Vilanova sulmon Guardiolën: Mendoja se e kisha mik, por më la kur kisha nevojë

0
137

Përgatiti Altin Vorpsi

Vilanova: Ai është miku im dhe kam nevojë për të, si për cilindo njeri të afërt me mua. Por, pas operacionit dhe trajtimit dymujor të shërimit, ai nuk erdhi më të më shihte. Kam pritur më shumë prej tij

 

Pep Guardiola dhe tito Vilanova 1

Edhe pse në drejtim të Barcelonës kanë “fluturuar” 7 milionë më shumë, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Edhe pse në mes është tekniku që bëri të madhe Barcelonën së bashku me Mesin, përsëri asgjë nuk ndryshon. Kur në mes përfshihet tekniku më i mirë në botë, Guardiola, dhe dy skuadrat më të mira në botë, Bajerni dhe Barcelona, atëherë “lufta” duket si ato “të shenjtat” që nuk do të përfundojnë kurrë.

Sulmi i Vilanovës

Tito Vilanova i ka dhënë një goditje të fortë Pep Guardiolës të martën në konferencën për shtyp, teksa pretendoi se ka pritur “më shumë prej tij gjatë shërimit, pas operacionit të kryer sezonin e kaluar”.

Trajneri i Barcelonës iu nënshtrua trajtimit në Nju Jork pas rikthimit të kancerit që i ishte shfaqur në fund të vitit 2012. Edhe pse Guardiola e ka vizituar atë gjatë kohës së qëndrimit në Amerikë, 44-vjeçari ka zbuluar se nuk e ka parë ish-kolegun e tij te Blaugranët në muajt pas ndërhyrjes kirurgjikale. “Kur isha në Nju Jork, Pep më vizitoi mua për dy ditë, – tha Vilanova në një konferencë për shtyp të martën. – Ai është miku im dhe kam nevojë për të, si për cilindo njeri të afërt me mua. Por, pas operacionit dhe trajtimit dymujor të shërimit, ai nuk erdhi më të më shihte. Kam pritur më shumë prej tij… Gjithsesi, le të flasim për Barcelonën”.

7 milionë

Përveç duelit Pep – Barcelona, ka edhe një tjetër. Kësaj here gjithçka ndodh në merkato dhe jo në sallat e konferencave për shtyp. Bajerni i Mynihut dje zyrtarizoi kalimin e Tiago Alkantarës në Mynih. Siç dihet fare mirë, talenti i Barçës preferoi që të shkonte në Mynih, pasi aty do të gjente mentorin Guardiola. Ai mund të lirohej nga ish-klubi i tij për “vetëm” 18 milionë euro. Por Bajerni i Mynihut tentoi që të mos prishte marrëdhëniet me homologët në Katalonjë dhe i pagoi Barçës 20 milionë euro në dorë plus pesë të tjerë që do të vijnë në vitet në vazhdim.

 

Sulmet mes Guardiolës dhe Roselit

Sëmundja e Vilanovës ka provokuar një burim tensioni midis Barcelonës dhe trajnerit aktual të Bajernit të Mynihut në javët e fundit. Më herët, këtë muaj, Guardiola akuzoi presidentin Sandro Rosel se ka përdorur problemet shëndetësore të ish-ndihmësit të vet për ta minuar në karrierë, duke i kërkuar të kthehej prapa në “Camp Nou” dhe mbushur boshllëkun e lënë nga Vilanova gjatë periudhës së trajtimit të kancerit në SHBA: “Udhëtova 6 mijë kilometra për të qëndruar në qetësi me familjen time, duke mos planifikuar asnjë angazhim tjetër, të paktën për një vit. I lajmërova drejtuesit e Barçës që të më linin në qetësinë time, por në fakt nuk e mbajtën fjalën. Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë asaj kohe, madje janë edhe tejkaluar. Nuk mund ta imagjinoj dot se si dikush mund të përdorë sëmundjen e Vilanovës për të prishur imazhin dhe marrëdhëniet mes nesh. Nuk kam për ta harruar këtë gjë. Teksa Vilanova erdhi në Nju Jork për t’u kuruar, unë e takova, por kohët e fundit nuk pata kohë më, pasi isha shumë i angazhuar me punët e mia. Si nuk mund të takoj një njeri, i cili punoi përkrah meje me vite të tëra? Ky është një stil shumë i keq që është përdorur”. Ndërkohë, presidenti i Barcelonës, Sandro Rosel, i është kundërpërgjigjur Pep Guardiolës se duhet të kandidojë për postin e tij. Përpjekje kjo për t’u justifikuar kundrejt akuzave të ish-trajnerit në “Camp Nou”, bërë disa ditë më parë. Ky reagim i veçantë nga kreu i Barçës vjen pak ditë pasi trajneri aktual i Bajernit të Mynihut e akuzoi atë për përdorimin e sëmundjes së Tito Vilanovës si mjet për ta bërë të duket keq në mesin e mediave. Pasi i ka mohuar këto raporte, Rosel u përpoq të rregullonte marrëdhëniet e tij me Guardiolën, duke shkuar aq larg sa të sugjerojë se do të ishte “i kënaqur” nëse ai do të kandidojë për president të Barcelonës.

“Ne kurrë nuk do ta përdorim shëndetin e Titos ose diçka tjetër me dhembshuri brenda, për ndonjë gjë, – tha presidenti katalanas për “Catalunya 8TV”. – Ajo që dua të theksoj është se duhet të mendojmë për gjëra të mira. Barcelona e falënderon Guardiolën dhe e sigurojmë se jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj tij, nga unë deri te tifozi më i thjeshtë. Pep është një rival tashmë për Barcelonën, jo armik. Unë i sugjeroj Guardiolës të kandidojë për president. Ta bëjë këtë, sepse do të mbetesha vërtet i kënaqur. Kemi folur të dy bashkë fundjavën e kaluar, por për hir të privatësisë nuk do të tregoj se çfarë i kemi thënë njëri-tjetrit. I vetmi kontakt që kam pasur me të ishte për ta uruar, kur u njoftua si trajner i Bajernit”.

 

Prezantimi

Kavani: Zgjodha PSG-në për të fituar

Me dy orë vonesë dhe me shumë protesta ka nisur aventura e re e Edinson Kavani tek PSG-ja. Sulmuesi uruguaian hodhi firmën në kontratën 5-vjeçare prej së cilës do të përfitojë 10 milionë euro në sezon pas arritjes së akordit mes Napolit dhe PSG-së për 64 milionë euro. Por aventura e “El Matadorit” nuk nisi në mënyrën më të mirë. Pas pritjes së ftohtë dy ditë më parë, konferenca e prezantimit u shty disa herë. Për disa nga gazetarët që prisnin, vonesa ishte e papranueshme, çka solli dhe braktisjen e sallës së konferencës në “Parc des Princes”. PSG e justifikoi shtyrjen e konferencës që duhej të niste në orën 16:00, me mungesën e dritës jeshile nga Napoli, por pa hyrë në detaje. “Kisha nevojë për këtë skuadër të madhe. Vij me shumë ambicie për të fituar diçka. Falënderoj tifozët e Napolit. Kalova tri vite fantastike”, – ishin fjalët e para të “El Matadorit” si lojtar i PSG-së. Më tej ai shpjegoi përse kishte zgjedhur ekipin parisien për të vazhduar karrierën: “Është një projekt ambicioz dhe i tillë jam edhe unë. Jam një lojtar kompetitiv dhe dua të luaj gjithnjë për të fituar. PSG nuk është një klub që bën pjesë në elitën e botës, por është nga ato klube që luftojnë për Champions”. Po dje Aurelio de Laurentis, presidenti i Napolit, befasoi sërish me deklaratat e tij. De Laurentis tha se nuk do ta kishte shitur Kavanin për çështje parimi dhe etike, por problemi ishte shifra absurde e klauzolës për prishjen e kontratës, që Paris Sent Zhermen u tregua e gatshme për ta paguar: “Nëse në kontratë nuk do të ishte klauzola 64 milionë euro për prishjen e saj, nuk do ta kisha shitur Kavanin për çështje parimi, sepse me para nuk mund të blihet gjithçka. Nuk është konstruktive edhe në planin etik. Çdo vit m’u desh ta rrisja çmimin e kartonit të Kavanit, aq sa erdhëm në një pikë ku shifra ishte më e lartë nga shuma që Bajerni i Mynihut përfitoi nga suksesi në Champions League. Problem janë disa klube që drejtohen nga presidentët e shoqërive që i sponsorizojnë, të cilët shpenzojnë shifra absurde”.

 

Konfirmimi

Reali drejt rinovimit me Ronaldon

Florentino Perez do të udhëtojë me Realin e Madridit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të kërkojë të mbyllë me çdo kusht çështjen e rinovimit të kontratës së Kristiano Ronaldos. Presidenti i shoqërisë “Merengues”, ka gati kushtet e reja për qëndrimin e numrit 7, kontrata e të cilit skadon në vitin 2015. Sipas gazetës spanjolle “El Confidencial”, qëndrimet mes palëve janë limuar dhe situata ndryshon shumë nga ajo e muajit Shtator ku portugezi doli hapur duke kërkuar largimin nga klubi. Ronaldo ndihet më i rëndësishëm për ekipin dhe qëndrimi në Madrid nuk është më një opsion i pamundur për të. Agjenti i tij, Horge Mendez ka marrë një ofertë paraprake mbi baza të ndryshme, ku lojtari duhet të firmosë deri në vitin 2018. Në vijim të shkrimit, e përditshmja spanjolle shkruan se lojtari i ka bërë me dije vullnetin presidentit për të qëndruar, duke mohuar çdo kontakt të përfolur me Mançester Junajtid dhe Monakon, duke ndezur dritën jeshile për bashkëpunimin e mëtejshëm me një përfitim prej 15 milionë eurosh në sezon për luzitanin.

 

Çështja “Suarez”

Liverpuli pranon se refuzoi ofertën e Arsenalit

Liverpuli konfirmoi dje ofertën zyrtare të Arsenalit për Luis Suarezin. Drejtori i të kuqve, Ian Ajër, për “Bloomberg” tha: “Ne kemi marrë një ofertë nga Arsenali, e cila është bërë publike përmes mediave. Ne i thamë ‘jo’. Luis do të rikthehet në Liverpul për t’iu bashkuar skuadrës. Ne marrim shumë oferta për lojtarë të ndryshëm, por dëshirojmë që Suarez ta mbajë veshur fanellën e Liverpulit për këtë sezon edhe vitet e tjera. Shpresojmë që gjërat të zgjidhen”. Ndërkohë që trajneri Brendën Roxhers e ka përfshirë emrin e uruguaianit në listën me 27 lojtarët që do të nisen drejt turit aziatik dhe Australi.

 

Merkato

Menaxheri Markuinjos: Kemi oferta nga 3 klube

Menaxheri i Markuinjos, Roberto Kalenda, pohoi se për mbrojtësin e Romës ka bërë një ofertë zyrtare Mançester Junajtid, PSG-ja dhe Barcelona. Ai tha se braziliani 19-vjeçar ka tre alternativa për të vendosur, pasi shkëlqeu në sezonin e parë me Romën. “Klubi na ka informuar se ekziston mundësia për ta shitur Markuinjosin. Ka pasur oferta zyrtare nga PSG-ja, Barcelona dhe Mançester Junajtid. Ne do të diskutojmë dhe bëjmë zgjedhjen më të mirë”, – tha agjenti Kalenda për “Mundo Deportivo”.

 

Risia

Red Bulli paguan tifozët për të mos fyer lojtarët

Në SHBA po bëjnë çmos për t’i dhënë fund racizmit dhe dhunës verbale në stadiumet amerikane, edhe pse futbolli nuk është sporti i parë në SHBA. Drejtuesit e Nju Jork Red Bullit kanë ndërmarrë një nismë interesante për të ruajtur lojtarët e tyre. Ata do të shpërblejnë me 500 dollarë amerikan çdo ultras të skuadrës që nuk ofendon lojtarët gjatë ndeshjes. Për më tepër, klubi ku luan Tieri Henri, ofron edhe shpërblime deri në 2 mijë dollarë, nëse tifozi sillet mirë për katër ndeshje radhazi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency