Gara ne PD, Shehi: Diferenca e thellë nuk lë vënd për kontestime

0
132

Intervistoi: Ina Jano

“Bashës i rri fiks xhaketa e kryetarit, shkrirje të së djathtës për një opozitë efektive”

 

398Kryetari i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tashmë deputet i PD-së, duke folur për strukturën e re të qeverisë, shprehet se rritja e numrit të ministrive nuk do të thotë rritje të efiçencës së qeverisë. Ai shprehet se kjo gjë bëhet vetëm për të kënaqur interesat e pushtetit dhe të aleatëve të cilët janë rritur në numër. Shehi mendon se ministrat duhet të jenë sa më afër më afër me shtetin dhe sa më larg me biznesin dhe interesat e tij. Për “Standard”, ai komenton edhe zgjedhjen e zotit Lulzim Basha në krye të Partisë Demokratike dhe me shprehjen “xhaketa e kryetarit i rri fiks” duket se mbyll të gjitha diskutimet që mund të bëhen në lidhje me procesin e zhvilluar në selinë blu. Deputeti i PD-së nënvizon edhe domosdoshmërinë e shkrirjes së partive të djathta brenda PD-së, me qëllim zhvillimin e një opozite të fortë, që këtë herë më shumë se kurrë ka nevojë për shifra dhe jo vetëm për opozitë morale. Ai jep edhe disa “direktiva” se si duhet të bëjë opozitë e djathta.

 Zoti Shehi Si do ta cilësonit zgjedhjen e zotit Lulzim Basha në krye të Partisë Demokratike dhe të gjithë procesin në tërësi përmes së cilës u zgjodh ai?

Do të thosha që procesi pati diçka pozitive dhe që të paktën për herë të parë u bë garë. Ajo mund të mos ketë qenë gara më e mirë e botës, por si gara e parë që është bërë në PD, gjykoj që pati elemente pozitive dhe krijoi në parti një ndjesi që ka munguar prej kohësh. Nga kjo pikëpamje do ta konsideroja pozitive. E dyta pastaj rezultati që doli sigurisht që edhe përtej kontestimeve që mund të ketë e legjitimojnë në mënyrë të padiskutuar dhe sjelljen, sepse po të ishin aty-aty, do të kishte dhe kontestime dhe pakënaqësi, do të kishte dhe hapësirën e vet për t’u diskutuar. Në fakt diferenca ka qenë shumë e madhe dhe kjo bën që t’i japësh Bashës të gjithë meritat dhe xhaketa e kryetarit i ri tamam.

Në mendimin tuaj çfarë do të sjellë risi Basha në drejtimin e Partisë Demokratike dhe cilat janë sfidat që e presin atë?

Kjo mbetet për t’u pritur në muajt që do të vijnë, por unë po them që tashmë ai një të re e ka sjellë. Në njëfarë mënyre vetë përzgjedhja e Bashës është një gjë e re për të gjithë Partinë Demokratike, për vetë moshën e tij. Mënyra se si është përzgjedhur me një sistem të ri, edhe kjo është një gjë e re. E treta gjykoj që mosha që ka dhe që do të sjellë pas vetes të rinj dhe mentalitetin e një gjenerate më të re, edhe kjo përbën një risi. Pastaj pjesa tjetër vlen për t’u verifikuar dhe fillon që nga shtatori se çfarë raporti do të krijohet si fillim me grupin parlamentar. Ajo që duhet të bëjë Basha është edhe mënyra se si do ta administrojë këtë fitore që pati, duke qenë se nuk është as në Parlament dhe këto janë elementë të reja që pritet të shohim. Këtu do të fillojë edhe puna zyrtare e tij dhe gjithashtu e rëndësishme mbetet përzgjedhja e lidershipit të ri të Partisë Demokratike. Po ashtu e rëndësishme dhe një element kyç mbetet edhe administrimi i partisë në mungesë të Berishës. Kjo pa diskutim mbetet një nga sfidat e Bashës, ndërsa nuk mund të lemë prapa edhe zgjedhjet vendore pas dy vitesh, se si do të përballet partia. Pra, që këtu mund të themi se ka dy tre të reja zgjedhja e Bashës, por nga ana tjetër edhe janë disa punë që do të duhet të kryejë dhe që do të konfirmojë atë që quhet risia e Partisë Demokratike, në të kundërt do të bëjmë ndonjë xhiro bosh dhe do të mbetemi në vend.

Kryetari i ri i selisë blu ka shpallur mbrojtjen e administratës publike si një nga pikat kyçe të programit të tij. Si ju duket kjo nismë e tij?

Ky është një angazhim moral që ka marrë Basha dhe ka bërë mirë që e ka marrë. Është një angazhim moral tejet pozitiv. Brenda administratës ka me mijëra njerëz që i kanë shërbyer shtetit ndershmërisht. Megjithatë, gjykoj që kjo përtej angazhimit të Bashës dhe dëshirës së tij do të kërkonte dhe një impenjim ligjor të të gjithë strukturave të shtetit. Unë gjykoj që Basha ka bërë mirë që i ka dalë për zot administratës së shtetit, por sesa i zoti dhe deri ku do të shkojë ky shkëmbim pushtetesh, a do të bëhet me ligj dhe rregulla dhe do të ketë një opozitë në funksion të orekseve partiake, kjo shkon më tepër sesa Basha dhe nuk është e mundur vetëm me dëshirën e mirë të tij. Sidoqoftë Basha ka bërë një lëvizje të mirë dhe morale në këtë drejtim, që mijëra njerëz që i kanë shërbyer shtetit shqiptar dhe jo vetëm Partisë Demokratike, duhen respektuar për punën që kanë bërë.

Sipas jush cila do të jenë piketat ku duhet të përqendrohet e djathta për të bërë opozitë?

Nga mënyra se si do të bëhet opozitë do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë rezultati i zgjedhjeve administrative në 2015-ën. Që aty do të duket puna e opozitës, se sa e aftë do të jetë përballë kësaj mazhorance që është e madhe edhe në numra në Parlament. Këtë herë duhet të jemi më të bashkuar se kurrë të gjithë…

Këtu flisni për ndonjë shkrirje të mundshme të partive të vogla…

Unë shpresoj që do të ketë një shkrirje të partive të vogla të djathta me Partinë Demokratike. Nuk them një shkrirje totale dhe mosekzistencën e tyre me sigla apo shkrirje të programeve që mund të jenë të ndryshme dhe formalisht mund të qëndrojnë më vetë, por të paktën një shkrirje për mënyrën e të bërit opozitë. Për ta shndërruar një opozitë reale. Kjo është pika e parë e rëndësishme në këtë drejtim. Ndërsa e dyta është edhe fakti për të bërë një opozitë edhe më kualitative, sepse edhe shifrat kanë një peshë relative këtë radhë, në kuptimin që me numrat ne bllokojmë apo mund të kalojmë. Ndërsa për kualitet mund ti ofrojmë opozitës shqiptare shanset për të ndërtuar një skemë të re për t’u rikthyer në pushtet, kështu që opozita duhet të ketë kualitet, cilësi dhe koherencë.

Një nga aleatët e PD-së, Ndoka, ka deklaruar se mund të japë votë pro për qeverinë e re, për shkak të Frrokut, një demokratistian, por që përfaqëson një parti tjetër. Si e komentoni lëvizjen e tij?

Unë gjykoj se kush do të rrijë në opozitë do të rrijë aty dhe kush do të shkojë në qeveri le të ikë, nuk mund të jesh edhe në opozitë, edhe në qeveri në të njëjtën kohë…

Po ndërkohë ka fituar mandat me PD-në…

Gjykoj që morali ynë është që t’i qëndrojmë besnik votës së qytetarëve dhe se si kemi garuar në fillim dhe me çfarë partie dhe programi kemi marrë votën e tyre. Ky është gjykimi im, se paska demokristianë sa këtej dhe sa andej, kjo është çështje taktikash politike. Në shtator këto punë do të zgjidhen. Ato që do të qëndrojnë në opozitë dhe ato që do të shkojnë në mazhorancë. Mirë do ishte që t’i merrnin vendimet që më përpara që kur të futen në Parlament, situatat të jenë të sqaruara. Këtu mund të ketë edhe të tjerë që mund të duan të bashkëngjiten me forca të tjera politike ose të ikin, gjithmonë ka një skuzë, një justifikim se gjërat bëhen në emër të Shqipërisë, integrimit, stabilitetit por gjithnjë ka fjalë të bukura për të mbuluar të vërtetën.

Para disa ditësh kryesocialisti Rama bëri publike strukturën e re të ekzekutivit, duke shtuar disa ministri dhe duke afruar pranë Kryeministrisë disa ministra shteti. Cili është mendimi juaj për këtë propozim të Ramës?

Gjykoj që çdo mazhorancë që vjen në pushtet pas 8 vjetëve do t’i bënte disa ndryshime, ndoshta dhe për të kënaqur dhe aleatët që gjithnjë e po bëhen më shumë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri të vogël, për sa më pak shpenzime dhe buxheti për të administruar gjërat publike. nuk besoj se cilësia e qeverisjes do të rritet duke shtuar disa ministri apo portofola. Cilësia e qeverisjes rritet duke afruar një platformë më të qartë dhe më korrekte dhe duke e zbatuar atë. Por nuk mund të përjashtohen edhe figurat që zgjidhen. Për mua ata duhet të jenë figura më afër shtetit dhe më larg interesave të biznesit dhe private. Gjykoj që si fillesë qeveria duhet të ndërtohet mbi këto parime dhe s’ka nevojë për gjithë këto.

Nëse do të uleshim për t’i parë teknikisht, nuk afrojnë ndonjë vlerë. Nuk ka asnjë të re. Janë bërë thjeshtë në funksion të ndarjeve të interesave të pushteteve sesa në funksion të riorganizimit të ekzekutivit, për ta bërë atë më efiçent.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency