1929 T’i këndosh tmerrit këngë

0
187

Vepror Hasani

Histori/ Të dyja anët e qytetit bashkoheshin nga 8 ura prej druri dhe disa prej guri dhe hekuri.

Ishte 28 gushti i vitit 1929. Ora shënonte 16:30 minuta. Një re e madhe që fillimisht ishte shfaqur mbi malet e Moravës, nisi të mbulonte gjithë Korçën. Drita e diellit nisi të bëhej më e dobët. Dukej se një çast më pas, gjithçka do të mbulohej nga një errësirë e madhe. Fillimisht një vetëtimë e çau qiellin mespërmes si me thikë. Pastaj u dëgjua një gjëmim aq i fortë sa gjithkush pati përshtypjen se Korça do të kthehej përmbys….

 

 

600840_497913760271364_1492281209_nPërmes Korçës kalonte një lumë. Ata që zbrisnin nga malet e Moravës e quanin “lumi i Moravës”, sepse buronte prej andej. Ata që vinin nga fshatrat përreth Mborjes e njihnin si “lumi i Mborjes”, sepse lumi kalonte edhe aty. Banorët e Korçës e kishin pagëzuar me emrin “lumi i Korçës”, sepse nuk mund ta quanin ndryshe. Megjithatë për shumë kohë e vite lumi mbajti emrin e tij të dikurshëm, “lumi i Moravës”. Ai hynte në Korçë diku aty ku ndodhet sot fabrika e birrës, te vendi që njihet me emrin “çezma e Shetros”. Pikërisht aty, disi pranë apo larg, gjendej disa mullinj. Ata ndanin Korçën me Mborjen. Lumi zbriste tatëpjetë dhe hynte mes pazarit, dilte nga qyteti dhe derdhej në kënetën e Maliqit shumë afër me fshatin Sovjan. Të dy anët e qytetit bashkoheshin nga 8 ura prej druri dhe disa guri dhe hekuri. Në verë lumi ishte gjithnjë i thatë, i heshtur krejtësisht si një lumë i vdekur, por në vjeshtë e ndryshonte tërësisht pamjen. Fillonte e mbushej me ujë, rridhte rrëmbyeshëm e bëhej i frikshëm, si një qenie e çuditshme që ngrihej nga varri. Tentonte vazhdimisht të dilte nga shtrati dhe të përhapej në qytet si të donte. Ai do të përmbyste tri herë pazarin e Korçës më 1907, më 1929 dhe më 1933. Ne po sjellim sipas kronikave të kohës, përmbytjen e vitit 1929.

28 GUSHT 1929

Ishte 28 gushti i vitit 1929. Ora shënonte 16:30 minuta. Një re e madhe që fillimisht ishte shfaqur mbi malet e Moravës, nisi të mbulonte gjithë Korçën. Drita e diellit nisi të bëhej më e dobët. Dukej se një çast më pas, gjithçka do të mbulohej nga një errësirë e madhe. Fillimisht një vetëtimë e çau qiellin mespërmes si me thikë. Pastaj u dëgjua një gjëmim aq i fortë sa gjithkush pati përshtypjen se Korça do të kthehej përmbys. Sakaq kishte nisur një shi i rrëmbyeshëm. U deshën vetëm disa minuta për të kuptuar se një gjëmë e madhe kishte për të ndodhur. Nga kreu i Korçës nisi të dëgjohej një zhurmë e llahtarshme. Uji që po zbriste tatëpjetë po sillte me vete gurë, dërrasa dhe gjithçka që gjente përpara. Lumi i Korçës 900 metra i gjatë, 10 metra i gjerë, me një thellësi prej 2.5 metrash ishte mbushur rrafsh me ujë. Trazimi i ujit, mbështjellja e tij rreth vetes, përplasja pas brigjeve, tregonin se shumë shpejt do të dilte nga shtrati dhe do të vërsulej si bishë drejt dyqaneve të pazarit, drejt rrugëve dhe shesheve për të mbërritur së fundi deri te banesat e qytetarëve. Tmerrin e tregojnë vargjet e një kënge të vjetër: “Seç zuri një shi-o, zuri një qamet,/ medet, moj Korçë, medet…”. Medet oiii.

BRAKTISJA E PAZARIT

Gjithkush prej tregtarve e dinte se çfarë do të ndodhte. Përmbytja e pazarit kishte ndodhur edhe 22 vjet më parë, në vitin 1907. Nëse do të qëndronin nëpër dyqane uji nuk do t’i lejonte më të dilnin prej andej. Mes panikut dhe frikes nisën të dilnin njëri pas tjetrit. Qëndronin vetëm në ato vende ku uji nuk kishte mundësi të ngjitej, ndërsa i luteshin zotit që në pazar të kishte sa më pak dëme. Megjithatë, gjëmimet e herëpashershme u kujtonin në çdo çast tregtarve se në ato momente më e rëndësishme se çdo gjë tjetër ishte jeta, të tjerat ashtu siç vinin edhe mund të iknin. Që të gjithë vështronin nga rrjedha e lumit. Ai vazhdonte të sillte me vete, gurë dhe dërrasa. Askush nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur, nëse ishin shembur shtëpi, mullinj apo ura. Po aq papritur vërshimi i ujit u bë edhe më i fuqishëm. Rrjedha e përbindshme po i afrohej hyrjes së tunelit, kështu quhej ndryshe ura e pazarit që lidhte të dy anët e qytetit, e cila gjendej prapa rrugës kryesore të tregut. Sakaq dallga e madhe kishte mbërritur te ura, ku si u përplas pas këmbëzave të saj, deshi të çante përmes tyre, por ajo urë tashmë ishte bërë tepër e vogël për këtë rrjedhë kaq të madhe uji. Gurët dhe drurët që kishin mbërritur deri aty e kishin zënë krejtësisht kalimin. Vorbulla e ujit bëri edhe një përpjekje të fundit për të gjetur ndonjë të çarë poshtë urës, por çdo përpjekje e saj për të gjetur një shteg ishte bërë e pamundur. Atëherë, pasi uji u mblodh i gjithi aty si në një rezervuar të madh, nisi të ngjitej sërish përpjetë andej nga kishte ardhur me të njëjtin rebelim që kishte zbritur. U ngjit deri në një farë vendi, kapërceu mbi brigjet e lumit, doli nëpër rrugë dhe nisi të vraponte nga të mundej. Rrjedha e lumit po bënte një rrotullim të plotë. Ujërat përplaseshin te sheshi në hyrje të tregut. Ato zbrisnin nga rruga e postës, nga tregu dhe nga bulevardi “Shën Gjergji”, dhe pasi bëheshin të gjitha bashkë i shtoheshin përmbytjes së madhe. “O ky lum i Korçës, mbushur mu si det,/ medet, moj Korçë, medet…”

PËRMBYTJA

Ashtu siç pritej uji kishte nisur të hynte rrëmbyeshëm në qilaret e dyqaneve të cilat përdoreshin për depozitimin e mallrave. Uji pasi vërtitej në gjithë hapësirën e depos, dilte sërish që andej duke marrë me vete gjithçka që gjente në brendësi të qilareve. Fillimisht rrjedha e ujit hyri te dyqanet e Vëllezërisë M. Mano, të cilët ishin dhe përfaqësues të “The Central Agensy “. Një çast më pas gjithë sipërfaqja e ujit do të mbushej nga rrotka penjësh. Ishin mallrat e M. Manos. Por uji nuk do të linte pa rrëmbyer as mallrat e dyqanit të Miçe Bakallit, të Nasi Tegos, të Nepsi Kërënxhiut, të Vëllëzërisë Sotir Trebicka, etj. Këto dyqane gjendeshin shumë afër me urën e pazarit, aty ku përplaseshin të gjitha ujërat e lumit. Në këtë vend gjendeshin edhe dyqanet e Rrotës, kështu quheshin. Nuk do të mbeteshin pa u dëmtuar as dyqanet që shisnin veshje për nuse dhe dhëndurë. Ndaj edhe në një këngë thuhet: “Me shëndet rrobet, rrobet e Korçës,/ more vëlla, vëllai i motrës./ Tëndet i ke apo të botës,/ more vëlla, vëllai i motrës/ timet i kam dhe jo të botës,/ i kam prerë në pazar të Korçës…”. Vetëm pas përmbytjes do të merrej vesh se dëmet kapnin shifrat e 20 mijë napolonave. Dhe e gjitha kjo kishte ndodhur Brenda 20-25 minutave. Uji i rrëmbyeshëm që kishte zbritur nga mallet e Moravës, brenda këtij harku kohor kishte mundur të shkulte nga vendi, njëra pas tjetrës, 8 urat prej druri që gjendeshin sipër tij.

PËRBALLIMI

Pasi ishin përmbytuar një sërë dyqanesh, uji mundi t’u afrohej edhe banesave të qytetarëve. Duke mos gjetur mundësi të shkonte më tutje, nisi të grumbullohej nëpër oborre. Njerzit tregojnë edhe sot e kësaj dite ato që kanë dëgjuar nga prindërit e tyre se si uji kishte nisur të të hynte nga dritaret. Të njëjtën gjë e thotë edhe kënga e vjetër. “Dolli bulevardit gjer në penxheret,/ medet, moj Korçë medet…”. Shiu kishte pushuar, por dallgët e lumit nuk kishin të ndalur. Ura e pazarit vazhdonte të ishte e bllokuar. Çarshia e pazarit kishte nisur të shndërrohej në një kënetë ku vërshonte gjithçka që sillte lumi. Kishte vetëm një zgjidhje: të lirohej ura.. Kronikat e kohës këtë moment ankthi dhe pritje të zhbllokimit të urës, e përshkruajnë kështu: “Më ora 18.00 ushtarët e batalionit kufizor nën komandën e oficerve të tyre shkuan në vendin ku ndalohej rrjedha e ujërave dhe hapën tunelin duke hequr trarët etj dhe duke lënë kështu daljen të lirë lumit të egërsuar. Ushtarët punuan më zell të patreguar gjer në orën 23.00 të natës dhe pastaj u gostitën me të pira dhe cigare”.

