PS, Beqja: Banka Botërore, partner i rëndësishëm, por nuk heqim dorë nga ulja e taksave

0
144

Gëzim Saliu

“Nga 1 janari i 2014-ës nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël dhe nuk do të ketë TVSH në shëndetësi”

 

31beaaa8b3e8ce68c7484385d6f0079fPartia Socialiste shprehet e bindur për të përmbushur premtimet e saj për uljen e taksave. Edhe pse Banka Botërore këshilloi dy ditë më parë që qeveria e re, e cila pritet të nisë punën e saj në fillim të shtatorit, të mos ulë më taksat në vend, bashkëdrejtuesi i grupit të punës për programin, Ilir Beqja, bëri të ditur dje se nga 1 janari i vitit të ardhshëm nuk do të ketë më taksë për biznesin e vogël dhe se do të hiqet TVSH-ja për barnat. “Kemi rënë dakord që na duhet një sistem krejt i ri i informacionit për shëndetësinë. Na duhet një mënyrë krejt e re e menaxhimit të institucioneve shëndetësore, si dy parakushte për të shkuar tek ajo skemë që të dyja partitë kanë si synim në program, mbulimin e të gjithë popullatës. Do të arrijmë tek ky mbulim universal me rezidencë në Shqipëri brenda 4 vjeçarit të mandatit. Jemi të vetëdijshëm që modeli i taksimit duhet të jetë në funksion të punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë. Sigurisht që Banka Botërore është një partner i rëndësishëm jo vetëm në qëndrueshmërinë makroekonomike të Shqipërisë por edhe në projektet e saj zhvillimore për Shqipërinë, por unë mund tu them që në 1 janari të paktën e dakordësuar brenda koalicionit nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël dhe nuk do te ketë TVSH në shëndetësi”, – tha deputeti socialist. Sipas tij, këto dy reforma janë të parashikuar në 300 ditët e para të bashkëqeverisjes mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

Programi qeverisës

Për deputetin socialist, në programin e ri qeverisës janë prekur një sërë fushash e çështjesh të cilat kanë ndikim tek shqiptarët. Beqja theksoi se programi i ri për 300 ditët e para të qeverisjes do të jetë gati gjatë javës së ardhshme. “Kemi diskutuar për emergjencën që ka vendi në rendin publik, por edhe për hapat e nevojshme qe duhen ndërmerren brenda 300 ditëve më saktë brenda 100 ditëve lidhur edhe me një mundësi që vendi e ka që brenda dhjetorit vendi te marrë statusin e vendit kandidat . Sigurisht që në programin e 300 ditëve do të gjejmë masa për çdo sektor,për çdo shtrese apo grup të shoqërisë. Jemi duke përcaktuar kush është zgjidhja për problemet qe ka, nevojat për ndryshimet legjislative, nevojat për rregullime institucionale, nevojat për injeksione financiare dhe padyshim edhe ku do të gjenden këto burime financiare. Të vetëdijshëm jemi që duhet të njohim mire situatën dhe te synojmë fillimisht konsolidimin fiskal”, – u shpreh bashkëdrejtuesi i grupit të punës për programin. Nga ana tjetër, Beqja bëri të ditur se me LSI-në është rënë dakord që taksa progresive të mos aplikohet te korporatat. Shefja e Bankës Botërore në Tiranë Kseniya Lvovsky këshilloi dy ditë më parë qeverinë e re që të mos ndërmarrë politika fiskale në kuadër të uljes së taksave. “Asnjë qeveri e re nuk ka mundësi të ulë taksat, vetëm nëse vendos të bëjë shkurtime drastike në shpenzimet publike. Për çdo qeveri e re e rëndësishme është të rrisë efektivitetin e shpenzimeve publike. Niveli i borxhit do të jetë kufizim, qeveria duhet të përqendrohet në reforma strukturore që sigurojnë të ardhura afatmesme”, – tha Lvovsky.

 

 

Aplikimi online

 Harito: Janë regjistruar deri më tani 5280 persona

Partia Socialiste bëri të ditur dje të dhënat e deritanishme pas nismës së kreut të PS-së Edi Rama, i cili ftoi të gjithë qytetarët të aplikojnë online për një mundësi punësimi në administratën e ardhshme. Deputetja socialiste Milena Harito deklaroi se deri më tani janë regjistruar 5280 persona. “Apelit të kryeministrit të zgjedhur për të shprehur online interesin për t’u provuar për skuadrën e re për Shqipërinë, i janë përgjigjur deri tani 5280 persona, 2383 femra dhe 2897 meshkuj. Kjo është një përgjigje ngazëllyese qytetare për projektin tonë afatgjatë të krijimit të bankës së të dhënave mbi kapitalin njerëzor të Shqipërisë”, – u shpreh ajo. Më tej, Harito duke theksuar se aplimi online nuk është një premtim për punë, pohoi se po punohet për t’i sistemuar aplikimet sipas kategorive profesionale, sipas shkallëve të eksperiencës, si edhe për të përgatitur kalimin në fazën e dytë, ku të gjithë aplikantët do të marrin informacion për aplikimin e tyre. “Përmes kësaj baze të dhënash do të bëhet e mundur që në konkurset për vendet vakante ose të reja në sektorin publik të ketë shumë më tepër kandidatë, duke i bërë konkurset plotësisht të hapura për këdo që ka interes të provohet. Kjo është një rrugë për t’i dhënë fund praktikave të errëta tradicionale larg syve dhe vëmendjes së publikut. Jemi angazhuar që çdo njeriu të zot dhe të gatshëm për të kontribuar për ndërtimin e Shqipërisë evropiane në sektorin publik, t’i japim mundësinë të provohet e të angazhohet sipas meritës. Këtë sapo kemi filluar të bëjmë”, – nënvizoi deputetja e PS-së, duke shtuar se kjo bazë e të dhënave do të jetë një mundësi e re edhe për sektorin privat. “Aplikimet vazhdojnë dhe ne inkurajojmë këdo që dëshiron të mos ngurrojë. Është një nismë e re dhe një praktikë e re shumë bashkëkohore, të cilën do ta përsosim rrugës vetëm së bashku”.

 

Takimi në Berat

Meta: 17 mandate mund t’i merrnim edhe me 120 mijë vota

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim në qytetin e Beratit, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së për rezultatin që arriti kjo forcë politike në këtë qark. I shoqëruar nga deputetët e LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica, Meta deklaroi se forca që ai drejton mund të merrte të njëjtin numër mandatesh edhe me 120 mijë vota. Sipas tij, 60 mijë vota janë përkthyer në mandate parlamentare për pjesën tjetër të koalicionit, një kontribut për të cilin kreu i LSI-së tha se ndihet krenar. “Jam shumë krenarë që ne si LSI, jo vetëm kemi arritur një numër shumë të konsiderueshëm të deputetëve në qarkun e Beratit dhe në të gjithë vendin, por njëkohësisht ne kemi arritur një rezultat tepër pozitiv të votës popullore me 180 mijë vota në të gjithë vendin, duke dhënë një kontribut tepër të spikatur për këtë fitore kaq bindëse që realizoi koalicioni ynë, ai i Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Sepse kaq mandate mund t’i kishim marrë edhe me 120 mijë vota, por ne jemi krenarë sepse kemi dhënë kontributin maksimal në këtë fitore kaq bindëse të Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, – tha Meta, duke shtuar se LSI do t’i ndjekë me rigorozitet të gjitha premtimet që ka bërë në Berat për realizimin e tyre.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency