Merkato, Partizani u bën ofertë zyrtare katër futbollistëve kosovarë

0
134

Altin Vorpsi

 partizani

“Të kuqtë” janë hedhur në sulm për kartonët e Berishës, Gavazajt, Mazrekajt dhe Malajt

 Katër futbollistët e Prishtinës janë kërkuar zyrtarisht nga Partizani

 

 

Ditët që do të vijnë pritet të jenë mjaft pozitive për tifozët e skuadrës së Partizanit. Pas shumë vitesh ëndrra e tyre po realizohet. Drejtuesit e ri të ekipit “të kuq” kanë marrë gjithçka seriozisht dhe po fillojnë që të bëjnë ofertat e para zyrtare për futbollistët që u interesojnë.

 

Kërkesa zyrtare

Burime pranë klubit të Partizanit kanë bërë me dije se kanë dërguar te ekipi i Prishtinës edhe një kërkesë zyrtare për të blerë kartonët e katër futbollistëve, emrat e të cilëve janë lakuar edhe më parë në kampin “e kuq”. Tani për tani ata nuk kanë dashur që të zbardhin asnjë vlerë. Pra, ende nuk dihen shifrat që do të veshin me të kuqe këta katër sportistë.

 

Kontakti i parë

Mësohet se gjithçka ka nisur vetëm para pak ditësh. Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka qenë në kryeqytet për të ndjekur takimin mes Shqipërisë dhe Norvegjisë dhe ka biseduar më nga afër me drejtuesit e kuq për këto transferime. Kjo ishte vetëm një pjesë e këtij raporti, pasi dy klubet edhe më parë kishin njoftuar se do të kishin një bashkëpunonim. Vetëm si pasojë e të tilla raporteve Partizani ka vënë duart mbi njërin prej lojtarëve që mendohet se do të ketë një karrierë të shkëlqyer në këtë lojë. Flasim për Enis Gavazajn, i cili është pjesë e kombëtares së 19-vjeçarëve, të drejtuar nga Foto Strakosha.

 

Karakteristikat

Emrat e katër lojtarëve të çojnë të mendosh se Hasan Lika po tenton së pari të rregullojë mbrojtjen dhe mesfushën. Emri i parë është i Drilon Berishës, i cili për transferimin e tij në kampin “e kuq” ka pasur edhe një shtysë nga kushëriri i tij, portieri i kombëtares sonë, Etrit Berisha. 25-vjeçari aktivizohet në mbrojtje dhe do të jetë një siguri më shumë për prapavijën. Tjetri është Enis Gavazaj, i cili kohë më parë lakmohej edhe nga skuadra e Skënderbeut, madje u arri deri aty sa drejtuesit korçarë e konfirmuan si blerje talentin, por në fund tratativat dështuan. Tashmë një sezon më parë, Gavazaj do të jetë në kampionatin shqiptar, por sipas të gjitha gjasave do të luajë te Partizani. Mentor Mazrekaj dhe Argjend Malaj janë dy mesfushorët e tjerë, që trajneri Hasan Lika kërkon t’i ketë nën urdhrat e tij për sezonin e ardhshëm. Përkatësisht 24 dhe 20 vjeç, futbollistët do të japin më shumë garanci për të ardhmen në kampin e kuq, duke parë edhe moshën e tyre të re.

 

 

 

Transferimi

Mavraj kthehet në çështje tek Lacio

Ditën e shtunë lajmëroi në faqen e vet zyrtare në Facebook se do të linte Grojter Fyrtin për Lacion. Madje, lajmëroi edhe ditën se kur do të ndodhte diçka e tillë. Por “afati” kaloi dhe Mërgim Mavraj ende nuk është një lojtar i Lacios. Për mediat gjermane dhe ato italiane gjithçka është çështje kohe. Ndërkohë që për vetë Mavrajn ende asgjë nuk është konkrete. Ai mohoi mesazhin e lënë në profilin e tij në Facebook dhe tha se nuk ka gjetur akordin me skuadrën romane. Ndërsa për tabloidin gjerman “Bild”, presidenti i Grojter Fyrtit, Helmut Hak, tha: “Nuk kam marr ende asnjë ofertë nga Italia”.

 

Strategjia

Flamurtari mendon të rinisë gjithçka nga vlonjatët

Janë të talentuar, janë vlonjate dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është se e ndiejnë fanellën kuqezi. Për këtë arsye Flamurtari ka menduar që të rihedhë themelet e skuadrës që do të vijojë pikërisht nga ata që janë rritur tek ky ekip. Arbër Abilaliaj dhe Halim Begaj janë dy nga emrat që po përfliten së fundmi për një rikthim të mundshëm tek Flamurtari. Mbrojtja, mesfusha dhe sulmi janë repartet të cilat Flamurtari kërkon t’i përforcojë për këtë sezon dhe për këtë është duke u interesuar për një rikthim të mundshëm edhe të lojtarëve vlonjatë. Abilaliaj për momentin është një lojtar i lirë pasi është shkëputur nga Tirana, ndërsa po ashtu edhe Begaj pasi është divorcuar nga Vllaznia. Edhe pse është në pritje të një përgjigjeje nga ekipi kroat i Lokomotivës, Abilaliaj është shprehur se mirëpret edhe një ofertë nga Flamurtari dhe se rikthimi i tij pas 9 vitesh në Vlorë do të ishte një sfidë. “Deri në 15 qershor, jam në pritje të përgjigjes që do më japin nga Kroaci pasi atje më datë 15 nis stërvitja. Nëse nuk do të një akord nga Lokomotiva do të vëzhgoj me vëmendje mundësitë që janë këtu, nuk përjashtoj Flamurtarin”, – mësohet të ketë thënë sulmuesi. Një tjetër emër i përfolur është edhe ai i ish-mbrojtësit të Vllaznisë, Halim Begaj. Edhe Begaj si Abilaliaj nuk ka fshehur dëshirën e tij që të rikthehet në Vlorë.

 

Yjet kuqezi do të festojnë në Prishtinë

Disa nga yjet e futbollit shqiptar si Cana, Behrami, Shaqiri, Xhaka, Xhemajli, Curri, Berisha e Kuqi etj. pritet të dhurojnë spektakël në stadiumin e Prishtinës më 15 qershor. Mbi 30 futbollistë ‘legjionarë’ do ta përbëjnë ekipin e yjeve të futbollit shqiptar në Evropë dhe botë, i cili do të përballet me FC Prishtinën në stadiumin e kryeqytetit këtë të shtunë, duke filluar nga ora 20:00, për të dhuruar spektakël të vërtetë të futbollit, që ka munguar në vendin tonë kohëve të fundit. Siç njofton presidenti i klubit bardhekaltër, Remzi Ejupi, shumica e futbollistëve të ftuar e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, në ndeshjen që zhvillohet për ditën e çlirimit të Prishtinës. “I kemi ftuar mbi 40 futbollistë, ndërsa 90 për qind e tyre e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë spektakël të futbollit. Krejt ata futbollistë që luajnë në diasporë janë të mirëseardhur të na kontaktojnë dhe të na bashkëngjiten, pasi ka mundur të jetë ndonjë lëshim, që nuk e kemi ftuar ndonjë lojtar pa dashje e që na vjen keq. Synim yni është që t’i kthejmë kujtimet kur mbushej stadiumi dhe kur luanin yjet e futbollit në Kosovë. Pra, do të jetë një festë dhe e kemi ndërmend që një eveniment të tillë ta bëjmë tradicional”, – u shpreh Ejupi për “Express”. Kjo ndeshje sipas organizatorëve i dedikohet rinisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë shërben si mesazh për instancat ndërkombëtare si thirrje për pranimin sa më të shpejtë të futbollit kosovar në organizatat ndërkombëtare.

 

Mesatarja e tifozëve

Shqipëria është “kampione” e grupit E

Kombëtarja shqiptare është e dyta në grupin E për eliminatoren e botërorit “Brazil 2014? Por nëse merret parasysh shikueshmëria e saj, atëherë pa dyshim që është “kampione” e këtij grupi. Kësisoj, Shqipëria ka mesataren më të lartë të tifozëve si në ndeshjet në transfertë ashtu edhe ata si vendas.

Shqipëria mund të ketë një stadium me kapacitet më të vogël se stadiumet e tjera të skuadrave të grupit tonë, por prania e tifozëve kuqezinj ka qenë më e larta në krahasim me ekipet e tjera.

 

Shqipëri-Qipro 13 mijë tifozë

Zvicër-Shqipëri 9 mijë shqiptarë

Shqipëri-Islandë 11 mijë tifozë

Shqipëri-Slloveni 11 mijë tifozë

Norvegji-Shqipëri 5 mijë shqiptarë

Shqipëri-Norvegji 15 mijë tifozë

 

Mesataret e kombëtareve tjera

Zvicra 10 mijë/ndeshje

(jo më shumë se 300 tifozë jashtë fushës)

 

Norvegjia 9 mijë/ndeshje

(jo më shumë se 500 tifozë jashtë fushës)

 

Islanda 3 mijë/ndeshje

(jo më shumë se 200 tifozë jashtë fushës)

 

Qipro 4 mijë/ndeshje

(jo më shumë se 200 tifozë jashtë fushës)

 

Sllovenia 9 mijë/ndeshje

(Jo më shumë se 1 mijë tifozë jashtë fushës)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency