Moore: Nuk ka asnjë përplasje mes qeverisë së Shqipërisë dhe SHBA-së

0
146

Florenc Drizari

mooreVizita në Shqipëri e drejtorit për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore

Më pozitive do të ishte 

KQZ me plot 7 anëtarë

Do të monitorojmë situatën
parazgjedhore në vend

 

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, gjatë një takimi me gazetarët që zhvilloi dje në ambientet e Ambasadës Amerikane, deklaroi se “nuk ka asnjë përplasje mes qeverisë së Tiranës dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara”. Të pranishëm në këtë takim ishin gazetarë të njohur në vend si dhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Alexander Arvizu. Edhe pse bashkëbisedimi i Jonathan Moore me gazetarët nuk u filmua, përfaqësuesit dhe mediat ishin të lirë të shprehnin mendimet e tyre lidhur me këtë takim. “Nuk jemi në kurs përplasjeje me Shqipërinë. Do të jemi në kurs përplasjeje nëse do të ketë dhunë pas zgjedhjeve”, – ishte një pjesë e qëndrimit që zyrtari i lartë i DASH-it bëri pas disa aludimeve në media lidhur me deklaratën e ambasadorit Arivizu për marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë.

JONATHAN MOORE

Më herët drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit gjatë një takimi që zhvilloi në Durrës me drejtues të pushtetit lokal, deklaroi se lidhur me situatën parazgjedhore në vendin tonë, SHBA do të monitorojë procesin parazgjedhor. I pyetur për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Moore bëri thirrje që ajo të plotësohet, ndërsa shtoi se ka edhe institucione të tjera që mund të bëjnë vlerësimin e zgjedhjeve.

“Situata më pozitive do të ishte që KQZ të ishte plot me 7 anëtarë, shpresojmë që kjo do të ndodhë, janë vetëm 4 anëtarë aktivë, kjo mund të zgjidhet shpejt, ose mund të mos zgjidhet. SHBA do t’i japë vëmendje të shtuar të gjithë procesit të zgjedhjeve, do monitorojmë edhe situatën parazgjedhore. Por dua të them se ka edhe institucione të tjera me rëndësi si Kolegji Zgjedhor, që mund të vlerësojë procesin e zgjedhjeve. Ne duam që votuesit të kenë besim të plotë tek institucionet që merren me menaxhimin e zgjedhjeve”, – deklaroi Jonathan Moore.

Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, programoi edhe një takim me prefektin e qarkut, Genc Juka.

Në bashkinë e qytetit bregdetar, Moore u prit nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Zyrtari i lartë i DASH tha se vjen përsëri në Durrës pas 20 vitesh, duke shtuar se për amerikanët pas kryeqytetit porti më i madh i vendit konsiderohet pasqyrë e zhvillimeve ekonomike në një vend. Pas këtij takimi ai iu përgjigj interesit të mediave në lidhje me situatën parazgjedhore.

“Pata kënaqësi të vizitoja Durrësin, për t’u njohur me projektet e bashkisë. Kam respekt të madh për kryetarët e bashkive, pasi përballen me problemet e njerëzve çdo ditë. Në takimin me kryebashkiakun Dako folëm edhe për zgjedhjet. I shpreha Dakos planet tona mbi zgjedhjet, mbi faktin që ato janë mjaft të rëndësishme”, – deklaroi Jonathan Moore.

 

 

Zgjedhjet, Stano: Klasa politike shqiptare të gjejë zgjidhje për situatën në KQZ

Komisioni Evropian i konsideron zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të një rëndësie vendimtare, ndërsa pret që ato të jenë janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim në BE, Peter Stano, deklaroi dje se zgjedhjet e qershorit do të jenë një test për funksionimin normal të institucioneve demokratike të vendit dhe progresin në rrugën e Bashkimit Evropian. “Të gjitha partitë politike janë përgjegjës për garantimin e pavarësisë së organeve të administratës zgjedhore. Kjo është thelbësore për kredibilitetin dhe paanshmërinë e punës së tyre dhe besimit të njerëzve në ndershmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Populli shqiptar e meriton këtë. Për më tepër, një dialog i sinqertë dhe konstruktiv mes të gjitha partive politike është vendimtar në kontekstin e procesit zgjedhor, në dritën e zhvillimeve të fundit”, – tha ai.

Sipas zëdhënësit të komisionerit për Zgjerim në BE klasa politike në Shqipëri duhet te gjejë një konsensus për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe situatën e KQZ-së.

“Mesazhi mbi nevojën për të rinovuar konsensus politik mbi procesin zgjedhor mbetet e vlefshme pasi çdo përpjekje duhet bërë për të siguruar mbajtjen e qetë të zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë procesin, duke përfshirë KQZ. Megjithatë, ndonjë zgjidhje për ta përmirësuar situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të duhet të vijë nga pala shqiptare”, – deklaroi Stano.

Në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat, Peter Stano tha se konkluzionet e Këshillit në dhjetor janë të qartë në atë që Shqipëria ka nevojë të bëjë. “Përfundimi i masave kryesore në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimi i rregullave të procedurës parlamentare janë një kusht për një vendim për dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë. Për më tepër, Këshilli ftoi Komisionin për të marrë parasysh në raportin e saj të ardhshëm veprim të mëtejshëm të marra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë edhe nga hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla”, – deklaroi ai në një intervistë për “Ora News”.

Edhe zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijancic, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë shqiptarë në Bruksel tha se zgjedhjet e 23 qershorit duhet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare.

Dhe për zgjedhje me standarde, Kocijancic thekson rëndësinë që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE, Maja Kocijancic, veçoi se klima politike mbetet e polarizuar dhe është e nevojshme që liderët politikë të bashkëpunojnë pasi dialogu politik është thelbësor në përparimin e vendit. Reformat nuk janë të lehta, u shpreh Kocijancic, por janë të arritshme.

 

Kukan: Zgjedhjet e 23 qershorit, sfidë për Shqipërinë

Ecuria e procesit paraelektoral në Shqipëri vazhdon të jetë në fokusin e Brukselit zyrtar dhe Bashkimit Evropian.
Eurodeputeti Eduard Kukan gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë, deklaroi se këto zgjedhje paraqesin një sfidë të vërtetë për Shqipërinë dhe se me shumë rëndësi mbetet organizimi e zgjedhjeve në tërësi si dhe fushata zgjedhore. Një aspekt i rëndësishëm që Kukan e theksoi ishte respektimi i ligjit dhe gjithë atij procesi zgjedhor që nuk ka të bëjë vetëm me fushatën zgjedhor, por dhe me procesin e numërimit të votave. Kukan e vuri theksin dhe në bashkëpunimin mes forcave politike mes PS dhe mazhorancës dhe forcat e të tjera politike që sipas tij duhet të bashkëpunojnë me qëllim që palët të mos e kundërshtojnë dhe të kenë kontestime, por të njohin rezultatin zgjedhor kushdo qoftë ai. Kukan vuri theksin dhe në mospërsëritjen e gabimeve që kanë ndodhur në procese të tjera elektorale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency