Kombëtarja fillon grumbullimin

0
138

Altin Vorpsi

kombetarjaDe Biazi “numëron” të ardhurit e parë

Vullnet Basha, Ilir Abrashi apo Ergys Kaçe mund të afrohen në ditët në vazhdim

 

Vetëm një ditë pasi shpalli listën e parë të “të ftuarve” për sfidën përballë Norvegjisë, Xhani de Biazi ka filluar që të “numërojë” të ardhurit e parë. Ashtu siç tha edhe vetë numri një i pankinës së Shqipërisë, lista e publikuar nuk është ajo përfundimtare. Kështu, deri më 7 qershor, datën kur luhet sfida e madhe, priten të tjerë të grumbulluar.

 

“Shqiptarët” janë gati

Futbollistëve të kampionatit shqiptar, Arapi, Osmani, Lilaj si dhe Çani e Jurgen Gjasula, që prej ditësh janë vënë nën urdhrat e përgatitësit atletik, iu bashkuan dje në mesditë Shehi, Teli, Agolli, Bogdani, Bulku, Vajushi e prurja më e re, Azdren Llukaku. Në seancën e parë stërvitore që u zhvillua në orët e pasdites, grupi ishte më i kompletuar, ku binte në sy mungesa e portierit Etrit Berisha, i cili këtë të mërkurë ka qenë i impenjuar në kampionatin suedez me Kalmarin.

 

Jo vetëm 18

Në ditët në vijim, listës paraprake me 18 emra, pritet t’i shtohen edhe disa elementë të tjerë, kryesisht lojtarë që do të grumbullohen për herë të parë me Shqipërinë, si Vullnet Basha, Ilir Abrashi apo Ergys Kaçe. Mungesa e tyre në ditët e para të stërvitjes lidhet me vonesat procedurale të pajisjes me pasaportë shqiptare.

 

Kriteret dhe mungesat

Xhani de Biazi pritet të grumbullojë edhe emra të tjerë, në varësi të formës fizike të futbollistëve që ka në dispozicion. Për sfidën me Norvegjinë tekniku italian është i detyruar të bëjë disa ndryshime në formacion, për shkak të mungesave për arsye pezullimi dhe dëmtimi. Lorik Cana, Odise Roshi dhe Andi Lila kanë nuk mund të luajnë ndaj nordikëve për arsye kartonësh, ndërsa Alban Meha vetëm pak javë më parë pësoi një dëmtim të rëndë, që do ta mbajë larg fushave të futbollit për një kohë të gjatë.

 

 

Rikthimi i Telit

Rikthehet pas shumë kohësh në kombëtare, kjo edhe për shkak të mungesave në mbrojtje, por sipas informacioneve, Admir Teli nuk është në formën e tij më të mirë. Lojtari ka qenë i dëmtuar në kavilje dhe në ndeshjet e fundit me Karabakun, edhe pse është aktivizuar, nuk ka qenë në 100-përqindëshin e tij. Gjithsesi, burime pranë lojtarit dhe ekipit përfaqësues bëjnë me dije se Teli do të jetë në grumbullimin kuqezi dhe, për momentin, nuk rrezikon edhe aktivizimin në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Gjithsesi, ecuria e formës së tij do të shikohet më mirë gjatë seancave stërvitore të kësaj jave dhe, më pas, do të vendoset nëse do të luajë në këtë përballje apo jo. Përveç Telit, i cili pritet të zërë vendin e Canës (i pezulluar), po për këtë pozicion De Biazi ka në dispozicion edhe Tefik Osmanin, si dhe Ilir Berishën.

 

 

Shpresat

Gega është optimist

Trajneri i përfaqësueses së shpresave, Skënder Gega, i pret me optimizëm eliminatoret e Evropianit 2015, edhe pse kuqezinjtë 21-vjeçarë janë shortuar në një grup të vështirë së bashku me Spanjën, Austrinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Hungarinë. 49-vjeçari, pasi publikoi listën e të grumbulluarve, theksoi se është punuar shumë për të ndërtuar një grup të fortë për të rivalizuar denjësisht në këto eliminatore. Gega kërkon mbështetjen e tifozerisë në takimin e parë me Hungarinë, që do të zhvillohet në “Niko Dovana” në të njëjtën ditë kur kombëtarja e De Biazit do të përballet me Norvegjinë. 49-vjeçari ka një këshillë për të gjithë ata të rinj, që janë në dilemë për të luajtur me Shqipërinë apo me përfaqësueset e vendeve evropiane ku janë formuar si futbollistë. Pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare, sipas trajnerit të Shpresës, do të jetë një eksperiencë shumë e vlefshme për futbollistët e rinj për t’u konfirmuar me ekipet e moshave.

 

Bullgari

Shpërthen skandali i trukimeve

Fenomeni i trukimit të ndeshjeve ka prekur dhe kampionatin bullgar. Federata e Futbollit i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë të nisë hetimet për 7 ndeshje të cilat dyshohen se janë trukuar, veçanërisht sfidën mes Lokomotivit të Sofias e CSKA Sofias që përfundoi me rezultatin 2-1, ku skuadra e Emil Velev siguroi mbijetesën. Skuadra e Lokomotivit rrezikonte të binte në kategorinë e dytë pas 61 vitesh.

 

Gjyqi

Vrasësit e arbitrit janë para drejtësisë

Tetë persona u paraqitën dje në gjykatën e qytetit holandez të Lelistadit, me akuzën e vrasjes së një vijërojtësi, pas një ndeshjeje futbolli mes të rinjsh. 41-vjeçari Riçard Nieuvenhuizen, baba i tre fëmijëve, u vra brutalisht në një pritë që iu bë në dalje të stadiumit në datën 2 dhjetor 2012. Shtatë adoleshentë dhe babai i njërit prej futbollistëve u arrestuan, si përgjegjës për vdekjen, e shkaktuar nga plagët e marra gjatë rrahjes. Në gjyq nuk do të debatohet për përgjegjësinë e të pandehurve, të cilët kanë pranuar se rrahën gjyqtarin, por sipas mbrojtjes, ishin disa kushte shëndetësore të viktimës, ato që shkaktuan vdekjen. Ndërsa akuza argumenton se rrahja i shkaktoi vijërojtësit çarjen e aortës, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme nga një hemorragji e brendshme e papërmbajtshme, një mjek ligjor i pajtuar nga mbrojtja argumenton se i ndjeri vuante nga një sëmundje të rrallë, që shkakton çarjen spontane të aortës. Sidoqoftë, gjyqi i tetë të pandehurve ka fituar një vëmendje të madhe mediatike në Holandë, pasi kjo ngjarje është ajo që ilustron më mirë episodet e dhunës në futbollin holandez.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency