Ish-zv.ambasadori i Kosovës fiton gjyqin për pensionin me ministrinë

0
143

Elton Qyno

xhevat MustafaGjykata detyron ministrinë t’i paguajë 19 muaj kontributet për diplomatin Xhevat Mustafa

 

Ish-zv.ambasadori shqiptar në Kosovë, Xhevat Mustafa, fiton gjyqin me Ministrinë e Jashtme, duke e detyruar këtë të fundit të paguajë plot 19 muaj kontribute shëndetësore. Në janar të këtij viti, Mustafa i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku kërkonte që ministria ku ai kishte shërbyer si diplomat, t’i paguante detyrimet financiare për kontributet shëndetësore. Një rrugë të tillë ish-zv.ambasadori e ka marrë pasi ka dështuar përpjekja e tij për ta zgjidhur çështjen jashtë gjyqësisht me administratën e Ministrisë së Jashtme. Kështu, pas 4 seancash gjyqësore, gjyqtarja Majlinda Doga ka vendosur të pranojë kërkesën e diplomatit shqiptar duke detyruar ministrinë të paguajë plot 19 muajt e mospagimit të detyrimeve shëndetësore. Vendimi është marrë në 3 qershor dhe se në ditët në vijim pritet që gjykata të zbardhë argumentet juridike të dhënies së të drejtës Xhevat Mustafës. Vendimi i gjykatës ka pranuar pjesërisht kërkesat e diplomatit, pasi ky i fundit në padinë civile ka kërkuar edhe pagesat për një periudhë katërvjeçare, gjatë kohës së kryerjes së shërbimit diplomatik në Kosovë.

Objekti i padisë

Në padinë që mban numrin 8159, të depozituar rreth pesë muaj më parë, kërkohet vetëm pagimi i detyrimeve financiare, lidhur me kontributet shëndetësore dhe shoqërore për një periudhë 5-vjeçare. Sipas padisë, janë katër momente kur Ministria e Punëve të Jashtme nuk i ka paguar kontributet shoqërore zv.ambasadorit njëherësh dhe këshilltarit në Ambasadën Shqiptare në Kosovë. Në objektin e padisë thuhet se kërkohet detyrimi i të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguar prej tij në periudhën 13 gusht 1994, gjithsej 5 muaj. Detyrimin e të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, të papaguar prej tij në periudhën 1 prill deri në 31 dhjetor 1996, gjithsej 9 muaj. Detyrimin e të paditurit Ministrisë së Punëve të Jashtme për pagimin e shumës së pagës mujore dhe të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të pa paguar prej tij në periudhën 1 gusht 31 dhjetor 2010, gjithsej 5 muaj, kur paditësi u mbajt në listë pritje pa pagesë, në pritje për emërim të ri, pas kthimit nga Kosova, me përfundimin e mandatit 4-vjeçar në detyrën e këshilltarit dhe zv.ambasadorit. Detyrimin e të paditurit MPJ për pagimin e shumës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësor të papaguar prej tij për periudhën 1 korrik 2006 deri në 31 qershor 2010 gjithsej 4 vjet, në nenin 46 të ligjit për shërbimin e jashtëm diplomatik. Veç të tjerash në kërkesë padinë, Xhevat Mustafa kërkon nga gjykata dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm. Ndërkohë që gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit për pjesën e kërkuar për Bardhylka Mustafën, që mendohet se është bashkëshortja e diplomatit.

Mospagimi i pagës mujore

Institucioni i diplomacisë shqiptare ka shkuar edhe më tej, ku veç mbajtjes së lekëve të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, ka vendosur të mos e paguajë për një periudhë 5-mujore diplomatin shqiptar Xhevat Mustava. Sipas padisë së këtij të fundit, një gjë e tillë është bërë në kohën kur Mustafa ka qenë në listën e pritjes për ta emëruar diku tjetër në ndonjë zyrë diplomatike. Qëndrimi në listë mësohet se ka zgjatur rreth 5 muaj me radhë dhe se nisur nga kjo situatë asnjë pagesë në këtë kohë nuk është derdhur në llogarinë bankare të diplomatit shqiptar që kishte shërbyer në Kosovë. Nisur nga kjo situatë, ai ka vendosur t’i hyjë rrugës ligjore, me qëllim përfitimin e të ardhurave financiare, që duhet të paguheshin nga Ministria e Punëve të Jashtme gjatë kohës kur Mustafa ka qenë në shërbimin diplomatik.

 

Ngjarja në Durrës

Zihet me gruan për biznesin, vetëvaret

Një person është gjetur i varur në një apartament në zonën e Plazhit në Durrës. Nga hetimet e policisë ai është identifikuar si shtetas shqiptar, por me identitet dhe pasaportë italiane. Ai është 50-vjeçari Rino di Fiore, i njohur edhe si Haxhi Isufaj, banues në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Ai kishte marrë një apartament me qira pranë shkollës “Bajram Curri”, por u gjet i pajetë nga një miku i tij, i cili kishte disa ditë që i telefononte. Ende nuk ka shkaqe zyrtare për ngjarjen, por sipas policisë, ai ka pasur një sherr me një grua në Tiranë, ku të dy së bashku ishin të përfshirë në një ndërmarrje private që merrej me prodhimin e energjisë elektrike. Konflikti është zmadhuar ndjeshëm, ku ka pasur denoncime edhe në polici. Policia është duke vijuar hetimet për të zbuluar arsyet që e shtynë babin e një djali 15-vjeçar drejt këtij akti. I biri bashkë me bashkëshorten jetojnë në Itali. ndërkohë që aktin e vetëvrasjes, 50-vjeçari e ka marrë në kushtet e tronditjes së thellë psikologjike.

 

Alarmi për bombë

Arrestohet nxënësi i shkollës “Sami Frashëri”

 

Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e telefonatës anonime për bombë tek shkolla “Sami Frashëri” në kryeqytet. Në 6 qershor, 17-vjeçari L. Vranici, nxënës i klasës së 10-të të kësaj shkolle, kishte telefonuar policinë për një alarm për bombë në ambientet e gjimnazit. Nga verifikimet e njësisë Antieksploziv nuk u konstatua asnjë problem, duke bërë që ky lajm të konstatohet i rremë. Pasi lajmi për bombë rezultoi fals, policia nisi një hetim disaditor për identifikimin e autorit të telefonatës. Pas zbardhjes së identitetit, policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj 17-vjeçarit për akuzën e keqpërdorimit të thirrjeve telefonike dhe denoncimit të rreme. Gjatë marrjes në pyetje adoleshenti e ka pranuar akuzën e ngritur nga policia duke treguar se ai e kishte kryer në formën e një shakaje, por që më pas nuk e ka menduar se do të sillte efekte të mëdha telefonata për bombë në ambientet e shkollës së mesme “Sami Frashëri”.

 

Maliq, pronari i lokalit plagos me armë qiramarrësin dhe teknikun e kompjuterave

Policia e Korçës ka bërë arrestimin e një 34-vjeçari, pasi një ditë më parë ka tentuar të vrasë me armë zjarri dy persona. Mësohet se është ndaluar Ermal Gora, 34 vjeç, banues në Libonik, i dënuar më parë për disa vepra penale. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim e mbajtje të armëve luftarake”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme kur 34-vjeçari ka qëlluar shtetasit L. T., 51 vjeç, banues në lagjen 2 Pogradec, pronar i një lokali kompjuterash të kompanisë “Kajar”, në Maliq dhe M. P., 31 vjeç, banues në lagjen 2, teknik kompjuterash. Krimi i rëndë është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes në ambientet e sallës së kompjuterave që shërbejnë si lojëra fati. Pikërisht ky aktivitet tregtar ushtrohet në ambientet e dhëna me qira nga autori i krimit, i cili njihet nga policia dhe banorë të zonës si person që luan shpeshherë bixhoz. Për shkak të humbjes së një sasie tepër të madhe në lojërat e fatit, personat e plagosur nuk kanë lejuar që ai të luajë më me borxhe, duke e nxjerrë jashtë. Por pikërisht në këtë moment ka ardhur dhe reagimi i ashpër i Ermal Gorës, i cili ka pretenduar se ndodhen në ambientet e pronës së tij. Mirëpo dy të dëmtuarit kanë këmbëngulur se derisa ata kanë marrë ambientet me qira, ato konsideroheshin të tyret dhe se bëhej siç vendosnin ata. Në këtë situatë 34-vjeçari është larguar me shpejtësi duke shkuar në banesën e tij dhe më pas është kthyer në vendngjarje me një armë në dorë, ku ka qëlluar në drejtim të pronarit të kompjuterave dhe teknikut të tyre. Për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë dy personat të cilët janë dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë që pak orë më pas është arrestuar në Pogradec shtetasi 34-vjeçar Ermal Gora.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency