Dënimi në Itali, kapet për të dytën herë miku i Aldo Bares

0
218

Elton Qyno

arrestimAlxhi Nallbani u liria me vendim të prokurorisë së Tiranës. Policia: Është dënuar në Itali me 11.2 vite burg

 

Arrestohet për të dytën herë Alxhi Nallbani (Xhili), miku i kapobandës së Lushnjës Aldo Bare. 34-vjeçari Nallbani është vënë në pranga pranë banesës së tij nga një grup i agjentëve të antidrogës, pasi sipas policisë ka mbërritur në ngarkim të tij nga Italia një kërkesë për arrestimin e 34-vjeçarit, pasi ky i fundit është dënuar me 11.2 vite burg nga gjykata e Torinos.  Por ky pretendim është rrëzuar shume shpejt nga prokuroria e cila ka vendosur ta lirojë pasi Nallbani ka shlyer dënimin Italian në Shqipëri. Sipas diosjes Italiane Nallbani, rezulton të jetë pjesëmarrës në një organizatë kriminale që drejtohej nga disa shqiptarë dhe që kishte si specialitet të sajin trafikimin e heroinës në shtetin Italian. Për këtë aktivitet të dyshimtë, Alxhi Nallbani është dënuar me masën e dënimit të sipërcituar por që në fakt vendimi i Gjykatës së Apelit në Torino është njohur dhe nga Gjykata e Tiranës, e cila pas arrestimit të parë të Alxhi Nallbanit, e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, duke njohur vendimin italian dhe dënuar me 5 vjet e 11 muaj burgim.

Arrestimi i dytë

Alxhi Nallbani, që njihet nga strukturat policore si mik i Aldo Bares, kishte pak kohë që ka dalë nga burgu, pasi ka vuajtur dënimin me 5 vite e 11 muaj heqje lirie për disa akuza të rënda të ngritura në Itali. Duket se ditët e qëndrimit në liri nuk kanë zgjatur shumë dhe se sërish agjentët e policisë i janë vënë në ndjekje.  Por këtë radhë ata kanë gabuar, ku duke parë emrat e personave në kërkim kanë konstatuar dhe emrin e Nallbanit, të cilin autoritetet italiane nuk e kanë hequr nga lista e personave në kërkim.Në këtë situatë strukturat e policisë kanë bërë arrestimin e tij me qëllim ekstradimin në Itali. Mirëpo siç duket kjo kërkesë nuk do të ketë shumë efekt pasi, de jure vendimi i dënimit të Nallbanit nga gjykata e Apelit në Torino është ekzekutuar nga drejtësia shqiptare duke dënuar Alxhi Nallbanin. Nga 11.2 vite burg dënimi është ulur në masën drastike duke shkuar në 5.11 vite burg kjo për shkak edhe të gjykimit të shkurtër të çështjes por edhe për shkak të amnistisë nga shteti Italian të disa akuzave për të cilat Alxhi Nallbani është dënuar në mungesë. Pas arrestimit Nallbani u ka vënë në dispozicion vendimin e gjykatës së Tiranës të datës 10 shkurt që e dënonte me 5.11 vite burg. Mirëpo këtë nuk kanë dashur ta besojnë oficerët e policisë, të cilët kanë bërë lirimin e tij me urdhër të prokurorisë.

Trafiku i drogës

Më vendimin nr. 894 datë 26 prill 2007 të Gjykatës Oridinare të Torinos, Seksioni i Gjykatësve për Hetime Paraprake, ka vendosur dënimin e shtetasit Alxhi Nallbani me 20 vjet burgim për akuzat “Prodhim dhe trafik i paligjshëm i lëndëve narkotike apo psikotrope“, “Organizatë që ka për qëllim trafikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike apo psikotrope”, “Mbajtja e armëve luftarake pa lejë të cilat parashikohen si vepra penale “Trafikimi i narkotikeve”, “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”’, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa lejë e armëve luftarake dhe municionit”. Vendimi ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit të Torinos, Itali, ku shtetasi Alxhi Nallbani është dënuar me 12 vjet burgim për veprat penale të sipërpermendura pasi është dënuar sipas pikës 13 për krimin, me argumentimin se në bashkëpunim midis tyre dhe me Altin Stefën e Çoban Lalaj, kanë importuar dhe transportuar e kanë mbajtur me qëllim shitje në Itali, një sasi të përgjithshme prej 92.208 gram heroinë që përmbante 16.060.458 princip aktiv të ndarë në 186 patente të futur në 7 (shtate) kontejnerë metalikë, substancë narkotike e gjetur në Shqipëri nga Alxhi Nallbani e persona të tjerë. Droga transportohej nga Altin Stefa dhe Çoban Lalaj. Në një rast grupi ka përdorur dhe një korrier të huaj me emrin Miha Petko, e cila ka transportuar drogën nga Shqipëria në Itali.

5.11 vite

Ky është dënimi i Gjykatës së Tiranës që ka dhënë ndaj shtetasit Alxhi Nallbani. Vendimi vjen si rezultat i njohjes së atij të dhënë nga Gjykata e Apelit në Torino, e cila dënonte me 11.2 muaj burg shtetasin shqiptar për një sërë akuzash të rënda.

 

Ngjarja në Burrel

Rrëzoi banderolat e PD-së me vinç, arrestohet

Ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kësaj fushate elektorale nuk i kanë munguar as incidentet. Në qytetin e Burrelit raportohet se janë dëmtuar banderolat e Partisë Demokratike pasditen e djeshme. Banderolat të cilat ishin të varura në shtyllat elektrike në qendër të qytetit, janë prishur nga një vinç. Menjëherë pas incidentit, policia ka mundur të arrestojë autorin e këtij krimi. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur qëllimisht dhe aspak aksidentale siç ka pretenduar drejtuesi i vinçit, pasi në rrugë janë dëmtuar vetëm banderolat e Partisë Demokratike dhe jo ato të Partisë Socialiste që ndodheshin shumë afër me banderolat e rrëzuara në tokë. Lidhur me këtë ngjarje policia ka referuar dokumentacion në prokurori.

 

Incidenti në Kamëz

Tentoi të vriste në 2011-ën, arrestohet Pepkolaj

Një 37-vjeçar është vënë në pranga në doganën e Morinës, pasi ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas informacioneve paraprake bëhet e ditur se në hyrje për në territorin e Kosovës është ndaluar Gëzim Pepkolaj, 37 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz, Tiranë. Ndalimi i tij është bërë pasi ishte person i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ngjarja për të cilin ai është kapur dhe kërkohej nga drejtësia ka ndodhur në vitin 2011 kur Pepkolaj ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas në Kamëz. Nisur nga kjo situatë, Pepkolaj ka qëndruar i fshehur për gati dy vite me radhë, duke mos rënë në duart e policisë. Kur ka menduar se vëmendja e policisë ishte përqendruar diku tjetër, Pepkolaj ka vendosur të largohet nga Shqipëria, por në fakt emri i tij ka qenë në listën e personave në kërkim.

 

Do të ikte në Kosovë

Pranga në Kukës 29-vjeçarit të kërkuar

Është prangosur në Pikën e Kalimit Kufitar në Morin të Kukësit, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është bërë ndalimi i shtetasit Albion Pjetri, 29 vjeç, lindur e banues në Lezhë, i shpallur në kërkim nga policia e Lezhës. Arrestimi i tij e çon në dy numrin e shtetasve që janë prangosur në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit në Kukës, brenda 24 orëve. Sistemi TIMS, që është instaluar në këtë pikë, ka rritur numrin e personave që prangosen nga policia në tentativë për të hyrë apo dalë nga Shqipëria. Albion Pjetri pas ndalimit i është dorëzuar policisë së rrethit të Kukësit, me qëllim ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

 

Enco Kola u përplas fizikisht me një jetim tjetër

Jetimi tenton të grabisë me armë qendrën

humanitare “Betania”, ku kishte marrë ndihmë

Një 21-vjeçar i braktisur nga familja e tij ka dashur të grabisë me armë selinë e shoqatës humanitare ku ai kishte qëndruar prej disa vitesh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Fushë-Krujë, në ambientet e godinës së “Betania”-s një shoqatë humanitare që merret kryesisht me përkrahjen e fëmijëve të braktisur nga familja dhe të mbetur jetimë. Enco Kola ka qenë njëri prej tyre që kishte marrë ndihmën e personelit të kësaj shoqate, por gjatë mbrëmjes së djeshme ai është rikthyer pas një kohe largimi, me një pistoletë në dorë ku ka dashur të grabisë qendrën ku qe strehuar për disa vite. 21-vjeçari ka zgjedhur të hyjë në mesnatë dhe ka arritur të depërtojë në ambientet e brendshme. Mirëpo pikërisht në këtë moment, prania e tij ka shqetësuar një 20-vjeçar jetim që qëndronte pikërisht në këtë qendër humanitare. Teksa ka dalë jashtë nga dhoma të shohë se çfarë po ndodhte, grabitësi dhe 20-vjeçari janë ndodhur përballë njëri-tjetrit, dhe për pasojë mes tyre ka lindur një konflikt fizik. Në përplasje e sipër, Enco Kola ka qëlluar me armë, por fatmirësisht 20-vjeçari s’ka pësuar asnjë dëmtim. Ndërkohë që pas kësaj skene ai është larguar me shpejtësi me qëllim për ti shpëtuar forcave të policisë. Pas njoftimit të policisë për ngjarjen në fjalë është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të krimit. Enco Kola është arrestuar jo shumë larg vendit të krimit dhe se sipas policisë ai ka dashur të marrë një sasi të konsiderueshme parash brenda zyrave të shoqatës në fshatin Bupq. Por në momentin që ai është futur aty është pikasur nga njëri prej pjesëtarëve të kësaj qendre humanitare. Aktualisht ndaj Enco Kolës është ngritur akuza e “Grabitjes me armë të mbetur në tentativë”, ndërkohë që materialet hetimore i janë referuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit të Durrësit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency