Fatura e PS-së Rama: Heqja e taksës së biznesit të vogël kushton rreth 30 milionë dollarë

0
1711

edi ramaGëzim Saliu

“Brenda mandatit të parë ndryshoj Tiranën, më shumë se kur isha kryebashkiak për 11 vjet. Nëse për katër vite nuk kam zgjidhur legalizimet, mos më votoni më as mua, as PS-në”

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zbardhur dje faturën financiare që do të përdoret nga buxheti i shtetit për të bërë të mundur premtimin e PS-së për heqjen e taksës së biznesit të vogël. Në një bashkëbisedim në njësinë nr. 9 në zonën e “Don Boskos”, i pyetur se si do ta heqë PS taksën e biznesit të vogël dhe se si ajo do ta kompensohet në buxhetin e shtetit, kryesocialisti bëri të ditur se fatura e kësaj nisme nuk është e papërballueshme. “Efekti nga buxheti për heqjen e taksës së biznesit të vogël nuk është i papërballueshëm. Është një shumë më pak se 30 milionë dollarë. Ndërsa arkëtimet së fundi janë 21-22 milionë dollarë. Kjo prek 400 mijë njerëz që përfitojnë nga kjo nismë e jona. Heqja e taksës së biznesit të vogël do të ndodhë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Nuk do ndalemi deri këtu, por do përgjysmojmë edhe tatimin mbi fitimin”, – tha Rama.

Premtimet

Në takimin me banorët e njësisë bashkiake nr. 9, kreu i PS-së premtoi se me ardhjen në pushtet të së majtës, kryeqyteti do të pësojë një ndryshim rrënjësor, madje, theksoi Rama, më të madh se gjatë 11 viteve kur ai ka drejtuar Bashkinë e Tiranës. “Jam krenar për atë që kam bërë për Tiranën, sikur të kishim pasur një qeveri kombëtare që pas 2003-shit do ishte mirë, por qeveria që kemi nuk na ka lënë rehat, jo më të na mbështeste. Me votën ndaj PS-së në Tiranë do ketë transformime më të mëdha se ato që kam bërë unë në 11 vjet. Ne e dimë shumë mirë se çfarë do bëjmë për Tiranën, e njoh në çdo pëllëmbë, ia di problemet me sy mbyllur e di çfarë duhet bërë për Tiranën, që të përfundojë me sukses të plotë transformimi i madh që ne nisëm. Vota e 23 qershorit do ta tregojë këtë”, – pohoi ai. Ndërkohë, në takimin e zhvilluar më herët me banorët e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, në njësinë bashkiake nr. 7, Rama premtoi përfundimin e çështjes së legalizimeve me ardhjen e socialistëve në pushtet. “Çështja e legalizimeve është një çështje kyçe në jetën e qyteteve të mëdha dhe në të gjitha zonat e Tiranës. Të ardhurat e akumuluara nga kursimet janë hedhur tek ajo shtëpi, mirëpo shtëpia nuk është vetëm strehë, por edhe kapital dhe sot ky kapital është i vdekur, ndërkohë që legalizimi që këtë proces e bën aktiv, pasi duke legalizuar shtëpinë dhe duke e kthyer në titull pronësie, jo siç janë ato letra që ka dhënë Saliu, legalizimi e vë në lëvizje kapitalin që është shtëpia, pasi shkon në bankë dhe kërkon kredi për të hapur një biznes apo për të mbjellë drurë frutorë dhe për të marrë të ardhura. Kështu dilet nga varfëria dhe papunësia del nga qorrsokaku nga fakti që ky kapital që e mban të vdekur. Por ky është edhe kapital kombëtar, pasi duke i vënë ato në lëvizje ato kthehen në të ardhura për shtetin. Do ta drejtoj personalisht dhe nis pas katër vitesh historia do përsëritet dhe unë do vij këtu dhe do jemi akoma në faza fillestare, unë solemnisht ju them mos më votoni më as mua, as PS-në”, – deklaroi kreu socialist. Gjithashtu, në këto takime, Rama akuzoi ashpër politikën e ndjekur nga mazhoranca qeverisëse, duke kritikuar kryesisht sistemin e arsimit dhe rendin publik. Rama e cilësoi skemën aktuale të universiteteve të njëjtë me atë të skemave piramidale të vitit 1997. “Ne nga njëra anë me shumë shpejtësi do fillojmë reformën e arsimit për t’i dhënë shumë më tepër fuqi arsimimit profesional, në funksion të kualifikimit të krahut të punës dhe nga ana tjetër do të hapim kurse trajnimi profesioni për të gjithë ata që kanë mbaruar shkollë dhe janë në rrugë dhe do ndryshojmë mënyrën se si bëhen rekrutimet ne universitet”, – bëri të ditur kreu i PS-së, Edi Rama.

 

Bregu: Rama, i vetmi që nuk komentoi votimin e tri ligjeve, tani bllokoi amnistinë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje se kryetari i PS-së, Edi Rama, ishte i vetmi që nuk u gëzua dhe as nuk komentoi miratimin tri ligjeve të integrimit në Kuvend. “Teksa shqiptarët, me hir a pahir, e hoqën makthin e bllokimit të tri ligjeve, edhe pse me kosto të madhe për ta dhe fëmijët e tyre, për bllokuesin dhe piromanin e ëndrrave të tyre, Edi Rama, duket se sindroma e bllokimit nuk ka si të marrë fund kaq shpejt. Aq e fortë është sindroma e bllokimit tek Edi Rama, saqë ai as nuk e përmendi fare me gojë votimin e tre ligjeve: nuk pati as edhe një cicërime, qoftë me dy rreshta”, – u shpreh Bregu. Sipas saj, sindroma e bllokimit të kryesocialistit vazhdoi përtej tri ligjeve, pasi theksoi Bregu, ai i detyroi deputetët e tij të bllokonin dhe të bojkotonin reformat e amnistisë fiskale. “Thënë troç, votimi i amnistisë fiskale do të rilindte ekonomikisht shumë njerëz përreth tij, të cilëve u dështoi plani për t’u pasuruar në mandatin e tij të katërt si kryetar bashkie. Aq patologjik e ka bllokimin, saqë harroi që vetë thotë se do të falë gjobat, por sërish nuk i lejoi deputetët ta bënin këtë. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk e shërojmë dot Edi Ramën nga sindroma e bllokimit, por ne e detyruam atë, edhe pse me vonesë, t’i votonte tri ligjet. Dita e djeshme ishte një fitore për të gjithë ne, për të gjithë qytetarët. Ky është momenti ynë. Ne kemi bërë hapin final për statusin kandidat dhe jemi një hap më pranë integrimit në BE dhe më pranë realizimit të ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve”, – deklaroi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

 

Lezhë

Këshilltarët e PS dhe PD: Kryebashkiaku Tushaj po jep leje ndërtimi në këmbim të votës

Këshilltarët e majtë dhe të djathtë në Këshillin Bashkiak të Lezhës akuzojnë kryebashkiakun Viktor Tushaj se po jep leje ndërtimi në favor të votës për Lëvizjen Socialiste për Integrim në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kreu i këtij këshilli, Agustin Marku, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste të rrethit Lezhë, ka denoncuar situatën, duke theksuar se kur ende nuk është miratuar Plani i Përgjithshëm Rregullues, janë dhënë leje ndërtime që po zaptojnë hapësirat publike. Kjo deklaratë e kreut të Këshillit Bashkiak është mbështetur edhe nga këshilltarët e tjerë të majtë dhe nga ata të djathtë. Në mungesë të përgjigjes nga bashkia, pasi kreu i kësaj njësie vendore nuk ishte i pranishëm në mbledhje, këshilltarët kanë kërkuar nga qytetarët që të ndërgjegjësohen dhe të jenë më të kujdesshëm, pasi, sipas tyre, paratë e taksapaguesve janë të rrezikuara.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency