Vrau 22-vjeçarin Mitro, autori shpreh pendesë para gjykatës

0
166

Sonja Caka

GJYKATAProkurori: Vrasja, për shkak të zhurmave poshtë dritares së shtëpisë, autori debatoi dhe më pas e qëlloi me thikë në zemër dhe ushtroi dhunë mbi viktimën

 

Enton Bajraktari shpreh pendesë para gjykatës për vrasjen e 22-vjeçarit Arbër Mitro, vrasje e ndodhur mesditën e të dielës për shkak të zhurmave që vinin nga dyqani i lojërave të viktimës. “Jam shumë i penduar për vrasjen që kam bërë” i është drejtuar gjyqtarit Ridvan Hado personi nën hetim, 27-vjeçari Bajraktari, ndërsa nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth shkaqeve që e çuan në kryerjen e këtij krimi. Por, detaje rreth ngjarjes së rëndë ka dhënë prokurori i çështjes Kol Hysenaj, i cili renditi dinamikën e ngjarjes së 30 qershorit, ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Arbër Mitro. Gjatë parashtrimit të fakteve, prokurori deklaroi se mes Mitros dhe Bajraktarit ka pasur edhe një zënkë të mëparshme po për të njëjtën arsye, zhurmat poshtë pallatit. Pasi ka dëgjuar përfaqësuesin e akuzës, avokatin e të akuzuarit dhe vetë Enton Bajraktarin, gjykata vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e 27-vjeçarit të akuzuar për “Vrasje me dashje” dhe “Prodhimin dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe caktoi masën “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Akuza

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e mesditës së ditës së diel. Sipas prokurorit, i akuzuari Bajraktari ka qenë duke fjetur në dhomën e tij kur ka dëgjuar zhurma që vinin nga poshtë pallatit. “Kanë qenë disa fëmijë që luanin në një dyqan lojërash, ndërsa dëgjoheshin përveç zhurmave edhe sharje dhe fjalor shumë i rëndë. Në këtë moment, 27-vjeçari mësohet të ketë zbritur dhe ka nisur të debatojë me Arbër Mitron dhe të shahen mes tyre, të riun që menaxhonte lokalin. Një shok i viktimës ka hyrë mes tyre për t’i ndarë, duke i kërkuar Arbrit të largohet. Viktima ka nisur të largohet, ndërsa shoku i tij mbante Bajraktarin që të mos përplaseshin e debatonin më. Në një moment, 27-vjeçari shkëputet nga duart e shokut të Arbër Mitros dhe sulet mbi këtë të fundit, duke e qëlluar me thikë në zemër dhe me grushte. 22-vjeçari ka rënë përtokë disa metra më tutje dhe Bajraktari e ka ndjekur duke vijuar ta qëllojë me shkelma e grushte, edhe në gjendjen në të cilën ndodhej Mitro. Më pas, shoku i viktimës ka lajmëruar policinë dhe ambulancën, ndërsa Bajraktari ka shkuar fillimisht te një i afërm i tij, të cilit nuk i ka treguar çfarë kishte ndodhur realisht, por vetëm se ishte zënë me një person. Një orë pas krimit, Bajraktari është dorëzuar në polici” ka mbyllur përshkrimin e situatës së ndodhur prokurori Hysenaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency