“Qeveria” e re ndez debatin PS-LSI Meta: Do kemi më shumë peshë se me PD-në

0
152

Gëzim Saliu

lsiKreu i LSI-së nënshkruan “kontratën e gjelbër” me Zyrën Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit

 

Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë një peshë më të madhe në qeverisjen e ardhshme sesa ka pasur në bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike. Kështu deklaroi dje kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke “ndezur” edhe më shumë debatin brenda së majtës për “qeverisjen” e re, në kohën kur kryesocialisti ka hedhur poshtë deklaratën e kryesuesit të listës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Gjirokastër, Vangjel Tavo, ku sipas së cilës, forca e dytë e koalicionit të majtë do të marrë 40% të pushtetit. “Sa i takon rezultatit të zgjedhjeve, është i padiskutueshëm që do të jetë rezultati më i mirë historik, ndërsa roli i LSI-së në të ardhmen do të jetë më i lartë se sa ka qenë në të kaluarën dhe kjo do të vijë për shkak të përkrahjes që ka gjetur dhe do të verifikohet në 23 qershor në të gjithë Shqipërinë”, – tha Meta.

 

Kontrata

Ashtu si edhe me biznesin pak ditë më parë, LSI nënshkroi ditën e djeshme një kontratë bashkëpunimi me Zyrën Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, e cilësuar si “kontratë e gjelbër”. “Kam kënaqësinë të jem sot këtu me përfaqësues të Zyrës Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, me të cilët sapo kemi nënshkruar një Kontratë të Gjelbër për katër vitet e ardhshme, e cila presupozon një bashkëpunim të ngushtë institucional, si një forcë e ardhshme parlamentare por besojmë edhe qeverisëse, për 40 çështje mjedisore, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, për mbrojtjen e mjedisit, natyrisht për të rritur edhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, forca që ai drejton do të mbetet avokate e përhershme e mbrojtjes mjedisore, pasi, theksoi Meta, nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm pa realizuar një ambient miqësor me mjedisin ku jetojmë. “Ne do të angazhohemi përmes kësaj kontrate për një Shqipëri me më shumë hapësira të gjelbra, për një ekonomi të gjelbër, madje edhe për një sektor energjetik të gjelbër, ku besojmë se potencialet e punësimit janë jashtëzakonisht të mëdha, pra e kam fjalën për energjinë e rinovueshme. Por në radhë të parë ne duhet të angazhohemi për ruajtjen dhe për mbrojtjen e mjedisit sepse kjo ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë dhe me një cilësi të jetës të standardeve më të larta evropiane”, – u shpreh ai lidhur me angazhimin e ri të LSI-së. Ndërkohë që në emër të Zyrës Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, Sazan Guri tha se me anë të kësaj kontrate, u bëjnë thirrje të gjitha partive politike ta kenë programin mjedisor jo mbrapa liste, as në fund të listës por duke qenë cilësia e jetës së gjithsecilit prej shtetasve shqiptarë. “Ne do të jemi në kontakt me të gjitha forcat politike ne qeverisje, në vendimmarrjen dhe politikëbërjen në pozitë apo në opozitë, ku do të bashkëpunojmë me ta brenda vendimmarrjes se tryezave të tyre, se si do të zbatohen këto 40 çështje të shenjta për qytetarin por që njëherësh janë 40 detyra të shenjta për politikanin apo vendimmarrësin shqiptar”, – deklaroi Guri.

 

Fier

Rama: Kryeqyteti i socialistëve ia ka prerë urdhrin e pensionit Berishës

Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë mitingut përmbyllës në Fier, deklaroi dje mazhoranca qeverisëse në 8 vite pushtet i shkaktoi vendit plagë dhe pasoja, ndërkohë që Partia Socialiste pas 23 qershorit do i ofrojë shqiptarëve qeverinë që mendon për nevojat e tyre. “Nuk ka nevojë të flasim për Saliun se ju Saliut ia keni prerë urdhrin e pensionit me kohë e me vakt, ndajmë mirë të mos flasim për të, për të shkruarën që do ikë bashkë me të në 23 qershor, të mos flasim as për sa shumë dëme plagë dhe pasoja ka lënë pas në këto 8 vite qeveria e tij, por le të flasim për lirinë që do sjellim për çdo shqiptar qeverisur siç do, për të menduar siç do, për të bërë atë që i pëlqen dhe për të punuar me punë të ndershme ne një vend që ne brenda 100 ditëve do të kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës”, – theksoi Rama. Kryesocialisti i bëri thirrje fierakëve që të zgjojnë edhe votuesin e fundit në mënyrë që të mos lejojmë që asnjë votë për rilindjen të shkojë dëm. Duke vendosur shenjën tek nr. 29 do të vendosni këtë parim për taksimin dhe do të çlironi nga taksa, 95% të shqiptarëve. Çdo mësues do të kursejë 40 mijë lekë çdo muaj dhe një polic do të kursejë më shumë se 1 rrogë të vit. Do të bëjmë zero taksën për biznesin e vogël. Do të përgjysmojmë tatimin mbi fitimin. Do të hiqet taksa 20% e imputeve bujqësore, do të çliroheni nga gjithë këto taksa dhe do të fitoni brenda mandatit të parë të drejtën e pasurisë së patundshme të tokës në fshat. Numri 29 çliron të gjitha familjet që sot duhet të marrin borxh e të shesin shtëpinë, kur kanë një të sëmurë. Brenda 300 ditëve do të kthejmë policinë e shtetit në krye të detyrës. Kanë mbetur edhe 4 ditë për të vulosur mbylljen e një historie rrënimi dhe hapjen e një kapitulli Rilindje. Në këto 4 ditë secili prej nesh nuk duhet të vërë gjumë në sy, për të zgjuar edhe votuesin e fundit për të votuar Rilindjen. Rroftë kryeqyteti i socialistëve!”, – u shpreh kreu i PS-së Edi Rama.

 

Mitingu përmbyllës në Kavajë

Kreu i PS-së: Berisha së bashku me Kaç Islamin na çojnë mbrapa

Në mitingun përmbyllës në Kavajë, kreu socialist Edi Rama deklaroi dje se gjërat kanë shkuar në vendin e vet me bashkimin e Kastriot Islamit me PD-në, pasi sipas tij e shkuara është bashkuar me të shkuarën, ndërkohë që e ardhmja është bashkuar me të ardhmen. “Sot shikojeni të dashur, Sekretari i Partisë së Punës Sali Berisha është bashkuar me Kastriot Islamin, ndërsa unë jam bashkuar me djalin tuaj një nga dhjetoristët Parid Carën. Gjërat kanë shkuar në vendin e tyre, ata të së shkuarës janë bashkë dhe n të së ardhmes jemi bashkë Saliu vjen me Kaçin këtu në Kavajë dhe ju thotë hajde të shkojmë përpara, përpara me Saliun dhe Kaçin është t’i biesh nga mbrapa dhe mos ta gjesh me kurrë rrugën, ndërkohë unë kam ardhur me Paridin se së bashku është ora që ti japim Shqipërisë mundësinë të rilindë”, – tha Rama. Më tej, duke i bërë thirrje qytetarëve të Kavajës për të votuar kandidatin e PS-së Parid Cara, kryesocialisti theksoi se zgjedhje mes dy alternativave është e thjeshtë. “Kam një apel për kavajasit se mes Elvis Roshit dhe Sali Berishës demokratët e kanë të lehtë të zgjedhin, sikurse jam i bindur se kë do zgjedhim mes Carës dhe Islamit. Duke zgjedhur të mbështesin Elvis Roshin duke i dhënë mundësinë që të kenë pranë qeverinë dhe duke zgjedhur Parid Carën që të përfaqësohen denjësisht në Kuvend, ato do zgjedhin vlerat për të cilin Kavaja doli në shesh 1990”, – deklaroi kreu i PS-së Edi Rama.

 

 

Thellohet përçarja PS-LSI në Gjirokastër

Angjeli kundër Tavos: Me LSI-në nuk kemi marrëveshje për poste

Ish-ministri socialist i Financave, Anastas Angjeli, njëherësh kandidat për deputet i PS-së në Gjirokastër, ka deklaruar dje gjatë një takimi elektoral me banorë të fshatit Grehot: “Me Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk ka një marrëveshje për ndarje postesh, por për një bashkëqeverisje parimore”. Po ashtu, Angjeli e akuzoi Tavon se nuk përfaqëson LSI-në, por interesa të pushtetit të Berishës. Kjo deklaratë e Angjelit ishte në kundërpërgjigje të kandidatit të LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, i cili pak dite me pare tha se sipas marrëveshjes mes dy forcave politike, LSI do te marre 40% te pushtetit. “Në marrëveshjen e qeverisjes me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 23 qershorit, kemi një ndarje të përgjegjësive të administrimit të pushtetit, ku 40% e këtyre përgjegjësive i takojnë Lëvizjes Socialiste për Integrim, 40% e administratës do të administrohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Të jeni të bindur se në 23 qershor nuk ka për të lëvizur asnjë votë e gjirokastritëve”, – ka theksuar Tavo. Po ashtu pak ditë më parë kandidati i LSI-së akuzoi drejtues të lartë të Partisë Socialiste në Gjirokastër se bashkë me strukturat e Partisë Demokratike po punojnë për asgjësimin e LSI-së në Gjirokastër dhe ndarje të mandateve në tavolinë mes PD e PS. “Ne disponojmë për këto afera edhe materiale publike. LSI do të vijojë të punojë për elektoratin e tij, pasi kjo është një force në koalicion dhe pretendimi është fitorja e së majtës. Në këto veprime ne vëmë re dhe marrim përgjigje lidhur edhe me zgjedhjet e 2009-ës, ku votat e së majtës janë shitur fshehtas ne Pallatin e Sportit, në ndihmë të kandidatit të Partisë Demokratike”, – deklaroi Tavo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency