Meta në Çorovodë: Duke u fuqizuar LSI si forcë politike, forcohet stabilitetit i vendit

0
159

Florenc Drizari

Meta: Çdo qytetar shqiptar duhet të shikojë një politikë, e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe

 

ilir-meta22

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Çorovodës. Në këtë takim kreu i LSI-së tha se fitorja në Qarkun e Beratit ka qenë rezultat i të gjithë kandidatëve për deputet që punuan si një ekip dhe përcollën frymën e bashkëpunimit kudo në të gjitha strukturat.

Gjithashtu ai theksoi se LSI do të vazhdojë të rritet si force politike, gjë që sipas Metës, kjo do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin e vendit. “Sepse edhe qytetarët shqiptarë e duan fuqizimin e LSI-së dhe kontribuuan me votën e tyre për këtë qëllim, sepse duke u fuqizuar LSI-në si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe. Një politikë e cila merret me punësimin e qytetarëve dhe nuk merret me shtimin e andrallave për ta, një politikë konkrete, një politikë që flet pak dhe që përpiqet të bëjë sa më shumë për qytetarët dhe komunitetin, u shpreh kryetari i LSI-së. Rritja e LSI-së është mesazhi më i qartë se shqiptarët duan të ecin më shpejt në rrugën e stabilitetit, në rrugën e ndryshimeve, në rrugën e integrimit, në rrugën e punësimit, në rrugën e përqendrimit të gjithë energjive të politikës tek ekonomia, tek punësimi tek çështjet më jetike që kanë qytetarët tanë në Berat, në Skrapar dhe në të gjithë Shqipërinë”, – tha Meta.

Më tej, Meta u zotua për mbajtjen e premtimeve të bëra për punësimin, por edhe për ta gjallëruar jetën e komunitetit në Çorovodë. Duke u kthyer te rezultati i 23 qershorit, Kryetari i LSI-së shprehu mirënjohjen e tij për popullin e Skraparit dhe premtoi se këtë mirënjohje do ta shprehë me vepra e jo me fjalë. “Mirënjohje të veçantë për të gjithë popullin e Skraparit, ku LSI më 23 qershor doli forcë e parë politike. Është një punë e madhe që është bërë, por njëkohësisht është një punë akoma më e madhe që na pret përpara për të shprehur mirënjohjen tonë me vepra dhe jo me fjalë sikurse jemi sot këtu përpara të gjithë atyre që na votuan dhe përpara të gjithë popullit të Skraparit, shtoi ai. Sepse ne pas zgjedhjeve nuk i ndajmë skraparllinjtë as këtu as kudo tjetër, përkundrazi përpiqemi t’i respektojmë dhe t’i mbështesim të gjithë. Fitorja në Qarkun e Beratit është historike sepse është hera e parë që LSI-ja del forcë e dytë politike në një qark të Shqipërisë dhe kjo është mjaft kuptimplotë, por natyrisht ne do të vazhdojmë me synimet tona për të fuqizuar më tej LSI-në”, – tha Meta.

Gjithashtu ai foli edhe përfaqësimin më të madh që do të ketë tashmë LSI-ja kudo në të gjithë qeverisjen e vendit dhe të gjithë institucionet, që do të thotë se më shumë njerëz do të angazhohen dhe kjo është një përgjegjësi që do ta ndahet mes të gjithëve.

“Themelore është që të mos harrojmë për asnjë ditë në katër vitet që vijnë votuesit tanë të thjeshtë, të përkushtuar, besnikë dhe besimplotë tek ne në çdo fshat, në çdo lagje kudo në të gjithë Skraparin në të gjithë Shqipërinë, sepse ka qenë besimi i tyre që na ka dhënë këtë fitore të mrekullueshme të cilën ne do ta menaxhojmë me përgjegjësi maksimale dhe me transparencë maksimale. Me kolegjialitet dhe me përkushtim dhe përulësi ndaj gjithë njerëzve që na kanë ndihmuar na kanë mbështetur dhe që do të na ndihmojnë dhe do të na mbështetin edhe në të ardhmen sepse edhe ne do të bëjmë çdo gjë për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur ato”, – përfundoi fjalën e tij kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

 

“Qeveria e re”, Vasili: Ende s’është diskutuar për emrat

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaron se mes LSI-së dhe PS-së ende nuk janë diskutuar emrat për qeverinë e re, por sipas tij, diskutimet janë përqendruar tek përafrimi i pikave kryesore programore për 300 ditët e para. Për këtë, Vasili thotë se është arritur progres, edhe për faktin se të dyja forcat nuk kanë pengesa ideologjike duke qenë se janë dy subjekte të majta.

I tërë përqendrimi dhe fokusi ka qenë pikërisht përpilimi i një programi realist sepse ju keni përcjellë, që jo thjesht koordinatorët, por tërë grupe e punës kanë pasur problematikën e një informacioni të cunguar, i cili vjen nga qeveria dhe një transparencë e cila mungon, por që nuk e ka penguar që të definojë linjat politike e programore se ku do të ecë secili sektor në mënyrë të veçantë edhe në veprime konkrete. Dhe kjo e dallon këtë program nga të gjitha programet qeverisëse më parë dhe në këtë pikëpamje çështja e emrave dhe çështje të këtij niveli nuk janë absolutisht fokusi dhe nuk mund të ishin fokusi, sepse në fund të fundit në shtatorin e ardhshëm do të votëbesohet një program qeverisës që është thelbi. Oponenca dhe debati do të përqendrohet te programi dhe realizimi i tij dhe jo tek emrat e përveçëm. Kushdo që të jetë do të ketë përgjegjësi për të realizuar këtë program në mënyrë konkrete dhe për herë të parë përgjegjshmëria që të kemi një program të realizueshëm dhe të prekshëm realizohet për herë të parë në praktikë”, – deklaroi në një intervistë për “Top Channel” nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Sipas tij, ndryshimet në Kushtetutën e vendit janë dytësore, pasi edhe ato të bëra në 2008-n reflektojnë konsensus dhe garanci për mbarëvajtjen e institucioneve demokratike të vendit.

 

PD: Njohëm humbjen, por do mbrojmë shqiptarët nga premtimet e pambajtura të Ramës

Partia Demokratike akuzoi një ditë më parë mazhorancën re që sipas PD-së, po përgatitet të mos mbajë premtimet kryesore që u bëri shqiptarëve para 23 qershorit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, e konsideron qëndrimin e mazhorancës së re ‘një akt të pashembullt mashtrimi në historinë elektorale’.

“Disa prej tyre me kryesoret si premtimi i shërbimit shëndetësor falas për çdo shqiptar (pa kontribute te sigurimeve shëndetësore) dhe ulja e taksave për 95% te shqiptareve, heqja e tatimit mbi te ardhurat personale për të gjithë qytetaret me te ardhura nen 1,5 milion lekë, do shtyheshin për vitin 2017 me shpresën naive se realizimin e tyre do të mund ta premtojnë gjatë një mandati tjetër mashtrimesh. Ndërkohë nuk flitet me asnjë fjale për legalizimet falas, për heqjen e TVSH-së për energjinë, për ushqimet, për rritjen e rrogave te policeve ne nivelin e rrogave te deputeteve, as dhe për zotin Rama kryeministër që nuk do paguaj me taksa sa infermieri”, – u shpreh Vorpsi.

Partia Demokratike teksa thekso se ka pranuar humbjen paralajmëron se nuk do të lejojë poshtërim të dinjiteti të shqiptarëve. Në deklaratën e saj, PD fokusohet tek premtimet bazë të socialisteve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Zëdhënësja Vorpsi tha se premtimet e Ramës janë një akt cinizmi ndaj qytetarëve dhe PD e di se që në nisje PS nuk mund t’i mbajë ato. Për këtë, tha zëdhënësja, PD do të bëhet mbrojtëse e interesave të qytetarëve që u mashtruan në zgjedhjet parlamentare. Deklarata e PD-së vjen në një kohë kur PS dhe LSI kanë ngritur grupet e punës për përafrimet e pikave kryesore të programeve politike për qeverisjen në 300 ditët e para. Sipas disa qëndrimeve të mbajtura për median, nga këto konsultime ka rezultuar se disa nga premtimet kyçe nuk mund të realizohen në ditët e para të qeverisjes.

“Një akt cinizmi ekstrem ndaj qytetarëve që i besuan se premtimet e tyre ishin thjesht mashtrime ose se ato nuk do realizohen gjatë këtij mandati por shtyhen për vitin e fundit. Partia Demokratike shpreh bindjen më të thellë se shqiptarët që besuan premtimet e Edi Ramës, dhe jo vetëm ata por të gjithë shqiptarët nuk do pajtohen kurrë me një mashtrim të tillë. Partia Demokratike e ka njohur humbjen e saj por ajo nuk do pranojë kurrë një megamashtrim të tillë të pashembullt të qytetarëve shqiptarë, një poshtërim të votës, besimit dhe dinjitetit te tyre qytetar politik. Ajo do përdore të gjithë mjetet demokratike për te mbrojtur dinjitetin e qytetareve shqiptar, e atyre qe votuan programin e saj por njëlloj dhe te atyre qe besuan premtimet anti-globaliste te kundërshtarit, ndaj aventuriereve qe besojnë se mund të ndërtojnë mbi mashtrimin masiv të qytetarëve shqiptarë”, – përfundoi fjalën e saj Vorpsi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency