Apolonia! Çfarë ka mbetur nga lumi i vdekur!

0
263

Violeta Murati

Reportazh/ Një ditë në nëntokën e Apolonisë, kthimi në qytetin më të madh të antikitetit

 

apolonia_qytet_i_rendesishem_iLulja, një trupmadhe, me pulla bardhë e zi, rri e shtrirë, pak metra nga porta. At Sokrati tregon se ajo ishte një grusht e vogël kur e sollën në kishë – si për të na njohur me besnikërinë e qenit. Eh, njerëzit! Ata janë të stresuar, të dhënë pas parasë, i tundon materializmi, – thotë At Sokrati për të na justifikuar ftohtësinë e tyre dhe vaktësinë e kishës sot dhe asaj unikale që ndodhet në Apoloni, Fjetja e Shën Mërisë.

Pas gati dy orë e gjysmë nga Tirana, në një ditë si këto të pranverës, plot diell, udhëtimi në mëngjes herët ka jo vetëm freskinë e orëve të para të ditës. Koha është e mjaftueshme për ta menduar. Ndalëm makinën m’u para traut ku duhej të merrnim biletën 300-lekëshe për të hyrë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Dhe pak metra asfalt për të shkuar deri në prag të kishës. Në oborr roja, një burrë qesëndisës, ngre zërin menjëherë, kur na sheh se nuk jemi vizitorë të thjeshtë. Është mësuar ta nuhasë vizitorin e të kuptojë duke na u drejtuar direkt se ikën kohët e arta, kur arkeologu Hasan Ceka, me 150 punëtorë, nuk linte fije bari të mbulonte këtë vend. Ai tregon me dorë se, tutje në tarracën përballë portës së kishës, mozaiku, i zbuluar pak kohë më parë, është mbuluar me bar dhe gjithë zona rrotull. Aty të gjithë gati po festonin këto ditë, sepse tarracat e Apolonisë po çliroheshin nga ferrat, disa punëtorë kishin ditë që krasisnin në to.

Tri-katër vajza të reja, bjonde, që rrinin bashkë, gjithë gaz, nuk ishin shqiptare. Kanë ardhur gjermanët, – na thotë roja, – dhe ata e pastruan Apoloninë. Roja kthen kurrizin dhe vazhdon bisedën e lënë përgjysmë me dy gra që ishin ulur në bordurë dhe zunë të pëshpëritnin.

 

***

Një kanatë e portës qëndronte e hapur. Ndalim të shohim murin rrethues, në hyrje të Manastirit, daton 200 vjet përpara, gurët e të cilit kanë histori. Janë gurët e vjetër të Apolonisë, rreth 30-40 të tillë kanë pasur dekoracione të ndryshme, po ashtu dhe simbole. Një prej tyre dallon, ku paraqitet një xhami me minare me gjysmë-hënëzën dhe dy kafshë që i turren xhamisë. Është një motiv që e përngjasojnë me stemën e shpatave, – na sqaron specialisti i restaurimeve, në laboratorin e konservimit në Tiranë, Frederik Stamati. I marrë me restaurimin e shpatave unikale në Shqipëri, Stamati vë gishtin mbi një figurë të njohur për të: ujku që turret! Tregon se është e gdhendur në punishten e shpatave të Pasaut dhe Solingerit që ishin qytete të famshme për prodhimin e shpatave në Shqipëri. Të njëjtën stemë Stamati thotë se mbajnë katër shpata të tilla dhe koha e gdhendjes u takon kryqëzatave, rreth vitit 1200.

Pa kaluar portën, një pllakë e bardhë mermeri ka mbishkrimin: Në vitin 1918 pushtuesit austro-hungarezë pushkatuan: Kamber Benjën, Abaz Taushanin dhe Bexhet Manastirin, të cilët kundërshtuan grabitjen e monumenteve historike të Apolonisë. Nuk ka asnjeri që të na shoqërojë në mjediset e manastirit. Punën e ciceronit kur ndonjë turist ia kërkon, e bën roja-polic. Ai thotë që shpeshherë ua shpjegon turistëve gjithë çka brenda mureve të manastirit, sepse është aty qysh në vitin 1985. Ia kanë vlejtur gjithë këto vite, që të bëhem specialist, – qesh roja, duke na lënë të lirë herë pas here.

Qysh në hyrje të oborrit të kishës, është Lulja, qeni i manastirit i shtrirë përtokë, dhe vetëm pak na kërcëllit dhëmbët. Roja na siguron se qeni nuk të ha, se ndër njerëzit që hyjnë në kishë dallon të ligun dhe të mirin. Në verandën e kishës, rrethuar me shirita plastmase, në shenjë ndalimi – janë statujat, të hequra nga pjesa muzeale, që rrezikohej të shembej. Po i thajmë në diell, – thotë roja, – pas shirave u detyruan t’i vendosin aty.

Kisha Fjetja e Shën Mërisë, pjesë e masivit të Apolonisë, është më e vjetra në Shqipëri, i përket vitit 1248 dhe ende mbahet në këmbë.

Specialisti i restaurimit na sqaron se kisha njeh disa faza ndërtimore, të cilat janë studiuar, por brenda, afresket, siç edhe do ta shohim, janë krejt të rrënuara, kanë pësuar dëmtime. Me pak fjalë gjithë ç’ishte rrotull një stere uji, minarja me këmbanaret e reja të vitit ’31 dhe trapezaria ku hanin murgjit dhe priftërinjtë.

Por sa i kanë rezistuar kohës këto objekte?! Goditja e parë ishte djegia e ikonostasit nga Lufta e Parë Botërore, prej austro-hungarezëve më 1917, për të cilën cituam më sipër pllakën në hyrje të manastirit. Në vitin 1927 nga dy vëllezër prej Elbasanit mësojmë se ikonostasi u bë i ri.

Bashkë me statujat që po thaheshin në diell, janë dhe dy sarkofagë të kuq,- brenda tyre varroseshin njerëzit e pasur, – të cilët prej muajsh kanë dalë nga pjesa muzeale e kishës. Është historia që njohim nëpërmjet mediave pak javë më parë se mbrapa kishës ka pasur shkarje dheu nga shiu.

Kaq është thënë në media. Ndërsa roja na shtyn të mendojmë se aty ka më tepër se rënie shiu. Nuk thuhet ai muhabet, sepse turpëroheni ju si specialistët pastaj, – thotë roja me të qeshur, duke iu drejtuar Stamatit.

Muri i pasmë, që rrethon kishën dhe shërben dhe si faqe e godinës muzeale, është ndërtuar në vitin 1990. Aty na thonë se ka pasur hedhje dheu. Për të liruar murin, arkeologët janë futur me lopata, duke larguar dheun. Kjo situatë ka krijuar rrëshqitje dhe për pasojë pjesa masive e dheut ka shtyrë murin. Kuptojmë se lajmet nga Apolonia se është çarë muri, se rrezikohen objektet arkeologjik nuk ishin fort shkaqe natyrore, sesa gafa të shqiptarëve. Duke kaluar përmes vendit ku kanë qenë ekspozuar statujat, restauruesi nga Tirana, Avni Alcani, na tregon shenjat e plasaritjes, që nuk i sheh shumë alarmuese nga ç’kanë qenë në vitin 2001. Por specialisti tjetër, Stamati, e hedh poshtë duke thënë i bindur se muri ka lëvizur dhe do zgjidhje të menjëhershme situata.

Ndonëse e dinë zgjidhjen, pra të thirren teknikët e ndërtimit, askush aty nuk ka shkuar deri tani të nisë punën konkretisht, qoftë dhe mbi letër. Thonë se duhen specialistë ndërtimi që të shohin bazamentin, sepse këtu Apolonia lëviz, rrëshqet, ngaqë është zonë e tillë, kodër. Alcani dhe Stamati ndalin të shohin murin prapa kishës, ku flutura prej allçie janë vënë si shenja për të parë spostimet e murit. Ndonëse muri është çarë, dukej që flutura nuk kishe lëvizur, kjo për specialistët është shenjë e mirë, tani për tani, por nëse ikën dheu nuk dihet çfarë merr.

Por ka edhe të vërteta të tjera që na tregojnë për rezistencën e Apolonisë. Në vitin 1997 vendasit thonë se kjo zonë historike është mbajtur me një skuadër policie; tre mitraloza janë instaluar në pjesën e brendshme të manastirit; në këmbanare, në ballkonin e muzeut dhe tjetri tek porta e manastirit. Hajdutët kanë ikur nëpër ferra dhe prej asaj kohe Apolonia nuk u prek asnjëherë. Si shembull merret Zani Çaushi. Kujtojnë se vinte në lokalin e Apolonisë, hante e pinte, por kishën nuk e prekte njeri.

Në verandë të kishës, që quhet ekzonarteksi, ndodhet një stere uji, pus – përdorej për t’u larë. Hyjmë në kishë. I ftohti i ashpër i mermerit humbte përballë rrënimit të kishës. Afresket në kubenë e kishës, që datojnë tepër herët, në vitin 1200, janë vetëm gjurmë. Na tregojnë se e gjithë kisha ka qenë e pikturuar, por ka rënë. Kishat bizantine kanë qenë galeri arti, – thotë Stamati.

Pavarësisht kësaj, kisha është funksionale. Çdo të diel aty bëhen mesha. Mjedisi është tepër i vogël dhe në të majtë janë vendosur ca karrige, si ato të kinemave të dikurshme, të vjetra. Kurse shtyllat që mbajnë kubenë, janë të reja, të bëra prej betoni. Të vjetrat gjenden në shesh, në gjysmë, tregojnë se i hoqën ngaqë nuk mbanin më ndërtesën. Ikonostasi, mbuluar nga pluhuri, na gënjen mendjen të pyesim – por, jo është krejtësisht i ri, dhe nuk ka vlerë artistike dhe historike. Vetëm dyshemeja është magji. Është yll, unikale, mermeri i vjetër. Ndodhet dhe në mjedise të tjera kjo formë dyshemeje, në ngjyrë të bardhë dhe kafe të lehtë, në të kuqe.

I afrohemi ikonostasit, bashkë me një copë të kuqe ndan mjedisin – e asaj që quhet narteks, dhoma paradhomë, pjesë e rrumbullakët ku bëheshin pagëzimet. Nga dhoma e altarit, konkretisht altari kanë mbetur vetëm gjurmë, gungë mermerësh dhe mbi to një tavolinë e madhe druri, me librat e shenjtë dhe mjete të tjera fetare.

Bashkë me ne, të mërkurën e 7 prillit, kishin mbërritur dhe disa vizitorë nga Kosova. Ata e zhurmuan kubenë e kishës, ishin mësues dhe po kërkonin të ndiznin qirinj. Bashkohemi të gjithë dhe natyrshëm pyesim për besimin, pse ndezin qirinjtë, ata përgjigjen thjesht: Myslimanë jemi dhe po ndezim një qiri për qejf, duhet me besu dhe respektu Zotin. Kishën e vizitojmë pothuaj në të njëjtën kohë. E ka ulur kokën roja që nuk u ndie pothuaj fare në kishë, por jashtë zë e tregon se tani është shkatërruar komplet kisha, se ata të Institutit të Monumenteve kanë qenë të kujdesshëm për ta restauruar të paktën, se kanë pasur ustallarë e specialistë për këto mure të vjetra.

Por tani, – tregon ai, – vijnë njerëz që i vënë beton, janë gjëra të vjetra këto, duan specialistë, si ata të jashtmit (fjala për gjermanët që janë në Apoloni, duke bërë gërmime arkeologjike). Si dëshmitar i gjithë viteve, sa ka qenë kalama, e deri tani që ka hyrë në moshën e tretë, roja-polic tregon se këto mjedise u shkatërruan në fillimet e ’90-s. Kanë qenë të detyruar, vetë ai, t’i vinte një dru portës së muzeut të mos shembej, sa për ta mbajtur.

Në oborrin e kishës përballë në katin e dytë, një pllakë mermeri ruan dëshminë: Dhoma muze e Jakov Xoxës. Këtu shkrimtari ka shkruar romanin e njohur Lumi i vdekur. Asgjë nuk ka brenda. Në dhomën muze kanë qenë të gjitha: tavolinë, stilolaps, dorëshkrime origjinale etj. Ka qenë gjuhëtar i mirë shumë. E mbaj mend posi, e unë me të llafosnja, – tregon roja.

Poshtë saj është dhoma e madhe, e zymtë sot, që specialistët e quajnë trapezari, aty ku hanin murgjit e priftërinjtë, është gati e përgjysmuar. Roja na tregon se i kanë vënë një mur ndarës dhe thërret Stamatin për t’ia treguar shenjat e tullave të reja, ku asnjë gjurmë pikture nuk ka më. Kjo dhomë ka qenë e veshur e gjitha me piktura murale. Tani është krejtësisht bosh, dhe në hapësirën çarëse të çatisë, zogjtë kanë krijuar një brez glasash mbi dysheme. Sa qe Hasan Ceka, muri ka qenë matanë, edhe shkallët janë hequr. Mendoj se nuk kanë pasur të drejtë. Çdo gjë duhet të vijë e vjetër, tani nguli këmbë arkeologu Skëndër Muça që do ta çojë në vend murin, – thotë roja në formë proteste, sikur ai të ishte kundërshtari i vetëm i gjithë devijimeve dhe betonizimit në Apoloni. Roja na thotë se nuk lejohet hyrja në minare, që është gati 20 metra e lartë, sepse shkallët nuk kanë parmak. Polici vrapon për t’i vënë drynin menjëherë, ndërsa një pjesë e vizitorëve nga Kosova kanë hipur shkallët për të parë dhomën muze të Jakov Xoxës.

Një prej turisteve, staf mësuesish, Mane Neziri, thotë se në Kosovë e shpjegojnë gjithmonë në shkolla Jakov Xoxën, ndoshta ndër të vetmit autorë që ata e njohin dhe adhurojnë. Mësuesja fisnike nuk e ka vështirë të hyjë menjëherë në bisedë për të treguar se kurrë nuk u kishte shkuar në mendje se në Apoloni ekziston një dhomë muze për njeriun që shkroi romanin profetik për shqiptarët e të dy vendeve, Kosovë e Shqipëri – pikërisht këtu. Krejt i papërtueshëm, burri i veshur polic, që harruam t’ia mbanim shënim emrin, nxiton të jetë i gjallë: E mbaj mend Jakov Xoxën, ka qenë shumë fisnik, se futej nëpër popull, jo si shkrimtarët tani që bëjnë dokrra.

Shumë kosovarë që vijnë këtu, – tregon roja, – pyesin për Jakov Xoxën. Mësuesja e letërsisë nga Kosova, Manja, rreket të tregojë impresionin e saj për romanin Lumi i vdekur, t’i japë atij një kuptim të sotëm, çfarë parapërgatiti shkrimtari pas tharjes së lumit Seman, tek e shihte përballë, në horizont nga kati i dytë i kishës Fjeta e Shën Mërisë. Ai ka shkruar për Adilin dhe Vitën, njëri ortodoks e tjetër mysliman, – kujton mësuesja. Por, roja që ndjek bisedën dhe kërkon të ketë protagonizëm në ngjarje thotë se të gjithë kosovarët e kanë pyetur pse është katandisur kështu dhoma muze, pasi ata e quajnë shkrimtarin më të mirë. Unë nuk di çfarë të them, vetëm të ngre supet e t’u tregoj se nuk ka më asgjë, ia kanë marrë të tëra, – thotë burri në ngushti përgjigjeje.

Manja ndërhyn duke treguar se e punojnë shumë Jakovin në programet shkollore, me dëshirën për ta zbuluar si i pari që ka ndërlidhur fillimisht Kosovën dhe Shqipërinë.

A e di pse nuk e adhurojnë këtu shqiptarët, – ndërhyn roja, – sepse ai ka qenë myzeqar. E lëmë të lirë në bisedë mësuesen nga Kosova; myzeqar ka qenë edhe Pilo Shpiragu. Jakovi tregoi se lufta e shqiptarit dhe kosovarit ka qenë për ekzistencë, për çlirim.

Dhe këta i ka bashkuar fatkeqësia, por fatkeqësia edhe i ka lidhur. Vajza që lind në Hanin e Bishtanakës, e quajnë Shpresë, për shkak se të dyja familjet kanë shpresuar që një ditë edhe shqiptarët do të bashkohen, por dhe do të vijnë ditë më të mira për të gjithë shqiptarët.  Ka qenë një lloj profecie, – ndërhyj në këtë bisedë.

Manja vazhdon: Ju nuk mund ta merrni me mend, unë e di që ju keni vuajtur shumë. Po vuajmë prapë shumë, – e ndërpret roja herë pas here, qoftë me fjalë por dhe miratim me kokë. Po, – thotë Manja, – edhe po vuani prapë shumë, por ne kemi një vuajtje më të ëmbël. Nuk ka vuajtje të ëmbël, por ne e kemi pak më të ëmbël, sepse nuk e kemi shkjaun më. Ka qenë dhimbje e madhe, vuajte e madhe çfarë keni kaluar edhe ju në kohën e Enverit. Mirëpo ne Enverin e kemi idealizuar, si njerëzit që idealizojnë Krishtin, Muhamedin, sepse kemi menduar se është shpëtimi ynë, se Shqipëria dhe Enveri është shpëtimi ynë. Ne nuk kemi pasur të dhëna se çfarë është Enveri dhe po ta kishim ditur, kurrë nuk do të ishim çliruar, sepse do të kishim menduar se serbi nuk qenka i keq. Vonë zbuluam se Enveri ju ka bërë juve më keq. Fatmirësia e kosovarit është se nuk e kemi ditur çka ka ba Enveri këtu.

Manja i bashkohet me vrap të lehtë stafit të saj, që po ndajnë kuriozitetin dhe befasinë mbi pllakën që ka mbetur si Dhoma muze e Jakov Xoxës, dedikim që aty shkroi romanin profetik të çlirimit të të dy vendeve, njëri nga komunizmi e tjetri nga serbët.

Me paralajmërimin e rojës, se duhet pasur kujdes në minare, sepse një turiste është rrëzuar se nuk ka pasur parmakë, ne ngjitemi deri në majë të minares.

Është një mrekulli ngjitja mbi manare. Papritur gjithë horizonti perëndimor të del përpara, brezi i gjerë i fushave, pak më tutje një rrip bimësie e varfër, është i dukshëm ikja prej shtratit e lumit të Vjosës, ose siç Jakov Xoxa ka titulluar romanin Lumi i vdekur, në fund shkëlqen vija bregdetare, me ishullin e Sazanit përballë. Duke larguar vështrimin nga horizonti dhe vendosur diku më pranë, mbi një shtyllë të zezë majë një kodre, mësojmë se aty ka qenë tempulli i Dianës, i ndërtuar 200 vjet përpara nga Ali Pashë Tepelena, me gurët e Apolonisë. Diku më afër duket fshati Kryegjatë, vendi i tumave të zonës ku bëheshin varrimet. Në luginën që kalon aty Stamati na tregon se ka pasur gjetja shumë të pasura. Në anën lindore, në majë të kodrës dallohet nga minarja vila e Leon Reit. Tani është me qera ndërtesa dhe kanë bërë lokal, ku mund të hash.

Një prej turistëve kosovarë shkëputet dhe na pyet se çfarë mund të shikojnë tani pasi vizituan kishën! Ne u tregojmë se mund të shikojnë teatrin në tarracën përballë, se lart në kodër është Odeoni, biblioteka e qytetit antik të Apolonisë, diku më tutje është mozaiku, shëtitorja e vjetër e qytetit – ndërsa më sipër është lokali Leon Rei. Një kioskë gri, e vjetër, që kishte varur në xham disa broshura ishte e mbyllur. Përveç rojës-polic që si duket e kreu detyrën e tij brenda kishës, asnjë ciceron nuk kishte aty për të drejtuar grupin e turistëve nga Kosova.

Ndërkohë, gruaja nga Kosova ma ktheu me ironi se nuk kishte ardhur në Apoloni për të hyrë në lokal, se nuk i interesonte kjo gjë! Kishte plotësisht të drejtë, të nxituar, papritur, dhe ne në këtë detyrë të re, iu përgjigja: Ka histori ai lokali, se ka qenë ndërtesa e arkeologut francez Leon Rei, jetoi aty 86 vjet më parë, i cili zbuloi i pari Apoloninë. Ndjesa e vizitores nuk ishte me fjalë, por me entuziazmin se ishte aty të njihte sa më shumë. Në fakt, edhe ne përfunduam të hanim drekë aty, te vila e Leon Reit, në hyrje të ndërtesës ishin dy tabela që tregonin për arkeologun.

 

***

Sipas terezisë më vure bojën e zezë, – thotë në fund të bisedës At Sokrati. Është prift i kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, ku mblidhen në predikim shtatë fshatra përreth. At Sokrati di të ruajë raki të mirë: Pi një gotë raki të pastër dhe shoku, miku, mua më lavdëron për sa llafosem me të. Edhe pse, thotë se është mëkat, e i kanë bërë vërejtje edhe për duhanin, po e pi rrallë – rrëfen prifti.

At Sokrati është bërë prift më ’97-n, e pati bindje, dhe studioi teologji në Durrës për të drejtuar kishën. Ai na tregon pse njerëzve u është vakur besimi sot, të tunduar nga paraja dhe materializmi. Si prift në Apoloni është pak e vështirë. Në derë të kishës ka polic, brenda në kishë gjen njerëz, një herë priten një herë jo. Priten nga zyrtarë dhe kalojmë në instanca të tjera – pa të shkojnë në besim.

Ardenica, – thotë At Sokrati, – është një model se si kisha është nën administrimin e klerit dhe njëkohësisht u vu dorë nga specialistët e arkeologjisë duke u kthyer në identitet. Atje besimtarët janë të lirë, as vizitorët nuk ndalohen. Por, ama, – tregon prifti, – në Apoloni besimtarët janë të ngurtë, të dielave ata vijnë të ndrojtur sepse o do priten nga drejtori i muzeut, ose arkeologët, ose nga polici në hyrje dhe diku më poshtë është biletaria, të cilët i pyet: Do të vesh në klub si vizitor apo do të vesh në kishë? Dhe gjykohet besimtari, – thotë i kujdesshëm At Sokrati.

Megjithatë, sapo kanë kaluar pashkët dhe prifti ka dëshirë të predikojë se vezët kanë një kuptim për harmoninë e ditës dhe gëzimin e përjetësisë. At Sokrati vjen çdo ditë në kishë dhe thotë se njerëzit i ndjekin ritet, bëhen pagëzime e rituale.

Meraku që ka prifti janë varrezat, aty janë dy etër të kishës, Shën Thanasi dhe Shën Mëria, para se të hyjnë në kodër. Duke mbushur gotat me raki, duke treguar se e ka nxjerrë nga vreshti i tij prej 3 dynymësh, raki e pastër, At Sokrati vazhdon të përgjigjet: Nuk është e drejtë që të mos varrosen më pranë kishës, kur ato kanë funksionuar deri më ’72. Në kohën e Enverit gjithë zona ishte repart ushtarak dhe nuk kishin ku t’i sistemonin më varrezat, duke u prishur. Ishte kohë e Enverit ku thoshin se është turp të varroseshin këtu se vinin turistët, ishte koha e ateizmit. Mirëpo kur u prish feja, njerëzit u bënë pa shpirt, kujtonin se edhe varrimin e kishin të lidhur me fenë, por ato janë rituale tradicionale të popullit. Me fe, pa fe, njeriu do të varroset.

Këtë At Sokrati e quan humbje të madhe në kulturë dhe në besim për të ruajtur dinjitetin, personalitetin e eshtrave të të parëve.

Në fillim të ’90-s, prifti thotë se besimtarët ishin të gatshëm, komuniteti në përgjithësi iu afrua menjëherë kishës. Ata kishin ruajtur besimin në vetvete, – tregon Sokrati, – pavarësisht nga prishja e kulteve, pastaj erdhi gjithnjë në rënie.

Predikimi mbahet shqip dhe mesha mbështetet në përkthimet e Nolit. Kuptimi që ka besimi sot, për At Sokratin nuk është i lehtë; shumë herë si mesazh thotë se ka materializmin që po tundon botën, se njerëzit e stresuar bëhen të ngushtë.

E lidh me të parët tanë: Jo se kanë qenë më të pasur, kanë qenë më dobët ekonomikisht, e mbaj mend mirë këtë, – thotë Sokrati, – po kishin shumë pasuri shpirtërore dhe jetonin me bindje të plotë. Kurse sot i mundon paraja, jemi shumë të pasur na krahasim me të parët tanë, por jemi shumë të varfër në shpirt.

Në predikimet e At Sokratit, në të dielat e meshës apo në ditë festash, marrin pjesë të gjithë njerëzit, edhe myslimanë. Ka dëgjuar prifti se do t’ia kthejnë kishës në administrim. Kërkon mjedis, ka dëgjuar që do t’i japin dhomën e Jakov Xoxës, por ai nuk do. Dhomës muze i ka mbetur vetëm emri, kot e lënë dhe pllakën, – na thotë. Kishën do ta shikojë si pronar të kësaj zone, ku të shërbejnë në kishë, kërkon një ambient për katekizëm – ndaj thotë se ka replikuar shumë me titullarët e atjeshëm…

Sokrati ka lexuar dhe ajo çfarë mendon se e ndan kishën sot nga dje, është vetëm koha 40-vjeçare që e lodhi njerëzimin dhe i hoqi besimin, ndërsa nga ekzistenca fizike thotë se ka ndryshuar shumë: është prishur shkalla në sheshpushim, ka qenë e bukur, – thotë prifti. Hyrja e dytë dhe dalja për besimtarët në terren, po ashtu dhe vizitorët është mbyllur. Ka qenë furra e pjekjes ku gatuhej dhe për kalimtarët, hallexhinjtë – tregon prifti – se, atëherë kalonin për në jug, pasi këtu ka qenë rruga Egnatia dhe kisha kishte të drejtë të priste njerëzit për t’u çlodhur.

Kisha quhet shtëpi thotë At Sokrati dhe prifti më i parë për të është prindi, nëna e babai. Është koha e besimit për At Sokratin, prej çfarëdo feje ardhtë ai. Arsyetimi i priftit është krejt njerëzor kur thotë se predikimi i tij është bërë i vështirë se; punojmë me psikologji të ndryshme, me mentalitete të ashpra, nuk kemi ateizëm, por kur bie ngushtë njeriu thote “o zot”, sepse del nga shpirti.

Tani jemi në emigracion, jemi në një segment kohor – e mbyll fjalën prifti, duke qeshur se tani “ju e keni në dorë, më nderoni e më turpëroni”.

 

***

Në Apoloni njw tjetwr ekspeditw. Wshtë një projekt shqiptaro-gjerman, në gërmime të përbashkëta qysh prej 2006-s. Arkeologët prej muajsh janë vendosur aty dhe na tregojnë se ky vend pritet të kthehet në një pikë referimi të rëndësishëm për turizmin. Një mega-projekt, parashikon kthimin e Apolonisë në një standard të parqeve bashkëkohore. Na tregojnë se është bërë projekti është miratuar nga ministri dhe kanë filluar punën. Avniu thotë se këta gjermanët nuk kanë llafe, kanë nisur menjëherë punën. Është parë si festë nga vendasit kur ju hoqën ferrat e lulet gjithë tarracave të parkut. Ka kaluar në skaner nëntoka e Apolonisë, ku përveç teatrit të madh ku vazhdojnë gërmimet, janë zbuluar banesat dhe rrugët antike duke gjallëruar urbanistikën e një prej qyteteve më të mëdha të antikitetit. Është një perspektivë e largët konkretizimi i mega-projektit, që do të marrë gjenerata. Pas këtij studimi, specialistët thonë: Ne nuk e njohim pothuaj fare Apoloninë. Nga koha kur Leon Rei ka filluar i pari gërmimet, prej 86 vjetësh, toka prej 110 hektarësh, vetëm sa është gërvishtur. Në krye të tarracës, ku mendohet të ketë qenë shkallaret e teatrit antik, me një kapacitet prej 11 mijë vetësh, horizonti lajmëron muzgun në të verdhë. Në atë lartësi, ku gjithë pamja mblidhet në bebe të syrit, duke u përthyer në kujtesë si deja vu – nga e gjithë lugina e dikurshme, sot ka mbetur vetëm shtrati i lumit të vdekur, kur Semani ndërroi nga tërmeti i shek. VII duke shpërngulur 40 mijë banorë dhe mbeti Apolonia.

Maj 2010

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency