0
131

Përgatiti Altin Vorpsi

Alkantara për skuadrën e tij të re: Janë shumë të fortë teknikisht, dalin shumë mirë nga mbrojtja dhe në finalizim janë vrasës. Pa dyshim një nga skuadrat më të forta në botë

 

Tiago AlkantaraMynihu priti dje “yllin” e vet më të ri. Tiago Alkantara zbarkoi dje në qytetin që do të jetë shtëpinë e vet për katër vitet e radhës. Flasim për Tiago Alkantarën, talentin që la Barçën për Guardiolën dhe skuadrën më të mirë të momentit.

Arsyet

Arsyet e një transferimi të tillë nuk janë shumë të fshehta. Skuadra e Barcelonës, edhe pse kishte një xhevahir mes saj, nuk diti që ta “përpunonte” dhe e humbi për “vetëm” 25 milionë euro. Një shans të tillë tani e ka Bajerni i Mynihut që, falë Pep Guardiolës, arriti të siguronte njërin prej talenteve më të mëdhenj të Evropës. Alkantara, kapiteni i Spanjës kampione e Evropës për 21-vjeçarë, tha dje gjatë prezantimit: “Historia e këtij klubi që i përket prej shumë vitesh u përket më të mirëve në botë, skuadra që luan një futboll shumë të bukur, por edhe ardhja e Pep Guardiolës ka qenë një shtysë më shumë për mua për të zgjedhur Bajernin. Para dy muajsh u përballa me Bajernin në gjysmëfinalen e Champions League. Ashtu si të gjitha ekipet gjermane, Bajerni është shumë i fortë fizikisht, por mbi të gjitha shumë fleksibël dhe mënyra e lojës është shumë ofensive, me lojtarë të shpejtë. Janë shumë të fortë teknikisht, dalin shumë mirë nga mbrojtja dhe në finalizim janë vrasës. Pa dyshim një nga skuadrat më të forta në botë”.

Fitimtari

Shefi ekzekutiv I Bajernit të Mynihut, Karl-Hajnc Rumenige, i ngarkuar për të udhëhequr negociatat me Barcelonën për transferimin e Tiago Alkantarës në Bavari, i ekzaltuar nga arritja e kësaj marrëveshjeje theksoi se mesfushori 22-vjeçari ishte përforcimi më i mirë i mundshëm për formacionin e Pep Guardiolës: “Jemi shumë të lumtur që arritëm të transferonim në Mynih një talent të madh. Mendoj se është përforcimi më i mirë i mundshëm për skuadrën tonë. Tiago është një lojtar fantastik dhe më një të ardhme të madhe. Ai mund të përmirësohet shumë më tepër, duke e bërë edhe më të fortë ekipin tonë”. Por Rumenige kërkon ta shmangë presionin e tepërt tek Alkantara. “Për momentin, thjesht është përzgjedhur futbollisti më i mirë i Kampionatit Evropian U-21”. Barcelona përfiton nga ky transferim plot 25 milionë euro. Klubi gjerman në fakt ka bërë të ditur në një komunikatë zyrtare se ka paguar 20 milionë euro. Shifra e pretenduar nga katalanasit do të plotësohet me 1 milion euro të ardhura nga miqësorja e 24 korrikut mes Barcelonës dhe Bajernit, ndërsa 4 milionë të tjera Alkantara do t’i paguajë nga rroga e tij gjatë katër viteve të ardhshme si futbollist i gjigantëve gjermanë.

 

Merkato

Arsenali e ka seriozisht për Suarezin

Vengeri është gati të bëjë gjithçka për Luis Suarezin. “Topçinjtë” e Londrës janë skuadra e parë që kanë matur pulsin e Liverpulit me një ofertë prej 35 milionë eurosh pak ditë më parë. Tani mësohet se do t’i ofrojnë zyrtarisht brenda javës 40 milionë euro për uruguaianin. Duke qenë se firma me Higuainin po vonon, “topçinjtë” po eksplorojnë mundësinë e afrimit të bomberit 26-vjeçar. Dhe pavarësisht se Suarezi do Realin e Madridit, një burim brenda negociatave iu përgjigj kështu pyetjes së “SkySport” nëse lojtari mund të transferohet në Londër: “Ndoshta”. Arsenali do të shfrytëzojë marrëdhëniet e shkëlqyera me Liverpulin për të arritur objektivin më të rëndësishëm të merkatos së verës. Liverpuli nuk është i detyruar të negociojë në rast se nuk vjen një ofertë prej të paktën 45 milionë eurosh (klauzolë në kontratën e sulmuesit), por ata janë gati ta dëgjojnë ofertën zyrtare të Arsenalit. Arsen Venger i siguroi tifozët nga Vietnami se një blerje spektakolare është rrugës, por nuk preferoi të jepte emra. Gjithsesi, mediat britanike janë të sigurta se bëhet fjalë për Suarezin, edhe pse nuk e përjashtojnë dhe Higuainin apo Runin. “Ju doni që unë t’ju shpall një transferim spektakolar, por tani për tani nuk mundem. Jemi duke punuar për të përforcuar skuadrën, por nuk mund t’ju them emra të përveçëm”, – u shpreh menaxheri francez. Reali i Madridit është favorit në letër për të transferuar sulmuesin, pasi lojtari shprehu edhe dëshirën për të shkuar në Spanjë, por kompanitë e basteve vazhdojnë të kuotojnë Arsenalin si skuadrën që ka më shumë gjasa që t’ia rrëmbejë yllin 18 herë kampionëve të Anglisë. Suarez ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Premier Liga për shkak të sulmeve të mediave rreth ngjarjeve raciste me Evranë dhe kafshimin e Ivanoviçit, por primare në zgjedhjen e tij do të jetë nëse skuadra do të luajë në Champions. Arsenali e përmbush këtë kriter, dhe Suarez pranoi pak ditë më parë se ndihet i vlerësuar nga interesimi i Vengerit. Tani pritet vetëm përgjigja e Liverpulit, klub i cili duket i vendosur për ta mbajtur me çdo kusht yllin e ekipit, të paktën derisa ligji ia lejon.

 

Transferimi

Kavani sot do të jetë zyrtarisht i PSG-së

Sot do të nisë aventura parisiene e Edinson Kavanit, i cili dje ka zbarkuar në aeroportin “Sharl dë Gol”. Në orën 08:30 të së hënës, një avion privat fluturoi nga San Paolo drejt Parisit. Sulmuesin e prisnin në aeroport zv.drejtori i francezëve Letan dhe menaxheri i lojtarit, Triulci. Pas vizitave mjekësore në spitalin “Pitié Salpêtrière” që zgjatën më shumë se tri orë, sot në orën 16:00, përmes një konference për shtyp të paralajmëruar nga klubi, do të bëhet edhe prezantimi. Për rreth dy orë “El Matador” u takua me drejtorin sportiv Leonardo në hotel, atje ku pritet që të akomodohet edhe për disa ditë, derisa klubi t’i gjejë shtëpinë në kryeqytetin e luksit. Për të mos e humbur goditjen më të madhe të sheikëve këtë verë, në “Parc des Princes” do të jetë edhe presidenti Naser Al-Khelaifi, i cili do të fluturojë direkt nga Katari për të qenë i pranishëm. PSG-ja nuk jep detaje se për çfarë e ka organizuar këtë dalje publike pasditen e sotme, por nuk ka dyshime që do të jetë prezantimi i blerjes më të shtrenjtë të sheikëve, për 64 milionë euro nga Napoli. Kavani do të hedhë firmën në kontratën 5-vjeçare, nga e cila do përfitojë 10 milionë euro në sezon.

 

Akuza

Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit “përjashton” Ronaldinjon dhe Ramirezin

Dy yje si Ronaldinjo dhe Ramirez nuk do të keni më shansin t’i shihni me fanellën e Brazilit. Dy mesfushorët karioka u lanë jashtë Kupës së Konfederatave nga Skolari, por me shumë gjasa diçka e tillë do të ndodhë edhe në Kupën e Botës. Zhoze Maria Marin tha se ai ndihet i zhgënjyer nga mënyra se si reaguan lojtarët nga lënia jashtë turneut të fundit. Presidenti këmbënguli se ata nuk do të grumbullohen sërish, duke u rrezikuar dhe botërorin: “Ramirez dhe Ronaldinjo kanë reaguar në mënyrë të turpshme pas mosgrumbullimit të tyre në Kupën e Konfederatave. Këta lloj lojtarësh nuk do t’i grumbullojmë më. Gruaja e Ramirezit tha se ‘Seleçao’ është si një institucion mafioz, vetëm sepse bashkëshorti i saj u la jashtë. Organizuam dhe një darkë me skuadrën në qytetin e Dinjos. A mund ta imagjinoni dot që të vijnë miqtë përpara mikpritësve? Është e papranueshme”.

 

Konfirmimi

Kapelo: Nuk largohem nga Rusia

Fabio Kapelo është krenuar që drejton kombëtaren ruse dhe i mohoi zërat e një dorëheqje të mundshme për të marrë stolin e një klubi. “Kur një trajner është i suksesshëm është e natyrshme që klube të kërkojnë të punojë me të, por unë e dua Rusinë dhe jam krenar që punoj këtu”, – deklaroi për gazetën “Soviet Sport Daily”, tekniku 67-vjeçar.

 

Stërvitja

Reali “dëbon” Karankën

Dje në mëngjes ekipi kreu vizitat mjekësore dhe në orën 17:30 u vu për herë të parë nën urdhrat e Karlo Ançelotit. Shefi i stafit mjekësor të Realit, Karlos Diez, u shpreh shumë i kënaqur me rezultatet e gjendjes fizike të lojtarëve. Trajneri i ri i Realit stërviti për herë të parë me 21 nga lojtarët e tij, ndërsa nuk mungoi dhe takimi i ngrohtë me ish-yllin e tij tek Milani, Rikardo Kaka. Ditën e hënë, Reali njoftoi dhe prishjen konsensuale të kontratës me ish-ndihmësin e Murinjos, Aitor Karanka. Pas një takimi me drejtuesit e klubit, 39-vjeçari vendosi të largohej edhe pse kishte edhe 3 vite kontratë në “Bernabeu”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency