Largohen 3 mijë punonjës/ Reformë administrative apo hakmarrje politike?!

1
372

Reforma e re administrative territoriale që solli reduktimin e numrit të njësive të pushtetit vendor është reflektuar me largimin nga puna të më shumë se 3 mijë punonjësve në mbarë vendin. Në shumicën e rasreve, kemi të bëjmë thjesht me hakmarrje politike, një standard ky, që është krejtësisht i dënueshëm nga Bashkimi Evropian, ku synon të aderojë Shqipëria.

Avokati i Popullit ka depozituar pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Raportin e Veçantë “Pushteti Vendor pas Reformës Territoriale­ Administrative dhe rregullimi i marrëdhënieve të punës” që përmban edhe gjetjet për situatën e punësimit. Nga 61 njësi vendore, vetëm 51 prej tyre kanë përcjellë informacion lidhur me situatën e marrëdhënieve të punës. Sipas përgjigjeve të adresuara nga 51 njësi të pushtetit vendor, rezulton se aktualisht janë në total 13.750 punonjës, nga të cilët rreth 20 për qind rezultojnë me statusin e nëpunësit civil ndërsa 80 përqind me kontrata individuale. E, sa i përket largimeve, rezulton se janë larguar në total 3.059 punonjës në 51 njësi vendore. Rreth 90 për qind e të larguarve janë punonjës që marrëdhëniet e punës i kanë pasur të rregulluara me Kodin e Punës dhe nuk kanë qenë pjesë e shërbimit civil. Referuar raportit të Avokatit të Popullit, Bashkia Fier rezulton njësia me numrin më të lartë të punonjësve të larguar nga puna, 350 të tillë, e ndjekur nga Bashkia Tiranë me 248 punonjës.

Dështimi

Por, ndonëse ka shkurtuar poste, reforma e re territoriale që reduktoi numrin e njësive vendore nga rreth 360 në vetëm 60 njësi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për të kursyer rreth 60 milionë euro në formën e shpenzimeve për pagesat e personelit, por përkundrazi i ka rritur edhe më tej ato. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në gjashtëmujorin e parë të vitit, njësitë vendore rritën shpenzimet për pagat me 35 për qind. Nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Në të njëjtën masë u rritën edhe shpenzimet për sigurime shoqërore, teksa shihet se fondet e dedikuara për infrastrukturën janë ulur ndjeshëm. Fondet për shpenzimet kapitale ishin 41 për qind më të ulëta se një vit më parë. Në gjashtëmujorin e parë 2016, njësitë e reja vendore alokuan 3.4 miliardë lekë në formën e shpenzimeve kapitale. Kjo shumë, një vit më parë në këtë periudhë, ishte 5.9 miliardë lekë. Por shpenzimet e larta për investime vitin e kaluar arsyetohen edhe me zgjedhjet vendore.

Qeveria aktuale aplikoi një nga reformat më të mëdha në vend për ndarjen territoriale gjatë vitit të kaluar me argumentin kryesor, përdorimin me eficiencë të fondeve publike. Me përqendrimin e komunave në bashkitë e mëdha, Ministria e Financave kishte përllogaritur të kursente së paku 60 milionë euro nga shkurtimi i personelit, të cilat do të rishpërndaheshin për investime, në shkolla, rrugë etj. Por tani kur ka kaluar gati një vit nga zbatimi i reformës së re, pritshmëritë kanë shkuar në të kundërtën. Bashkitë e reja kanë fryrë edhe më tej stafet, duke çuar 48 për qind të fondeve në dispozicion për rroga, teksa shihet se shpenzimet për shërbimet bazë janë ulur dukshëm. Njësitë e reja vendore në vitin e parë të qeverisjes së tyre nuk kanë qenë të suksesshme në pastrimin e territoreve. Disa zona turistike u tejmbushën me plehra, duke qenë jashtë syve të zyrave bashkiake.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here