QINAM GJERGJOVA

Më në fund ura ishte hapur. Lumi kishte nisur të vraponte sërish ashtu si edhe më parë brenda shtratit të tij, por ujë që kishte mbuluar çarshinë nuk kishte mundësi të kthehej përsëri te ura. Të gjithë e dinin se duheshin hapur portat e një hani që uji të gjente shtegun për të dalë jashtë qytetit. Provuan disa njerëz, por nuk mundën t’ia dilnin dot mbanë. Lartësia e ujit ishte e madhe, dallgët ende nuk ishin qetësuar. Por…më në fund kishte mbërritur aty polici i bashkisë, Qinam Gjergjova. Vetëm ai mund të hapte portat e hanit. Ia njihnin guxmin por edhe forcën. Të gjithë vështruan drejt tij. “Mundesh?”- e pyetën. “ Po e provoj”,- ishte përgjigjja e tij duke hyrë mes ujit që ende shkumbëzonte e pështillej si një kafshë e plagosur. Ankthi ishte i pashangshëm. Qinami ose do të tërhiqej ose mund të mbytej, por që të hapte portat e hanit nuk e besonte askush. Po të kishte qenë kaq e lehtë do ta kishin bërë shumë të tjerë para tij. Por ai mundi t’ia dilte mbanë. Shtypi i kohës nuk e ka lënë as këtë rast pa e përshkruar: “Midis atyre që morën pjesë aktive për t’i prerë hovin ujit është për t’u lavdëruar veçanërisht polici i Bashkisë z. Qinam Gjergjova, i cili duke hyrë në mes të valëve të tërbuara mundi të hapë portën e një hani në pazarin e madh dhe t’ia kthejë kështu drejtimin e ujit jashtë qytetit”. Vetëm pas largimit të ujit, gjithkush do të shihte se jo pak të dëmtuara kishin mbetur edhe kafenetë. Ja si e thotë kënga: “Seç mbyti dyqanet mbyti kafenet,/ medet, moj Korçë, medet…”

PREFEKTI HIL MOSI

Gjithsesi Korça kishte mundur t’ia dilte mbanë një katastrofe. Ishte bërë e pamundura. Ishte ndalur më e keqja. Dhe ishte kjo arsyeja që me këtë rast Prefekti Hil Mosi të mbante një fjalë të shkurtër duke lëvduar punimet që bënë për të shpëtuar qytetin nga një mbytje tjetër dhe falenderoi në emër të popullit. Ndërsa të nesërmen Prefekti z. Hil Mosi i drejtoi komandantit të qendrës së instruksionit të rojes zotit nënkolonel Palandri këtë letër: “Me rastin e inondatës që pësoi qyteti i Korçës më datën e djeshme, kjo Prefekturë e ndjen për detyrë të falenderojë zotërinë tuaj, oficerët dhe gjithë ushtarët e batalionit të Rojes Mbretërore për zellin dhe energjinë që kanë treguar duke marrë pjesë në pastrimin e lumit e kështu e kanë siguruar qytetin e Korçës nga një inondatë të dytë që mund me ndodhur. Ju lutem këtë falenderim t’ia transmetoni gjithë oficerëve graduatëve dhe ushtarve të cilët kanë marrë pjesë në këtë vepër njerëzore”. (Nënëshkrimi: Prefekti i Korçës. Hil Mosi). Megjithatë edhe pas përmbytjes rrugët e tregut dhe dyqanet e dëmtuar vazhdonin të prezantonin një pamje të vajtueshme. Nga çdo anë shihen shenjat dëmeve të shumta, por që fatmirësisht përfunduan pa viktima. Veç kësaj askush nuk e kishte menduar se 4 vjet më pas pazari do të përmbytej sërish për të njëjtat arsye, dhe e gjitha kjo sepse Bashkia nuk merrte mundimin qe te dyqanet e Rrotës të ngrihej një urë pak më e lartë. Arsyet pse ndodhte kështu edhe pse dihen ndoshta janë harruar, por kënga ka mbetur: “Seç zuri një shi-o, zuri një qamet, medet moj Korçë medet..”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency