Studimi Në 2020-ën, Tirana 1 milion banorë, plane për rrugët, transportin e ujin

0
209

Blerta Mrishaj

 

tiranaNënkryetarja Tabaku: Rama la pa zhvilluar zonat autoktone të Tiranës

Tabaku: Tirana është ndarë njëherë e përgjithmonë nga zhvillimi klienteliste

 

Në më pak se brenda 7 vitesh, Tirana do të ketë një popullsi prej 1 milion banorësh, katërfishi i popullsisë që ky qytet kishte në vitin ‘89. Për t’u gjendur të përgatitur përballë kësaj situate, JICA, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Ballkanin, i ka dorëzuar dje Bashkisë së Tiranës planet për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit, transportit urban, menaxhimit të mbetjeve të ngurta, sistemet e ujësjellësve dhe sistemet e kanalizimeve dhe të kullimit të ujërave. Raport ky i realizuar pas studimit dy vjeçar të JICA-s i dhe përfshin master-plan me një perspektivë afatgjatë, deri në vitin 2027 si dhe plan-veprimin për projekte prioritare për 4 sektorë. Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, tha se raporti i dorëzuar dje nga JICA do të jetë një kontribut i rëndësishëm në punën e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera, për të garantuar në këtë qytet një zhvillim të qëndrueshëm, duke u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet pa plan në këtë qytet, të cilat kanë favorizuar klientelizmin dhe kanë betonizuar qytetin.

Planet

“Të gjithë qytetarët e Tiranës kanë qenë dëshmitarë se si rreth dy vjet më parë, qyteti ynë me shiun më të vogël, me problematikën më të vogël, përmbytej. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë se çfarë problematikash kishte në rrugën “Don Bosko”, të gjithë besoj e mbani mend mungesën e parametrave teknikë dhe mënyrën se si është zhvilluar “Komuna e Parisit”. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë për problematiken e madhe dhe shërbimin jashtëzakonisht te keq që ka pasur linja Kombinat – Kinostudio. Kur morëm drejtimin e bashkisë, zona të tëra të qytetit kishin mungesë të ujit të pijshëm, sepse ky nuk ishte interesi i ish-kryebashkiakut. Shumë prej jush do të thonë: “Të shkuara, të harruara!” Po, jam plotësisht dakord se kjo është e shkuara e qytetit tonë. Ne sollëm një vizion të ri për qytetin e Tiranës, të reflektuar në planin urban të Tiranës, i cili do të bëjë të mundur zhvillimin e qëndrueshëm afatmesëm dhe afatgjatë të qytetit tonë”, – u shpreh znj. Tabaku. Ndërsa Matsumoto Koji, përfaqësues i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) për Ballkanin, tha: “JICA ka zbatuar disa projekte në Shqipëri, të cilat synojnë zhvillimin e mëtejshëm të këtij vendi si dhe rritjen e ndjenjës së miqësisë midis Shqipërisë dhe Japonisë. Unë kam besim që plani tematik urban do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin mëtejshëm të qytetit të Tiranës”. Për këtë ai shprehu bindjen se ky raport do të përdoret plotësisht për të realizuar planin e ri urban, që është përpiluar nga Bashkia e Tiranës: “Gjithashtu, shpresoj shumë që marrëdhëniet miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë do të forcohen dhe më tej në të ardhmen”.

Mungesat

Sakaq, nënkryetarja Tabaku nuk la pa përmendur edhe strategjinë e ish-kryebashkiakut Edi Rama, i cili për më shumë se 11 vjet la në harresë zonat autoktone të Tiranës, sikurse është njësia 8, njësia 10, pjesa autoktone e Tiranës në njësinë nr. 2 ishin të pazhvilluara. Sipas nënkryetares, plani që paraqitet qytetarëve të Tiranës dhe plani i integruar i infrastrukturës që dorëzon sot ekipi i JICA bën të mundur që problemet e 11 viteve të kaluara të marrin zgjidhje.

 

OBSH

Në alarm, në qarkullim një virus vdekjeprurës, njësoj si SARS-i

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin se i ashtuquajturi Koronavirus mund të përçohet nga njeriu tek njeriu në rast kontakti të afërt. Alarmi vjen pas rasteve në rritje të përçimit të këtij virusi mes njerëzve, pasi fillimisht mendohej që kjo sëmundje nuk ishte ngjitëse. Përmes një deklarate për shtyp të publikuar në portalin në internet Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh edhe rrezikun e shtimit në masë të rasteve të infektimit nga virusi vdekjeprurës nëse qeveritë e vendeve ku deri më tani ka pasur të prekur, nuk marrin masa parandaluese. Deri më tani vendi më i prekur është Arabia Saudite, ku regjistrohen 34 të infektuar që prej shtatorit të vitit 2012, 18 prej të cilëve kanë humbur jetën. Të prekur ka edhe në Jordani si dhe në vende të ndryshme evropiane, ndër të cilat në Gjermani, Francë e Britani të Madhe. Simptomat e infektimit përfshijnë temperaturën, kollën, pneumoninë, problemet me frymëmarrjen dhe në raste të veçanta edhe bllokim të veshkave. Koronavirusi bën pjesë tek viruset që infektojnë rrugët e frymëmarrjes, i ngjashëm me SARS-in, përhapja në masë e të cilit në vitin 2004, i mori jetën 774 personave. OBSH këshillon të shmanget udhëtimi drejt vendeve ku janë konstatuar raste të këtij virusi, larja e shpeshtë e duarve dhe shmangia e kontaktit me njerëz dhe kafshë që shfaqin shenja të infektimit.

 

 

Avokati i Popullit

SOS për spitalet, Kosova të ndërhyjë

“SOS” për spitalet e vendit, ku gjendja paraqitet e mjerueshme. Kjo është vetëm një pjesë e panoramës që paraqet Avokati i Popullit Igli Totozani, në raportin hartuar pas monitorimit të disa spitaleve në vendin tonë, ndaj dhe nisur nga gjendja tejet e rënduar ka kërkuar ndërhyrjen e ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova. “Problematika është e gjerë, që ka lidhjen me infrastrukturën, me mungesën e medikamenteve, me specializimin e stafit, me trajtimin e të sëmurëve, pra me një sërë problematikash, të cilat janë shumë të rëndësishme. Në qoftë se do të donit t’ua përmblidhja në një pikë, në sistemin tonë shëndetësor ka probleme me standardet, me cilësinë dhe me nevojat e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm dhe të denjë për qytetarët shqiptarë”, – tha Totozani. Gjatë monitorimit, por edhe nga denoncimet e shumta të mbërritura në zyrat e Avokatit të Popullit nga qytetarët, ka rezultuar mungese e theksuar e medikamenteve ne spitale, me e theksuar kjo për pacientët e Shërbimit Onkologjik. “Medikamentet në Shërbimin e Onkologjikut, pra për të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nuk janë të mjaftueshme dhe investimi shtetëror në këtë drejtim është pothuajse përgjysmuar, nga 5.6 milionë që ka qenë në 2009, sipas të dhënave që disponojnë ekspertët tanë, ka zbritur në 2.7 milionë dollarë. Ndërkohë që kemi pothuajse një dyfishim të këtyre sëmundjeve, gjë që e bën emergjente dhe kërkesa jonë në mënyrë të veçantë për këto medikamente është emergjente dhe presuese ndaj institucionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithë organeve të tjera që përbëjnë autoritetet rregulluese në sistemin e shëndetësisë. Është një gjendje e papranueshme”, – thotë Totozani. Furnizimi me medikamente i spitaleve është imediat, theksohet në raport, aq më tepër për pacientët e Shërbimit Onkologjik pasi çmimi i citostatikëve është i lartë dhe jo të gjithë pacientët mund t’i blejnë ato në farmacitë private.

 

Titulli

Kryebashkiaku Lulzim Basha, Qytetar Nderi i Prishtinës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të shpallet Qytetar Nderi i Komunës së Prishtinës. Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Prishtinës ka votuar disa ditë më parë pro propozimit që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të shpallet Qytetar Nderi i Prishtinës. Sipas zyrtarëve komunalë të Prishtinës, kryebashkiaku Lulzim Basha ka reflektuar interesim të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Nga zgjedhja e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, janë intensifikuar marrëdhëniet me Prishtinën dhe është rritur bashkëpunimi i ndërsjellë, vlerëson nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti. “Z. Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të pareshtur gjatë procesit të pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës, sidomos në periudhën e pasluftës, kur ai qëndroi dhe punoi një kohë të gjatë në Kosovë dhe në Prishtinë. Ka qenë dhe është përkrahës i integrimeve evropiane të Kosovës dhe i njohjes së saj nga shumë shtete në Evropë dhe në botë”, – thanë zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, tha: “Ppropozimi që Basha të shpallet Qytetar Nderi i Komunës së Prishtinës është një gjest i respektimit të punës dhe vlerave të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të një personaliteti, i cili në të gjitha pozitat politike që ushtroi dha kontribut të pakursyer për Kosovën dhe Prishtinën”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency