Theri gruan me thikë, dënohet 18 vite burg Arben Koxhaj

0
182

Sonja Caka

arbenGjykimi i shkurtuar i ul 1/3 e dënimit të pandehurit, përfundimisht dënohet me 12 vite. Vrasja në gjendje të dehur, pas debateve për konsumimin e alkoolit

 

Masakroi gruan me thika duke i shkaktuar vdekjen, gjykata e dënon bashkëshortin-vrasës me 18 vite burg. Ky ka qenë verdikti i Gjykatës së Tiranës për të pandehurin Arben Koxhaj, i cili një vit më parë qëlloi disa herë me thikë gruan e tij dhe më pas tentoi me të gjitha mënyrat për t’i shpëtuar jetën. Por, pa asnjë rezultat, edhe pse mjekët bënë të pamundurën, ndërsa vetë autori dhe familjarët e tij ofruan edhe gjak për shpëtimin e jetës së 30-vjeçares Manjola Koxhaj. Megjithatë, nuk do t’i vuajë të gjitha këto vite i pandehuri, pasi në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 12 vite burg për “Vrasje me dashje” të gruas së tij. I pandehuri ka shprehur pendesë dhe gjendje të rënduar psikologjike pas ngjarjes, por edhe gjatë procesit, ndërkohë që në seancën e parë kërkoi që ndaj tij gjykimi të zhvillohej në gjendjen që janë aktet. Një seancë më parë, prokurori kërkoi dënimin me 18 vite burg për të pandehurin Koxhaj, ndërsa ka argumentuar këtë masë dënimi duke lexuar dinamikën e ngjarjes për vrasjen e gruas së tij, Manjola Koxhaj.

Akuza

Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri Arben Koxhaj, ka ndodhur në orët e vona të natës së datës 2 prill të vitit të kaluar në banesën ku jetonte çifti. Mësohet se i pandehuri ka shkuar në gjendje të dehur në banesë dhe pas debateve me të shoqen, Manjolën, e cila ishte e vetmja që punonte në shtëpi, ka marrë thikën nga kuzhina dhe e ka qëlluar 6 herë në trup. Vetëm pak momente pasi kishte kryer krimin, Koxhaj ka kuptuar çfarë ka bërë duke reaguar në mënyrë të menjëhershme. Vetë ai e dërgoi të shoqen në Spitalin Ushtarak me një autoveturë, ndërsa kërkoi me ngulm të dhuronte gjak për t’i shpëtuar asaj jetën. Pavarësisht nga dëshpërimi i tij dhe pendesa, gjithçka po ecte keq. Djali 9-vjeçar i çiftit, i gjendur nën shok për plagosjen e nënës kishte lajmëruar me telefon xhaxhain e tij për situatën. Pjesëtarë të familjes Koxhaj mbërritën në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, për t’u interesuar për gjendjen e nuses së tyre, por shanset për shpëtimin e saj ishin të pakta. Përpjekja e tyre për të ndihmuar me gjak Manjolën rezultoi e pashpresë, teksa mjekët iu konfirmuan se zemra e nënës së dy fëmijëve, një djali 9 vjeç dhe një vajze 6-vjeçare, pushoi së rrahuri si pasojë e gjashtë plagëve të shkaktuara nga goditjet me thikë të të shoqit.

Çifti, zënka të shpeshta mes tyre

Mes çiftit prej kohësh kishte mosmarrëveshje. Papunësia e të pandehurit dhe konsumimi i alkoolit duket se janë bërë shkak për zënkat e shpeshta mes tyre. Madje, të afërm të vajzës tregojnë se Manjola kishte ikur disa herë nga shtëpia por ishte kthyer sërish vetëm për shkak të fëmijëve, pas kërcënimit të Arbenit se nuk do t’i shihte më me sy. Aq sa, edhe morti i ndau përgjithmonë dy familjet, pasi pas vdekjes së të bijës, prindërit dhe vëllezërit e morën trupin e pajetë në qytetin Poliçanit në Skrapar, ku dhe i kryen ceremoninë mortore.

 

 

Vendimi

Gjykata: Të pezullohet urdhri i ministrit Halimi për shefat e pavijoneve

Gjykata e Tiranës ka pezulluar paraditen e djeshme urdhrin e ministri të Shëndetësisë Halim Kosova për shtimin të numrit të shefave të pavijoneve, nga 16 në 52. Në vendimin e tij, gjyqtari Juljan Haxhiu ka vendosur zbatimin e urdhrit të ish-ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo, ku ky i fundit largoi nga pavijonet rreth 52 shefa shërbimesh, duke e reduktuar këtë numër në 16. Inicimi i kësaj padie erdhi nga disa prej drejtuesve në spitale, konkretisht Orion Gliozheni, Pëllumb Pipero, Ilir Tasho dhe Saimir Sinoimeri. Madje një letër kundër zbatimit të këtij urdhri i është dërguar edhe Kryeministrit Berisha, në të cilët citohej se ky vendim arbitrar i ministrit Kosova, jo vetëm është i nxituar, por para së gjithash është i pabazuar në ligj, nuk vjen në respekt të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe VKM-ve respektive, e mbi të gjitha krijon precedentin e emërimit dhe zëvendësimit të shefave të shërbimit sipas preferencave personale të ministrit. Gjyqtari Haxhiu ka vendosur vetëm mbi kërkesën e depozituar më 24 maj të këtij viti nga Ilir Tasha, Orion Gliozheni dhe Saimir Cenaimeri, ndërsa për padinë e Piperos do të vendosë një tjetër gjyqtar, përkatësisht Ilir Alija. Objekt i padisë së tyre ishte pavlefshmeria e aktit administrativ, urdhrit nr. 282 datë 30.4.2013 të ministrit të Shëndetësisë, si dhe pezullimin e zbatimit të aktit administrativ, urdhër nr 282, datë 30.4.2013 të Ministrit të Shëndetësisë.

 

Krimet e Rënda

Gjyqi, policia shoqëron në polici kushëririn e Dajtit

Pak minuta para se seanca gjyqësore ndaj Dritan Dajtit të përfundonte, policia ka shoqëruar për disa orë në komisariatin nr. 3 kushëririn e këtij të fundit, Lulzim Muça, i pranishëm në seancë. I riu ka qenë bashkë me nënën e të pandehurit në sallën e gjyqit duke ndjekur procesin dhe pak para se të përfundonte seanca, ai ka dalë nga salla për t’u shoqëruar nga patrullat e komisariatit nr. 3. Si nga gjykata, ashtu dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk u dha asnjë sqarim lidhur me këtë shoqërim, nëse ishte kërkuar prej tyre, ndërsa burime nga këto dy institucione bëjnë me dije se nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare për shoqërim. Sipas tyre, duhet të ketë qenë ndonjë dyshim i policisë që ka bërë shoqërimin, por jo me ndonjë kërkesë nga gjykata apo akuza. Pas disa orë shoqërimi në ambientet e komisariatit, policia e ka liruar Muçën.

 

Apel

Caktohet data, gjyqi i 21 Janarit nis më 18 korrik

Gjyqi i 21 Janarit pritet të fillojë më 18 korrik në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit. Në këtë datë do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj gardistëve të akuzuar për vrasjen e tre protestuesve në 21 Janar, të cilët morën pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë. Relator i çështjes është gjyqtari Astrit Haxhialushi, njëkohësisht edhe anëtar i KLD-së, ndërsa vendimi i pafajësive u dha në shkurt të këtij viti. Çështja e 21 Janarit mbërriti në këtë gjykatë pas apelimit që prokuroria i bëri vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm ish-kreun e Gardës, gjeneral Ndrea Prendin dhe ish-komandantin e njësisë speciale, Agim Llupo. Gjykata argumentoi, në shkurt të këtij viti, se akuza e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron, për shkak se nga ana e të pandehurve nuk ka pasur dashje për të vrarë demonstruesit. Prokuroria apeloi vendimin pak ditë pas zbardhjes së tij, duke u qëndruar akuzave se Prendi dhe Llupo janë autorët e vrasjes së tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Vrasja e Aleks Nikës vijon të mbetet ende e pazbardhur, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit. Prokuroria ka depozituar më 15 shkurt të këtij viti apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e 21 Janarit. Qysh në fillim të ankimimit të vendimit të dy pafajësive, prokuroria lëshon akuza të forta ndaj trupës gjyqësore, duke deklaruar se “gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e “argumente” të paraqitura në vendim”. Më tej, në 10 faqe ankim, Prokuroria argumenton pse kundërshton dy pafajësitë, provat ku mbështet akuzën ndaj të pandehurve, kundërshtitë për analogjinë me vendimin Strasburgut, si dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga ana e ekspertit Ndoc Çardaku.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency