22-vjetori dhe fitorja e zgjedhjeve Detajet e festës, Rama: Të qeverisim me nder e burrni

0
134

Gëzim Saliu

ramaKreu i PS-së: Shtypi do të fitojë të drejtat e veta më të mira dhe një liri që nuk e ka pasur

“PS dhe LSI janë dy parti, që si një fuqi e vetme mund të bëjnë historinë në këtë vend”

 

Partia Socialiste ka festuar mbrëmjen e djeshme 22-vjetorin e themelimit të saj si edhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në ceremoninë festive, ku ishin të pranishëm themelues dhe të rinj të PS-së, aleatë të koalicionit dhe figura të politikës e diplomacisë, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se vota e 23 qershorit është një mundësi e madhe për ta qeverisur mirë dhe me dinjitet vendin. “Mandati i 23 qershorit është një mandat i qartë për të modernizuar Shqipërinë, për të mos përçarë për të sunduar, por për të bashkuar për të ecur me shpejt në rrugën e rilindjes, me nder, dije, urti e burrni. Do të bëjmë gjërat e duhura sepse prandaj quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë, por së bashku me LSI e të tjerët sepse prandaj quhemi Aleanca e Shqipërisë Evropiane”, – deklaroi kreu i PS-së.

 

Rama

“Gëzuar rilindjen e Shqipërisë!” Kjo ishte fjala e nisjes së kryesocialistit Rama në festën e 22-vjetorit të themelimit të PS-së, duke theksuar se pas 8 vitesh opozitë, e majta tashmë e bashkuar do të arrijë të rilindë vendin. “Më në fund pas vitesh të trazuara për të majtën, njësoj për Shqipërinë festojmë këtë rilindje bashkë, me një fitore plebishitare që arritëm të bashkuar. Të bashkuar do të fitojmë edhe sfidën e madhe të rilindjes së Shqipërisë. Kur u zgjodha kryetar i PS-së 7 vjet e gjysmë më parë, unë si kryetar dhe ne si PS vendosëm një sërë objektivash për rikthimin në qeveri me një vizion të ri, program të ri dhe politikë të re. Patëm beteja jo të lehta. U vodhëm në zgjedhje, u baltosëm, bëmë protesta të panumërta dhe grevë urie. Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj se sot janë më të qetë dhe të cilëve u premtoj se nuk do të jem i qetë derisa të bëj drejtësi për vdekjen e tyre. Por më në fund ia dolëm në mënyrën më të bukur. I kemi dhënë vetes me fitoren e 23 qershorit të drejtën për t’i dhënë fund jetës opozitare të PS-së”, – u shpreh Rama. Më tej, ai falënderoi aleatin kryesor të koalicionit të majtë, Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke nënvizuar se kjo forcë së bashku me PD-në do të qeverisin si një fuqi e vetme mund të bëjnë historinë në këtë vend. “Detyra është tu përkushtohemi synimeve që i ngritën masivisht njerëzit në revolucionin e heshtur me votë të 23 qershorit. Kujdes, ky që kemi marrë është një mandat, sa i fortë aq i brishtë politikisht përballë pritshmërisë së njerëzve, njerëzit na kanë dhënë një fuqi për të qeverisur, por na kanë ekspozuar përballë një rreziku, që e kemi në çdo hap pranë, nëse ne do të harronim që kjo fuqi na është dhënën për vendin dhe jo për vete, dëmi do të ishte shumë i rëndë. Po ashtu, një zhgënjim i hidhur do të ishte për njerëzit që na kanë votuar, por edhe ata që s’na kanë votuar”, – tha Rama. Po ashtu ai nuk nguroi të falënderonte në fjalën e tij edhe median, duke pohuar: “Unë jam i bindur se shtypi do fitojë të drejtat e veta më të mira dhe një liri që nuk e ka pasur deri më sot. Unë gjykoj se piciri që kemi hequr në opozitë do të vlejë si mësim për atë që një opozitë nuk duhet të provojë”.

 

Festa

Në festën e organizuar në ambientet e jashtme të hotelit “Sheraton”, ishin të ftuar më shumë se 300 personalitete të fushës politike, diplomatike, fetare si edhe të medias. Nën tingujt e muzikës së lehtë dhe me gota shampanje në duar, të ftuarit bisedonin mes tyre, ku parësore sigurisht ishte tema e fushatës zgjedhore dhe rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit. Në këtë ceremoni ishin ftuar një pjesë e mirë e themeluesve të PS-së, figura të kësaj force politike si ish-kryetari i Kuvendit Severt Pëllumbi apo Moikom Zeqo e ndërkohë ndihej mungesa liderit historik të PS-së, Fatos Nano, i cili megjithëse kishte marrë ftesën nominale, nuk mundi të ishte i pranishëm pasi ndodhej jashtë vendit. Pjesë e festës ishin edhe deputetët socialistë, si edhe krerët e forcave aleatet të koalicionit të majtë. Mes tyre, sigurisht ishte edhe Ilir Meta, aleati i ri i PS-së, i rikthyer pas 6 vitesh në një ceremoni festive të socialistëve. Prania e kreut të LSI-së, i cili shoqërohej nga bashkëshortja, deputetja e Lezhës Monika Kryemadhi si dhe nga deputeti Spartak Braho, ky i fundit i cilësuar si simbol i bashkimit të PS-LSI, ngjallte jo pak kureshti tek të ftuarit përreth. Po ashtu, pjesë e festimeve ishin edhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë si edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Media gjithashtu kishte përfaqësuesit e saj në ceremoninë festive të PS-së. Ndërkohë që në këtë festë mungoi ish-anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, i cili ndoshta nuk është “falur” ende nga kryesocialisti për vendimin e tij për të kandiduar si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës. Po ashtu në këtë festë mungoi siç edhe pritej kampi i djathtë, ku edhe pse sipas PS-së, ftesat ndaj Kryeministrit Berisha, kreut të PR-së Mediu, atij të FRD-së Topi si edhe kreut të PDIU-së Idrizi ishin dërguar zyrtarisht ditë më parë. Festa për 22-vjetorin e themelimit të PS-së do të duhej të festohej në 12 qershor, por për shkak të fushatës elektorale, kreu socialist Rama e shtyu zhvillimin e saj pas zgjedhjeve.

Ftesa e PS-së

“Këtë herë festa e ditëlindjes së partisë sonë u programua për pas fitores së 23 qershorit dhe do të bëhet në mbrëmjen e të hënës 1 korrik. Me dëshirën për të ndarë me ju kënaqësinë e përvjetorit të Partisë Socialiste fill pasi shqiptarët na kanë besuar ne dhe aleatëve tanë në drejtimin e punëve të vendit, ju ftoj të na nderoni me praninë tuaj”

 

 

 

Malaj: Ftesat janë publike dhe ndoshta jo burokratike

Ish-deputeti socialist që kandidoi i pavarur në këto zgjedhje parlamentare, Arben Malaj, nuk ishte ftuar dje në festën që Partia Socialiste për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit si edhe për 22-vjetorin e themelimit të saj. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Malaj u shpreh se ftesat janë publike por ndoshta jo vetëm burokratike. “Kjo është një përgjigje ndaj interesit të gazetarëve për pjesëmarrjen në festën e PS-së, ditëlindjen e së cilës ua kam uruar socialistëve progresistë nga Lumi i Vlorës në ditëlindjen e saj në 12 qershor 2013. Ftesat janë publike dhe ndoshta jo vetëm burokratike. Besoj fleksibël janë edhe mundësitë për ta festuar ditëlindjen e PS-së. Ndihem krenar dhe mirënjohës që kam pasur mundësinë të kontribuoj në sfidat e modernizmit të PS-së dhe vendit tim. Detyrimet janë të përhershme dhe mirënjohëse ndaj socialistëve dhe njerëzve të mrekullueshëm të vendit tim. Mundësitë për t’iu shërbyer vetëm pozitivisht, asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë të kushtëzuara nga karrige partiake apo qeveritare. Urimet më të mira dhe mirënjohje të thellë socialistëve progresistë. Suksese në sfidën e vështirë por fisnike të mirëqeverisjes së vendit si detyrimi më i madh ndaj vendit tonë”, – shkruante Malaj në rrjetin social Facebook.

 

 

PKDSH

Frroku: Rama t’i mbahet marrëveshjes, ne me post ministror

Partia Kristian-Demokrate e Shqipërisë (PKDSH), e cila arriti të merrte një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit kërkon nga kryesocialisti Rama që të zbatohet marrëveshja e PS-së me aleatët për ndarjen e pushtetit. Kandidati fitues i kësaj force, Mark Frroku deklaroi dje se PDKSH do të qëndrojë në aleancë me PS, duke theksuar ndërkohë se forca ku ai bën pjesë ka një marrëveshje me forcën kryesore të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. “Marrëveshja është bërë dhe nuk kemi asnjë arsye që marrëveshja nuk do zbatohet, jemi në negociata e sipër dhe ende nuk është marrë asnjë vendim nga aleati kryesor PS. Presim nuk kemi finalizim akoma. Sa për ne, nuk kemi shprehur preferenca akoma”, – tha Frroku. Ndërkohë kreu i PKDSH-së falënderoi aleatët e koalicionit që respektuan dhe mbrojtën votat e forcës që ai drejton. “Për herë të parë morëm mandat pa na e dhuruar askush, fitorja bëhet dhe më e veçantë kur morëm mandat për qarkun e Shkodrës. Në parlamentin e ri do ketë shumë deputetë për deputeti që do të përfaqësojë Pukën do jetë një dhe i vetëm, Mark Frroku”, – tha kryetari i PKDSH-së Dhimitër Muslia.

 

 

Takimi me McCormack

Meta: Koalicioni qeverisës do të realizojë reformat

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, priti dje shefen e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, Conny McCormack, ku e cilësoi praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si shumë të rëndësishme në realizimin e standardeve më të mira të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe të një procesi zgjedhor më të pranueshëm. Meta u shpreh se mesazhi i shqiptarëve ishte i qartë dhe se koalicioni i ri qeverisës do të tregojë përgjegjshmëri më të madhe në realizimin e reformave madhore që kërkon procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Meta rikonfirmoi angazhimin e tij dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për garantimin e një klime politike më bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse dhe pozitive në vend, ashtu siç duan të gjithë qytetarët shqiptarë. Nga ana e saj McCormack e përgëzoi kreun e LSI-së për rezultatet e arritura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, duke i uruar suksese në angazhimet e reja për bashkëqeverisjen e vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency