Përçahet e majta në Gjirokastër Vangjel Tavo: PS po bën pazar me PD-në kundër nesh, kemi filmime që e provojnë

0
118

Gëzim Saliu

tavoTavo: PS dhe PD duan që rezultati në Gjirokastër të dalë 3 me 2, Rama të reagojë

 

Thellohet debati brenda së majtës, pas qëndrimeve të kundërta të PS-së dhe LSI-së për kryeministrin e ardhshëm të vendit. Kandidati i parë në listën e LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, deklaroi dje se individë të caktuar, pjesë e strukturave të PS-së, janë përfshirë në pazare politike me përfaqësuesit e PD-së, me qëllim, sipas tij, eliminimin e forcës së drejtuar nga Ilir Meta në këtë qark. Duke bërë të ditur se zotëron pamje filmike të bashkëpunimit politik mes PS-së dhe PD-së në Gjirokastër, Tavo theksoi se ditët e fundit eksponentë të PS-së dhe PD-së janë takuar në Tepelenë dhe Dropull në mënyrë të fshehtë. Sipas tij, ata kanë rënë dakord që LSI të mos marrë asnjë mandat në këtë qark. “Në disponojmë për këto afera edhe materiale publike. LSI do të vijojë të punojë për elektoratin e tij, pasi kjo është një force në koalicion dhe pretendimi është fitorja e së majtës. Në këto veprime ne vëmë re dhe marrim përgjigje lidhur edhe me zgjedhjet e 2009-ës, ku votat e së majtës janë shitur fshehtas në Pallatin e Sportit, në ndihmë të kandidatit të Partisë Demokratike”, – deklaroi Tavo.

 

Deklarata

Sipas numrit një të listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, pazari politik mes PS-së dhe PD-së synon që rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë 3 mandate për socialistët dhe 2 për demokratët. “Ky pazar, – theksoi Tavo, – është bërë për të vjedhur votat kundrejt LSI-së, në favor të PD-së. Për këtë arsye ne do të bëjmë publike takimet edhe pazaret e fshehta dhe presim për të gjithë denoncimet, reagimin e lidershipit të PS-së, Edi Rama”, – pohoi ai. Më tej, Tavo nënvizoi në deklaratën e tij se Lëvizja Socialiste për Integrim, si pjesë e koalicionit “Shqipëria Evropiane”, do të vazhdojë të punojë për fitoren e së majtës në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Krahas kësaj çështjeje, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë përfshirë së fundmi në një debat mes tyre lidhur me faktin se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. I nisur nga deklarata e deputetit Nasip Naço në Berat, i cili pohoi se kryeministri i ardhshëm dhe lideri i së majtës do të jetë Ilir Meta, debati është thelluar edhe më shumë me kundërpërgjigjen e përfaqësuesve të PS-së. Këta të fundit, pavarësisht se kanë mohuar kundërshtitë, kanë pohuar me siguri se pas 23 qershorit, në krye të qeverisë do të jetë lidershipi i PS-së, Edi Rama. Ndërkohë, ky i fundit është munduar të qetësojë situatën mes palëve, duke deklaruar se çështja e kryeministrit të ardhshëm varet tërësisht nga Kushtetuta e vendit dhe vota e popullit më 23 qershor. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ftuar dy ditë më parë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, e la të hapur debatin për këtë çështje, duke deklaruar se nuk ka asnjë marrëveshje me Ramën se cili do të jetë kreu i qeverisë së ardhshme, në rast se e majta fiton këto zgjedhje. “Nuk kemi hyrë në çështje konkrete. Por unë mendoj se çdo çështje ka të bëjë me respektin për votën e qytetarëve shqiptarë dhe në përputhje me rregullat e demokracisë, ka Kushtetutë dhe votë. Qeveria nuk ka nevojë të ketë dy kryeministra, sepse nuk ekziston asnjë arsye për këtë gjë. Ne mendojmë se qeveria pas 23 qershorit do të jetë një qeveri e përbashkët e të gjithë opozitës së sotme, ndoshta duke i shtuar edhe elementë të tjerë”, – tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

 

 

Takim me biznesin fason

Meta: LSI do të shumëfishojë aktivitetet punëdhënëse

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka premtuar dje se LSI do të angazhohet për mundësuar shumëfishimin e aktiviteteve punëdhënëse me synim rritjen e eksporteve të mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera. Në vizitën e zhvilluar në një fabrikë ku prodhohen këpucë në Fier, Meta e vuri theksin te përpjekjet që duhen bërë për të nxitur biznesin dhe për të ndihmuar hapjen e vendeve të reja si prioritet kryesor në programin e LSI-së. “Për LSI është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë dhe në radhë të parë gratë dhe vajzat e Shqipërisë prandaj edhe në të ardhmen do të jetë një prioritet i yni jashtëzakonisht i rëndësishëm mbështetje e biznesit fason, që është biznesi më i madh punëdhënës sot në Shqipërisë, sidomos për gratë dhe vajzat. LSI është e bindur se me një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë së ardhshme jo vetëm do të ruhen vendet e punës, por do të mund të shumëfishohen, duke u zgjeruar këto aktivitete, duke realizuar cikli i plotë i këtyre aktiviteteve në vend dhe në mënyrë në veçantë duke rritur eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe në radhë të parë drejt vendeve të BE-së”, – theksoi Meta. Më tej, lideri i LSI-së shprehu angazhimin për të ndihmuar financiarisht biznesin fason me grante dhe me kredi me norma të ulëta interesi, veçanërisht për ato biznese që shtojnë më shumë vende të reja pune. “Në këtë drejtim ne jemi të angazhuar për të ndihmuar sidomos në financimin e biznesit fason në ristrukturimin më afatgjatë të kredive që ka ky biznes. Njëkohësisht në mbështetje me grantet dhe me kreditë deri në 3% për këtë biznes, sidomos për atë që shton më shumë vende të reja pune, për të subvencionuar një pjesë të pagës për të gjithë ato gra dhe vajza të cilat fillojnë për herë të parë punën në këtë biznes derisa të arrijnë eksperiencën dhe formimin e duhur profesional në mënyrë që të lehtësojmë kostot e punëdhënësve dhe t’i nxisim ata për të hapur vende të reja pune”, – u shpreh Meta.

 

 

 

Prezanton kandidatët në Elbasan

Topi: Parlamenti, me 100 deputetë

Fryma e Re Demokratike prezantoi dje kandidatët e saj në qarkun e Elbasanit, ku kreu i kësaj force, Bamir Topi, tha se duhet zvogëluar numri i deputetëve në Kuvend, nga 140 në 100.

Në takimin e zhvilluar në sallën e teatrit “Skampa”, kreu i FRD-së bëri thirrje për një pjesëmarrje masive në votime më 23 qershor, për të shmangur, siç tha ai, manipulimin e votës. “Parlamenti sot është i kapur nga Kryeministri dhe një mazhorancë që ka humbur integritetin dhe që po drejton në ditët e fundit para ikjes nga pushteti, pas votës së popullit më 23 qershor. Fryma e Re Demokratike është shtëpia e vërtetë e demokratëve shqiptarë, kështu që nga kjo sallë këtu në Elbasan u bëj edhe një herë thirrje të gjithë demokratëve të thjeshtë, demokratëve të ndershëm të Elbasanit, ejani tek FRD, sepse këtu është formacioni i vërtetë i djathtë”, – deklaroi Topi. Më tej, ai theksoi se kjo forcë ka në programin e saj mbështetjen për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët, dy shtresat sociale që sipas Topit, duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre pas 23 vitesh zvarritje.

 

Vizat me SHBA-në

Zyrtarja e DASH, Finan: Mirëpresim Shqipërinë në këtë përpjekje, mbështetje nga Kongresi

“Presidenti Obama na ka urdhëruar për të ndërtuar me të gjithë kapacitetin tonë, të gjitha burimet dhe të përmirësojmë aplikimin e vizave dhe procesin e hyrjes për vizitorët nga e gjithë bota”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në përpjekjen e saj për të liberalizuar vizat me këtë shtet. Në një intervistë për “Bota sot” me gazetarin Beqir Sina, Elizabeth A. Finan, zyrtarja nga Byroja e Çështjeve Publike dhe Çështjeve Konsullore në Departamentin Amerikan të Shtetit, pohoi se Presidenti i SHBA-së ka urdhëruar një program të ri për vizat. “Ne e mirëpresim edhe Shqipërinë në këtë përpjekje të saj dhe se si ata do të punojnë me Kongresin drejt arritjes së këtij qëllimi. Në janar të vitit 2012, Presidenti Obama na ka urdhëruar për të ndërtuar me të gjithë kapacitetin tonë, të gjitha burimet dhe të përmirësojmë aplikimin e vizave dhe procesin e hyrjes për vizitorët nga e gjithë bota. Ne jemi krenarë se Departamenti i Shtetit ka luajtur një rol kyç në lehtësimin e vizave për qytetarët e mbarë botës në udhëtimin e tyre drejt SHBA-së, ku për përafërsisht një e treta e udhëtarëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara, e që çdo vit kërkojnë vizë e kanë marrë një të këtillë”, – tha zyrtarja e DASH. Ndërkohë, pyetjes së gazetarit se si mundet një Shqipëri me një kërkesë të marrë mbështetjen amerikane për vizat afatgjata, me shumë hyrje e dalje të vizave për qytetarët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara ajo tha: “Aktualisht, shqiptarët që vijnë në SHBA për biznes ose turizëm po marrin viza me shumë hyrje që janë të vlefshme për një vit. Dëshiroj të theksoj se në vitin 2012, ne kemi lëshuar më shumë se 5200 B1/B2 viza për qytetarët shqiptarë”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency