Rilindja dhe pseudorilindja elektorale

0
163

rilindjeEnver Bytyçi

 

Vijon nga numri i djeshëm

 

Thamë në botimin e pardjeshëm se Rilindja rievokon një epokë qytetërimi të humbur e të shuar. Së paku rikthen në jetë një komb, të cilit i është venitur shpirti. Këtë gjë, rikthimin në jetë të kombit shqiptar, e bënë rilindasit tanë të shekullit XIX. Tipari themelor i asaj periudhe ishin romantizmi dhe iluminizmi, d.m.th. shprehja e besimit për të ardhmen, harmonia e fjalës, dashuria për kombin, atdheun, shoqëruar me platformën e Pashko Vasës «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais»), botuar në Paris më 1879 dhe veprës tjetër të Sami Frashërit “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 në Bukuresht. Nuk ka shqiptar që nuk i njeh këta dy rilindas si dhe këto dy vepra që ata kanë shkruar e që mbeten në përjetësi si vepra monumentale të mendimit iluminist të rilindasve tanë.

Ndërsa pseudorilindja dhe pseudorilindasit e sotëm jo vetëm që nuk kanë një platformë të vetën për ndonjë ringjallje të vendit, por as kanë ndërmend t’i referohen në ndonjë varg veprave të rilindasve tanë të shquar. Mundet të konceptohet si pikë referimi “Kurbani” i kreut të skuadrës së ashtuquajtur “Rilindje”, por të gjitha të dhënat flasin se akademikë dhe emra të mëdhenj të letrave shqipe kanë shkruar libra dhe krijime shumë herë më të mira se kurbani i Ramës, çka e bën këtë libër e autorin e saj të paqenë në radhën e ndonjë grupi rilindasish qoftë dhe virtualisht të tillë. Këtë fakt duket se e njohin pseudorlindasit tanë, sepse nuk ka e nuk mund të gjesh asnjë referencë të librin “Kurbani” në paraqitjet e tyre. Kurbani mbetet kurban dhe nuk mund të perceptohet as nga budallenjtë e fanatikët si platformë zhvillimi e progresi, jo më si model për ringjallje, rimëkëmbje e rilindje, çfarë pretendon skuadra e mashtruesve me terma bombastikë.

Duke u rikthyer te argument i rilindave, ndoshta ia vlen të bëhen disa krahasime midis vizionit, ideve dhe koncepteve që janë shpalosur para më shumë se një shekulli me praktikat që bart politika e pseudorilindasve të sotëm. Them me praktikat, se vizionet, idetë dhe konceptet e këtyre të sotmëve mungojnë plotësisht.

Rilindasit hodhën idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kjo ide e tyre u lëvrua aso kohe me aq idealizëm sa çoi jo vetëm në bashkimin, por edhe në afrimin e vëllazërimin e tyre. Le të kujtojmë faktin se çfarë u arrit më 1878 në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por të kujtojmë gjithashtu faktin se për hir të kombit e të gjuhës sonë Kongresin e Manastirit e drejtuan dy kolosët pasrilindas, Patër Gjergj Fishta dhe Mit’hat bej Frashëri. Ata u bashkuan jo vetëm në idealin kombëtar, por edhe për njësimin e alfabetit shqip dhe latinizimin e këtij alfabeti. Aso kohe nuk kishim të bënim me një Evropë miqësore. Përkundrazi, Evropën e asaj kohe Gjergj Fishta do ta quante mizore, për shkak të vendimeve të saj për shkërmoqjen e shqiptarëve. Megjithatë, ata nuk lëvizën nga orientimi evropian e perëndimor dhe e panë atë si model e si stacion të kulturës, lidhjeve dhe marrëdhënieve tona.

Ndërkaq kreu u skuadrës së pseudorilindasve, pra Edi Rama, nuk mundi të ngrihet së paku në nivelin e qëndrimeve proevropiane të rilindasve tanë. Ai e ka të vështirë t’u shpjegojë shqiptarëve pse u përpoq të bllokojë arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Të gjithë kujtojnë se aso kohe Rama mobilizoi të gjithë propagandën e vet dhe mediave që komandon kundër nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Studiuesit do t’i rikthehen kësaj kohe të vështirë dhe do të shohin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Historianët dhe ekspertët do të evidentojnë faktin se si diplomacia shqiptare e kohës u vu në lëvizje si kurrë ndonjëherë më parë për të bindur çdo vend anëtar të BE-së për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ndërsa në anën e kundërt qëndronte kreu i opozitës.

E njëjta skemë u përdor nga Rama dhe pseudorilindasit e tjerë edhe në rastin fatlum të pranimit të Shqipërisë në NATO. Kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, kam shkruar e kam nënvizuar se ajo ngjarje nuk ishte e rastësishme. Në koshiencën time ajo ngjarje e pandriçuar ishte vepër e kundërshtarëve të pranimit të Shqipërisë në NATO. Fatkeqësisht në krah të këtyre kundërshtarëve u shfaq atë botë edhe kreu i opozitës, zoti Rama. Nëse kthejmë kokën pas, ngjarja dramatike e Gërdecit ndodhi vetëm 20 ditë nga dita kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO. Dhe nëse Rama nuk do ta mirëpriste Gërdecin si ngjarje në dëm të anëtarësimit në NATO, së paku do të duhej të priste 20 ditë, sa të merrej ftesa e të mos e përdorte atë si karrem të luftës politike të tij. Por ndodhi e kundërta. Aq sa media e Ramës me eufori e kënaqësi të manifestoi lajmin se “Kongresi amerikan ishte kundër ftesës për Shqipërinë në NATO”. Kur ndodhi e kundërta dhe presidenti Bush anashkaloi Gërdecin për ta ftuar vendin tonë në Aleancë, kreu i opozitës i shtoi përpjekjet e tij për politizimin e ngjarjes. Objektivi i tij ishte që një vit më vonë Shqipëria të mos e ngrinte flamurin e saj pranë selisë së NATO-s në Bruksel. Edhe nëse do ta bënin këtë analizë vetë fanatikët e Ramës, nuk do të mund t’i iknin argumentit se kreu i opozitës shqiptare, si në asnjë vend në Evropë, ishte pozicionuar kundër Shqipërisë në NATO. Zoti Ngjela tha në një debat televiziv se pranimi në NATO ishte pasojë e vendimit të Xhorxh Bushit dhe jo e performancës së Shqipërisë. Ata që mbronin të kundërtën në atë debat nuk i thanë zotit Ngjela se “Amerika ka pasur president edhe në tetë vitet e qeverisjes së socialistëve, por asnjëri prej tyre nuk e mori një vendim të tillë”. Në politikë e sidomos në vendimmarrje të tilla, të cilat shënohen si ngjarje madhore të politikave e gjeopolitikave, nuk ka asnjë rol rastësia, siç përpiqen ta shpjegojnë procesin mbështetësit e zotit Rama.

Kur kthejmë kokën prapa në katër vitet që shkuan, përsëri precedentët antievropianë janë të pranishëm në personin e zotit Rama. Liberalizimi i vizave ishte beteja e parafundit midis opozitës dhe pozitës për t’iu afruar Evropës. Megjithëse interesi i qytetarëve ishte i jashtëzakonshëm për këtë, zoti Rama ndërtoi strategjinë dhe taktikën e bllokimit. Jam i detyruar të pohoj dhe një herë atë çfarë kam shkruar kur çadrat e grevës së urisë qenë ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrit. Atëherë shkruaja se Rama mund të dalë nga ngujimi, nëse BE-ja ia bën me dije liderit tonë të opozitës se çfarëdo që ai të bëjë, nuk e kthen mbrapsht procesin e liberalizimit të vizave. Kur kjo u bë me dije, atëherë u gjet formula e krokodilit në Strasburg, me qëllim që të kamuflohej sa të ishte e mundur prapësia antievropiane e Ramës. Ndërkaq nuk është nevoja të qëmtohet në deklaratat e “rilindasve” të kohëve tona, sipas të cilëve, “në rastin e liberalizimit të vizave një milion shqiptarë do të merrnin rrugët e Evropës”, një gjetje kjo e supozuar thjesht për ta trembur kontinentin e vjetër.

Dhe më së fundi vijmë te bllokimi i ligjeve, të cilat duheshin miratuar për t’i hapur rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat. Nëse i dëgjojmë pseudorilindasit, ata thonë se përveç tri ligjeve, BE kishte vënë 7 ose 8 kushte të tjera. Dhe është e ditur se kishte e do të ketë kushte të tjera, veç përmirësimit të ligjeve. Por ata nuk duan ta pranojnë se të gjitha kushtet e tjera, si lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit, shteti ligjor e pavarësia e gjyqësorit, janë kushte permanente të të gjitha etapave të afrimit të Shqipërisë drejt BE-së, para së gjithash janë kushte të procesit të negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër, opozita do të ishte krejt komode, nëse vërtet Shqipëria kushtëzohej nga moskryerja e detyrave të qeverisë, sepse dështimi për këtë shkak do ta penalizonte qeverinë e jo opozitën. Pse atëherë pseudorilindasi nuk e la topin në portën e kundërshtarit të tij politik?! Ai nuk i votoi tri ligjet, sepse kishte frikë se Shqipëria do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Kështu I vetëquajturi rilindas u shfaq për një periudhë të gjatë si aplikues i doktrinave dhe teorive që shkojnë kundër parimeve themelore të rilindasve të vërtetë shqiptarë.

Në këtë përmbledhje nuk kam ndërmend të analizoj shkaqet e bllokimit që zoti Rama i bëri integrimit evropian të Shqipërisë. Argumentin e lartshkruar po e përdor thjesht në funksion të dallimit thelbësor që ekziston midis pseudorilindasit të vitit 2013 dhe rilindasve të vërtetë të shekullit XIX. Ata të shekullit të rilindjes së vërtetë të kombit tonë ishin shkolluar në medresetë, gjimnazet dhe universitetet e perandorisë osmane. Kjo do të nënkuptonte që ata të mbartnin kulturën orientale të perandorisë, së cilës i kishin shërbyer. Por jo. Ata dinin 5 ose 6 gjuhë perëndimore. Ata mendonin, flisnin dhe vepronin me idetë, filozofinë dhe orientimin perëndimor. Ata ishin idealistë dhe nuk kishin kurrfarë axhende personale në dëm të interesave kombëtare. Prandaj të gjithë së bashku ata morën vendime shumë të rëndësishme e kapitale për orientimin europian të shqiptarëve. Pseudorilindasit e sotëm mbetën së paku deri më sot në anën tjetër të skuadrës antievropiane e për pasojë antirilindje.

Dhe një fakt tjetër: Rilindasit tanë nuk menduan dhe nuk punuan asnjëherë që ta përçajnë Shqipërinë në veriorë e jugorë, në qytetarë e në fshatarë, në myslimanë, ortodoksë apo katolikë. Nuk ka nevojë të jap argumentin e njohur tashmë, se ata u dhanë shqiptarëve një emër të vetëm, emrin e shqiptarit. A ndodh këto kohë pas më shumë se një shekulli kjo që ka ndodhur atëherë? Nëse qëmtojmë thjesht në deklarimet e liderit të pseudorilindasve do të gjejmë shumë raste të mbjelljes së përçarjes dhe urrejtjes. Në Vlorë zgjedhësit shqiptarë u njohën me një term të ri: “Bathorizimi”. “Nuk do të lejomë bathorizimin e Vlorës”, – tha Rama. Nuk po hyj në bërthamën e problemit, pse Vlora u rrezikuaka nga një fenomen bathorizimi, kur qeverisja lokale e saj i takon vetë Ramës. Por një vëzhgim i shpejtë bën që të mendosh se ky term i ri ishte planifikuar të thuhej pa kurrfarë shkaku në Vlorë dhe pikërisht në Vlorë. Rama bënte diversionin e radhës, për t’i nxitur vlonjatët kundër atyre që ai i quan “malokë”, pasi në perceptimin e fansëve të tij, Bathorja është një vendbanim i ri i krijuar nga lëvizja e popullsisë prej veriut në Tiranë. Diversione të tilla pseudorilindasi ka bërë në disa raste, edhe në Shkodër, edhe në Peshkopi, edhe në Kukës. Por Vlora duhej ngacmuar në plagën që e krijuan Rama, bashkëpunëtorët si dhe paraardhësit e tij.

Në kohën e rilindasve nuk kishte ndarje të tilla, sepse rilindasit nuk e çonin ndërmend të punonin kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Pseudorilindasit e sotëm duket se kanë një mision të ndryshëm nga ai i rilindasve. Në të vërtetë përçarjen nacionale të shqiptarëve e sollën në Shqipëri të majtët. Fatkeqësisht, ndër ta ka kontribut edhe themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Fan Noli. Themelet e kësaj ndarjeje i vuri Avni Rustemi. Jo pse bëri atentat kundër Esat Pashës, porse themeloi kulturën e atentatit dhe përçarjes krahinore në Shqipëri. Për këto shërbime përçarëse ai u nderua nga diktatura komuniste, por as në atë kohë nuk guxoi kush ta quante Avni Rustemin rilindas. Tani, pseudorilindasi Rama e bashkëpunëtorët e tij, në një anë imitojnë Avni Rustemin, Qemal Stafën, udhëheqësit e bllokut komunist e, nga ana tjetër, vetëquhen rilindas.

Përçarja, përjashtimi, armiqësia nuk janë atribute të rilindasve. Këto cilësi janë dhe mbeten e kundërta e vizionit, programit, idealit dhe ideve të rilindasve. Ballafaqimi i mëtejmë me rilindasit do të sillte deficite të panumërta në sjelljen dhe mendimin politik të pseudorilindasve të sotëm. Por nuk do të zgjatem më, thjesht për të mos lodhur lexuesin e nderuar. Mjaftojnë këto dy elemente thelbësore që të vëmë në dukje atë çfarë përfaqësonte rilindja shqiptare kombëtare e shekullit XIX dhe çfarë përfaqëson shpura e sotme e kupolës së socialistëve, e cila spekulon me rilindjen dhe rilindasit.

Ngado që ta analizosh sloganin e socialistëve dhe koalicionit të tij për të ashtuquajturën rilindje, shkon në përfundimin e patjetërsueshëm se ky slogan është thjesht një butafori, të cilit nuk i beson e nuk mund t’i besojë ndokush.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency