Milo: Posti i zv.ministrit nuk bën për mua, duam të jemi në vijën e parë të ekipit

0
175

Kreu i PDS-së: Nuk kemi nevojë për koordinator me PS-në, kemi marrëdhënie të drejtpërdrejta

 

largea_milo1372174920Aleatët tradicionalë të Partisë Socialistë nuk do të pranojnë poste zv.ministri në qeverinë e re të majtë, duke pretenduar se vitet e tyre të opozitarizmit duhet të shpërblehen jo vetëm në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, bëri të ditur dje se forca që ai drejton duhet të vlerësohet për kontributin e dhënë, pavarësisht se në këto zgjedhje u penalizuan nga Kodi Zgjedhor dhe vjedhja e votave. “Këtu nuk është fjala për post ministror, por për tu zgjidhur me sakrifice dhe profesionalizëm çka i kemi ofruar shqiptarëve. Unë ndjej veten pjesë të ekipit dua te jem në vijën e pare te ekipit. Jam e Demokracia Sociale që meriton te vlerësohet për luftën që ka bere për vite të tëra. Është vlerësuar dhe duhet të vlerësohet, tani nuk na mbetet vetëm të presim. Nuk kemi asnjë mesazh apo ofertë, duhet të ulemi ne negociata”, – u shpreh ai në rubrikën “Opinion”, në TV “News 24”. I pyetur drejtpërdrejtë se çfarë pretendon Paskal Milo në qeverisjen e re, ai u shpreh i qartë: “Nuk bëhet fjalë për Paskal Milon për post zëvendësministri”.

Marrëveshja

Për kreun e PDS-së sfida më e madhe e opozitës së vjetër dhe mazhorancës së re është mbajtja e pushtetit e në këtë kontekst sipas Milos është e rëndësishme për PS të bashkëpunojë me të gjithë forcat aleate. “Unë e konsideroj veten time një aletet dhe partner histori, te qëndrueshëm, konsekuent për 21 e ca vjet të PS, pavarësisht nga drejtuesit e PS, kontratën e kam pasur brenda familjes se majte shqiptare. Jam kontributor në fitoren e koalicionit dhe si rrjedhim partia Demokracia Sociale duhet të vlerësohet. Me vështirë është ta mbash pushtetin se ta fitosh. Sfida e premtimeve qe janë dhënë është sfidë e madhe dhe ajo kërkon siç u fituan zgjedhjet së bashku ta mbajmë”, – tha Milo. Lidhur me marrëveshjen parazgjedhore me forcën më të madhe të koalicionit të majtë, ku sipas së cilës kush merr një mandat deputeti nga partitë e vogla ka të drejtë të kërkojë një post ministri në qeverinë e re, kryetari i PDS-së tha se,: “Marrëveshjet kur bëhen duhen te respektohen nga dy palët. Çdo marrëveshje që është bërë duhet parë a u respektua kontrata. Marrëveshjet duhen parë në kontekstin që zbatohen. Pritshmëria ka qenë ndryshe dhe doli ndryshe. Unë besoj se përtej numrave. Partia e Mar Frrokut ka marrë votat në Pukë, por jo në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi vota në gjithë Shqipërinë”. Po ashtu, Milo bëri të ditur edhe detaje të takimit të zhvilluar dy ditë më parë mes partive të koalicionit të majtë dhe kreut socialist Edi Rama, ku theksoi se struktura e re qeverisëse nuk u përfshi në diskutim, gjë që sipas tij cilësohet e gabuar pasi edhe aleatët mund të jepnin ndonjë mendim. “Ishte thjesht një takim i kreut të PS dhe kryeministrit të zgjedhur me përfaqësuesit e 31 partive politike për të falënderuar për bashkëpunimin dhe fitoren e përbashkët, që i dhënë koalicionit fitues rreth 100 mijë vota, mesazhi i dytë ishte që në përputhje me ligjin do të ketë bashkëpunim dhe ne qeverisjen e vendit, në përputhje me kontributet e dhëna nga çdo parti, por jo duke shkelur ligjin për administratën publike, por duke i dhënë shansin burimeve njerëzore të partive politike e për të konkurruar për administratën e ardhshme”, – theksoi Milo. Ndërkohë lidhur me vendimin e marrë nga Rama për të vendosur një koordinator për të bërë të mundur dialogun mes aleatëve dhe Partisë Socialiste, Milo e cilësoi si një urë ndërlidhëse të panevojshme. Sipas tij komunikimi mes PS-së dhe PDS-së nuk do ndërmjetësohet përmes një të 3-ti. “Unë aty e dëgjova për herë të parë që do ketë një koordinator, unë vetë dhe Demokracia Sociale, nuk e ndjejmë nevojë e një koordinatori. Ne në 8 vite kemi pasur komunikim të drejtpërdrejtë dhe nuk besoj se marrëdhënia mes PDS dhe PS do bëhet mes një të treti”, – pohoi kreu i PDS-së Paskal Milo.

 

Marrëveshja e PS-së me aleatët

Bashkëqeverisje – Partitë që marrin 500 deri 1000 vota në nivel qarku 5000 deri 10.000 vota në nivel kombëtar

Bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror – Partitë që marrin mbi 10.000 vota

Portofol ministror – Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhje

Formula e shpërndarjes së mandateve – Partia që ka fituar një mandat me anë të zbatimit të zbatimit të kësaj formule, përfitimin e saj për të marrë postin ministror duhet ta diskutojë edhe me partitë e tjera, të cilat kanë plotësuar numrin që u është dashur për të fituar një mandat

 

Kreu i LSI-së në Pogradec

Meta: Votat e LSI-së ishin vendimtare për rezultatin e së majtës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi dje se 180 mijë votat që mori forca që ai drejton në zgjedhjet e 23 qershorit ishin vendimtare për fitoren e koalicionit të majtë. Në një takim me strukturat e LSI-së në Pogradec, Meta ka deklaruar se ishte i bindur në rezultatin e së majtës jo vetëm në këtë qytet por edhe në të gjithë Shqipërinë. “Natyrisht që kontributi i LSI-së nuk ndalet këtu përkundrazi 23 qershori është vetëm stacioni i radhës në angazhimin tonë si forcë politike për të transformuar vendin, për ta bërë atë një vend plotësisht evropian, të standardeve evropiane. Ne i kemi treguar aftësitë tona në të kaluarën dhe do t’i tregojmë akoma më shumë tani. 180 000 vota dhe 16 mandate është një rezultat i jashtëzakonshëm”, – pohoi Meta. Sipas kreut të LSI-së tabni është koha e duhur për të ecur drejt objektivave që do ta shndërrojnë këtë forcë politike në një garanci të fuqishme për normalitetin e jetës politike në vend, për stabilitetin e vendit dhe për zhvillimin e tij. “Prosperiteti dhe e ardhmja ndërtohen vetëm me punë dhe është detyra jonë në radhë të parë t’i japim mundësi njerëzve që të punojnë”, – theksoi Meta. Në përfundim të fjalës së tij, lideri i LSI-së pohoi se 23 qershori do të mbetet në historinë e LSI-së si një moment ringritjeje të pandërprerë në emër të së ardhmes. “Mendoj se 23 qershori do të mbetet në historinë e forcës sonë politike si një moment ringritjeje të pandërprerë në emër të së ardhmes dhe në emër të të rinjve dhe të rejave të cilët patën një rol të jashtëzakonshëm për këtë shtim votash të LSI-së anembanë vendit. Ata shohin të ardhmen dhe perspektivën e tyre tek LSI-ja, siç e shohin edhe prindërit për fëmijët e tyre”, – u shpreh Meta.

 

Programi i ri

Vasilili: Gjithçka është gati. Beqja: E publikon Rama

Programi bashkëqeverisës PS-LSI për 300 ditët e para është gati dhe me krijimin e qeverisë së re do të nisë aplikimi i tij. Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili bëri të ditur dje se paavrësisht diferencave që ka forca ku ai bën pjesë me  Partinë Socialiste, programi është përfunduar dhe së shpejti do të bëhet publik. Ndërkohë që kjo është konfirmuar edhe nga bashkëkryetari socialist i grupit të punës për programin Ilir Beqja, i cili pohoi më tej se eskluzivitetin për ta bërë publik e ka kreu socialist Edi Rama. Në fokus të programit të qeverisjes së majtë për 300 ditët e para do të jenë ekonomia, borxhi publik, hapja e vendeve të reja të punës, arsimi dhe shëndetësia. Kështu sa i përket ekonomisë programi parashikon rishikim të taksave dhe një sistem fiskal më të thjeshtë. Ndërkohë një tjetër  pikë e rëndësishme e programit bashkëqeverisjes PS-LSI është edhe Shëndetësia. Edhe pse kthimi i sistemit falas duket i pamundur për 300 ditët e para, palët janë dakord dhe është përfshirë në program, ndërhyrja në drejtim të stabilizimit të sistemit të furnizimit me medikamente. Po ashtu është përfshirë në programin qeverisës edhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Barnave dhe Materialeve Mjekësore, së cilës do t’i shtohen edhe materialet mjekësore. Po ashtu  programi ka parashikuar masa edhe mbi sektorët e tregtisë, industrisë prodhuese dhe mjedisit.  Pjesë e platformës qeverisëse janë edhe anulimet apo rishikimet e privatizimeve, ku në 100 ditët e para pritet që të zhbëhet koncesioni i lotarisë kombëtare dhe ai i markimit të karburantit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency