Miliarderët e PS-së Rama: Ata erdhën në politikë dhe në PS si biznesmenë

0
162

Gëzim Saliu

rama“Tom Doshi në politikë shumë ka dhënë dhe asgjë s’ka marrë nga pikëpamja financiare. Këta hynë në qeveri me një kostum dhe sot janë miliarderë”

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pohon se deputetët biznesmenë të forcës më të madhe opozitare hynë në politikë si sipërmarrës. Në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit Berisha për miliarderët e PS-së, Rama mbrojti deputetët biznesmenë socialistë në “Këndin e fjalës” të organizuar në Gur të Zi në Shkodër, duke theksuar se ata kanë bërë paratë me bizneset e tyre, ndërsa qeveritarët sipas tij janë pasuruar në kurriz të qytetarëve. “E keni dëgjuar shpesh Saliun që të thotë se në grupin e deputetëve të PS-së ka disa milionerë, madje në mënyrë të pacipë. Ka nxjerrë dhe një spot ku rreshtojnë portrete sipërmarrësish. E dini kush është ndryshimi midis Tom Doshit dhe secilit prej anëtarëve të kësaj qeverie, duke filluar nga katragjyshi. Ndryshimi është ky se Tom Doshi erdhi në politikë nga biznesi, hyri në politikë si sipërmarrës dhe paratë i kishte bërë si sipërmarrës. Në politikë shumë ka dhënë dhe asgjë s’ka marrë nga pikëpamja financiare. Këta hynë në qeveri me një kostum dhe sot janë miliarderë dhe pasanikë, jo nga biznesi, por nga korrupsioni. Ky është ndryshimi”, – tha kreu i PS-së. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se ndjehet krenar që në skuadrën e rilindjes ka sipërmarrës, të cilët, theksoi ai, kanë bërë sukses në karrierë dhe kanë paguar taksat. “Njerëz që kanë shpenzuar shumë nga pasuria e tyre ne opozitë, jo vetëm për tu shërbyer njerëzve, siç ka bërë Toma këtu, por për të paguar gjoba arbitrare skandaloze. Ndryshe nga ata që i kanë pirë gjakun këtij vendi, kanë grabitur gjithçka që ka patur nën tokë e mbi tokë. Në 23 qershor do të marrin ndëshkimin nga ky popull”, – u shpreh Rama.

Takimi në Pukë e Laç

Pas takimit në Shkodër, kreu socialist Rama zhvilloi një miting elektoral në Pukë, ku premtoi se ai do të jetë një Kryeministër që hallet e popullit do t’i konsiderojë si të vetat. “Nuk kemi ardhur këtu të premtojmë mrekullira, nuk e kemi shkopin magjik që të kthejmë gjithçka në gjendje lumturie. Kam ardhur këtu që me votën e 23 qershorit, ju dhe çdo shqiptar i zakonshëm do kenë në krah një qeveri të re, do të kenë pranë një Kryeministër që hallet tuaja do i ketë të vetat dhe në përpjekjet tuaja kundër varfërisë e izolimit në Pukë, ju nuk do jeni më vetëm”, – tha ai. Sipas kryesocialistit, zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë zgjedhje mes dy partive dhe dy njerëzve, por mes rrënimit dhe hapjes së rrugës së rilindjes shqiptare. “Në vitin ‘92 shqiptarët u ftuan të vendosnin me votë nëse donin kapitullin e regjimit komunist apo një kapitull të ri për Shqipërinë. Shqiptarët vendosën kundër donin një kapitull të ri. Sot ata që janë të kërcënuar nga papunësia, nga krimi, nga varfëria, zgjedhja është shumë e qartë, PS 29”. Pjesë e takimeve elektorale të liderit të socialistëve ishte edhe Laçi, ku Rama i ka bërë thirrje jo vetëm socialistëve por dhe demokratëve të votojnë për “Rilindjen” . “Ajo që mund t’iu them me sigurinë më të madhe është se në rast se ju me 23 qershor do bashkoheni socialistë dhe demokrat që jetoni në këtë qytet të varfër dhe papunësi të lartë për t’i dhënë votën programit për një “Rilindje shqiptare” do t’i jepni Artur Bardhit dhe vetes një mbështetje të jashtëzakonshme dhe bashkë ne do bëjmë për Laçin dhe Kurbinin atë që nuk është bërë 20 vite me radhë. Socialistë të dhe demokratët me teserë, apo dhe indiferente, më 23 qershor do të votoni për të mbajtur në qafë katragjyshin me antiplumb apo do zgjedhin Rilindjen”, – u shpreh Rama. Sipas tij me votën për PS-në në 23 qershor, laçianët dhe kurbinasit do të fitojnë një qeveri që hallet e qytetarëve do ti ketë të vetat. “Ajo që unë zotohem është se me votën për partinë Socialiste, dhe me besimin për skuadrën e rilindjes dhe për mua, ju do merrni në krah një qeveri që hallet tuaja do i ketë hallet e veta. Mos rrini duarkryq dhe më 23 qershor merrni dikë me vete që nuk ka votuar me parë dhe votoni për PS”, – deklaroi kreu socialist Edi Rama.

 

PS në Laç, me “vallen e Tropojës”

Në mitingun elektoral të djeshëm të zhvilluar në Laç ajo që spikati ishte dhe kënga hyrëse, ku një grup valltarësh performuan nën zërin tingujt e këngës së Fatmira Breçanit “Vallja e Tropojës”.

 

PD

Vorpsi: Rama pa program, fshehu të vërtetën për skemën e rritjes së taksave

Partia Demokratike e ka cilësuar planin e PS-së për krijimin e vendeve të punës si inekzistent. Në një reagim ndaj shpalosjes së programit ekonomik të forcës më të madhe opozitare dy diotë më parë në emisionin “Opinion”, selia blu nëpërmjet zëdhënëses së saj Laura Vorpsi tha se çdo herë që Rama u pyet për të detajuar ndonjë zgjidhje specifike, ai sulmoi për t’u mbrojtur, duke kërcënuar se do të largohej nga studio në vend që ti përgjigjej pyetjeve të qytetarëve. “Sërish, Edi Ramës iu bë pyetja e thjeshtë “si”? Si do ta financojë ai monopolin qeveritar të kujdesit shëndetësor? Si do ta ulë krimin? Sa do t’i rrisë ai taksat? Dhe sërish, Rama refuzoi të përgjigjej, sepse Edi Rama nuk ka asnjë plan dhe asnjë zgjidhje për të ndihmuar qytetarët e thjeshtë. Atij i intereson vetëm vetja dhe pushteti i tij. Ndërkohë, Rama vazhdoi të fshehë të vërtetën për skemën e tij të rritjes së taksave e cila do të shkatërrojë vendet e punës. Dhe i vetmi premtim që bëri Rama ishte se do të krijonte një strukturë të re për të hetuar qytetarët, gjë që është e frikshme dhe pjesë e sistemit të kaluar”. Më tej, ajo theksoi se Rama bllokoi dhe bojkotoi qytetarët duke refuzuar ti përgjigjej pyetjeve dhe devijoi në përpëlitje sysh dhe kërcënime. “Asnjë sasi e veshjes mavi nuk mund të fshihte dëshpërimin e Ramës mbrëmë teksa bëhët gjithnjë e më e qartë që ai do të humbë. Kryeministri Berisha dhe demokratët kanë ndërmarrë veprime konkrete për të krijuar punësim dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve, dhe qytetarët mund të shohin dhe të prekin zhvillimin vetë ndërsa udhëtojnë në rrugë të reja, ndërsa dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të reja dhe përfitojnë nga taksa e ulët e sheshtë prej 10%. Dhe ndryshe nga Edi Rama, Berisha dhe demokratët kanë një plan për të vazhduar me hapjen e vendeve të reja të punës, plan të cilin qytetarët mund ta lexojnë në www.perpara.al”, pohoi në deklaratën e saj zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi.

 

Prezanton kandidatët

Gjinushi: Vota për PSD-në është votë për mandate që nuk shiten

Partia Social Demokrate ka prezantuar dje kandidatët e kësaj force në qarqe, ku sipas kryetarit të kësaj force politike Skënder Gjinushi, PSD e meriton votën si garant e së majtës. Ai bëri me dije se kjo forcë politike synon të ketë 3 mandate në Kuvend, ndërsa u shpreh edhe për një fitore të thellë të së majtës. “Synojmë të përfaqësohemi me mbi 3 mandate në Kuvend. Jemi për një fitore sa më të thellë të opozitës, nga 74 në 80 mandate. Berisha nuk e pranon humbjen po nuk e munde thellë”, – tha Gjinushi. Më tej, ai pohoi se qeverisja aktuale ka dështuar, ku ndërkohë theksoi se vota për PSD-në është votë për mandate që nuk shiten. “Vota për ne është votë dhe mandate që nuk shiten. Sa më e fortë të dalë PSD në këto zgjedhje aq më i fortë del koalicioni pas zgjedhjeve. Ne nuk kërkojmë votë për pazare politike por për ndarjen e përgjegjësisë në qeverisje. Saliu e ka të humbur betejën, populli do t’i japë duart më 23 qershor. 3 premtimet e mëdha të PD punësim, mirëqenie, integrim janë 3 dështimet që po mbyll në 8 vite”, u shpreh Gjinushi, duke shtuar se PSD është për rikthimin e moralit në politikë. “Morali përcaktohet duke mos votuar për partinë dhe politikanët që bëjnë pazare me votat e popullit. Kjo qeveri në ikje instaloi korrupsionin nga lart poshtë ne jemi për t’ia prerë kokën korrupsionin”, – deklaroi kreu i PSD-së Skënder Gjinushi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency