Kupa e Shqipërisë Laçi feston triumfin historik

0
146

 Altin Vorpsi

fotot

Nuk ka mjaftuar koha e rregullt për të vendosur fituesin e Kupës së 61-të të Shqipërisë. Madje u duk se nuk do ta zbardhnin këtë verdikt as dy shtesat me nga 15 minuta, por fundi u ka buzëqeshur kurbinasve, që fitojnë për herë të parë në historikun e tyre si klub këtë trofe.

 

 

Laçi fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Skuadra e Stavri Nicës,edhe pse luajti në superioritet numerik që nga minuta e 20-, “përkuli” vetëm në fundin e kohës shtesë formacionin e Bylisit. Për djemtë e Shensojit kjo ishte një ndeshje “në malore” pasi largimi i Arifajt detyroi Ballshin të përballonte kundërshtarin për tërë ato minuta në fushë me një forcë më pak.

 

Tension

Në një finale, mes dy skuadrave debutuese, ishte normale që emocionet mund të ndikonin në këmbët e futbollistëve, që ishin të drunjta sidomos në start. Skuadra ballshiote për më tepër humb dhe forca pas vetëm 20 minutash, pasi Arifaj merr dy kartona te verdhë në shtatë minuta dhe kurbinasit krijojnë menjëherë një avantazh numerik. Gjithsesi ndeshja nuk ngrihet në nivelin e duhur përsa i përket rasteve, të cilat janë me pikatore në 45 minutëshin e parë. Kurbinasit për më tepër nuk arrijnë të shfrytëzojnë siç duhet dhe superioritetin numerik në fushë, madje rasti më i mirë paraqitet për Bylis në minutën e 45-të kur Sefa godet nga distance por Bakaj arrin të presë. Starti I pjesës së dytë është më I hapur, dhe rastin më të mirë e ka në këmbë Emurllai, që shmang dhe portierin Frashëri në minutën e 56-të, por gabon në momentin final. Laçi dominon por gjen në rrugën e tij një Frashëri në mbrëmje perfekte, që pret një tjetër goditje te Vucajt në minutën e 73-të. Koha e rregullt përfundon 0-0 dhe në kohën shtesë Bylisi ndjen lodhjen ndër këmbë, ndërsa gjyqtari Pashaj, në minutën e 106 nuk sheh një goditje të Ndrekës me bërryl ndaj njërit prej sulmuesve ballshiot.

 

Fakotri Ç

Dy minuta para se skuadrat të shkonin drejt gjuajtjes së penalltive, ishte një goditje dënimi e ekzekutuar nga Vucaj dhe e finalizuar pas shumë shpërdorimesh të lojtarëve të tjerë Emiljano Çela. Është pikërisht ky mbrojtës, që e kualifikoi Laçin me golin e dytë edhe në gjysmëfinalen e kthimit me Kukësin, që vulosi edhe fundin e artë të këtij sezoni për të besuarit e Stavri Nicës. Ky i fundit fiton për herë të dytë Kupën e Shqipërisë, teksa herën e parë e ka shijuar atë në stolin e Teutës.

 

LAÇI-BYLIS  0-0

Laçi: Bakaj, Kastrati, Ndreka, Buljan, Çela, Doku (Bilibashi 91), Zefi, Vucaj, Shazivari (Sefgjini 70′), Nimani, Emurllai. Trajner: Stavri Nica

Bylis: Frashëri, Adebajo, Idrizi, Ristevski, Bola, Sefa, Gërxho, Arifaj, Olayinka (Kelmendi 117′), Izucuku (Ebere Ikpe 97′), Xhafa (Meto 57′). Trajner: Naxhi Shensoji

Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Barushi, R.Avdo

Kartonë të verdhë: Zefi 12′, Vucaj 22′, Ndreka 59′ / Arifaj 13′, 20′, Olayinka 45′, Idrizaj 99′

Karton i kuq: Arifaj 20′

 

 

Merkato

Odise Roshi zgjat kontratën me FSV Frankfurtin

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Odise Roshi, ka vendosur të qëndrojë edhe dy sezone të tjera te FSV Frankfurt, skuadër e Bundesligës së dytë gjermane. Lajmi konfirmohet nga drejtori i klubit gjerman, Kent Bergensen, i cili e konsideroi mesfushorin 21-vjeçar një potencial që mund të zhvillohet shumë në të ardhmen. Në këtë sezon Odise Roshi, është aktivizuar në 29 ndeshje në Bundesligën 2, ku ka shënuar dy gola, por FSV Frankfurt nuk arriti të siguronte ngjitjen në Bundesligë, objektiv që do ta tentojë sërish sezonin e ardhshëm. “Jam shumë mirë këtu. Ndihem mjaft mirë me skuadrën dhe dua që të përmirësohem edhe më shumë në planin profesional. Gjithashtu dua që edhe skuadra të arrijë objektivat që i ka vënë vetes”, – tha Roshi. Aventura e talentit shqiptar në futbollin gjerman nisi në verë të 2011-ës, teksa u transferua nga Flamurtari te Këlni në Bundesligë, por pas një viti, me rënien e Këlnit nga kategoria, ai kaloi në formën e huazimit të FSV Frankfurt, ku gjeti Edmond Kapllanin, një tjetër futbollist të kombëtares kuqezi. Odise Roshi ka luajtur në 9 takime me përfaqësuesen shqiptare, ndërsa në sfidën e 7 qershorit ndaj Norvegjisë në “Qemal Stafa”, bashkë me Lorik Canën dhe Andi Lilën do të jenë mungesat e rëndësishme për Xhani de Biazin, i cili është i detyruar të gjejë të tjera alternativa për t’i mundur sërish nordikët në përballjen që mund të vendosë fatin e Shqipërisë në eliminatoret e botërorit.

 

Barcelona

Song dhe Pike “shkëmbejnë” grushte gjatë paradës së titullit

Aleks Song dhe Zherard Pike janë parë duke shkëmbyer grushte gjatë paradës së titullit të Barcelonës. Pamjet filmike treguan ish-mesfushorin e Arsenalit të godiste disa herë mbrojtësin katalanas, ndërsa autobusi i hapur reklamonte trofeun e titullit në La Liga. Kapiteni Karles Pujol dhe portieri Valdes u panë të afroheshin menjëherë për të qetësuar situatën, por me sa duket, edhe ata u përfshinë në një debat. Nuk dihen ende shkaqet e përplasjes së lojtarëve.

 

Incidenti

Gazetari brazilian poshtëron Murinjon

Kishte ardhur nga Brazili posaçërisht për të dëgjuar fjalët e Murinjos në vigjilje të finales së Kupës së Mbretit. Por zhgënjimi i një gazetari brazilian, kur zbuloi se portugezi nuk do të shfaqej në konferencë për shtyp, ishte i papërmbajtshëm. Gazetari nxori foton e trajnerit dhe pasi pështyu mbi të, e quajti “Specialin” një idiot që i kishte shpenzuar kohë të vlefshme. Gjesti i tij ka bërë xhiro në të gjitha sajtet spanjolle.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency