Elton Qyno
Ngjarja në Kukës, policia zbardh shkaqet e krimit. Vajza 9-vjeçare qëlloi aksidentalisht vëllain
Loja me armën e zjarrit i ka kushtuar shtrenjtë një vajze 9-vjeçare, e cila ka qëlluar për vdekje vëllain e saj një vit më të madh në moshë. Ngjarja e rëndë është regjistruar dy ditë më parë në Kukës, por vetë, ditën e djeshme policia e këtij qytetit bëri të ditur rrethanat e plota të mekanizmit të ngjarjes. Sipas specialistëve që kanë hetuar vdekjen e 10-vjeçarit me inicialet E. I., ky i fundit bashkë me motrën e tij kanë marrë armën e gjyshit të tyre dhe kanë filluar të luajnë me njëri-tjetrin. Këto momente kanë ndodhur kur në banesë nuk ka pasur njeri dhe se vëlla e motër kanë qenë të lirë për përdorimin e armës së zjarrit. Pasi e kanë mbajtur në duar, vajza 9-vjeçare ka prekur këmbëzën e çiftes dhe për pasojë është dëgjuar një krismë e fortë. Nga gryka e çiftes kanë dalë dhjetëra saçma, të cilat i janë futur në bark minorenit. Ky i fundit ka humbur menjëherë ndjenjat, duke mos lëshuar asnjë reagim, ndërkohë që 9-vjeçarja ka vrapuar për të njoftuar prindërit e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shikaj të rrethit verior. Ndërkohë, në spital trupi i tij është sjellë nga vetë prindërit, të cilët fillimisht nuk kanë dhënë asnjë arsye për vdekjen e fëmijës së tyre.
Krimi në mesditë
Zëdhënësi i policisë së Kukësit tregon se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 dhe shkaku i vdekjes ka qenë goditja me armë gjahu. Publikisht policia ka pohuar se ngjarja ka qenë aksidentale dhe aspak e qëllimshme. Nga burime jozyrtare mësohet se të dy prindërit dhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes Isufi ku ndodhi ngjarja e rëndë, janë thirrur në komisariat për t’u marrë në pyetje ndërsa janë lënë të lirë në mbrëmje për të marrë trupin e pa jetë të birit dhe për t’i bërë mortin sipas zakonit. Policia nga hetimet gjatë natës ka arritur të nxjerrë konkluzionin përfundimtar, duke pohuar se shkak ka qenë loja e rrezikshme që dy fëmijët e mitur kanë luajtur me njëri-tjetrin. Hetimet janë ndjekur edhe nga prokuroria e Kukësit e cila ka kryer veprimet në teren, si dhe ka marrë shumë persona në pyetje. Nga dëshmitë e tyre, por edhe e minorenes 9-vjeçares është mësuar motivi kryesor i kësaj ngjarjeje të rëndë ndodhur në një fshat malor të Kukësit, i cili ndodhet rreth 28 km larg. Për këtë ngjarje prokuroria e Kukësit ka pushuar hetimet pasi nuk mund të ushtroje ndjekjen penale tek asnjë person pasi autorja e këtij krimi është e mitur dhe sipas ligjit, ajo nuk mban përgjegjësi penale.
Armët në banesë
Pas vitit të mbrapshtë 1997, shumë familje mbajnë armë në shtëpi, edhe pse armët në familje përbëjnë një rrezik potencial për jetën e personit në përgjithësi, përfshi edhe të vetë familjes. Asnjë program i çarmatimit i zbatuar në qarkun e Kukësit që nga viti 1998 e deri tani nuk ka dhënë rezultatin që pritej mbasi ende një numër banorësh mendojë se me armën e zjarrit mund të ruajë sigurinë e tyre dhe të familjes. Në harkun kohor të një viti, në këtë qark kanë ndodhur një numër vrasjesh dhe vetëvrasjesh, ku mund të kujtojmë 17-vjeçaren nga Kukësi, një maturante që në dhjetor të vitit të shkuar, u vra në shtëpi me armën e të atit. Gjithashtu, një tjetër rast i rëndë është vrasja në fund të prillit e një 18-vjeçareje në fshatrat e Tropojës si dhe disa vrasje të tjera brenda familjes. Pas aksidenteve rrugore, vrasjet me armë zjarri përbëjnë një dukuri shqetësuese dhe ndoshta ngjarje e fundit e fshatit Shikaj duhet të shërbejë për reflektim nga strukturat e shtetit dhe vetë shoqëria për armët kryesisht pa leje. Një banor i fshatit të Shëmrisë, qendër e komunës Malzi, duke iu referuar rastit tragjik të 10-vjeçarit tha se fëmijët po i vrasin vetë prindërit, që mbajnë armë në banesa dhe i rrisin me psikologjinë e dhunës.
Aksidenti
Lezhë, përplaset makina, vdes 50-vjeçari
Një aksident rrugor në Lezhë i mori jetën një 50-vjeçari të quajtur Ded Gega. Ngjarja e rëndë është shënuar gjatë orëve të natës së shkuar në aksin rrugor Lezhë – Balldren, kur mjeti veturë “Opel” me targa AA 485 CN, që drejtohej nga shtetasi Nikolin Gega, 32 vjeç, banues në Kallmet, Lezhë, është përplasur me mjetin motor me targa AC 278, që drejtohej nga Gega, banues në lagjen “Nënë Tereza”, Lezhë. Policia rrugore shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pista kryesore mbetet ajo e shpejtësisë si dhe errësira në rrugë. Burime nga vendngjarja bënë me dije se drejtuesi i mjetit është ndalur dhe e ka dërguar të aksidentuarin për në spitalin rajonal të Lezhës, por si pasojë e plagëve të rënda ka ndërruar jetë. Superstrada Fushë – Krujë-Lezhë si dhe Lezhë – Shkodër mbetet një ndër më të rrezikshmet dhe më numrin më të lartë të të vdekurve si pasojë e aksidenteve automobilistike. Çdo ditë në këtë aks rrugor ndodhin aksidente të rënda dhe çdo ditë regjistrohen viktima. Për shkak të numrit të madh të personave të vdekur ky segment rrugor është quajtur nga media si rruga e vdekjes.
Arrestimet
Tiranë, kapen dy persona për mashtrim dhe vjedhje
Policia e Tiranës ka bërë arrestimin e tre peronave, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp policia shprehet se nga komisariati nr. 3 u bë ndalimi i Xhevahir Kerës, 37 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit. Ai ka kryer disa vjedhje në kryeqytet, mes të cilave edhe një zyrë avokatie. Ndërsa nga forcat e krimit kundër narkotikëve u ndaluan Aurel Denjeli, 23 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Krujë. Këta persona janë ndaluar në kohë dhe vende të ndryshme, pasi janë pikasur nga uniformat blu duke kryer veprime kriminale. Pas marrjes në pyetje ata janë izoluar në dhomat e paraburgimit, ndërkohë që materiali në ngarkim të tyre i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Tiranës.
Shkodër, sërish shpërthim tritoli në banesën e një aktivisti të partive politike
Një sasi eksplozivi ka shpërthyer pranë banesës së shtetasit Prendush Fusha në Shkodër. Sipas policisë së Shkodrës, akti kriminal nuk ka sjellë të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Policia tha se shpërthimi ka pasur prapavijë politike, sepse Fusha njihet si mbështetës i së majtës në qytetin verior. Uniformat blu thanë se lënda plasëse ka qenë në një sasi të vogël prodhim artizanal. Lidhur me këtë krim në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë, të cilat kanë marrë në pyetje shtetasin Prendush Fusha. Ky i fundit ka pohuar se nuk ka pasur konflikte me njeri, por kohët e fundit konfliktet politike kanë qenë të vazhdueshme. Por këto ai nuk i ka marrë seriozisht. Gjatë dhënies së deklarimeve, Fusha mësohet se u ka treguar edhe emrat e personave me të cilët ka pasur konflikte, por që në fakt, uniformat blu nuk kanë pasur prova për arrestimin e tyre. Këta persona, sipas burimeve të policisë së Shkodrës, janë shoqëruar dhe pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë sërish të lirë. Ngjarja e rëndë vjen tri ditë pas vendosjes së eksplozivit në banesën e kryekomunarit në Postribë, Faz Shabaj. Prej më shumë se 48 orësh kjo ngjarje vazhdon të mbetet e pazbardhur nga policia e Shkodrës, ndërkohë që të gjithë anëtarët e familjes së kryekomunarit janë marrë në pyetje, por asnjëri nuk ka qenë në gjendje të thotë emrin e personave që dyshonin se mund të kishte vënë lëndën plasëse. Të dyja ngjarjet tashmë janë duke u hetuar nga policia dhe prokuroria e Shkodrës për akuzën e “Shkatërrimit të pronës”, ndërsa për sa u përket autorëve, zbulimi i tyre ende nuk dihet se kur do të kryhet.