë fushatës elektorale legalizimin falas të banesave dhe tokës. Kësaj i thonë: O’ burra ju gënjeva për legalizimin falas se më duhej vota juaj. Unë jam Edi Rama, prapa më vjen gënjeshtra! sb”, – ka shkruar Kryeministri Berisha në Facebook.

 

Rama: Ja si do të bëjmë transparencë për financat e vendit

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka publikuar dje për herë të parë skemën që do aplikojë Partia Socialiste për auditin e financave të shtetit. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryesocialisti thotë se nxjerrja në dritën e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare do të kryhet përmes ekspertizës së ndërkombëtarëve. Projekti që, sipas Ramës, do të transformojë rrënjësisht sistemin e Raportimit Financiar të Sektorit Publik në Shqipëri, do të ngihet mbi 4 shtylla. Hapi i parë do jetë analiza dhe verifikimi i të ardhurave të qeverisë dhe entiteteve të kontrolluara prej saj. Më tej, do të jetë radha e miratimit në Parlament të një ligji të ri, i cili rregullon raportimin financiar të entiteteve publike duke përdorur standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për sektorin publik SNKSP (IPSAS). Sipas projektit të socialistëve, ligji duhet të përcaktojë dhe detyrimin e auditimit të këtyre pasqyrave financiare, të paktën në nivelin më të lartë të konsolidimit – atë të ministrisë. Si hap i tretë parashikohet që duke nisur nga ministritë dhe deri tek qeveria, të bëhet një pasqyrë e plotë e të ardhurave dhe shpenzimeve. Hapi final do të jetë auditimi i jashtëm i pavarur nga kompania Big 4, sipas Standardeve Ndërkombetare të Auditimit (ISA). Në shërbim të transparencës, të gjitha pasqyrat financiare të audituara do të botohen, ndërsa ministritë do të marrin një raport shtesë për riskun që mund të përballen.

 

Kryeministri: Do të punoj 18 orë në ditë

Kryeministri Berisha vijon të përbëjë lajm dhe të zërë një pjesë të rëndësishme të hapësirës mediatike. Pavarësisht se tashmë nuk është më kreu i Partisë Demokratike dhe do të qëndrojë në krye të qeverisë deri në shtator sapo të konstituohet ekzekutivi i ri, zoti Berisha vijon të mbetet aktiv në politikë. Ditën kur ai ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në selinë blu ka deklaruar se do të vijojë të jetë aktiv në politikë dhe të punojë 18 orë në ditë për të rrëzuar një pushtet që sipas tij ka ardhur përmes votës së vjedhur dhe me mënyra kriminale. Të njëjtin konfirmim zoti Berisha e ka bërë edhe ditën e djeshme, duke i kthyer përgjigje një komentuesi në Facebook. “Kam deklaruar se çdo orë, çdo ditë dhe 18 orë në ditë do të bëj vetëm politikë në mbrojtje të parimeve që unë dhe demokratët ndajmë dhe mësojmë e që ndërtuan Shqipërinë e NATO-s”, – shkruan Berisha. Ai më tej pohon se Rama i ka vjedhur zgjedhjet dhe merr për shembull rastin e qarkut të Lezhës dhe atë të Shkodrës, ku numri i votave të vjedhura në total shkoi rreth 1700. Numri një i ekzekutivit shkruan: “Arkitekti i këtij krimi, z. Rama, nuk e mohon dhe nuk ka hedhur dot poshtë asnjë fakt tronditës të turpshëm të vjedhjes së votave. Madje, ai hesht dhe nuk përmend me fjalën zgjedhje”.

 

Bumçi takon ambasadoren e Afrikës së Jugut, vlerësohen marrëdhëniet mes dy vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi, zhvilloi dje një takim me ambasadoren e re të Republikës së Afrikës së Jugut, SH.T.Znj. Nomatemba Tambo, rezidente në Romë, me rastin e vizitës së saj në Tiranë për paraqitjen letrave kredenciale. Shefi i diplomacisë shqiptare pasi i uroi ambasadores Tambo suksese në detyrën e re, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve tona, duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të të gjitha niveleve si dhe krijimit të kuadrit ligjor.
Nga ana e saj, ambasadorja Tambo vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve tona dhe shprehu angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në fusha me interes reciprok si turizmi, energjetika etj.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency