Qeveria e re, me 16 ministri dhe 19 ministra

0
144

Gëzim Saliu

Rama: Shkurtime drastike, qeveria e re, me numrin më të madh të grave në historinë e vendit

Detajet, nga ministritë e reja që krijohen, tek riorganizimi i plotë i Kryeministrisë

 

ediShtim i ministrive, krijimi i ministrive të reja, reformat e thella tek ministritë ekzistuese dhe shkurtime drastike të numrit të komiteteve. Kjo është preambula e strukturës së ekzekutivit të ri të vendit, i cili do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Në një dalje publike, kreu socialist Edi Rama bëri të ditur dje strukturën e qeverisë së re, e cila sipas tij është ndërtuar në bazë të një analize të thellë e me synim prodhimin e rezultateve me pak shpenzime. “Struktura e qeverisë së re është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve, por edhe të disa nevojave shumë të rëndësishme që ka vendi. Duke konsultuar shumë struktura qeverish në vendet e reja të Bashkimit Evropian sidomos, por jo vetëm, dhe duke marrë në konsideratë domosdoshmërinë që të kemi një qeveri e cila të ketë shumë më tepër fokus, shumë më tepër përgjegjësi të qarta mes sektorëve dhe shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetarëve”, – tha Rama. Nga ana tjetër, kreu socialist deklaroi se në përbërjen e qeverisë së re do të jetë numri më i madh i grave në historinë e vendit. “Për gjithë ata që pyesin pafund për përbërjen e qeverisë mund të them vetëm se do ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit”.

Strukturimi

E para që preket nga ndryshimet është Kryeministria, e cila, sipas skemës së re, do të ristrukturohet në mënyrë të plotë dhe të thellë. Kryesocialisti bëri të ditur se do të ketë shkurtim të ndjeshëm të organikës së Kryeministrisë, ku përkatësisht më të prekur do të jenë komitetet ndërministrore, të cilave do t’u reduktohet ndjeshëm numri dhe përbërja. Në rend të dytë vjen zv.kryeministri, i cili ndryshe nga qeverisja PD-LSI nuk do të ketë portofol ministror. Më tej, do të jenë 6 ministri, të cilat nuk do të ndryshojnë nga forma aktuale, por sipas Ramës, tek to do të ketë një reformim të thellë strukturor. Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila në ndryshim nga sipërtëpërmendurat do të marrë edhe mbrojtjen e konsumatorit sipas fushës përkatëse, do të jenë ministritë që nuk do të pësojnë ndryshime në kompetencat ekzistuese. Ndërkohë Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës do të ndahet në dy dikastere: “Do të kemi nga njëra anë Ministri të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila do të mbulojë sektorët e zhvillimit, do të mbulojë zhvillimin rajonal, do të mbulojë problematikën e klimës së biznesit, do të mbulojë gjithë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe mbi të gjitha do të mbulojë marrëdhënien me sipërmarrjen që do të ndryshojë rrënjësisht, në qasje dhe në sjellje. Nga ana tjetër Ministria e Energjisë dhe Industrisë, që do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë”, – pohoi Rama. Po ashtu edhe Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të ndahet në dy dikastere, përkatësisht Ministria e Transportit dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Nga ana tjetër, ndryshe nga formula e përdorur për ndarjet e ministrive aktuale, në Ministrinë e Bujqësisë duket se koalicioni i majtë ka menduar ta shtojë me kompetenca. Kështu, ajo kthehet në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, pasi sipas kreut socialist, prioritet të posaçëm në modelin e majtë për zhvillimin ka përfshirja e detit në ekonomi. Në këtë kontekst, Ministria e Mjedisit, e cila do të vazhdojë të ekzistojë në qeverinë e re të majtë, zhvishet nga kompetencat ujore dhe do të ketë kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj të gjitha projekteve të zhvillimit për të garantuar përmasën e gjelbër të zhvillimit. Ndryshime të skajshme ka pësuar edhe Ministria aktuale e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në qeverinë e re do të ekzistojë një ministri e posaçme për Kulturën, e cila do të fokusohet tërësisht tek kultura dhe tek trashëgimia kulturore. Një tjetër risi e strukturimit të ri është edhe bashkimi i arsimit me sportin në një Ministri të Arsimit dhe të Sportit. Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale shkrihet e tëra, duke u kthyer në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë. Pjesë e strukturës së re qeverisëse janë edhe ministrat, të cilët do të jenë atashuar në Kryeministri. Ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, ministri për Çështjet Vendore dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin do të jenë tre ministrat pa ministri në qeverinë “Rama”, ku ky i fundit theksoi ai është i domosdoshëm për marrëdhënien e re mes ekzekutivit dhe legjislativit, kur ministrat nuk kanë mandatin e deputetit. Pas bërjes publike të strukturës së re të qeverisë, kreu i PS-së pohoi se në fillim të muajit gusht do të paraqesë edhe përbërjen nominale të ekzekutivit.

 

Struktura e qeverisë së re

Kryeministri

Zv.kryeministri

Ministritë:

1. Ministria e Financave

2. Ministria e Brendshme

3. Ministria e Mbrojtjes

4. Ministria e Jashtme

5. Ministria e Integrimit Evropian

6. Ministria e Drejtësisë

7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë

9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

12. Ministria e Shëndetësisë

13. Ministria e Arsimit dhe Sportit

14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

15. Ministria e Kulturës

16. Ministria e Mjedisit

 

Ministrat e Shtetit:

Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike

Ministër për Çështjet Vendore

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

 

 

Cilat janë ministritë që nuk ndryshojnë

Ministria e Financave

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Brendshme

Ministria e Jashtme

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Integrimit Evropian

Ministria e Shëndetësisë

 

 

Ministritë që ndryshojnë

METE ndahet në: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Energjetikes dhe Industrisë

MPPT ndahet në: Ministria për Zhvillimin Urban dhe Turizmin dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

 

 

Ministritë e reja që krijohen

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Ministria e Kulturës

Ministër për Inovacionin

Administrata Publike ndahet nga Ministria e Brendshme dhe rikthehet në Kryeministri

 

 

Kompetencat e ministrive dhe ministrave

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes – do të mbulojë sektorët e zhvillimit, zhvillimin rajonal, problematikën e klimës së biznesit, detyrimet që burojnë nga marrëveshjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, mbrojtjen e konsumatorit, dhe marrëdhënien me sipërmarrjen

Ministria e Energjisë dhe Industrisë – do të mbulojë me përparësi dhe me fokus të plotë projektet e zhvillimit në fushën e energjisë me impakt kombëtar dhe rajonal, si dhe gjithë pjesën që ka të bëjë me pasuritë natyrore, minierat, hidrokarburet dhe industrinë e lehtë

Ministria e Transportit dhe zhvillimit të Infrastrukturës – me fokus politikat e transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit – do të ketë rolin e planifikimit, kontrollit të territorit dhe aspektet që lidhen me zhvillimin urban dhe turistik të vendit

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave – mbulimi i prioritet të majtë për përfshirjen e detit në ekonomi dhe mbulimi i çështjeve të fshatit dhe të zhvillimit rural

Ministri të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë – objektiv të posaçëm për të çuar përpara projektin transformues të arsimit profesional për të rinjtë

Ministria e Kulturës – do të fokusohet tërësisht tek kultura dhe tek trashëgimia kulturore

Ministria e Mjedisit – me kompetenca ekskluzive të mbrojtjes së mjedisit dhe të oponencës ndaj gjithë projekteve të zhvillimit për të garantuar përmasën e gjelbër të zhvillimit

Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike – prioritet kryesor, baza kombëtare e burimeve njerëzore

Ministër për Çështjet Vendore – do të mbulojë marrëdhënien mes pushtetit vendor dhe qeverisë, por edhe çështje të komuniteteve të ndryshme në raport me vetë pushtetin vendor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency