Rekordi, shqiptarët me nga 2-3 celularë në xhepa!

0
139

Ervin Kaduku

CELULARÇdo shqiptar rezulton me dy celularë dhe, nëse heqim ata nën moshën 10 vjeç dhe ata mbi 80 vjeç, secili prej nesh ka tashmë nga 3 aparate celularë në përdorim

 

 

Numri i përdoruesve celularë u rrit me 7 për qind në vitin 2012, ndërsa numri i pajtimtarëve aktivë (pra që e kanë përdorur në tre muajt e fundit) është rritur me 14 për qind, në krahasim me vitin 2011, bëhet e ditur në raportin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2012. Gjithsej në treg janë 5.6 milionë karta SIM, ku 3.5 milionë janë aktive, penetrimi i telefonisë celulare ka arritur në 198 për qind. Çdo shqiptar ka dy celularë në xhepat e tij, dhe nëse heqim ata nën moshën 10 vjeç dhe ata mbi 80 vjeç, secili prej nesh ka tashmë nga 3 aparate celularë në përdorim!

AKEP gjykon se ndryshimi në vlerat e mësipërme ndodh për shkak se në shifrën e numrit të kartave SIM ka një numër të konsiderueshëm pajtimtarësh me përdorim sezonal, si p.sh. emigrantët, turistët, etj, por gjithsesi, kjo nuk shpjegon rritjen nga viti në vit të kësaj shifre, pasi në përgjithësi emigrantët që vijnë në atdhe janë të njëjtët dhe përdorin kryesisht kartën SIM të bartur prej një udhëtimi të mëparshëm.

Shpjegimi më i besueshëm i kësaj shifre çuditërisht të lartë është se abonentët (sidomos ata më të ndjeshëm ndaj kostos) përdorin nga një aparat celular për një operator, duke evituar thirrjet nga një operator në tjetrin, të cilat janë me dhjetëra herë më të larta se ato të komunikimit brenda operatorit.

AKEP paraqet të dhënat mes katër operatorëve duke nisur nga viti 2010, për të bërë krahasimet e nevojshme nga ku rezultojnë trende të ndryshme. Te numri i përdoruesve aktivë, rritjen më të madhe e kishte “AMC” me 22 për qind, kurse rritjen më të vogël e kishte “Eagle Mobile” me 5 për qind.

 

Përdoruesit

 

Përdoruesit aktivë përbëjnë 63 për qind të kartave SIM, ku përqindjen më të madhe të këtij treguesi e kanë “AMC” dhe “Vodafone”, respektivisht me 75 dhe 74 për qind, ndërsa më të ulëtën e ka “Eagle Mobile” me 31 për qind.

AKEP thekson se përdoruesit me kontratë zënë 10 për qind të numrit total të përdoruesve të matur me karta SIM, ku vlerën më të madhe të këtij treguesi e ka “Plus” me 28 për qind, ndërsa më të ulëtin “Vodafone” me 5 për qind. Gjatë vitit 2012, thirrjet dalëse të përdoruesve celularë u rritën me 24 për qind, një normë më e madhe e rritjes vjetore të 2011, me 17 për qind që ishte një vit më parë. Rritjen më të madhe, sipas AKEP e ka pasur “Plus me 66 për qind dhe rritjen më të vogël e kishte “Eagle” me 6 për qind.

Thirrjet brenda rrjetit përbëjnë 93 për qind të totalit të thirrjeve dalëse duke vazhduar tendencën e viteve të fundit dhe përdorimin e madh të paketave tarifore me tarifa shumë të ulëta për thirrjet brenda grupit. Pesha e këtyre thirrjeve varion nga 80 për qind te “Plus” në 95 për qind te “Vodafone”. Viti 2012 shënoi rritjen më madhe, me 94 për qind të numrit të SMS-ve të dërguara, në raport me 2011.

Terminimi i thirrjeve hyrëse nga rrjetet e tjera në vitin 2012 u rrit me 7 për qind, ku PLUS ka rritjen më madhe me 168 për qind ndërsa “AMC” dhe “Eagle Mobile” janë në rënie me nga 14 dhe 13 për qind, kurse “Vodafone” ka rritje me 6 për qind.

Konsumi i thirrjeve është rritur mesatarisht me 9-12 për qind, e matur me përdorues të kartave SIM, dhe 14-17 për qind e matur sipas përdoruesve aktive. Pra, shqiptarët kanë folur më tepër në raport me 2011-n. gjithashtu, është rritur ndjeshëm edhe përdorimi i SMS-ve, me 75-83 për qind.

Në vitin 2012, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 93 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 103 minuta thirrje hyrëse, pra në total rezulton me 195 minuta komunikim në muaj dhe ka dërguar 21 SMS. Nëse bëjmë vlerësime për përdoruesit aktivë, pra duke zbritur përdoruesit, po themi sezonalë etj., del se në muaj një konsumator përdor 319 minuta dhe 35 SMS.

Sakaq, gradualisht tarifat kanë pësuar ulje, sipas AKEP, me 8 për qind, në raport me shpenzimet e shportës së OECD. Kompanitë që operojnë në Shqipëria marrin më pak të ardhura në raport me vendet e rajonit. Kështu, e ardhura mesatare për përdorues, e matur si raporti i të ardhurave të operatorëve nga shërbimet me pakicë pa TVSH (pa përfshirë shitjen e aparateve celularë) të operatorëve me numrin mesatar të përdoruesve gjatë një viti, në Shqipëri është për 2011-ën ishte 59 euro. Kjo shifër është më e ulët se mesatarja e BE-së, prej 221 euro në vit (Rumania, me 90 euro, ka nivelin më të ulët në BE).

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency