Racizmi, streha e fundit e socialistëve

0
137

Çelo Hoxha

 

racizmiRacizëm quhen pikëpamjet dhe veprime të nxitura nga bindja se njerëzimi është i ndarë në grupime racore të larta dhe të ulëta. Ky është një nga përkufizimet e tij, sepse ekzistojnë disa prej tyre. Në emër të kësaj teorie në botë janë bërë shumë luftëra dhe njerëzimi ka pësuar vuajtje të pallogaritshme. Nuk është ndonjë sekret që dominimi i këtyre teorive ka qenë më i madh në atë që sot quhet qytetërimi perëndimor. Nëse do ta llogarisim përgjegjësinë në bazë shtetesh, Shqipëria i takon të jetë në fund të listës ose jashtë kësaj liste fare. Ajo më ka qenë më shumë në anën e “racave” që janë viktimizuar për shkak të origjinës së tyre. Sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një nga sjelljet e tyre ku ata kanë qenë dhe janë superiorë ndaj Perëndimit, që sot na paraqitet si pararoja e qytetërimit të globit. Mirëpo, një ditë të bukur dolën nga skutat e shoqërisë shqiptare pjesa më e errët e saj dhe, të orientuar nga jugosllavët (serbë e malazezë), dy etni që i kanë persekutuar shqiptarët për shkak të racës, komunistët shqiptarë e kthyen racizmin në politikë themelore të vizionit të tyre. Lufta e klasave ishte një formë racizmi e kulluar, njerëzit shikoheshin si inferiorë për cilësi që ata i kishin të trashëguara, mbi të cilat nuk kishin kontroll. Pas ardhësit e tyre, të organizuar në PS, po vazhdojnë me të njëjtën logjikë.

Ajo që deklaroi kryetari i PS-së, Edi Rama, të premten në Shkodër, në lidhje me Sali Berishën, kundërshtarin e tij politik, është racizëm i pastër. Zoti Rama iu drejtua turmës socialiste më këto fjalë: “Kthejeni kokën përreth në gjithë Ballkanin. Ku i keni ata udhëheqësit ballkanikë të fillimit të viteve ‘90, kolegët e Saliut? Ose janë në botën tjetër, ose kanë kushedi sa disa vite që janë në pension. Ndërkohë, Shkodra duhet të marrë përsipër që ta largojë përgjithmonë nga kreu i këtij vendi komunistin e fundit dhe pafundësisht të pandreqshëm, që ka marrë peng Shqipërinë dhe që mban peng Shkodrën me thikën e një dasie që duhet të marrë fund”.

Zoti Rama e mendon veten superior, në raport me zotin Berisha, sepse ai është më i ri. Cila është merita e tij se është më i ri nga Sali Berisha? Cili është ai element që ia atribuon zoti Rama faktin që ai ka lindur më vonë se zoti Berisha? Përgjigjja është e thjeshtë: Sali Berisha është fajtor për moshën e tij, po aq sa ishin fajtor gjithë të persekturarit politikë që u dënuan nga komunizmi (dhe familja e zotit Rama ishte në krye të saj) se ishin bij e bija të kundërshtarëve të komunizmit; zoti Berisha është po aq fajtor për moshën sa ishin të tillë njerëzit me ngjyrë që diskriminoheshin në Evropë dhe Amerikë; zoti Berisha është po aq fajtor sa ishin të tillë dhe hebrenjtë që përfunduan në furrat e zjarrit vetëm pse ishin hebrenj dhe nuk ishin gjermanë?

Në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, Edi Rama ishte më i moshuar se kundërshtari i tij politik, por ai nuk e pa asnjëherë të arsyeshme të jepte dorëheqjen e t’ia linte pushtetin një përfaqësuesi të një brezi “superior”.

Sali Berisha është engjëll vetëm për një grup të caktuar njerëzish (megjithëse edhe për këtë nuk jam shumë i sigurt). Arritjet e tij politike në dy dekada mund të mbështeten pa rezerva vetëm nga fanatikët, nga ata që identifikohen me liderin, por dashuria e tyre nuk hyn në marrëdhënie me arsyetimin. E njëjta gjë mund të thuhet dhe me ata që e identifikojnë çdo të keqe me Sali Berishën, edhe ata janë fanatikë, por në krahun tjetër të medaljes. Ata kanë bindjen se zoti Berisha është përfaqësuesi i djallit në Shqipëri. Mirëpo realiteti nuk është bardhezi. Pjesa e më e madhe e shqiptarëve nuk bëjnë pjesë në grupet e fanatikëve. Dhe më e rënda: te PS fanatikët janë krye të saj, kurse adhuruesit e Berishës (fanatikët e tij), janë nivelet më të ulëta të PD-së.

Sa për moshën, si element i veçuar, Edi Rama mund të hedhë sytë nga Italia dhe të shikojë që ata zgjodhën president një 87-vjeçar dhe e kupton se ku dallon mendësia e tij nga e Evropës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency