Liga e Evropës Teuta dështon në Moldavi, Kukësi kualifikohet

0
149

Altin Vorpsi

Turi i parë eliminator i Ligës së Evropës ka qenë fatal për skuadrat shqiptare. Vetëm njëra prej tri ekipeve të vendit tonë ia ka dalë që të bëjë përpara. Flasim për Kukësin që falë barazimit me gola në Talin dhe atij pa gola ditën e djeshme kaloi dje për herë të parë një tur eliminator në Ligën e Evropës.

 

Lojtaret-e-KukesitKukësi do të jetë ekipi i vetëm shqiptar në raundin e dytë të kualifikueseve të Europa League, pasi barazoi 0-0 në ndeshjen e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ndaj Flora Talin. Ndeshja e parë, e luajtur në Estoni, kishte përfunduar 1-1 dhe në këtë mënyrë Kukësi kalon falë golit në fushën kundërshtare. Ndërsa Teuta nuk e ka ruajtur dot fitoren 3-1 që arriti në ndeshjen e parë ndaj moldavëve të Dacia. Durrsakët kanë humbur 2-0 në Kishinjev duke u eliminuar që në turin e parë të Europa League.

Laçi, skuadra tjetër shqiptare që merrte pjesë në këtë kompeticion, u eliminua të martën pasi humbi 2-1 takimin ndaj Diferdang03. Laçianët kishin humbur edhe ndeshjen e parë ndaj modestëve nga Luksemburgu me rezultatin 1-0.

 Teuta

Durrsakët e drejtuar nga Gugash Magani nuk ecin dot më tej në Ligën e Evropës. Ata janë përmbysur në ndeshjen e kthimit në Kishiniev ndaj Dacias, duke u mundur me rezultatin 2-0. Nga një gol në secilën pjesë kanë pësuar “djemtë e detit”, aq sa për t’i thënë lamtumirë këtij kompeticioni për këtë edicion. Goli i shënuar në fushë kundërshtare, para një jave, i ka përparuar në turin tjetër moldavët, sepse rezultati total i dy ndeshjeve ka qenë 3-3. Loja e Teutës në përgjithësi ka qenë e organizuar dhe e qartë taktikisht, e orientuar në qarkullimin e dendur të topit dhe pasimet e shumta tokazi, në tentativë për të ulur ritmin e kundërshtarit, por në dy momentet e golave kemi pasur një hezitim të mbrojtjes dhe gabime që kanë kushtuar rëndë, skualifikimin. Ashtu si Laçi tre ditë më parë, edhe Teuta largohet nga përfaqësimi evropian pa lënë ndonjë shije të mirë, edhe pse pati një kundërshtar shumë herë më të vlerësuar e potent se kurbinasit.

Kukësi

Kukësi është e vetmja skuadër shqiptare, nga tri të tilla pjesëmarrëse, që kalon në turin e dytë të Ligës së Evropës. Vazhdon të habisë skuadra e Armando Cungut, e cila debutoi në Superiore në sezonin që shkoi dhe zuri vendin e dytë. Ky pozicion i mundësoi asaj marrjen pjesë për herë të parë edhe në kupat e Evropës. Verilindorët i janë falur golit në fushë kundërshtare për të përparuar më tej, sepse në kthim, në stadiumin “Qemal Stafa”, nuk kanë shkuar dot më tej se barazimi i bardhë 0-0, pavarësisht rasteve të krijuara. E ka vendosur gjithcka barazimi 1-1 në Talin, ku goli i Gerhard Prognit vlen jashtëzakonisht shumë, kualifikimin. Në turin e dytë të Ligës së Evropës, Kukësi do të përballet me një prej dy ekipeve të çiftit Sarajevo-Libertas. Boshnjakët e kanë fituar ndeshjen e parë në fushën e tyre ndaj skuadrës nga San Marino dhe shihen si favoritë kryesorë për të kaluar në turin e dytë, duke parë edhe kundërshtarin që kanë përballë. Ata po luajnë në këto momente në San Marino dhe sipas të gjitha gjasave do të jenë sfiduesit e kuksianëve në raundin pasues. Sfida e parë e turit të dytë luhet më 18 korrik, sfida e kthimit një javë më pas.

 

 Bajerni mposht Junajtidin

Alkantara preferon të ulë rrogën vetëm për shkuar në Bavari

Njëri prej talenteve të mëdhenj të Spanjës do të luajë për Bajernin e Mynihut. Alkantara nuk do të shkojë në “Old Trafford”, por në “Allianz Arena” dhe pritet vetëm të zyrtarizohet. Lajmin e kanë dhënë mediat katalanase, ndërsa “SkySport” ka arritur të zbardhë dhe detajet e operacionit: Bajerni ka rënë dakord me Barcelonën që të paguaj klauzolën e prishjes së kontratës (18 milionë euro) dhe i ka ofruar një kontratë 4-vjeçare mesfushorit ku ai do të përfitojë 2.5 milionë euro neto në sezon, e cila është pranuar. Trajektorja e së ardhmes së talentit të Barcelonës e destinuar drejt Mançester Junajtid, ka bërë një kthesë të menjëhershme 24 orët e fundit. Dhe arktiket i kësaj goditjeje ka qenë vetë Pep Guardiola që ka bindur lojtarin dhe drejtuesit e Bajernit. “Po e dua Tiagon. Kam folur me drejtuesit, por duhet të presim. E njoh shumë mirë, është një lojtar i shkëlqyer që mund të luaj në tre, katër apo pesë pozicione të ndryshme. Është punëtor, është shumë i mirë një kundër një. Unë kam një skuadër të shkëlqyer, por do luajmë në 6 kompeticione. Tiago mund te luaje si numër 6,7,8 ose 10. E dua në mesfushë dhe ja shpjegova mendimin tim drejtuesve. Nëse nuk do e marrim dot, nuk do të blejmë askënd tjetër”, – nënvizoi Guardiola gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Përfshirja e ish-trajnerit të 22-vjeçarit ka bërë që ai të hedhë në kosh parakontratën e arritur me kampionët e Anglisë, duke preferuar të shkojë tek kampionët e Evropës me gjysmën e rrogës që i ofronin “djajtë” 5 milionë euro. Tiago Alkantara është një lojtar universal për të cilin Pep tha se mund të luaj në 3,4 apo 5 pozicione njëkohësisht në skemat e tij, por që pozicionin e tij natyral ka atë të numrit “6” dhe është quajtur pasardhësi i Ksavi Hernandezit. Guardiola ka eksperimentuar disa module veç 4-2-3-1 të Hejnkesit me të cilën rekordmenët fituan tripletën sezonin e shkuar. Përveç 4-1-4-1, skema e “shpikur” nga 42-vjeçari 3-3-1-3 në miqësoret e fundit dhe 3-3-3-1, vlerësohet dhe si moduli që nxjerr në pah vlerat talentit spanjoll. Martinez do të tërhiqet në qendër të mbrojtjes, ashtu siç bënte me Busketsin herë pas here tek Barcelona, ndërsa krahët e mbrojtjes mbeten të pandryshuar me Alabën dhe Lahmin. Në mesfushë ka vend për Tiagon, Krosin dhe Shvajnin, ndërsa Roben, Gëce dhe Myler do jenë treshja që do mbështesin Riberinë e provuar si “9” false. Ky është një eksperiment që ka pak gjasa të zbatohet në realitet. Nëse Bajerni do të luaj me 4-2-3-1, Alkantara do jetë partneri i Shvajnit përpara linjës së mbrojtjes, në qendër të së cilës do të jetë sërish Martinez. Ndërsa me 4-1-4-1 për Tiagon parashikohet një vend në të majtë të mesfushës.

 

Trukimet

Mafia e basteve tentoi të trukonte takime të “Gold Cup”

Mafia e trukimeve ka kontaktuar lojtëarë të kombëtares së Belizesë për të trukuar ndeshjen e turneut “Gold Cup” me SHBA-në. Media vendëse “7 News Belize”, raportoi se ndeshja e së mërkurës e cila përfundoi 1-6 në favor të djemve të Klinsmanit, u tentua të blihej për shuma marramendëse. Mafia e basteve ka tentuar t’i jap ryshfet tre futbollistëve të Belizesë, Andres Makin Junior, Ian Gejneir dhe Udrou Uest përpara ndeshjes: “Ju e kini ndeshjen e humbur në letër. Ne duam të sigurohemi që nuk do ndodhë ndonjë surprizë dhe ju të dilni të mundur nga fusha. Nëse kjo ndodh ju pret një shpërblim i majmë”, – denoncoi Gejneir, i cili tha se personi i panjohur ishte përpjekur t’i bënte miq lojtarët. Mbrojtësi 27-vjeçar tha se nëse do bënte diçka të tillë ai dënohej përfundimisht nga futbolli. Mafia u kishte premtuar 10 mijë euro për kokë. Turneu i “Golden Cup” është kompeticioni ekuivalent i Kupës së Amerikës së Jugut, por për Amerikën Qendrore.

 

Deklarata

Adriano: Silva dëshiron vetëm Barçën

Mbrojtësi i PSG-së, Tiago Silva, dëshiron të bashkohet me Barcelonën, sipas shokut dhe patriotit të tij, Adriano. Ndërkombëtari brazilian, 28 vjeç, është konsideruar gjerësisht si një prej qendërmbrojtësve më të mirë në futbollin evropian, ndërsa ka qenë i lidhur shumë me një kalim në “Kamp Nou” nga “Parc des Princes” këtë verë. Futbollisti i tanishëm i Barçës, Adriano, beson se patrioti i tij është i prirur për t’u bashkuar me katalanasit, por duket i mbërthyer nga PSG-ja për shkakun e vetëm se u bashkua me francezët sezonin e kaluar. “Ai më tha se në qoftë se mund të vijë te Barcelona do të ishte një ëndërr, – pohon Adriano për “RAC1”. – Tiago Silva gjithmonë ka kërkuar që ta veshë fanellën e Barcës. Ne jemi miq dhe flas shumë herë me të. Ardhja e tij do të ishte një lajm shumë i mirë për Barcën. Nëse do të ishte vetëm në duart e tij, ju siguroj se do të mbërrijë këtu, por kjo nuk varet vetëm prej Tiago Silvës. PSG ka investuar gjithashtu shumë në të dhe, në qoftë se Barça e do qendërmbrojtësin më të mirë në botë, atëherë nevojitet të gjendet një marrëveshje me klubin parisien. Ne kemi pasur shumë lëndime në repartin e mbrojtjes sezonin e kaluar, por këto gjëra ndodhin. Kushdo që vjen për të na ndihmuar do të jetë shumë i mirëpritur, aq më tepër një potencial si Tiago Silva”. Megjithatë, agjenti i Tiago Silvës, Paulo Tonieto, ka qenë i shpejtë për të kundërshtuar zërat mediatikë spanjollë se braziliani ka rënë dakord me Barcelonën. Ai mohoi se ka një marrëveshje për lëvizjen e qendërmbrojtësit në “Kamp Nou”. Përfaqësuesi i Tiago Silvës tha në Twitter: “Tiago Silva dhe agjenti i tij, Paulo Tonieto, mohojnë informacionin e referuar për transferimin e lojtarit te Barcelona”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency