Berisha: Dëshmi e suksesit të qeverisë, ndjesë ata që e quajtën premtim elektoral

0
127

Ina Jano

Porositen turbinat për kaskadën e Devollit

Investimi në total kap shifrën prej 1 miliard euro dhe çon përpara projektin për Shqipërinë e zhvilluar

 

berisha-firmos-300x200Edhe pse deri në shtator do të jetë në krye të qeverisë, Kryeministri Berisha vijon akoma të përmbushë objektivat e ekzekutivit për ta çuar Shqipërinë më afër standardeve për t’u quajtur një vend i zhvilluar. Duket se një prej premtimeve më të bujshme të fushatës zgjedhore që lamë pas, ajo e ndërtimit të kaskadës së Devollit, nuk ka mbetur vetëm në letër apo vetëm me prerjen e shiritit të fillimit të punimeve, por tashmë hapa konkretë janë hedhur për realizimin e kësaj vepre. Zoti Sali Berisha, duke shfrytëzuar faqen e tij zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur dje se projekti është duke ecur në mënyrë të shkëlqyer dhe se kompania që ka nisur punimet për ndërtimin e tij, tashmë ka porositur turbinat, të 6 copët që duhen për këtë vepër. Ato kanë kushtuar 100 milionë euro, por ndërkohë janë porositur në një nga liderët e prodhimit të botë. Kryeministri e cilëson këtë një hap tjetër shumë të rëndësishëm për energjetikën në Shqipëri e në mënyrë të veçantë për kaskadën e Devollit, ndërtimi i së cilës kap një vlerë prej 1 miliard euro, investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Ndërsa kujton se ndërtimi i saj është një sukses për të cilin e majta ka ngritur akuza, Berisha thotë se duhet të kërkojnë ndjesë ata që e quajtën këtë një mashtrim elektoral, për shkak se ndërtimi filloi më 13 maj, më shumë se një muaj para zgjedhjeve. “Me përfundimin e kësaj vepre, – shkruan Kryeministri në Facebook, – shtohet me 700 GWh prodhimi vjetor i energjisë elektrike në vend. Ky zhvillim është një dëshmi tjetër madhore e suksesit të qeverisjes së PD-së në tërheqjen e investimeve të huaja dhe projektin tonë Shqipëria vend i zhvilluar, lider në prodhimin e energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë”, – përfundon ai.

Një lajm i mirë! Porositen 6 turbinat e kaskadës së Devollit!

Të dashur miq, një lajm i mirë vjen për Shqipërinë nga kaskada e Devollit. Kompania norvegjeze “Statkraft”, njëshi në botë në ndërtimin e hidrocentraleve e që ka marrë me koncesion ndërtimin e tri hidrocentraleve në këtë kaskadë, ka porositur 6 turbinat e hidrocentraleve të kaskadës së Devollit me një vlerë 100 milionë euro tek kompania franceze “Alstom” dhe kjo lider botëror në prodhimin e turbinave. Ky është një hap tjetër madhor në ndërtimin e kaskadës së Devollit, një investim në tërësi prej rreth 1 miliard euro, pra investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Ndërtimi i kaskadës së Devollit filloi me dt. 13 maj 2013. Ata që e quajtën mashtrim elektoral, të kërkojnë ndjesë. Ajo do të punësojë direkt dhe indirekt mbi 5 mijë vetë në njërën nga zonat më të varfra të vendit. Me përfundimin e kësaj vepre shtohet me 700 GWh prodhimi vjetor i energjisë elektrike në vend. Ky zhvillim është një dëshmi tjetër madhore e suksesit të qeverisjes së PD-së në tërheqjen e investimeve të huaja dhe projektin tonë, Shqipëria vend i zhvilluar, lider në prodhimin e energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë! sb”, – shkruan Kryeministri nëFacebook.

Vepra

Në 13 maj të këtij viti, kreu i qeverisë përuroi fillimin e punimeve për HEC-in e Banjës. “Sot është një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, inaugurojmë fillimin e punimeve parapërgatitore për fillimin e punimeve të HEC-it të Banjës nga kompania më e madhe dhe më e suksesshme në fushën e hidroenergjisë në Evropë dhe botë, “Shtatkraft”, – tha ai në deklaratën e mbajtur me këtë rast. Sipas kreut të qeverisë, ndërtimi i këtij HEC-i e shndërron Shqipërinë nga një vend importues në eksportues të energjisë. Ai nënvizoi se të paktën 5 mijë banorë të Gramshit e Elbasanit pritet të punësohen nga ky projekt. “Kjo kompani është e vendosur të bëjë histori në këtë vend, të bëjë investimin më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë dhe hidroenergjetikes së vendit. Kaskada e Devollit, e tërë trajektorja e saj, do njohë zhvillime të pritura në dekada dhe shekuj. Shqipëria do shndërrohet nga vend importues i energjisë në eksportues. Vepra që ndërtohet për disa vite do të jetë gjeneratore e punësimit të qytetarëve të Gramshit dhe Elbasanit, në funksion të kësaj vepre do të punësohen jo më pak se 5 mijë qytetarë shqiptarë”, – ka pohuar shefi i mazhorancës.

 

 

Presidenca e BE-së: Të gatshëm të punojmë me Shqipërinë, statusi brenda dhjetorit

Linas Linkevicius, ministri i Jashtëm i Lituanisë, thotë se Shqipëria kaloi një test të rëndësishëm me zgjedhjet dhe presidenca në këtë rast nuk është neutrale. Ajo është pozitive dhe do të ndihmojë vendin tonë

 

Presidenca e Bashkimit Evropian është e gatshme të punojë me autoritetet shqiptare për ta mbyllur brenda 6-mujorit të saj dhënien e statusit të vendit kandidat. Ky qëndrim konfirmohet nga ministri i Jashtëm i Lituanisë, vend që mban presidencën e radhës të BE-së. Ai shprehet se Shqipëria ka kaluar një test shumë të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve, dhe për këtë arsye vendi i tij do të punojë për ta çuar më përpara procesin e integrimit.

Deklarata

Shefi i presidencës lituaneze, ministri i Jashtëm, Linas Linkevicius, shprehet se për t’ia arritur këtij qëllimi, që statusi të merret brenda këtij viti pra në dhjetor, nga Tirana zyrtare kërkohet tranzicion i qetë i pushtetit, përgjegjësi e të gjithë faktorëve politikë dhe vazhdim të reformave, të cilat janë jetike për institucionet demokratike dhe jetën e qytetarëve. “Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, siç e thashë, të jemi konstruktivë, pozitivë, jo neutralë, megjithëse zakonisht Presidenca duhet të jetë neutrale. Ne do të kemi një përfshirje pozitive në këtë proces. Shqipëria kaloi një test shumë të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve, ne i kemi ndjekur ato nga afër. Tani ajo ka një tjetër test, një tranzicion të qetë. Në këtë rast, gjatë presidencës sonë ne besojmë se do të ecim përpara në mënyrë përfundimtare me statusin”, – tha Linkevicius. Ky i fundit ka dhënë edhe disa direktiva se çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe si duhet të punojë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit. “Të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre. Ato duhet të diskutojnë realisht me njëra-tjetrën, sepse kjo do të ishte e dobishme për të pasur një vizion dhe një platformë të përbashkët për të ardhmen e vendit. Të bien dakord për të bërë reformat e domosdoshme, në mënyrë që të jemi të sigurt dhe t?i jepet vendit një imazh i besueshëm për t?u integruar në Bashkimin Evropian. Kështu që ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Gjithashtu ne jemi gati të japim edhe përvojën tonë nacionale, nëse kjo është e nevojshme, se si ne e krijuam konsensusin midis partive politike. Sepse këtu kemi diçka për të ndarë së bashku. Pra, unë shpresoj se suksesi do të vijë, por ai nuk është arritur ende përfundimisht dhe shqiptarët janë të aftë t’i përkushtohen këtij progresi”, – deklaroi numri një i presidencës lituanezë të BE-së. Në kuadrin e procesit të zgjerimit me vendet kandidate e potencial-kandidate, shefi i Presidencës së Bashkimit Evropian së shpejti do të vizitojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, për të parë situatën politike nga afër e bashkërenduar punën me qeveritë përkatëse.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency