Rilindja e dështuar ekonomike

0
157

rilindjeNga Endrit Tafalla

Duke qenë se socialistët tanë kanë marrë përsipër të na rilindin si shoqëri (edhe pse mbi togun e plehut të një aleance pazaresh), kohët e vështira që jetojmë të shtyjnë të shohësh se si do të na “rilindin” si ekonomi. A kanë ndonjë plan, program apo të paktën propozim konkret për të shtuar vendet e punës apo për të lehtësuar biznesin. Për fat të keq, jo. Sheh që duan të rrisin taksat, të vendosin sistemin progresiv, duke e quajtur taksim të drejtë. Kur në realitet, në botë nuk ka sistem taksash të drejtë apo te padrejtë. Por sistem efikas, që vjel të ardhura mjaftueshëm për Shtetin, për të mbajtur funksionet e tij dhe për të qenë social, pa mbytur nismën private. Gjoja në emër të biznesit të vogël(i cili, për hir të së vërtetës, vetëm me taksat nuk i ka problemet, pse taksa e biznesit të vogël është përgjysmuar prej kohësh nga qeveria aktuale), socialistët shqiptarë duan ta zerojnë fare këtë takse. Duke çuar mbi 88 mijë sipërmarrës të vegjël drejt kaosit të plotë, duke i fshirë ata nga regjistrat e shtetit. Gjoja për t’u ardhur në ndihmë. Por ai 2 përqindësh taksë që do t’u hiqej për asgjë s’do t’u ndihmonte sipërmarrësve tanë të vegjël, mes halleve të pasojave të krizës botërore. Gjoja “shpëtimi” që duan t’ua shesin socialistët këtë lëvizje, është thjesht një lojë populiste për t’u marrë vota. Sipërmarrja e konsoliduar në Shqipëri nuk e dëshiron kurrsesi aventurën e sistemit progresiv tatimor, ku duan ta fusin vendin socialistët. Vetëm pak ditë më parë, Mark Crawfor, Presidenti i porsazgjedhur i Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë (institucion i biznesit që ka kurajon t’i thotë gjërat gjithnjë hapur), deklaroi se ndryshimi i formës së taksimit nuk është mënyra e duhur për të mbështetur biznesin në Shqipëri. “Që të mbështetet biznesi, nuk do të thotë të ndryshohet sistemi i taksave. E rëndësishme për ne është që të plotësohen hapësirat dhe boshllëqet që has biznesi sot”, – u shpreh ai. Ky qëndrim është një mohim i hapur i biznesit ndaj aventurës socialiste në ekonomi. Në këtë sektor jetik për shoqërinë shqiptare, rilindja rozë ka dështuar tërësisht me alternativat-aventura të saj. Nuk mund t’u premtosh shqiptarëve vende të reja pune nga fondet buxhetore, në një ekonomi të privatizuar në 86 për qind të saj. Zhvillimi do të vijë vetëm nga lënia e lirë e sipërmarrjes private dhe jo asfiksimi i saj. Dhe këtë nuk mund ta bëjë aleanca e pazareve, e cila që tani i ka zgjatur duart e saj të etura për pushtet drejt grykës së sipërmarrjes, për t’ia marrë frymën me taksa të larta. Mund të rrisësh disi taksat vetëm kur lulëzon ekonomia, kur eksportet dhe investimet e huaja janë në kulmin e tyre. Por jo në një gjendje të ekonomisë ku pasojat e krizës botërore financiare dhe ekonomike e kanë privuar shumë fort sipërmarrjen private. Me taksën progresive liria ekonomike në Shqipëri do të reduktohej dukshëm, sepse biznesi vetëm do të shihte të trukonte bilancet e tij tek nivelet e uëlta të taksave progresive, duke ju rikthyer një evazioni fiskal që tashmë është në nivelet minimale të tij të gjithë periudhës së tranzicionit. Rilindja e pretenduar rozë në ekonomi është vetëm shkatërrim i të gjitha vlerave të taksave të ulëta dhe lirisë së biznesit që këto vite na mësuan të vlerësojmë dhe që u përkthyen në rritje reale ekonomike. Këtë qytetarët shqiptarë mund ta shohin fare qartë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency