Emigrantët në Itali Çek social edhe për të moshuarit që jetojnë në familje

0
2222

emigrantet_masivisht_e_braktisNjë i huaj i moshuar, titullar i një karte qëndrimi për bashkim familjar, pa të ardhura apo me të ardhura vjetore nën 5.749,90 euro, ka të drejtën e çekut social edhe nëse jeton në një familje që ka të ardhura më të larta se vetë çeku

 

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali, edhe pse jetojnë me të birin, që ka të ardhura, kanë të drejtën e çekut social. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ,“të ardhurat që duhen konsideruar për të njohur ose jo të drejtën e çekut social janë vetëm ato të personit që e kërkon këtë ndihmesë”. Një i huaj i moshuar, titullar i një karte qëndrimi për bashkim familjar, pa të ardhura apo me të ardhura vjetore nën 5.749,90 euro, ka të drejtën e çekut social edhe nëse jeton në një familje që ka të ardhura më të larta se vetë çeku.

Vendimi

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, “të ardhurat që duhen marrë në konsideratë janë ekskluzivisht ato të personit që kërkon çekun social”. Seksioni i Punës i Gjykatës së Lartë, me sentencën 13.576 ka hedhur poshtë ankimimin e INPS-it kundër vendimit të gjykatës së Diktimit të Milanos që në shtator 2007 i kishte dhënë të drejtë emigrantes Dnayat B. me kartë qëndrimi në Itali duke vendosur që ajo ka të drejtën e pensionit social pasi nuk ka asnjë lloj të ardhure.

Ankimim

INPS ka ngritur ankimim kundër këtij vendimi duke iu drejtuar gjykatës së Lartë. Sipas institutit të sigurimeve shoqërore, gruaja nuk ka të drejtën e pensionit social sepse jeton me familjen e të birit që i ka bërë bashkimin familjar, e që ka të ardhura për ta mbajtur nënën. Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë ankimimin e INPS-it, sepse bazohet në norma jo-juridike, dhe ka sqaruar që “të ardhurat e referimit janë ekskluzivisht ato të personit që kërkon çekun social, duke marrë në konsideratë edhe të ardhura të mundshme të bashkëshortit apo të ardhura të tjera (nga shtëpi apo prona të tjera – shënim i redaksisë) që në këtë rast nuk ekzistojnë”. Gjithsesi, shton gjykata e Lartë, është e qartë që e moshuara e huaj “nuk gëzon asnjë lloj të ardhure personale dhe mbahet falë bashkëjetesës me familjen e të birit”.

 

Basha

Fund diskriminimit, përpara në shërbimin të qytetarëve

Me një investim prej 18,6 milionë lekësh, përfundoi rikualifikimi urban i bllokut 61/1, që u shërben 5 mijë qytetarëve të zonës në njësinë nr. 4, ku janë realizuar rreth 2300 metra katrorë sipërfaqe me bar, në 14 sheshe me përmasa të ndryshme të shtrira gjatë gjithë bllokut. Kryebashkiaku Basha, i pranishëm në përfundimin e këtyre punimeve, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i ndryshimit që do të pësojë kjo njësi bashkiake. “Puna jonë sapo ka filluar dhe po ashtu dua t’u them banorëve të Tiranës, që rikualifikime të tilla, të buxhetuara për vitin 2013 anembanë qytetit të Tiranës janë plot 45. Me këtë ritëm dhe cilësi punimesh, do të ekzekutojmë rikualifikimet urbane dhe kthimin në zona të përshtatshme me standard evropian jetese, në të gjithë blloqet e Tiranës, pa asnjë diskriminim, duke lënë pas harresën dhe pasojat e neglizhencës së detyrave të Bashkisë dhe duke ecur përpara në shërbim ndaj qytetarëve dhe duke vendosur qytetarin e interesin e tij të parin”, – u shpreh Basha. Ndërkaq, është ndërtuar një fushë basketbolli, e ndriçuar me 8 copë projektorë në të katër anët e saj, si dhe dy kabina info-point. “Me ndihmën e minibashkisë, çdo banor i kësaj zone mund të marrë informacion përmes Internetit falas dhe mund të marrë edhe shërbime të Bashkisë së Tiranës që ofron online apo informacione të ndryshme që Bashkia dhe institucionet e tjera qendrore ofrojnë online. Po kështu, ne së shpejti në bashkëpunim me Albtelekomin dhe Eagle Mobile do të bëjmë të mundur që në dy prej këtyre pikave të ketë internet falas (wireless) për të rinjtë e zonës”, – theksoi Basha. Në këtë zonë janë mbjellë 843 copë shkurre dekorative dhe pemë. Në këtë bllok banimi janë vendosur 120 stola. Në të gjithë sheshet dhe rrugët janë vendosur 30 copë kosha për hedhjen e mbeturinave, janë realizuar edhe punime për ndriçimin e lulishteve dhe shesheve, ku janë vendosur 22 copë ndriçues.

 

Situata

Kosova: Shtohen rastet e të sëmurëve me astmë

 

Mjekët e familjes duhet të jenë të parët për evidentimin e sëmundjeve kronike, një nga të cilat është dhe ajo e astmës. Ata duhet të ndjekin sëmundshmërinë e popullatës duke i evidentuar pacientët kronikë derë më derë, ndërkohë që këta të fundit duhet të ndërgjegjësohen për të ndjekur këshillat dhe trajtimet që japin mjekët. Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, theksoi sot rëndësinë që ka mirëmenaxhimi i sëmundjeve kronike, të cilat dëmtojnë cilësinë e jetës së pacientëve dhe ndikojnë në shkurtimin e jetës së tyre. Ministri Kosova theksoi gjithashtu rëndësinë që ka mjeku i familjes në diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. “Astma, që po prek gjithmonë e më shumë njerëz, ka pjesën e saj gjenetike, por dhe faktorët ambientalë që ndikojnë në rëndimin apo lehtësimin e sëmundjes”, – theksoi më tej Kosova. Kreu i Shëndetësisë kërkoi ndjekjen e politikave lehtësuese në mbulimin me medikamente ndaj të sëmurëve kronikë, të cilat janë të shumtë në numër në vendin tonë.  Ai vuri në dukje se qeveria ka rimbursuar pompa apo preparate për këta të sëmurë, duke theksuar: “Bashkëpunimi ynë i përbashkët do të bëjë që këta pacientë të kenë trajtime dhe mjekime bashkëkohore apo që një person me astmë në Shqipëri të ketë atë trajtim që ka çdo qytetar në Bashkimin Evropian”. Shoqata Shqiptare e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike ka përpiluar protokolle te detajuara, duke u bazuar në udhërrëfyes ndërkombëtarë të përshtatura për Shqipërinë që në vitin 2005, të cilat janë përditësuar çdo vit me të rejat e fundit, bëri të ditur Alfred Priftanji, President i kësaj shoqate. OBSH rendit astmën në vendin e 6-të, duke u bërë kështu një barrë për individin, për familjen dhe ekonominë e vendit. Astma alergjike është forma më e zakonshme. Ndërkohë, sipas profesor Alfred Priftanjit vihet re një rritje me katër fish i numrit të të prekurve veçanërisht në moshat pediatrike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency