KQZ, mungesa e kuorumit shtyn “Kukësin”, në lojë tri mandate deputetësh

0
168

Florenc Drizari

“Për shkak se një nga anëtarët e KQZ-së mungon për arsye familjare, mbledhja e parashikuar është shtyrë për ditën e hënë”

 

Nga-mbledhjet-e-KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me pretendimet për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Kukësit. Me anë të një deklarate të shkurtër, administrata e KQZ-së shpjegoi një ditë më parë se për shkak të kuorumit prej tre anëtarësh në komision, kërkesa do të diskutohet të hënën më datë 15 korrik. Deklarata e KQZ-së nuk iu referua mungesës së kuorumit ligjor që ky institucion ka për shytimin në themel të kërkesave ankimore lidhur me shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në disa zonë ta vendit, por me mungesën e një anëtari të KQZ-së, Hysen Osmanajt, që për arsye familjare nuk mund të ishte i pranishëm në komision.

KQZ

“Për shkak se një nga anëtarët e KQZ-së mungon për arsye familjare, mbledhja e parashikuar ditën e sotme (mesditën e së premtes) është shtyrë për ditën e hënë”, – thuhet në njoftimin e shkurtër të KQZ-së për mediat. Ndërkaq, pas fazës së shqyrtimit të kërkesave ankimor nga ana formale, nëse ato plotësojnë kushtet për t’u shqyrtuar nga administrata zgjedhore ose jo dhe hedhjes së shortit se cili anëtar do të jetë relator i çështjes, KQZ ka hyrë në fazën e dytë, atë të shqyrtimit në themel të kërkesave ankimore. Por kjo pikë duket se shfaq edhe ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me mungesën e tri anëtarëve të opozitës, mungesë e cila bën të pamundur formimin e kuorumi prej pesë a më shumë anëtarësh që duhen për marrjen e vendimeve në themel për kërkesat ankimore të subjekteve politike lidhur me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Edhe pse mbledhja e djeshme e KQZ-së u shty për shkak të mungesës së një anëtari të KQZ-së për arsye familjare, sipas ekspertëve për çështjet zgjedhore nga mbledhja pritej vetëm një vendim formal; vendim për mosmarrjen e vendimit, duke qenë në mungesë kuorumi prej 4 votash.

TRI MANDATET

Pas miratimit të tabelave të rezultateve për çdo qark zgjedhor nga ana e KQZ-së disa ditë më parë, subjektet politike nxituan që në plotësim të kritereve që përcakton kodi zgjedhor të dorëzonin kërkesat e tyre pranë administratës më të lartë zgjedhore në vend lidhur me pakënaqësitë e vendimeve dhe parregullsitë e vërejtura gjatë procesit elektoral. Subjekte të ndryshme politike, si PS, LSI, PR, PPKD etj., por edhe kandidatë të pavarur si Dritan Prifti, kanë ankimuar rezultatet e dala në zona të ndryshme të vendit. Ndër këto subjekte ka edhe nga ato që kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por këto priten te shqyrtohen vetëm formalisht në KQZ, pasi jo vetëm mungesa e kuorumit për të marrë vendime të tilla e bën të “paaftë” KQZ-në, por edhe mundësia për të shpallur të pavlefshëm rezultatin zgjedhor në rang kombëtar ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Në Qarkun e Kukësit është Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ankimon rezultatin në disa zona zgjedhore, duke pretenduar se ka pasur parregullsi dhe manipulime, gjë që sipas përfaqësuesve të saj mund të kthejë një mandat në favor të këtij subjekti politik.

Një të ngjashme kërkon edhe Partia Socialiste nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e pavlefshëm të vendimit të KQZ për ndryshimet e rezultateve në Qarkun e Lezhës. Pas miratimit të tabelës përmbledhëse për këtë qark nga KQZ-ja, duke marra parasysh edhe rezultatet nga sistemi elektronik, PS humbi mandatin e tre të Lezhë dhe ky mandat i kaloi Partisë Demokratike. Edhe pse PS e ka kundërshtuar këtë vendimmarrje të KQZ-së, ajo pritet të këtë çështje ta ankimojë po në KQZ. Kjo pritet të jetë thjeshtë një formalitet ligjor jo vetëm për faktin se mungesa e kuorumit e bën të pamundur marrjen e një vendimi nga KQZ-ja, por vetë administrata zgjedhore nuk mund të dalë kundër vendimit të saj. Pas ezaurimit të shqyrtimit të çështjes në KQZ, PS pritet që ta dërgojë çështjen në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkaq, një tjetër mandat në pikëpyetje duket se është edhe ai i humbur nga kandidati i pavarur për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare Dritan Prifti, i cili edhe ai ka ankimuar disa zona zgjedhor në Qarkun e Fierit, duke pretenduar parregullsi në vjedhjen e votave në interes të partive të mëdha. Për këtë çështje Prifti ka dorëzuar një kërkesë ankimore në KQZ nga ku pritet që vendimi të merret të hënën.

 

Kodi Zgjedhor, neni 24

Vendimmarrja në KQZ

1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;
b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre…

 

 

Biba: KQZ, vendime të jashtëligjshme me formula që s’parashikohen në Kod

Ish-nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, e quan të jashtëligjshëm vendimin e marrë pak ditë më parë nga KQZ-ja për të miratuar tabelën përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Lezhës, duke marrë për bazë një pjesë të të dhënave në sistemin e saj elektronik dhe jo ato që iu dorëzuan nga anëtarët e KZAZ-së numër 13. Sipas Bibës, KQZ ndodhet në pamundësi për të shqyrtuar kërkesat ankimore në themel për faktin se duhet shumicë e cilësuar votash në komision.

“KQZ mirë apo keq është nën kuorumin e nevojshëm për të marrë këtë vendim. KQZ duhet të ketë 5 anëtarë që të çelët seanca,. Katër kolegët e mi ulen në sallë dhe verifikojnë se nuk është në kuorumin e nevojshëm ajo nuk mund të çelë seancën dhe të marrë këtë vendim dhe rrjedhimisht ankimimi i LSI në KQZ kalon në Kolegjin Zgjedhor. Ankimimi për Lezhën është i ligjshëm. Natyrisht para certifikimit, mënyra si ka vepruar KQZ për të ndryshuar raportin e mandatit, në sajtin e tij zyrtar të paktët deri dje e majta vijonte të ishte ne përparësi kundrejt partive që formonin aleancën e djathtë”, u shpreh Biba.

Biba theksoi se KQZ, me vendimin për rillogaritjen e numërimit për Lezhën po përsërit precedentin e zgjedhjeve të vitit 2001, duke ndryshuar rregullat e lojës, kur një gjë e tillë nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor.

“Është bërë një rillogaritje që nuk ka bazë ligjore. Formula e re që i është referuar KQZ për Lezhën nuk parashikohet nga Kodi Zgjedhor, ajo po bën të njëjtën gjë që bëri në vitin 2011, ndryshon rregullat e lojës, kur nuk janë parashikuar në ligj”, – tha Biba duke shtuar se ai nëse do ishte pjesë e KZ do të nxirrte rezultatin e zgjedhjeve dhe vetëm nëse KQZ do ishte e plotë atëherë do të nisej një proces hetimor administrativ për parregullsitë.

Ish-nënkryetari i KQZ tha se vrasja në Laç njollosi procesin zgjedhor, teksa theksoi se ‘njolla nisi që me ndarjen e mandateve në mënyrë antikushtetuese”, – tha ai në një intervistë për “News 24”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency