Zyrtare, Mavraj firmos të hënën me Lacion

0
137

 Altin Vorpsi

mergimiNë faqen zyrtare në Facebook, Mërgim Mavraj zyrtarizoi kalimin tek Lacio. Në këtë operacion një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Igli Tare. Drejtori sportiv i Lacios mundi konkurrencën e Shtutgartit dhe të Hofenhajmit

 

 

Mërgim Mavraj ka zbardhur çdo dilemë mbi të ardhmen e tij. Qendërmbrojtësi i përfaqësues tonë, duke filluar që nga edicioni i ardhshëm futbollsitik do të jetë pjesë e Serisë A. Mavraj bëri me dije se ka gjetur akordin me ekipin e Lacios.

 

Konfirmimi

Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi ka konfirmuar dje se do të transferohet tek skuadra italiane e Lacios ditën e hënë. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare ai konfirmon kalimin në Serie A. “Është e vërtetë, unë do të transferohem tek Lacio. Që të hënën do të nënshkruaj, jo sepse nuk jam i kënaqur me atë që morra këtu (Grojter Fyrt). Është thjesht një transferim që më mundëson ngritje më të lartë në karrierë”, – shkroi Mavraj.

 

Tentativa e dështuar

Fyrti i kishte ofruar një rinovim kontrate me një rrogë më të mirë, por që kjo nuk e ka bindur 26-vjeçarin të qëndrojë. Sipas mediave italiane, ai do t’i bashkohet kolonisë së shqiptarëve të Lacios. “Gazzetta Dello Sport” shkruante që ditën e premte se drejtori sportiv i bardhekaltërve, Igli Tare, ndodhet në Tiranë, ku ka mbyllur marrëveshjen personale me lojtarin e kombëtares shqiptare, i cili do të rreshtohet përkrah Lorik Canës në repartin e mbrapëm të ekipit të drejtuar nga Vladimir Petkoviç.

 

Kostoja

Sipas burimeve, Lacio do të paguajë 2.3 mln euro te Grojter Fyrt për kartonin e mbrojtësit, që pritet të zbarkojë në Romë të hënën, për të hedhur firmën në kontratë. Pas rikthimit të Grojter Fyrtit në Bundesliga 2, disa skuadra gjermane mes të cilave Shtutgart dhe Hofenhajm u hodhën në sulm për të siguruar shërbimet e 26-vjeçarit, por duket se Lacio përfitoi nga miqësia e drejtorit sportiv me lojtarin shqiptar, për t’i lënë pas rivalët në garën për të arritur te Mavraj.

 

 

Reagimi

Mediat norvegjeze lavdërojnë Shqipërinë dhe kritikojnë Olsenin

Mediat norvegjeze kanë fajësuar trajnerin e tyre Olsen si shkaktarin e shpërfytyrimit të përfaqësueses nordike në Tiranë, ndërkohë që kanë falënderuar Holgin për atë gol që vazhdon t’i mbajë akoma në lojë.

“Trajner, kjo është e turpshme”. Ky është titulli i gazetës ‘Aften Posten’, e cila pas kritikave të shumta ndaj trajnerit e kanë ftuar atë të japë dorëheqjen pasi po e shkatërron këtë skuadër. Në analizën e ndeshjes kjo gazetë ka publikuar edhe mesazhet e disa ish-lojtarëve të kombëtares norvegjeze në rrjetet sociale. Pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur të zhgënjyer nga mënyra e lojës së bashkëkombasve të tyre dhe për më shumë nga taktika e pakuptimtë e trajnerit Olsen.

Ndërkohë dy gazetat më të mëdha në këtë vend ‘Aften Posten’ dhe ‘Dagbladet’ kanë publikuar foton e një tifozi shqiptar që me një lazer ka shqetësuar gjatë gjithë ndeshjes portierin e tyre. ‘Aften Posten’ ka gjetur një koment të bukur për këtë foto: “Dy djemtë e vegjël kafshojnë thonjtë nga stresi, ndërsa burri ndërhyn në fushë me lazer për të shpërqendruar portierin tonë, për të gëzuar djemtë e vegjël që mezi po prisnin golin e avantazhit dhe mijëra tifozët që kishin mbushur stadiumin”.

 

 

Zvicra fiton në minutën e fundit

Xherdan Shaqiri me shokët e tij ka arritur një fitore të vështirë në përballjen me Qipron. Pas këtij trepikëshi të arkëtuar dje, Zvicra pothuajse e siguroi pjesëmarrjen në botëror. Zvicra ka shënuar golin e vetëm të sfidës ndaj Qipros në momentet e fundit të takimit, përkatësisht në minutën e 90, për të krijuar kështu një distancë prej katër pikësh me kombëtaren e Shqipërisë. Shaqiri pasoi për mrekulli për tek sulmuesi Haris Seferoviç, i cili shënoi golin e vetëm në ndeshje në minutën e fundit të ndeshjes.

Zvicra ishte dominuese nga fillimi. Shaqiri dhe Behrami luajtën nga fillimi, ndërsa Granit Xhaka dhe Blerim Xhemaili ishin rezervë në këtë sfidë. Zvicra mbetet lidere e grupit E me 14 pikë në tabelë ndërsa kombëtarja shqiptare 10 pikë.

 

Firmua 1

Feteli merr pole në Kanada

Në Montreal, Sebastian Fetel ka shënuar polin e tretë rresht, ndërsa Ljuis Hamilton, që këtu ka fituar tre herë, do të niset përkrah tij në rreshtin e parë. Ferrari, që nuk e merr polin prej pothuajse një viti, nuk ka arritur më shumë sesa vendin e gjashtë, vetëm për spanjollin Fernando Alonso. Provat zyrtare të zhvilluara pasditen e së shtunës kanë qenë shumë luftarake dhe spektakolare, me dalje të vazhdueshme nga cirkuiti. Hamilton ka qenë shumë pranë dhurimit të polit të pestë skuderisë së tij, por një gabim i vogël në sektorin e fundit i hoqi një të dhjetat e kohës dhe kënaqësinë për t’u nisur përpara të gjithëve.

Veridkti i së shtunës në shiun dhe të ftohtin e Kanadasë nuk habit më. Surpriza e vërtetë ka qenë Valeri Botas, i cili është konsideruar si debutuesi i ri më i mirë, në vendin e tretë me “Williams”, përpara Rosberg, i katërti, dhe Veber i pesti. “Ishte shumë e vështirë. Kushtet e motit ndryshonin vazhdimisht dhe unë me Ljuis ishim shumë pranë. Tani jam optimist për garën pasi me provat hodhëm një hap vendimtar përpara”, – ka deklaruar Fetel. Ndërkohë, “kokëkuqet” nuk janë në lartësinë e duhur, sidomos sepse shfaqen më pak konkurruese se kundërshtarët nën shi. Fernando Alonso është ndalur vetëm në vendin e gjashtë. Në tentativën e dytë nuk ka arritur të përmirësohet dhe ka mbetur një sekondë mbrapa kryesuesit të polit. Ndërsa për Felipe Masa gjërat kanë shkuar edhe më keq. Në sesionin e dytë, teksa përpiqej të shtynte në maksimum në kthesat 3 dhe 4 ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar duke u përplasur me barrierat.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency