Berisha: Asnjë vendim që bie në kundërshtim me programin e mazhorancës së re

0
148

Ina Jano

Qeveria miraton edhe dhënien me koncesion të 7 hidrocentraleve. Kryeministri, keqardhje për mosrritjen e ndihmës sociale

 

July-24-14-58-241Ashtu siç e cilësoi edhe vetë, mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave ishte e para që Kryeministri Berisha drejtonte pa qenë edhe kryetar i Partisë Demokratike. Fjalën e tij shefi i qeverisë e nisi me një urim për kreun e ri të selisë blu, zotin Lulzim Basha, të zgjedhur vetëm dy ditë më parë. “Kjo është mbledhja e parë e këtij kabineti, të cilin unë e drejtoj pa qenë njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Demokratike. Shfrytëzoj rastin që në emër të ministrave t’i uroj suksese në detyrën e re kryetarit. Unë e di që ju ia keni uruar edhe vetë”, – tha ish-kreu i demokratëve. Zoti Berisha deklaroi se qeveria do të vijojë punën për të përmbushur misionin programin e saj katërvjeçar, për të cilin edhe ka marrë votën e shqiptarëve. Nga ana tjetër në mënyrë të prerë, kreu i ekzekutivit garantoi se kabineti qeveritar nuk do të marrë asnjë vendim, i cili bie në kundërshtim me programin e të majtëve, të cilët janë zgjedhur nga shqiptarët për të qeverisur vendin. Kryeministri e bëri këtë deklaratë referuar premtimit të socialistëve për të ofruar shërbim shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët. “Jemi në mbledhjet e fundit dhe ne vazhdojmë veprimtarinë tonë normale me ligjet dhe vendimet, që të gjitha në përputhje me programin e kësaj qeverie. Nuk do mund të kalojë dhe të miratohet asnjë ligj dhe vendim i cili ndërhyn me programin e qeverisë tjetër. Zoti ministër, nuk do mund të pranohet vendimi që erdhi javën e kaluar për sigurimet shëndetësore dhe Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. Pavarësisht nga vështirësitë, do të gjenden mënyra të tjera për ta zgjidhur. Shqiptarëve u është premtuar zyrtarisht dhe botërisht shërbim shëndetësor falas, pa kontribute. Ne nuk mund të bëjmë hapa, sepse del sikur vazhdojmë me kokëfortësi në programin tonë, i cili garanton shërbim falas për ata që paguajnë kontribute dhe ata që nuk kanë mundësi të paguajnë kontribute. Pra, ndahemi në dy filozofi. Vendimet të qëndrojë këtu në pritje. Unë e kuptoj që krijohen disa vështirësi, por të ngremë institucione të cilat në programin e forcës politike nuk ekzistojnë, kjo nuk mund të bëhet. Besoj se edhe në aspekte të tjera programet janë të ndara. Ne ndjekim programin tonë të mandatit që po përfundon tani. Ky është qëndrim parimor i drejtë”, – deklaroi Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova.

Koncesionet

Mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave prodhoi edhe vendimin në lidhje me dhënien me koncesion të 7 hidrocentraleve. Në këtë prizëm Kryeministri vendosi të ndalonte gjatë fjalës së tij dhe pohoi se deklaratat e Ramës për të anuluar koncesionet janë të rrezikshme dhe synojnë që të frikësojnë investitorët e huaj. “Me gjithë zotimin e zyrës së Kryeministrit të zgjedhur, siç po e shpall veten zoti Rama, se do të anulojë çdo koncesion, kjo qeveri vazhdon normalisht ushtrimin e detyrave të veta deri në mbledhjen e fundit të saj. Është kjo qeveri e cila ka hapur siparin dhe ka bërë të mundur që në Shqipëri nga viti 2008 e deri më sot të firmosen në sektorin privat mbi 130 kontrata për ndërtimin e mbi 370 hidrocentraleve, po të marrim edhe miratimin e këtyre sot. Kjo është një ndër historitë më të shkëlqyera të suksesit që ky vend ka pasur ndonjëherë, dëshmi e një besimi të madh të biznesit për klimën e investimeve në Shqipëri, por dëshmi e një kuadri të shkëlqyer ligjor që qeveria miratoi për shfrytëzimin sa më të madh të kësaj pasurie kombëtare që është edhe pasura e parë e shqiptarëve. Natyrisht, çdo qeveri është e detyruar të qëndrojë në mënyrë të vendosur ndaj çdo veprimi të pabazuar në ligj, por një qeveri apo një forcë politike që me megafon zotohet se do të anulojë këtë apo atë koncesion, pa paraqitur qoftë edhe një argument të vetëm edhe pa i dërguar dosjen në gjykatë, tregon se nuk ka qëllim tjetër përveç gjobëvënës. Kjo është shumë e rrezikshme dhe shumë e pandershme. Nuk duhet harruar se asgjë në këtë botë nuk trembet më shumë se paraja. Ajo trembet më shumë se çdo gjë tjetër. Në qoftë se nga selia mavi çdo ditë bëhen deklarata se do të anulojmë këto dhe ato, kjo do të thotë që qindra investitorë të rezervohen shumë për të investuar paratë e tyre në këtë vend. Çdo kontratë, çdo vendim është transparent dhe i plotë dhe mund të merret jo vetëm nga forca politike që vjen në pushtet, por mund të merret nga cilido për ta parë nëse është i bazuar në ligj. Sulmet apriori kundër koncesioneve janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ato janë historia më e madhe e suksesit në këtë vend. Nga viti 2007 e më pas janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër qindra hidrocentrale. Ne sot miratojmë përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Driza 1”, të hidrocentralit “Gjadër”, të hidrocentralit “Zall Xhuxhe”, të hidrocentralit “Plepi”, të hidrocentralit “Kalivar”, të hidrocentralit “Kolosjan”, të hidrocentralit “Viliq”. Siç e shihni, kjo është një ditë shumë e rëndësishme për energjetikën shqiptare. Ato janë në zona të thella, por janë në zona ku punësojnë, japin rroga, gjenerojnë mirëqenie edhe më pas do të gjenerojnë energji për shqiptarët. Edhe një herë e theksoj, këto sulme janë problematike”, – përfundoi numri një i ekzekutivit.

Ndihma sociale

Kur edhe pak mbledhje qeverie kanë mbetur që do të drejtojë zoti Berisha, ai ka filluar që tani të bëjë bilancet. Pak javë më parë, u shënua mbledhja e 2 mijtë e ministrave, ndërsa ditën e djeshme zoti Berisha shprehu keqardhje që nuk pati mundësi që të rriste ndihmën ekonomike për të gjithë ata që jetonin në varfëri ekstreme. Megjithatë, shefi i mazhorancës pranoi se janë bërë hapa shumë seriozë, pasi është bërë i mundur regjistri dixhital i të gjithë atyre që jetojnë në varfëri ekstreme. “Duhet të shpreh keqardhjen time të thellë se një objektiv të cilin e kam pasur shumë për zemër nuk arritëm ta realizonim. Ky objektiv ka qenë rritja e ndihmës ekonomike për të gjithë ata që ishin në varfëri ekstreme. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që asnjë shqiptar të mos jetojë në varfëri ekstreme. Një varfëri është e pamundur të çrrënjoset tërësisht, por varfëria ekstreme mund të çrrënjoset tërësisht. Sikundër, varfëria jo ekstreme mund të luftohet me sukses plotësisht. Varfëria ekstreme është forma më e dhimbshme e vuajtjes sociale. Ne bëmë një punë shumë serioze, realizuam regjistrin dixhital të të gjithë qytetarëve në ndihmë ekonomike. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë është një tjetër bazë e shkëlqyer e të dhënave. Nëpërmjet përdorimit të këtyre dy regjistrave mund të bëhet, uroj që qeveria e ardhshme ta bëjë këtë, një pastrim i madh i informalitetit në ndihmën ekonomike. Nga lufta kundër informalitetit, por edhe burime të tjera do mund të dilnin fondet e mjaftueshme për të rritur mbi kufirin e varfërisë ekstreme ndihmën për këta qytetarë. Absolutisht, nuk është një kosto e papërballueshme, nuk është një kosto rënduese, por procesi u zgjat për shkaqe në disa raste objektive dhe raste të tjera burokratike. Unë ndjej keqardhje dhe them edhe një herë se ky objektiv jashtëzakonisht i rëndësishëm mbeti pa u realizuar në politikën tonë të pagave dhe pensioneve. Uroj që ministria e Punës në bashkëpunim me ministritë e tjera ta shfrytëzojnë këtë bazë të dhënash, sepse është një studim i shkëlqyer. Natyrisht, ajo kërkon edhe ndryshime ligjesh. Ajo nuk mund të bëhet me ligjin ekzistues, ku të gjithë këshilltarët ulen rreth kryetarit dhe përfshijnë veten në ndihmë ekonomike edhe pastaj mendojnë për qytetarët, çfarë të mbetet”, – u shpreh Kryeministri në lidhje me këtë çështje.

 

 

Olldashi nuk merr pjesë në mbledhje

Ajo që u vu re në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, ishte mungesa e Sokol Olldashit, ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike. Në një tjetër situatë, kjo do të dukej si normale dhe nuk do të kishte asgjë për t’u komentuar, po nga ana tjetër vetëm dy ditë më partë Olldashi doli i humbur nga zgjedhjet për kreun e demokratëve në vend dhe ndër të tjera ka shfaqur hapur pakënaqësinë e tij për procesin, duke thënë se ishte i deformuar, për shkak të mungesës së anëtarëve në lista dhe për shkak të shtimit të një kontingjenti demokratësh të tjerë në listë. Mospjesëmarrja e tij mund të quhet si një shenjë bojkoti nga ana e tij.

 

Shqipëria vlerësohet për përmbushjen e kërkesave të raundit të tretë të GRECO-s

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje gjatë mbledhjes së qeverisë se Shqipëria është nga më të paktat vende, sipas Këshillit të Evropës, që përmbushi plotësisht kërkesat e raundit të tretë të GRECO-s, Departamenti i Këshillit të Evropës për Luftën kundër Korrupsionit. Referuar konkluzioneve të raportit, Kryeministri u shpreh se GRECO konkludon se Shqipëria ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme të 12 rekomandimet që përmbahen në raundin e tretë të raportit të vlerësimit. “Së fundi, për ta mbyllur mbledhjen, kam kënaqësi të informoj shqiptarët se vendi ynë është nga më të paktat vende, sipas Këshillit të Evropës, që përmbushi plotësisht kërkesat e raundit të tretë të GRECO-s, Departamenti i Këshillit të Evropës për Luftën kundër Korrupsionit. Në Evropë GRECO është institucioni numër Një në aspektin legjislativ dhe të zbatimit të ligjeve. Në marrëdhëniet me Këshillin e Evropës ne kemi punuar ngushtë me këtë institucion, sepse pa diskutim ky institucion në Evropë është lider në rekomandimet e tij dhe në ekspertizën ligjore të tij për vendosjen e praktikave edhe standardeve më të mira. Këtu janë konkluzionet e një raporti të gjatë, por po lexoj përfundimin e tij, ku GRECO konkludon se Shqipëria ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme të 12 rekomandimet që përmbahen në raundin e tretë të raportit të vlerësimit. Janë një seri ndryshimesh, të cilat u bënë në Kodin Penal, në financimin e partive, por mendoj se gjëja më kryesore ishte suksesi që ne arritëm me heqjen e imunitetit”, – deklaroi zoti Berisha.

 

Takimi

Nishani merr pjesë në Bërdo

Me ftesë të Presidentit slloven, Pahor dhe Presidentit kroat, Josipovic, Presidenti Bujar Nishani u nis ditën e djeshme për të marrë pjesë në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Bërdos. Në këtë takim, marrin pjesë kryetarët e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe për herë të parë, Presidenti i Francës, François Hollande. Procesi i Bërdos është një nismë e dy ish-kryeministrave të Kroacisë dhe Sllovenisë që daton në vitin 2010 dhe ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, në kuadër të fqinjësisë së mirë, stabilitetit si dhe proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike. Risia e këtij takimi është përfshirja më e drejtpërdrejtë e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të BE-së si dhe synimi për të lobuar në mbështetje të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian bazuar në meritën e gjithsecilit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency