Pas zënkës në linjën Qendër – Uzina e Autotraktorëve – Qendër Vrau 22-vjeçarin në autobus, dënohet 18 vjet burg Artur Zeqiri

0
230

denimiSonja Caka

Para dënimit të gjykatës, 35-vjeçari shpreh pendesë për krimin. I ulet një e treta e dënimit, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar

 

Dënohet me 18 vite burg Artur Zeqiri, personi që vrau disa muaj më parë një të ri në autobusin e linjës Qendër – Uzina e Autotraktorëve dhe anasjelltas. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka dënuar të pandehurin Zeqiri po aq vite sa kërkoi edhe përfaqësuesi i akuzës, ndërsa i ka ulur atij një të tretën e dënimit, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar. Përfundimisht, Zeqirit do t’i duhet të vuajë 12 vite burg për vrasjen e 22-vjeçarit Sajmir Çedja. Para shpalljes së vendimit, 35-vjeçari Zeqiri ka shprehur pendesë për krimin e kryer, duke kërkuar një dënim më të butë. Por, në përfundim, trupi gjykues e ka dënuar atë me 12 vite burg për akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Akuza

Artur Zeqiri ka pranuar para gjykatës krimin, ndërsa ka shpjeguar edhe arsyet që çuan në vrasjen e 22-vjeçarit në linjën e autobusit Uzina e Autotraktorëve – Qendër. “E vrava sepse më qëlloi i pari. Konflikti mes nesh nisi kur unë i kërkova shoferit të niste autobusin, pasi po vonohej shumë në stacion”, – ka shpjeguar për akuzën dhe gjykatën Artur Zeqiri, i akuzuar për “Vrasjen me dashje” të të riut Sajmir Çedja. Sipas të pandehurit, gjatë shpjegimeve të dhëna pas arrestimit, të cilave u ka qëndruar deri në fund të gjykimit: “Në momentin që i fola shoferit të autobusit për të mos u vonuar në stacion, ky djali më tha mos më bërtit te veshi. Nisëm të debatonim dhe ai më qëlloi i pari. Unë kisha një thikë me vete dhe e qëllova”. Me këto fjalë është përpjekur të justifikojë krimin e kryer i pandehuri Zeqiri, i akuzuar për vrasjen e të riut nga Shkoza.

Akuza

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Artur Zeqiri ka ndodhur mbrëmjen e 23 shkurtit, ku i riu Sajmir Çedja u qëllua dy herë me thikë nga 35-vjeçari Artur Zeqiri, i cili rezulton të ketë precedentë penalë të mëparshëm dhe të jetë shpallur në kërkim nga Turqia. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të datës 22 shkurt, brenda autobusit të linjës Qendër – Uzina e Autotraktorëve. Sapo ka hipur në autobus, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, viktima është ndeshur me dy pasagjerë të dehur. Gjithçka nisi pas kërkesave të njërit prej personave të dehur për t’u nisur autobusi pasi po vonohej shumë në stacion. Në atë moment ka reaguar i riu Çedja dhe mes tyre kanë nisur të shkëmbehet dhunë verbale, e cila më pas doli jashtë kontrollit, deri në përplasje fizike. Pas pak minutash Zeqiri e ka qëlluar dy herë me thikë të riun. Njëra prej goditjeve ishte fatale, pasi i kishte prekur zemrën. Pasagjerët që ndodheshin prezent, janë tronditur dhe ulërimat e tyre, bënë që shoferi i autobusit të ndalojë në mes të rrugës dhe të hapë dyert. Vrasësi është larguar duke u fshehur në zonën e “Ali Demit”, ku edhe u arrestua rreth orës 05:00 të së dielës së 24 shkurtit. Pas arrestimit, Zeqiri ka pranuar krimin dhe ka dhënë shpjegime rreth shkaqeve që çuan në konflikt atë dhe viktimën, me pasojë vrasjen e 22-vjeçarit.

 

Vendimi

Gjykata pushon kërkesën penale për shpifje të një qytetari ndaj gjyqtarit Bujar Musta

Gjykata e Tiranës ka pushuar kërkesën penale të Artemon Isufaj ndaj një gjyqtari të Gjykatës së Elbasanit, të cilin e akuzonte për “Shpifje”. Shkak për pushimin e kësaj kërkese të pazakontë ndaj një gjyqtari ka qenë mungesa në kërkesë e disa elementëve procedural, deri te saktësimi i gjeneraliteteve dhe disa komponentëve të tjerë ndaj personit të akuzuar për shpifje. Sipas vendimit të gjyqtarit Artan Gjermeni, pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tirane, nga ana e te dëmtuarit akuzues Artemon Isufaj, është paraqitur kërkesa për gjykim kundër te akuzuarit Bujar Musta, për veprën penale “Fyerja” të parashikuar nga neni 119/1 i Kodit Penal. Konstatohet se ankuesi kryesisht ka zgjidhur kompetencën lëndore për procedimin e gjyqtarit, duke e paraqitur ankimin në gjykatën më të afërt me atë të Gjykatës Elbasan, në qendrën e një rrethi tjetër, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjykata vlerëson se në nenin 59-të të Kodit të Procedurës Penale, janë përcaktuar veprat penale, procedimi penal për të cilat mund të fillojë vetëm me paraqitjen e ankimit në Gjykatën e Shkallës së Parë, nga personi i dëmtuar nga vepra penale e pretenduar e kryer. Ndërsa neni 60 i këtij kodi, ka parashikuar se kjo kërkesë duhet të përmbajë gjeneralitetet e të dëmtuarit akuzues; gjeneralitetet e personit që akuzohet; emrin dhe mbiemrin e përfaqësuesit dhe prokurën; parashtrimin e arsyeve që përligjin kërkesën; nënshkrimin e të dëmtuarit akuzues ose të përfaqësuesit të tij. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, gjykata konstatoi se kërkesa objekt gjykimi nuk përmban gjeneralitetet e personit që akuzohet. Pavarësisht detyrës që parashtrohet e pretendohet në këtë kërkesë vlerësohet se përcaktimi i gjeneraliteteve të personit që akuzohet nuk është në fakultetin e kërkuesit, por është kërkesë e detyrueshme procedurale. Në këtë fazë nuk parashtrohet pamundësia objektive e kërkuesit për të përcaktuar gjeneralitetet e personit që akuzohet. Për këtë arsye, gjyqtari vendosi pavlefshmërinë e kërkesës penale me palë i dëmtuar akuzues Artemon Isufaj dhe i akuzuar Bujar Musta, për kryerjen e veprës penale “Fyerja”, të parashikuar nga neni 119/1 i Kodit Penal.

 

 

Vendimi

Refuzimi i Tabakut dhe avokatit për t’u paraqitur në gjyq, i caktohet avokat kryesisht

E kishte paralajmëruar gjykata avokatin e ish-gjyqtarit Neritan Tabaku që të mos bëheshin pengesë duke nxjerrë justifikime të ndryshme për të shtyrë gjyqin, pasi në të kundërt do të merrte masa. Dje kështu ndodhi. Gjyqtari Bujar Krasniqi, pasi disa seanca është detyruar të përsërisë lajmërimin për Tabakun dhe avokatin e tij për t’u paraqitur në gjyq, dje ka vendosur që për mungesë pa shkaqe të arsyeshme, ta zëvendësojë me një avokate kryesisht. Neritan Tabaku tashmë do të mbrohet nga avokate Nevila Pushi. Procesi gjyqësor ka ngecur në momentin e marrjes së provave, konkretisht të dëshmive, pasi më parë janë dëgjuar dëshmitë e dy kolegëve të të pandehurit, këta gjyqtarë në të njëjtën trupë gjykuese me Tabakun për çështjen e Ilir Xhakes. Ish-gjyqtari Tabaku, tashmë i pandehur, akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre” në dëm të interesave të shtetit. Për këtë akuzë, gjyqtari Tabaku rrezikon dënimin me gjobë ose me burg deri në 7 vjet. Veç të tjerash, në kërkesën për gjykim thuhet se ish-gjyqtari në momentin që nuk ka zbardhur brenda afatit të dhënë vendime të shkallës së parë, ka cenuar rëndë interesat e prokurorisë. Në argumentimin e organit të akuzës përmendet se ish-gjyqtari Neritan Tabaku në momentin që nuk ka zbardhur vendimin ndaj shtetasit Ilir Xhakja apo edhe Jordan Findikut, ka lënë për një kohë të gjatë pezull gjykimin në Apel të këtyre dy shtetasve. Prokuroria në kërkesën për gjykim argumenton se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit, duke mos zbardhur brenda afateve të caktuara vendimin ndaj Ilir Xhakes, i akuzuar për vrasjen e ish-komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Mësohet se prokurori i çështjes, Julian Zonja, në kërkesën për gjykim e akuzon Tabakun se për më shumë se një vit vonoi zbardhjen e vendimit, ku akuzohej për vrasjen e Qerim Malokut. Por mbi ish-gjyqtarin Tabaku rëndon edhe një tjetër akuzë, siç është ajo e moszbardhjes së vendimit ndaj shtetasit që gjykohej për falsifikim, Jordan Findiku. Kjo çështje mbeti e pazbardhur për pothuajse dy vjet dhe një fakt të tillë prokuroria ia sjell në vëmendje gjykatës së kryeqytetit si një rrethanë rënduese ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency