Dy shqiptarë të vdekur në Itali njërit iu pre fyti e iu vu zjarri

0
134

Elton Qyno

Daniel MisirajDaniel Misiraj nga Cakrani i Fierit u zbulua pas gjurmëve të dorës së padjegur

Arian Rexha ndiqej nga policia për vjedhje. U hodh në det, por gjeti mbytjen.

 

Dy shqiptarë janë gjendur të vdekur nga policia italiane, pasi kanë qenë prej saj të skeduar për vepra të ndryshme penale. Një nga trupat e pajetë, që i përket shtetasit 24-vjeçar Daniel Misiraj, është djegur në ambientet e një magazine, ndërkohë që trupi tjetër që i përket 21-vjeçarit Arian Rexha, është gjetur i pajetë në det. Të dy personat e pajetë kanë qenë të skeduar nga policia italiane për vjedhje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. I pari është Daniel Misiraj nga Kurjani i Fierit, rezident në Firence. Kufoma e tij është gjetur e karbonizuar më 5 qershor në ish-kazermën “Gonzaga”. Sipas forcave të rendit, 24-vjeçari është vrarë me thikë në fyt e më pas është djegur. Hetuesit kanë arritur të zbulojnë identitetin e tij falë shenjave të gishtërinjve të njërës dorë që i kishte mbetur e pashkatërruar nga flakët. Kufoma tjetër, ajo e 21-vjeçarit Arian Rexha nga Durrësi, është gjetur më 9 qershor në det në San Lorenco al Mare të Imperias. Rexha bashkë me 2 persona të tjerë ishte pikasur natën mes 2 dhe 3 qershorit teksa përpiqeshin të vidhnin një dyqan. Për t’i shpëtuar policisë djali është hedhur në det në zonën e Prinos. Kërkimet zgjatën disa ditë, pa asnjë rezultat, derisa deti nxori kufomën e tij pranë bregut.

Identifikimi i kufomës

Për disa ditë me radhë, policia e Firences nuk ka qenë në gjendje të bëjë identifikimin e kufomës së 24-vjeçarit Daniel Misiraj, për shkak se pjesa më e madhe e trupit të tij ishte karbonizuar nga flakët e zjarrit. Vrasësit janë kujdesur në çdo detaj për të zhdukur gjurmët dhe për pasojë kanë vendosur që të kryejnë prerjen me thikë të të riut dhe më pas t’ia venë zjarrin makinës. Sipas dinamikës që policia kriminale ka ndërtuar viktima ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, i cili ka qëndruar në sediljen e pasme të automjetit tip “Renault Clio”. Pikërisht nga prapa ai e ka kapur me forcë viktimën që ndodhej në timon dhe i ka prerë fytin. Ndërkohë, për të zhdukur çdo gjurmë në makinë, autori i ka vënë zjarrin dhe më pas është larguar. Mirëpo, një pjesë e dorës së 24-vjeçarit nuk është djegur, çka ka ndihmuar ekspertët të kryejnë verifikime mbi këtë pjesë duke arritur të marrin gjurmët e gishtave. Pikërisht këto gjurmë janë verifikuar në sistemin e dhënave të policisë kriminale, prej nga ka rezultuar se viktima ishte shtetasi shqiptar Daniel Misiraj. Për zhdukjen e këtij të fundit policia kishte marrë denoncim edhe nga babai i tij, i cili u kishte pohuar karabinierëve se djali i tij kishte disa ditë që nuk ishte paraqitur në banesë. Ndërkohë, verifikimet e mëtejshme kanë treguar se Misiraj ka qenë eksponent kriminal kryesisht në grabitjen e makinave dhe banesave si dhe në shpërndarjen e lëndës narkotike. Aktiviteti i tij i dyshimtë duket se është bërë shkak edhe i vrasjes, për të cilën tashmë hetuesit janë duke verifikuar me imtësi për zbulimin e autorit të krimit.

Mbytje në det

Për t’u shpëtuar prangave të karabinierëve, Arian Rexha ka vendosur të hidhet në ujërat e detit, por në fakt nuk ka mundur të dalë i gjallë prej andej. Ai së bashku me dy persona të tjerë sipas mediave italiane kanë qenë duke vjedhur një dyqan, por shumë shpejt janë diktuar nga policia e cila është vënë në ndjekje të tyre. Për pasojë, dy nga personat kanë rënë në pranga, ndërkohë që i riu nga Durrësi ka preferuar t’i shmanget policisë, duke u hedhur vetë në det. Pas disa orë kërkimesh karabinierët kanë vendosur të tërhiqen pasi nuk e kanë gjendur shqiptarin e kërkuar. Ndërkohë, pas disa ditësh, dallgët e detit e kanë nxjerrë në breg trupin e 21-vjeçarit Arian Rexha.

 

Hoxha u dënua me 18 vite burg, Apeli vendosi lirimin e tij

I konsideruar si anëtar i bandës së Lushnjës

Afrim Hoxha, padi në gjykatë për dëmshpërblim

I konsideruari nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si anëtari i bandës së Lushnjës, Afrim Hoxha, i është drejtuar me një kërkesë civile Gjykatës së Tiranës ku kërkon prej saj dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg. Hoxha dorëzuar kërkesë padinë në sekretarinë e gjykatës dy ditë më parë dhe se të paditurit janë dega e thesarit dhe Ministria e Financave, ndërkohë që objekti i padisë është kompensim për burgim të padrejtë për periudhën 18 janar 2006 e deri në 20 shtator 2011. Aktualisht çështja është marrë në shqyrtim nga gjyqtari Ardian Kalia, ndërkohë pritet që në ditët në vijim dosja t’i hyjë procesit gjyqësor. Sipas vendimit të Apelit, gjykata rrëzoi të gjitha akuzat ndaj të pandehurit Afrim Hoxha. Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha veprat penale që i “faturoheshin” nga prokuroria. Në gjykimin në Shkallën e Parë, Hoxha ishte dënuar me 18 vjet burg, dënim që u prish nga Apeli. Ndaj tij gjykata urdhëroi lirim të menjëhershëm. Nisur nga këto kushte pas dy vitesh ai i drejtohet Gjykatës së Tiranës ku kërkon dëmshpërblim financiar për ditët e qëndrimit në burg. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Afrim Hoxha ka kryer krime në kuadër të organizatës kriminale ose të ashtuquajturës banda e Lushnjës që drejtohej nga kapoja Aldo Bare. Gjykata e Apelit e liroi Hoxhën nga të gjitha akuzat duke i dhënë atij lirinë e menjëhershme. Ky vendimi është apeluar nga prokuroria e krimeve të rënda në Gjykatën e Lartë, e cila siç mësohet ende nuk ka marrë në shqyrtim çështjen.

 

Grabitja në Shkodër

Sulmohet me armë zyra elektorale e LSI-së

Nuk grabiten vetëm bankat e kazinotë, por tani kanë nisur që të grabiten edhe zyrat elektorale. Ka ndodhur kështu në mes të ditës, në mes të qytetit të Shkodrës, ku është grabitur zyra elektorale e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në zyrën e LSI në lagjen Perash dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur të marrin tre kompjuterë, disa telefona, dokumente, një portofol, etj. Menjëherë është ngritur grupi hetimor për të zbardhur ngjarjen, ndërkohë që edhe kandidati i parë në listën e LSI-së për qarkun e Shkodrës Agron Çela, dhe koordinatori Gëzim Podgorica kanë shkuar në zyrën ku ndodhi incidenti. Ata i kanë kërkuar policisë së Shkodrës që të marrin të gjitha masat për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërkohë që fatmirësisht nga kjo grabitje me armë nuk ka mbetur i lënduar asnjë person.

 

Shpërdorimi i detyrës

Mësuesi i muzikës ndryshon notat, arrestohet

Drejtori i shkollës 9-vjeçare në Vashtëmi të Korçës ka denoncuar mësuesin e edukimit muzikor për ndërhyrje në regjistra. Policia e Korçës bën të ditur se është arrestuar Gjergji Feto, 41 vjeç, nga Korça. Ai ushtronte profesionin e mësuesit muzikor në shkollën e Vashtëmisë, ku sipas drejtorit ka ndërhyrë në korrigjimin e notave të tre nxënësve të klasës së nëntë, të cilësuar si minimaturë. “Drejtor i shkollës, i cili deklaron se ka konstatuar ndërhyrjen në regjistrat e dy klasave të 9 – të, për korrigjimin e notave të tre nxënësve nga mësuesi i mësipërm. Veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, – bën të ditur policia e Korçës. Ndaj tij është referuar materiali në njësinë hetimore task-forcë, pranë prokurorisë së rrethit Korçë.

 

Ngjarja në Berat

Keqtrajtoi gruan, arrestohet bashkëshorti

Viktor Fushtani është arrestuar nga policia e Beratit, pasi dhunoi me mjete të forta bashkëshorten e tij. Sipas bluve, 36-vjeçarja është goditur me mjete të forta në pjesën e kokës, duke i shkaktuar asaj plagë të rënda. Fillimisht ajo mësohet se është dërguar në spitalin rajonal të qytetit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, por tashmë ajo është dërguar në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit për ndërhyrje më të specializuara. Blutë bëjnë me dije se dhuna ka ardhur pas një sherri banal mes çiftit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e tij. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes ndërsa Fushtani gjendet në pranga. Tashmë ndaj tij është ngritur akuza e Plagosjes së rëndë me dashje, ndërkohë dhe se materialet hetimore i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit të Beratit.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency