Bashkëbisedimi Meta: Rritja e tatim-fitimit, mesazh që dekurajon investitorët e huaj

0
1464

Gëzim Saliu

ilir-meta2“Taksat janë një instrument, që shteti, që qeveria e përdor në funksion të objektivave të politikave ekonomike dhe sociale që ka. Kjo është përqasja jonë, kjo është pragmatiste, është e mirëfilltë “bleriste”

 

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilëson si të domosdoshëm implementimin e një modeli të ri ekonomik në vend, por pa ndryshimin e sistemit të taksave. Në një bashkëbisedim me studentët, Meta tha se rritja e tatim-fitimit ndikon në uljen e investimeve të huaja në vend. “Do të ishte gjëja më e lehtë që ne të rrisnim tatimin e fitimit, por në kushtet kur vendet e tjera të rajonit e kanë pak a shumë sa ne tatim-fitimin, Mali i Zi ndoshta e ka ulur më shumë, atëherë për të gjithë investitorët ky do të ishte një mesazh jo shumë kurajues. Por ne nuk është se thjesht kemi hallin e investitorëve sepse investitori është një, por një investitor ka në punë, 100, 500, 700 ka edhe nga ata që kanë 1 mijë apo 2 mijë punëtorë apo punëtore sikurse është rasti i biznesit fason. Atëherë kush është interesi i shtetit? Kush është interesi i shoqërisë? Ndaj duhet një pragmatizëm dhe një realizëm sepse ka përfunduar koha kur politikat sociale apo rishpërndarja bëhet thjesht vetëm përmes taksave”, – deklaroi kreu i LSI-së.

 

Programi

Sipas Metës, LSI ka një plan konkret për të ardhmen e vendit, i cili mbështetet pikësëpari në integrimin e suksesshëm ekonomik. Ai tha se dy pikat kyçe të programit të LSI-së janë punësimi dhe arsimi. “Platforma jonë ekonomie dhe sociale synon pikërisht garantimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm. Pra, kalimi nga një ekonomi konsumi, që ka qenë treguesi kryesor i modelit tonë gjatë këtyre 20 viteve, të financuar kryesisht nga të ardhurat e emigrantëve, në një ekonomi prodhimi, në një ekonomi eksportesh, që do të jenë edhe baza e kompensimit të financimit të ekonomisë në vend nga mungesat që vijnë gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e emigrantëve tanë”, – pohoi kreu i LSI-së. Më tej, ai bëri të ditur se politika e taksave është shumë e rëndësishme, por nuk është qëllim në vetvete. Për Metën, politika e taksave është në funksion të objektivave ekonomike të politikave ekonomike që ka vendi. “Për ne është e rëndësishme të ruhen dhe të përmirësohen avantazhet konkurruese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit, më vendet fqinje në mënyrë të veçantë. Së dyti është shumë e rëndësishme që e gjithë politika e taksave të synojë në rritjen e punësimit, sidomos në punësimin e të rinjve dhe të rejave. Politika e taksave nuk është një qëllim. Taksat janë një instrument, që shteti, që qeveria e përdor në funksion të objektivave të politikave ekonomike dhe sociale që ka. Kjo është përqasja jonë, kjo është pragmatiste, është e mirëfilltë “bleriste”, por kjo ka rezultuar si rruga më efikase për t’iu përshtatur kohëve të reja, globalizimit dhe të modernizimit të shoqërisë”, – theksoi lidershipi i LSI-së. Ndërkohë i pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nëse e majta do të humbasë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, Meta u përgjigj duke pohuar: “LSI nga një parti që ishte në pushtet u krijua si një parti në opozitë. Pra, lindi në opozitë. Ndonjëherë më duket se në opozitë funksionon edhe më mirë. Sa i përket pyetjes suaj, e para duhet të jenë të qetë, pasi do të jetë një fitore bindëse e opozitës dhe forcave të majta. Por, megjithatë në respekt të demokracisë, duhet t’i përgjigjem edhe variantit tjetër. Ne kemi bërë një koalicion para elektoral, që do të thotë se me këtë mënyrë jemi përcaktuar edhe për koalicionin pas zgjedhor, që do të thotë se nuk do të ishte e moralshme, nuk do të ishte e pranueshme dhe nuk ka përse të ndodhë se në rast se ky koalicion nuk fiton, LSI-a të bashkohet me një koalicion tjetër”.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency