Qeveria e re Zbardhen postet ministrore për PS, LSI dhe aleatët

0
169

edi ramaGëzim Saliu

Negociatat, emrat më të përfolur për drejtimin e ministrive

 

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, si liderët kryesorë të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” kanë intensifikuar prej ditësh kontaktet mes tyre si edhe me aleatët e koalicionit për të negociuar lidhur me ndarjen e përgjegjësive në qeverinë e re që do të marrë detyrën në fillim të shatorit. Deri më tani mësohet nga burimet pranë selive përkatëse të dy forcave kryesore të së majtës se ka një ndarje paraprake të posteve ministrore. Nga kjo marrëveshje ende jo zyrtare, Partia Socialiste, si forcë e parë e koalicionit të majtë, pritet të marrë 9 portofole ministrore e ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, në rolin e partisë së dytë kryesore të koalicionit të majtë, do të marrë drejtimin e 5 ministrive. Ndërkohë që një ministri është thuajse e sigurt që do ti përkasë Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të drejtuar nga Vangjel Dule. Po ashtu, thuajse zyrtare është edhe përfshirja e kreut të PLiDr-së Spartak Ngjela në ekzekutivin e ri. Ndërsa për PDKSH-në, e cila arriti të marrë një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit,  ende nuk është vendosur nëse do të marrë një portofol ministri apo do të “shpërblehet” me poste zv.ministri.

 

PS

Partia Socialiste në bazë të marrëveshjes me LSI-në, por edhe në negociatat që pritet të zhvillohen më tej me aleatët e koalicionit, pritet të përfitojë 8-9 portofole ministrore në qeverinë e re. Nisur  nga fakti se PS dhe LSI kanë rënë parimisht dakord që forca e drejtuar prej Metës të mos marrë në drejtim asnjë prej ministrive që kishte në qeverinë Berisha, pritet që forca më e madhe e koalicionit të majtë të sigurojë portofolet e ministrisë së Ekonomisë, ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Jashtme. Emra më i përfolur në selinë e purpurt për të marrë drejtimin e ministrisë së Ekonomisë, mbetet ai i deputetes së qarkut të Lezhës, Mimi Kodheli. Ndërsa për ministrinë e Shëndetësisë, më e avantazhuar deri më tani duket kryesuesja e grupit të punës së programit “Rilindja e Shqipërisë” për seksionin e shëndetësisë, Klodiana Spahiu. Kjo ministri përbën edhe një “bast” për kryesocialistin Rama, i cili megjithëse në divergjenca me LSI-në, ka theksuar se shëndetësia me ardhjen e së majtës në pushtet do të jetë falas. Ndërkohë që mendohet që në krye të ministrisë së Jashtme të vendoset deputeti i qarkut të Tiranës Ditmir Bushati ose edhe Roland Bimo, aktualisht drejtor i marrëdhënieve me jashtë në PS. Po ashtu edhe ndarja e mundshme e ministrisë së  Brendshme, në Ministrinë e Rendit dhe në atë të Pushtetit Vendor, pritet ti takojë sërish socialistëve. Kështu në krye të ministrisë së Rendit mendohet se do të vendoset Sajmir Tahiri e ndërsa në ministrinë e Pushtetit Vendor flitet se mund ta drejtojë deputeti i qarkut të Korçës Bashkim Fino. Po ashtu edhe Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve pritet të ndahet në dy ose tre dikastere, ku në krye të ministrisë së Rinisë më i avantazhuar duket sekretari për rininë dhe emigracionin në PS Erjon Veliaj. Ndërsa në krye të ministrisë së Sporteve pritet të  jetë Fildel Ylli, ministria e Kulturë dhe Turizmit është në diskutim mes Artan Lames dhe Auron Tares, të dy të përfshirë në programin e PS-së për këtë pjesë. Një tjetër ministri që do ti takojë PS-së pritet të jetë edhe ajo e Bujqësisë, ku deri më tani emri më i përfolur është ai i deputetit të qarkut të Tiranës Ervin Bushati.

 

LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim synon të marrë drejtimin e 4-5 ministrive në qeverinë e re Rama, që pritet të konstituohet në fillim të shtatorit. Kështu ministria e Transporteve, ashtu siç bëjnë të ditur burimet pranë selive të PS-së dhe LSI-së, pritet ti takojë më shumë gjasë partisë së drejtuar nga Ilir Meta. Lefter Koka, i rizgjedhur si deputet në qarkun e Durrësit, përflitet deri më tani si emri kryesor për të qenë pasuesi i Sokol Olldashit.  Po ashtu, një tjetër ministri e rëndësishme në ekzekutivin e ri si ajo e Integrimit, pritet të drejtohet nga një përfaqësues i LSI-së. Për të marrë drejtimin e kësaj ministrie, emri më  i përfolur brenda selisë së LSI-së është ai i Klajda Gjoshës, deputetes së qarkut të Tiranës. Po ashtu një tjetër emër potencial që mund të kryesojë këtë ministri të drejtuar aktualisht nga Majlinda Bregu, është ai i nënkryetarit të LSI-së Ylli Manjani. Ndërkohë edhe ministria e Arsimit, pritet  ti përkasë forcës së drejtuar nga Meta, ku emri më i kuotuar deri më tani mbetet ai i dekanit të Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, njëkohësisht kreu i LSI-së në Tiranë. Gjithashtu ministria e Mbrojtjes, e cila konsiderohet një ndër ministritë më rëndësi të veçantë në një kabinet qeveritar, do të drejtohet nga LSI-ja. Luan Rama, i zgjedhur deputet në qarkun e Tiranës, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i forcës së dytë kryesore të koalicionit të majtë është emri që përflitet më shumë si kryesues i kësaj ministrie.

 

Aleatët

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është partia e parë nga partitë e vogla të koalicionit të majtë,  që me shumë siguri do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar. Kreu i kësaj force, Vangjel Dule, i cili ishte i vetmi nga PBDNJ që arriti të marrë një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit, pritet të marrë drejtimin e ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Kjo ministri u drejtua për katër vite nga një tjetër mbështetës dhe përfaqësues i minoritetit grek, Spiro Ksera. Ndërkohë që edhe kristian-demokratët që kanë arritur të marrin një mandat deputeti me Mark Frrokun në Shkodër kanë pretendimet e tyre për një portofol ministri, gjë kjo që mbete ende në dyshim. Po ashtu në mëdyshje mbetet edhe posti i ardhshëm i kreut të PLiDr-së Spartak Ngjela, i cili ka pohuar se ka një marrëveshje kokë me kokë me kryesocialistin  Rama për të marrë një post ministror në ekzekutivin e ri që do të krijohet në fillim të shtatorit. Përflitet se Ngjela mund të vendoset nga Rama në krye të ministrisë së Drejtësisë, por kjo mbetet ende një pistë e pakonfirmuar, pasi kjo ministri mund edhe të kryesohet nga një përfaqësues i lartë i PS-së. Por ajo që mbetet e sigurt, duke marrë shkas edhe nga vetë pohimi i kreut socialist, është fakti se kreu i PLiDr-së do të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Ndërkohë që aleatët tradicionalë, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi dhe kreu i PDS-së Paskal Milo pritet të përfaqësohen ne kabinetin e ri qeveritar vetëm në poste zv.ministri. Po ashtu për të gjithë aleatët e koalicionit të majtë, në bazë të votave që kanë marrë, do të shpërblehen me drejtues në nivel qarku.

 

Ministrat e rinj, do heqin dorë nga mandati i deputetit

Në bazë të paktit të bashkëpunimit mes PS-së dhe LSI-së, i cili u nënshkrua në marrëveshjen e Shkodrës, pritet që kabineti i ri qeveritar të mos përfshijë brenda tij deputetë të kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë. Ashtu siç edhe u konfirmua në takimin Rama-Meta, ato deputetët që do të përzgjidhen nga krerët si drejtues së ministrive do të duhet të heqin dorë më parë nga mandati i deputetit të marrë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Këtë të dy liderët e koalicionit të majtë e kanë cilësuar si një arritje të demokracisë dhe si një domosdoshmëri për ndarjen e pushtetit legjislativ me atë ekzekutiv.

 

E 17-ta në listën e Tiranë

Ledi Shamku: Do jem në kuvend

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Ledi Shamku, e listuar e 17-ta në listën e kandidatëve, garantoi dje se do të jetë pjesë e Kuvendit të ri të Shqipërisë. Edhe pse PS arriti të marrë 16 mandate në qarkun e Tiranës, duket se nga fituesit në listën e socialistëve, dikush ka pranuar të lerë mandatin e deputetit për post ministror, ndaj vendi automatikisht i kalon Shamkut. “Në shtator do të jem në Kuvendin e Shqipërisë dhe do jem një zë më shumë i së majtës”, tha Shkreli në rubrikën “opinion” në News 24. Ndërkohë lidhur me qeverinë e re, ajo pohoi se,:  “Nuk di t’ua them se unë di vetëm që kryetari dhe kryeministri i ardhshëm është në këshillime të pandërprera për të bërë më të mirën për kabinetin e ardhshëm qeveritar, por ajo që do jetë, do jetë e them me bindje një kabinet i ri ndryshe, se kot nuk e quajtëm programin “Rilindje”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency