Cërrik, vritet në oborr të shkollës i mituri, autori i sëmurë mendor

0
204

Elton Qyno

sulm me thikPolicia arreston 16-vjeçarin Eri Fejzo. Ngjarja, pas lojës me letra në lokalin ngjitur me shkollën

Panik në shkollë, braktisen orët e mësimit pas njoftimit të vrasjes së nxënësit V. Roci

 

Sërish një tjetër krim është shënuar në ambientet e shkollave, ku këtë herë viktima e radhës është bërë një nxënës 15-vjeçar që studionte në shkollën “7 Marsi” në Cërrik. Viktima V. Roci është sulmuar me thikë nga një 16-vjeçar i quajtur Eri Fejzo dhe që njihet në zonën e Fermës në Cërrik si person me probleme mendore. Shkak i këtij sulmi sipas burimeve të policisë së Elbasanit, ka qenë një konflikt i ardhur nga një lojë me letra, ndërkohë që dëshmitarët tregojnë se motivi kryesor ka qenë një sherr mes dy adoleshentëve për një vajzë të shkollës “7 Marsi”. Krimi i rëndë është shënuar në orët e para të mësimit, ndërkohë që viktima, nxënës i klasës së 9-të, nuk kishte pranuar të shkonte në mësim, por ka qëndruar jashtë. Pikërisht gjatë kësaj kohe, V. Roci ka qëndruar nën shoqërinë e 16-vjeçarit me probleme mendore në një lokal fare pranë shkollës dhe pikërisht aty së bashku kanë filluar të luajnë me letra. Pasi kanë qëndruar për disa minuta, mes dy lojtarëve ka lindur një sherr me fjalë dhe më pas ata janë konfliktuar fizikisht. Shumë shpejt Eri Fejzo ka nxjerrë një thikë nga trupi dhe e ka qëlluar disa herë në gjoks 15-vjeçarin, duke bërë që ky i fundit të rrëzohet në tokë, i mbytur në gjak. Ka qenë pronari i lokalit ai që i ka dhënë ndihmën e parë të miturit duke e transportuar në spital, ndërkohë që ende pa shkuar në sallën e operacionit, i mituri V. Roci ka gjetur vdekjen. Policia e Cërrikut ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, ku dhe ka bërë arrestimin e autorit të krimit, dhe se aktualisht ndaj tij është ngritur akuza e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të ftohta”.

Panik në shkollë

Ngjarja ka tronditur thellë nxënësit e shkollës “7 Marsi” dhe prindërit e tyre. Pasi kanë mësuar se çfarë ka ndodhur të gjithë prindërit kanë nxituar për në shkollë për të shoqëruar fëmijët e tyre. Familjarët shprehen duke akuzuar drejtorinë e shkollës që nuk merr masa e nevojshme, për moslënien e nxënësve jashtë dhe se roja i shkollës nuk kryen detyrën siç duhet, pasi shpeshherë ai ndërrohet dhe në shumë raste shkolla përfundon pa një rroje tek shkolla. Familjarët shtojnë se i dërgojnë fëmijët në shkollë për të mësuar dhe të jenë më të sigurt dhe jo të përfshihen në ngjarje të tilla, kriminale. Ndërkohë shokët dhe shoqet e djemve shprehen se autori i krimit, Eri Fejzo, ishte një djalë problematik që edhe herë të tjera kishte provokuar konflikte e mbante thikë me vete. Denisa Abazi, shoqja e V. Rocit tregon se ai ishte një djalë mjaft i rregullt dhe se edhe disa ditë më parë ishin grindur me fjalë mes tyre për shkak të një vajze. Ndërsa në çastin e krimit ata kanë qenë duke luajtur me letra pranë lokalit ngjitur me shkollën. Ajo shprehet se viktimës nuk i është dhënë ndihma e parë. Policia ka ndaluar 16-vjeçarin Eri Fejzo dhe ka shoqëruar për në komisariat dëshmitarë okularë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Mësohet se dy të rinjtë janë nga familje me prindër të divorcuar. Duket se mungesa e kujdesit familjar ka çuar në sjelljen problematike të dy fëmijëve që u bënë protagonistë të krimit të rëndë të ndodhur pranë shkollës 7 Marsi në zonën e fermës në Cërrik. Viktima kishte edhe 5 vëllezër e motra të tjerë dhe prej shumë kohësh jetonte me gjyshërit.

Dëshmia e autorit

16-vjeçari ka qenë në gjendje shoku, gjatë momentit të marrjes në pyetje. Për rreth një orë ai ka qenë i paaftë të flasë përpara policisë, kjo për shkak të emocioneve dhe frikës që kishte pësuar, pas izolimit në dhomat e komisariatit të Elbasanit. Pas mbërritjes së një psikologu, ai ka filluar të flasë duke treguar me detaje rreth asaj që kishte ndodhur mes tyre. Sipas tij, me viktimën ka pasur dhe konflikte të mëparshme për një vajzë, por që ditën e krimit ata kanë qenë duke luajtur me letra, dhe se pikërisht një gjë e tillë kishte ndikuar për sherrin mes tyre. 16-vjeçari ka shtuar se është provokuar dhe ofenduar rëndë, nga shoku i tij dhe në gjaknxehtësi e sipër ai ka pranuar se e ka qëlluar disa herë me thikë 15-vjeçarin. Pas rrëzimit në tokë dhe daljes së gjakut në sipërfaqe autori ka rrëfyer se është larguar me vrap, jo për ti shpëtuar policisë, por nga frika se mos e keqtrajtonin personat e tjerë.

 

Nuk identifikohet makina nga erdhi breshëria

Vrasja e Tafaruçit, policia në

“mjegull”, asnjë person i dyshuar

Vazhdon të qëndrojë në “mjegull” ngjarja e vrasjes së 33-vjeçarit Ervis Tafaruçit “Qarri”, duke mos pasur asnjë person të dyshuar. Policia e Durrësit por edhe ajo e Tiranës, janë duke kryer hetime më tepër për të zbuluar lidhjet dhe konfliktet e viktimës në të kaluarën, se sa në zbulimin e provave dhe dëshmive që do të ndihmon në zbardhjen e identitetit të pronarit të makinës prej nga erdhën dhe breshëritë e automatikut, që i morën jetën Ervis Tafaruçit, person ky me precedentë të mëparshëm penalë. Nga dëshmitarë okularë, një automjet tip fuoristrade në ngjyrë të zezë i është afruar me shpejtësi mjetit të drejtuar nga Qarri, që sipas burimeve policore lëvizte me dokumente të falsifikuara dhe një person ka qëlluar mbi automjet me breshëri automatiku, në krahun e drejtuesit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Plepa-Kavajë, në afërsi të Malit të Robit. Viktima është qëlluar katër herë me armë zjarri e llojit automatik nga persona ende të paidentifikuar. Të paktën dy persona të cilët po udhëtonin me automjetin nga i cili u qëllua viktima dyshohet se e kanë ndjekur atë, teksa lëvizte drejt Kavajës me mjetin tip “Audi” me targë AA 933GE. Në ndihmë të efektivave të Tiranës e Kavajës kanë mbërritur edhe shërbime të policisë së Durrësit, të cilët kanë ngritur postblloqe në akse të ndryshme, kryesisht hyrje-daljet e qyteteve, po pa mundur të evidentojnë mjetin dhe autorët. Pista kryesore e kësaj vrasje është ajo e hakmarrjes bazuar në aktivitetin e mëparshëm të viktimës.

 

Vendosja e posterave

Hetim djalit të ish-drejtorit Prençi

Policia e Tiranës ka nisur një procedim penal ndaj djalit të Shemsi Prençit. Jetmir Prençi, djali i sh-drejtorit të Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, mësohet se ka goditur dy persona që vendosnin flamujt e Partisë Demokratike pak ditë më parë në zonën periferike të kryeqytetit, Kamëz. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se Jetmir Prençi bashkë më një mikun e tij, S. Sula, kanë goditur shtetasit Vilson Hakaj dhe Bekim Memia, duke tentuar për të mos i lejuar të vendosnin flamujt e Partisë Demokratike në Kamëz. Djali i ish-drejtorit të Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, akuzohet për pengimin e subjekteve zgjedhore në organet përfaqësuese vendore. Pak kohë më parë, babai i tij Shemsi Prençi dha dorëheqjen nga detyra e drejtorit të policisë së Dibrës, si pasojë e përplasjes me biznesin e kromit.

 

Tiranë

Abuzonte me matësit, pranga punëtorit të CEZ-it

Një specialist i kompanisë CEZ Shpërndarje është prangosur nga policia e Tiranës pasi ndërhynte në sahatet e konsumatorëve për të ulur kilovatët përkundrejt ryshfetit. Sipas burimeve zyrtare, Semidion Daja, 24 vjeç, për çdo ndërhyrje në matësit elektrikë, përfitonte duke u marrë familjarëve të ndryshëm nga 30.000 lekë. “Sektori kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar pas një hetimi disa mujor, në kuadër te operacionit të koduar “Faturuesit” bënë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimi në kushtet e flagrancës së shtetasit Semidion Sebastian Daja, 24 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë CEZ Shpërndarje Tiranë. Arrestimi i i tij u krye pasi përgjatë kryerjes së një hetimi intensiv rezultoi se ky shtetas gjatë kryerjes se detyrës si specialist pranë kompanisë CEZ Shpërndarje Tiranë, ka ndërhyrë në matësit elektrikë të familjeve te ndryshme, duke bërë të mundur që shuma e kilovatëve për tu paguar të jetë më e vogël se ajo që shpenzohej realisht”, – thuhet në njoftimin e policisë.

 

Ngjarja në mesnatë

Bie shtylla në Lezhë, sëka të dëmtuar

Kalimtarët u përballen me panik, kurse i gjithë qyteti u zhyt në errësirë. Rënia në tokë e njërës prej fazave të linjës së tensionit të lartë 220 kv Tirane – Vau i Dejës në lindje të Lezhës fatmirësisht u shoqërua vetëm me dëme në furnizimin me energji të qytetarëve. Kavoja e tensionit të lartë bëri të bllokohej zona për shkak të frikës, megjithëse ajo ra në pjesën me më pak ndërtime. Reagimi i shpejtë i punonjësve të OST-së shmangu përshkallëzimin e dëmeve. Ndërhyja për riparimin e linjës nisi rreth mesnatës vetëm 1 orë pas konstatimit të avarisë. Situata u normalizua plotësisht në mëngjes, ndërsa pritet ndërhyrja e ndërmarrjes elektrike për riparimin e dëmeve në linjën e tensionit të ulet që la Lezhën në errësirë. Linja 220 kv Tiranë – Vau i Dejës përshkon një zonë të populluar nga shtëpi dhe biznese dhe konsiderohet një rrezik prezent në raste të ngjashme me këtë që ndodhi.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency