Kur bâhet shpirti qorr, zemra bâhet e shurdhën

0
261

94eb1c2b-4536-45a9-ac87-60a3a92cfe18-444x333Lisandri Kola

 (A.  Pipa, Nemesis, vv. 135-6)

 

Arshi Pipa, poemën kushtue Giordano Bruno-s, që mban titullin e këtij martiri të shkencës moderne (cilësue edhe nga vetë Pipa kështu), e ka kompozue më 1955. Asokohe kur edhe vijonte kalvarin e burgimit. Madje në burgun ma famëkeq, atë Burrelit. Autori e ka konceptue poemën në nji cikël sonetor, përba prej 13 sonetesh. Fillimisht ajo qe në 4 sonete, po t’i besojmë kohëshkrimit (ma herët se 1955, khs. Meridiana, 1969), mandej mori trajtën në 13 njisi. Mirëpo botimi i Meridiana vjen dhetë vite mbas Librit të Burgut, dhe vetë Pipa në dokumentarin e realizuem gjatë ardhjes së tij në Shqipni mbas ’90, shprehet se tek Meridiana “ka prekë” disa poezi që i janë dukë të arsyeshme për me u ripá. Gjithsesi ne do t’i referohemi botimit të parë të këtij soneti në L. B., tue qenë se – përtej arsyeve kronologjike – fizionomia e poemës na del ma e qartë këtu. Në qendër të kësaj poeme, asht vdekja e dijetarit italian më 1600, i shpallun si heretik dhe mbas mospranimit të abjurës (me i ra mohit) për doktrinat e tij, digjet në turrë të druve pas shumë viteve burgosje. Kjo vdekje e ardhun nga kisha për Bruno-n, vetë domenikan fillimisht, mbas 4 shekujsh do të cilësohej nga vetë Papa Gjon Pali II si nji ndër gabimet ma madhore të këtij institucioni fetar. Atyne fjalëve të Papës lidhun me këtë vdekje në Campo dei Fiori, shumë për shtat analogjikisht kishin me i shkue edhe vargjet nga Nemesis – ku Pipa thotë: “Kur bâhet shpirti qorr, zemra bâhet e shurdhën”. Figura e Bruno-s për poetin del si nji burim kuraje për vetë “inkuizicionet komuniste” që po pësonte ai, dhe intelektualët e tjerë në Shqipni. Nji konfrontim mes pushtetit dhe individit për të mendue në mënyrë të lirë. Sisteme të ndryshme në kohë të ndryshme. Prandej nuk janë të paktë edhe emnat që përmenden në poemë, nisë me Prometeu-n, Hipatia-n, Galileo-n, e përfundue der tek era e vonë e filozofisë moderne. Sidoqoftë, vdekja e Bruno-s dhe e shumë të tjerëve nuk prodhuen ndalim e kufizim të zhvillimit të mendimit, por lindi kështu evoluimi edhe ma i tejmë i tij. Andaj hini i doktrinarit nga djegia në turrë të druve asht ringjallje si Feniksi (siç shprehet vetë autori), ku në eshtnat e tij mishnohet vijimsia filozofike: Bacon, Cartesi, Spinoza etj. Ky filozof i flijuem, e i tradhtuem nga nxanësi i tij sikur Jezusi nga Juda, gjen shumë gjegjës në historinë njerëzore, shumë shembuj përpos letrarë. Disa edhe i përmendëm. Tue mendue se lexuesi kishte me krijue ma mirë raportin vetjak me tekstin, le të ndalemi edhe pakëz në aspektin strukturor të poemës.

Skemat e këtij soneti janë kompozue simbas nji oktave rrajë abba baab, kurse sestinat ndryshojnë nga soneti në sonet. Oktavën rrajë, e ndeshim edhe tek sonetet e tjerë apo poemat sonetore: “Dashuni e pakohshme”, “Post mortem”, “Lulja e mallit”, “Borë” (Lundërtarë, 1944); “Natë e parë”, “Kanali”, “Tingëllim i këputun”, “Prendvera e budrumit”, “Nisje” dhe “Mbreti Pleurat” (Libri i burgut, 1959). Tek vëllimi Meridiana, kemi variante sonetesh me ndryshime të konsiderueshme, si p.sh. tek “Kukuvajka” që asht soneti i dytë i “Prendvera e budrumit. “Kukuvajka” asht krijim i 1951 – domethanë ma herët se soneti P. B. që gjendet në Librin e Burgut. Po kështu ngjet edhe me “Mbreti Labeat” vs. “Mbreti Pleurat”, “Moçali” vs. “Kanali”, po në L. B. Tek vëllimi i mbramë poetik, Meridiana, kemi dhe nji primje të Pipës për me kërkue asosacione sonetore në Poema Vegetale, ku sasia e vargjeve asht 14, por masa metrike asht e larmishme në këtë tubë sonetesh: herë me masa 8 rrokëshe ndërthurë me 5 rrokëshe ose masa të ndryshme, pa i qëndrue nji mase fikse. Sonetet e Pipës, i përkasin trajtës së sonetit petrarkian edhe pse nuk zbatohet përputhmënisht me këtë model oktava petrarkiane. Me këtë natyrë oktave, autori në letërsinë shqipe ka krijue nji identitet të pesonalizuem, i cili asht e nevojshme të bahet objekt studimor.

Poema “Giordano Bruno”, për secilin sonet ka këtë skemë përkatëse: I abba baab cdc ddc; II abba baab cdc ccd; III abba baab cdd cdc; IV abba baab ccd cdd; V abba baab ccd cdd; VI abba baab ccd cdd; VII abba baab cdc cdd; VIII abba baab ccd dcd; IX abba baab cdc dcd; X abba baab cdd ccd; XI abba baab ccd dcd; XII abba baab cdc ddc; XIII abba baab cdc dcd.

 

giordano bruno

 

I

 

«Për shenjten fé! për t’lumen kishën tonë!

Shpërblimi i qiellit pre n’amshim besnikët!

Por zjarm ka për mohuesit, heretikët!

turra ktu poshtë e ferri andej gjithmonë!»

 

5  Nji përqethje gjarpnoi, nji amen i fikët

u-ngjit nga turma n’terr tu’ i bâ jehonë

domenikanit shkurtabiq n’amvonë

qi i gacullonte syni i paqerpikët.

 

Shenjin dha bazilika e i prini korit;

10 ushtuen prej kodrash tinguj kumbanaresh

e u-mbush me jone qielli i rimtë i frorit.

 

Ishte Shën Valentini, e ndaj dritaresh

me gjeth ndër flokë e gema maresh,

vajzat albione i faleshin dashnorit.

 

II

 

15 E ndihej n’ajr nji fllim lulesh i njomë

qi kishin çelë mbas murit mbanë shtërheret.

Ngutej vera me kthye atë vjetë mâ heret

si me përcjellë, tue e pastrue n’aromë,

 

at shekull gjaku gjithë avuj koleret

20 me martyrin e shkencës bash mbi Romë.

frynte nji fllad i butë qi i hynte n’dhomë

e i rinte parzmin n’afsh t’ambël prendeveret.

 

Prendeverë për botën se për tê jo mâ!

Kish sosun jeta e tij. Por keq s i vinte:

25 se si shqipe qi e plasi me tufâ

 

era mbi breg prej krepave ku rrinte,

lajmin e mirë tue vdekë ai dheut i binte

se furtuna qi e shqeu zente me prâ.

 

III

 

Nji tjetër shpirt agonte n’historí

30 për tre shekuj gatue n’angrrat e motit,

heretik i pagzuem me flakë t’agzotit,

me voj shtypshkronje i lyem, nji shpirt i rí.

 

E trashigonte arratín e pilotit

Vikingas me nji mall për bukurí

35 qi pat Heleni. Verbi i tij: Njeri.

S i digjte mâ thymjame Sabaothit;

 

s i trembej djallit, i adhuronte shtatin

çveshun natyrës, nanë e perendeshë.

Tagër arsyeje feja e tij, pa meshë,

 

40 pa miazma kryptash. Lente aty Akuinatin

me gjithë mjeshtrin e tij, e tu’ i buzqeshë

Demokritit, profet shpallte Sokratin.

 

IV

 

E qe, mbi trevat ku seliti Poli

ka dalë e i frŷn pozaunes Koperniku.

45 Ja shembi tokës hjerarkín, ja fiku

qiellit shkëlqimin! Trandel Kapitoli,

 

qitet kushtrim: Duhet luftue anmiku!

Dje nga familja fara e keqe doli.

E sot çka si pa t’keq Thornasi foli

50 me bujë e shpallë Nolani, heretiku!

 

Lidhu, fatos! Mendimi qi u-përflak

nuk birret mâ tepër ndër shekuj! Shif, nji plak

po ngjet tsh njato shkallë qi ti përshkove!

 

Gulshon, përgjysë i verbët, shpinën lak,

55 e mbrrîn te praku i tmerrshëm… «A i mohove?»

Ai çon gishtin përpjetë: «Eppur si muove!» (abba baab ccd cdd)

 

 

V

 

Nuk kishte hanë por kupa e kthielltë agonte

nji vezullim opali i madhnueshëm,

gjigant qi i turret qiellit shungullueshëm

60  tempulli i Pjetrit dukej n’horizonte.

 

Nji meteorë u-fik. Ndenji mendueshëm

përdhé mbi bykun: gjallë ishte edhe sonte.

te muri n’ball qi nji bishtuk ndriçonte

nji Krisht i drunjtë ja ngulte sŷt trishtueshëm.

 

65  Krisën hapa… nji çels u-fut te dryni.

Ai brofi m’kambë, i ngrimë… Dikush tash hyni…

nuk hyni, vetëm kryet te dera qiti:

 

Jezuiti! E vështroi thue e pështyni.

«O vllá i gabuem, ende s âsht vonë…» E priti.

70  S erdhi gjegje errëfyesi shpejt rëshqiti.

 

VI

 

Ti për ungjillin e dashnís eprore

kryqin pate shpërblim, o Galilé!

E tash tjerë farisej, asish qi bé

bâjnë n’emnin tand shpërblejnë me t’njajtën kore

 

75  nji tjetër bir njeriu, dhe me korté

(si ty dikur) ndër «Agnus Dei» me kore

te shtylla e çojnë (o tallje e kob!) therore

për ty qi flije u-bane ashtu i pafé!

 

Hypokritë! E përdhosën besën tande.

80  Skam? Thjeshtësí?… Dafrungë e mirakande!

Mëshira e tyne, ahmarrje e patënzonë.

 

Edhe kur vrasin hypokritë (s ju kande

me derdhun gjak!) Por dridhu, o Babylonë!

Kush s asht i dlirë mbaron heret a vonë.

 

VII

 

85  T’falem fis Prometheu, qi shembulltyrën

e qiellit ngrehe ktu mbi dhé vigane,

e qi me brushë ndër muret Vatikane

kreve çka kreu yt vllá i madhi me lyrën!

 

Me trajta e ngjyra t’ngurta kurr nuk prane

90  Zotit tue u-mundue me i ngjá fëtyrën,

e çka furís kreshnike ata s t’i byrën,

me tempull eurythmik i dole m’ane!

 

E pashë me hanë e brita nga çudija!

E pashë me diell e me gazmend u-lbyra!

95  Se n’at vepër ku shkrîhen arti e dija

 

m’u-zhvillue para sŷsh e gjithë madhnija

e ardhme e Njeriut; e kur atê e këqyra

qela s m’u-duk e randë, s m’u-duk mënxyra.

 

VIII

 

Harmoní qi krejt botën e paskâje

100 qeverisë, sipër saj e brenda soje!

ku t’kundërtat pajtohen prej nevoje

n’amshim e nji jete, shkaku e rrâje!

 

Si me t’kuptue? Me çfarë tjetër përvoje

mâ mirë se me kët mendje qi pa prâje

105 e njâjta ngelë pa humbjen e kurrgjâje,

mendime tue flakrue andej me kroje?

 

E kët mendje u-përpoqën me e prangosun!

E shif! nji pikë e tkurrun me t’pasosun,

shkendijë e Arsyes qi depërton gjithsín,

 

110 shpërtheu ajo n’lirí e u-derdh n’hapsinë,

tue njoftë ashtu, landë e shpirt njish brumosun,

pakufinin, e deshi Perendín.

 

IX

 

E doli prap n’dritare. Hyjt shakmizë

i qëndisshin pëlhurën pambarimit

115 mbi valë etheri bruze prej shkëlzimit.

E u-dridh kur e mendoi veten kërthîzë

 

t’asaj bote pa fund qi, bash pse shqimit

asisoj, ka për qendërr çdo kokrrizë,

ças mbas çasi e mendja tu’ e lëvizë

120 qi atê perfshîn me rrezgun e mendimit.

 

Me teh t’mendimit, me kullesë t’arsyes,

qi forcën bâjnë e krenarín njerzore;

jo me at vegim përçart, at shkulm rrëmbyes

 

lave qi shfren prej t’errtave llogore

125 ku kafsha flên, e qi me titull fyes

quhet zbulim a profecí hyjnore.

 

X

 

Jo për tê, dijetarin nalt mbi fronin,

ishte ajo fé, por për ata me llofin

e shqiseve, për turmat qi s e shofin

130 Zotin ndryshe veç t’endun me zakonin

 

e prrallave foshnjore e kurr s e njofin.

E ju-kujtuen dyshimet qi xhakonin

e rí munduen, qortimet pse Platonin

pëlqente e kishte n’iri Filosofin.

 

135 E si mohoi. Mandej ravgimet: hija

mbi Gjenevë e Servetit; mandej nami

n’Sorbonën e Abelardit e ku Okkami

 

doktrinën shpalli kah u-mbars lirija;

mandej shpifjet e kallat; Gjermanija;

140 nxansi i pabesë e Vatikani, i mbrami.

 

XI

Prej qele në qelë tërthuer nji jetë beteje,

me pendën shpatë, kalorës i arratisun

i mendimit, kaloi ai pa kondisun

askurrkund, trevë mbas treve, fé mbas feje,

 

145 me zemrën e shpërdame t’pakandisun,

si e ka kush âsht i hjedhun n’gjetje s’reje;

krenar, përçmues, idhnak, me duf ndër deje

rrebeli, qi me teh shpate tue grisun

 

tisat e qiellit shkoi qi tjerët thurën;

150 e qi ndër pranga i kalbun, me torturën

e Prometheut, si prindi i vet sublim

 

përbuzje u flaku atyne qi premtim

jetën e i folën për me bâ abjurën

e pritte tash aty vdekje e amshim.

 

XII

 

155 Dhe e pau veten për shtyllë. Përqark hordhija

e korbave shenjtnue n’aromë thymjani;

shandanë ku digjet (para mishit) vjami;

e uratë e psalm. Ndër praqe, mbi çatija,

 

e poshtë te sheshi brufullon gërdhami.

160 E shajnë, e gjuejnë, pështyjnë veprat e tija.

Nji plakë përshpirtshëm bie nji dorë karthija,

dhe i nipi foshnje nji gem bajami.

 

Brambullon stiva, çohet flaka n’qiell…

Nji ças: nji ferr!… Mandej ka shqise tjera,

165 e shpirt e trup përzihen me ajr e diell.

 

E bâhet hî. Andej e merr tash era,

e ngjeshë me tokë, prej kah, kur vjen prendvera,

me bimën lén e rishtas endet miell.

 

XIII

 

Jo, ti nuk vdes! Feniks nga hini ngjallun,

170 jo prej atij qi la Savonarola,

as vashat frenge, as edhe trimi Kola

qi e lau me gjak te republika e shpallun,

 

por prej hinit t’amshuem ndër aureola

tjetër shenjtnije, qi martyrja e tallun

175 la Hypatija, dritë jo zjarm tue kallun,

qi mendjen bindë qi s bindën toga as stola.

 

Ndrrohen kohnat. Bakonin ndjek bakoni,

Gilberti Paracelsin, epin proza.

Sot filosofë murosin kisha e froni;

 

180 nesër borgesi u ban apotheoza.

Ka lé Kartezi! E, shif, si Hyperjoni

mbas Luciferit, vjen yt vllá Spinoza.

 

 

 

 

Lum kush…

 

ILIAS LAJOS (1958-2005)

 

Mat. V-VII

 

Lum kush pati etje e uri, lum kush përfitimet i mohoi,

lum kush derdhi grusht kokrrën e lotit.

lum kush nga njeri u kthye në kafshë,

por ai tjetri që u shndërrua në bar lum tri herë.

lum gjakftohti, lum kush vdiq duke qenë gjallë

e me mendjen tek vullneti i zotit.

veç këta, të lumët këta, do kenë uratën

që ta shohin (vetëm ta shohin) të parajsës derë.

 

vështroni pendët e shpezëve të qiellit,

që i kanë të dendura, të qëndisura e gjithë ngjyra.

jam unë që ju stërpik pareshtur me kripë

dhe ju do jeni kripa që s’gjendet nëpër dete.

shkunduni, nga asnjëra prej teshave t’ju ikë pluhuri,

t’ju ikë nga jo metali juaj zgjyra.

gëzohi; tek çdo gjë që në pjesë nuk mund të ndahet,

ju do jeni, përjetë, një pjesë më vete.

 

shtëpitë braktisini, le të shkretohen,

arat mos i mbillni, flakni sa më tej plugje e shata.

me thika therini disi bijtë,

prindërit hidhuani paksa qenve, shnderojini bijat cazë.

unë jam paqja, unë jam prehja,

jam qetësia, pas meje asgjë, veç e tim eti zemërata.

me Frymën e Shenjtë për nuse,

në paradhomën e mbretërisë sime do t’ju ve unazë.

 

e di shumë mirë që shpirti juaj i shkretë

nëpër këmbët e mia hiqet zvarrë duke lypur ndjesë.

me çfarë tjetër do t’ju bëjë esëll drita që kam,

përveçse me terr humbëtirash nga ky imi.

mëshirë ju mos lypni, sepse edhe unë vetë ngrita zërin

dhe kurrkujt nuk i kërkova përdëllesë.

në manastiret e atit, si shpërblim i çmuar,

juve ndërgjegjia do t’ju brejë e do t’ju brejë pikëllimi.

përktheu Romeo Çollaku