Fajde me 60 mijë euro, ekzekutohen vëllezërit Syziu, plagosen 3 të tjerë

0
169

Elton Qyno

policiaLekë dhe Pal Syziu, shkëmbim zjarri me dy vëllezërit Krosi, plagoset edhe daja i Syzinjve Ndrec Prendi

Palët një ditë më parë u thirrën në polici. Në mëngjes u konfliktuan për heqjen e banakut të lokalit

 

Dhënia e një shume prej 60 mijë eurosh në formën e fajdeve është bërë shkak i një vrasjeje të dyfishtë në qytetin e Laçit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 30 metra larg Prokurorisë së Kurbinit, kur një breshëri automatiku ka tronditur qytetin dhe për pasojë më pas janë mësuar se kanë mbetur të vdekur dy vëllezërit Lekë dhe Pal Syziu, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe daja i dy vëllezërve shtetasi Ndrec Prendi. Autorë të këtij krimi janë dy vëllezërit Arben dhe Florian Krosi, të cilët mendohet se janë përplasur fizikisht me dy vëllezërit Syziu dhe më pas në përdorim janë vënë armët e zjarrit, duke sjellë kështu masakrën e dyfishtë. Nga shkëmbimi i zjarrit, kanë mbetur të vdekur dy vëllezërit Syziu dhe është plagosur daja i tyre Ndrec Prendi. Ndërkohë që të plagosur kanë mbetur dhe dy vëllezërit e tjerë Krosi, të cilët janë shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe se rruhen në masa të forta sigurie pasi që prej ditës së djeshme prokuroria e Laçit me kërkesë të prokurorit Elvin Gogaj ka vendosur caktimin e masës së arrestit në burg për tre personat e plagosur. Në hetimin e çështjes kanë marrë pjesë dy prokurorë dhe forca të shumta policie, ndërkohë që siç mësohet një ditë para ndodhjes së vrasjes protagonistët e krimit kanë qenë në ambientet e komisariatit të Laçit, ku janë sqaruar se do i zgjidhnin privatisht mosmarrëveshjet mes tyre.

Sherri për 60 mijë eurot

Lekë dhe Pal Syziu, së bashku me dy vëllezërit e tjerë Arben dhe Florian Krosi, kanë pasur konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Shkak ka qenë dhënia e një shume financiare prej 60 mijë eurosh nga ana e vëllezërve Krosi tek dy vëllezërit Syziu. Kjo shumë është dhënë në formën e fajdeve dhe me një interes të vogël në përqindjen e kthimit, ndërkohë që si garanci dy vëllezërit Syziu kanë vendosur lokalin e tyre që ndodhet në qytetin e Laçit, përballë prokurorisë. Mirëpo kohët kanë kaluar, kur mes personave të sipërcituar kanë nisur divergjencat lidhur me mospagimin e kësteve të marrjes së fajdeve. Nisur nga kjo situatë mes tyre kanë filluar gërvishtjet e para, ku janë regjistruar kërcënime me jetë dhe më pas kanosje me armë. Si rezultat i këtyre përplasjeve të dyja palët një ditë më parë kanë përfunduar së bashku në ambientet e komisariatit të Laçit, ku në prani edhe të efektivave të policisë kanë pranuar se kishin konflikte për arsye e mospagimit të kësteve. Nga dy vëllezërit Syziu është pranuar se kësti financiar nuk ishte paguar për arsyen e vetme se ata s’kanë pasur mundësi ekonomike. Ndërkohë, nga ana tjetër, vëllezërit Krosi kanë kërkuar marrjen e lokalit të dy vëllezërve duke pohuar se një gjë e tillë do të sillte edhe shlyerjen e borxheve. Nisur nga kjo situatë në parim të dyja palët para efektivëve të policisë kanë rënë dakord dhe më pas janë larguar nga komisariati, duke e lënë se në orët e mëngjesit do të takoheshin sërish për të marrë dhe dorëzuar lokalin.

Heqja e banakut

Megjithëse palët kishin gjetur konsensusin për sheshimin e borxheve mes njëri-tjetrit, duket se krimin e rëndë e ka sjellë një “shkëndijë” e vogël. Dy vëllezërit Syziu së bashku me dajën e tyre Ndrec Prendi, kanë vendosur të heqin nga lokali që në orët e para të mëngjesit të gjitha tavolinat si dhe banakun e lokalit. Pikërisht gjatë heqjes së tij kanë mbërritur në lokal dhe dy vëllezërit Krosi, të cilët kanë filluar të debatojnë rreth motiveve të largimit të banakut. Ata kanë kërkuar që në lokal asnjë gjë të mos prekej dhe se Syzinjtë do të dorëzonin çelësin e lokalit. Por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe mes tyre ka filluar një përplasje fizike. Më pas palët kanë dalë në rrugë, ku prej bagazheve të makinave kanë marrë automatikët kallashnikovë, duke qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit. Si pasojë e kësaj përplasjeje, janë plagosur rëndë tre persona, ndërkohë që dy vëllezërit Syziu kanë gjetur vdekjen, ku njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa tjetri në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Hetimet rreth kësaj çështjeje janë duke vijuar, për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit, ndërkohë që të arrestuar janë dy vëllezërit Krosi dhe daja i viktimave, Ndrec Prendi.

 

Drejtuesi ishte duke zbritur shkallët kur dëgjoi të shtënat

Vrasja, prokuroria drejton hetimin

në vendngjarje, pritet dinamika e krimit

Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 30 metra para Prokurorisë së Kurbinit dhe prokuroria e ka pasur më të lehtë administrimin në kohë rekord të provave materiale dhe sigurimin e dëshmive të të mbijetuarve, por edhe të personave të tjerë. Burime jozyrtare thanë për gazetën “Standard” se në momentin e krismave, prokurori i rrethit Elvin Gogaj ishte duke zbritur shkallët e prokurorisë, kur ka dëgjuar të shtënat. Menjëherë ai ka dalë me shpejtësi jashtë, duke parë dhe dëgjuar klithmat e të plagosurve. Është kërkuar një tjetër prokuror dhe përforcime nga ana e policisë së Lezhës, ndërkohë që i gjithë hetimi është drejtuar nga vetë drejtuesi i prokurorisë. Dhjetëra gëzhoja automatiku janë sekuestruar në vendin e krimit, si dhe tri armë zjarri. Ndërkohë, në fashikullin e hetimit janë administruar disa prej dëshmive kryesore. Hetimi ka treguar se mes dy viktimave dhe dy personave të plagosur ka pasur konflikte të vazhdueshme, gjë e cila ka sjellë dhe krimin e rëndë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, prokuroria e Laçit është duke kryer veprime të mëtejshme, me qëllim ndërtimin e plotë të dinamikës se si ka ndodhur krimi i rëndë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency