Legjenda e vetmisë së Ridvanit

0
515

Aristea Kola

 

ridvanLegjenda e vetmisë e Ridvan Dibrës: teknika narrative, fabula e pjesshme

nga Zuku Bajraktár dhe heroi i romanit

 

 

Romani Legjenda e vetmisë, libri i fundit i shkrimtarit Ridvan Dibra, vjen për lexuesin si një lloj i veçantë i lëvrimit të letërsisë shqipe (në dekadat e fundit?). Kjo vepër paraqitet me risi gramatikale, stilistikore e strukturë krejt ndryshe në krahasim me librat e mëparshëm të këtij autori. Legjenda e vetmisë lëndën e saj burimore (fabulën) e ka përftuar nga një “legjendë e moçme”, siç pohon edhe vetë shkrimtari në citimin dhe parathënien e librit. Fabula e këtij romani, më konkretisht është marrë nga një variant i Zukut Bajraktár tek Eposi i Kreshnikëve (Visaret e Kombit II, mbledhë dhe redaktue nga Át B. Palaj e Át D. Kurti), gjë që ngjall konfuzion që në titull të librit në përcaktimin si “legjendë”. Në këtë mënyrë na duket e arsyeshme, të përpiqemi që ta saktësojmë problemin e termit në fjalë. Titulli i romanit të marrë në trajtesë: Legjenda e vetmisë, përkundrejt përcaktimit të veprës ku bën pjesë kënga e Zukut Bajraktár: Kangë kreshnikësh na bën të mendojmë për një ndarje, dallim të caktuar. Autorët e këtij vëllimi të përgatitur (Palaj e Kurti), sqarojnë se i ndajnë kângët e kreshnikëve në dy pjesë: “ato qi kanë punë me epos-in e Gjeto Basho Mujit e legendat, qi s’kanë lidhni me tê”. Pra, Zuku Bajraktár duke qenë pjesë e ciklit epik rreth Mujit dhe po ashtu bashkëkreshnik i Jutbinës (në këngë ta caktuara edhe probatin i Mujit), është klasifikuar si kângë kreshnike. Domethënë jemi në një pikë, që duhet të bëjmë dy klasifikime: a) brenda sistemit të ciklit rreth Mujit, b) jashtë sistemit të ciklit rreth Mujit. Gjithsesi edhe pse Dibra e ka përcaktuar romanin e tij, me një titull si: legjendë, nuk është se ka ikur nga oraliteti, sepse me këtë term kuptojmë një trillim gojëdhënor shtegtues qysh prej një kohe të papërcaktuar. Mbështetja për ndërtimin e romanit, ka ardhur nga fondi i letërsisë gojore, që për Palajn e Kurtin do e quanim brenda sistemit (Zuku), kurse për Dibrën jashtë sistemit, ngaqë kemi të bëjmë përveç termit, me krijim të ri, origjinal. Fabula (Zuku Bajraktár) që vjen e ndryshuar simbas mbishtresimeve të reja artistike tek Legjenda e vetmisë (Bala nuk mbërrin të kryejë hakmarrje ndaj nënës dhe fqinjit, sikur Zuku ndaj nënës dhe Balozit); rimarrja e tematikave dhe konteksteve të ndryshme që rifunksionalizohen e u përgjigjen konteksteve të reja, e bëjnë romanin e Dibrës një vepër bashkëkohëse në frymë të modernitetit.

Ridvan Dibra, në një pjesë të madhe të veprave të tij, është cilësuar nga kritika si autor postmodern. Kjo kritikë e pasqyruar në artikuj apo monografi, i njeh shumicës së veprave të tij aplikimet postmoderne që rezultojnë se ndodhin në procesin letrar. Mirëpo në romanin Legjenda e vetmisë, edhe pse fabula mbështetet në traditën tonë letrare (çka menjëherë mund të arrihej në përfundimin se kjo vepër klasifikohet si postmoderne), ka një teknikë narrative që e privon veprën t’i bashkohet së njëjtit pagëzim që kanë të tjerat. Si lëndë nuk mund të mohojmë se ka elementë të postmodernizmit, por as të pohojmë se ka pastërti a dominancë të kësaj rryme letrare. Kështu, vijmë në një gjykim që vepra në fjalë, estetikisht na përfaqet si një vepër që nuk ka nevojë të ndalemi me doemos në etiketime të ndryshme. Këtë gjë na e dëshmon edhe autori në parathënien e romanit: “Një libër që t’i thurë lavde njerëzores (tekst post-romantik kanë për ta quajtur, ndoshta, kritikët e akademikët, këta ashikë të thekur të stërhollimeve, emërtesave e klisheve letrare)”.

Kodi ligjërimor i këtij romani është në përputhje me veçantësinë sintaksore që na ofrohet gjatë leximit. Thjeshtësia e ndërtimit të frazave dhe harmonia e strukturave, që përcjellin një përmasë estetike, e bëjnë të denjë veprën më mirë për t’u shijuar sesa për t’u rrekur të shkojmë në përcaktime të lëndës prozaike. Paçka këtyre që thamë, dashje pa dashje autori të ofron edhe kode (grafike) të natyrës postmoderne, si p.sh. të tridhjetë kapitujt e romanit (përjashto kap. 6) hapen me tri fjali në krye e mbyllen po me tri, çka mund të mendohet për një simbolikë numerike, një trinitet (nëna, babai, Bala), i cili shprishet nga rrethanat e dhëna në tekst – vrasja, adulteria, krimi ndaj protagonistit, etj. Njësia ligjërimore në roman, si teknikë narrative flasim, përçon komunikim i cili nuk ka nevojë që lexuesi të jetë i pajisur me lexime të këtij lloji të letërsisë (postmoderne), falë lakonizmit, përzgjedhjes së leksemave etj., madje autori për t’ia “thjeshtësuar” punën leximore atyre, ndërhyn vetë sa herë, për t’ua kujtuar vijimësinë e ngjarjeve që rrjedhin në roman. Këtu nuk kemi të bëjmë me elementë si: citimi, ars combinatoria, pastich-i e plot përftesa postmoderne. Rezulton të kemi vetëm një dukuri qenësore të këtij romani, që e bën të vlefshëm klasifikimin si tekst me tipare postmoderne, mbasi që përkatësisht kemi ndërtim mbi një paratekst. Konkretisht në paratekstin oral të letërsisë sonë. Por që vjen i ndryshuar në kod, sepse kemi diversitet kodesh: Zuku Bajraktár ¨ produkt epik; Legjenda e vetmisë ¨ produkt prozaik. Shndërrimi tektual, në këtë mënyrë përbën edhe një nga kategoritë e postmodernes në letërsi. Pastaj aplikimi i këtij shndërrimi teksti, vjen nën kriterin e selektimit të fabulës zanafillëse (Z. B.) meqë miti dhe fabula njëherësh, nuk vijnë të rifunksionalizuara me tiparet e tyre, por paraqiten me përmasë të pjesshme, duke ruajtur edhe origjinalitetin e veprës së Dibrës.

Me interes të veçantë e shohim të ndalemi edhe te protagonisti i tij, Bala. Dibra, këtë personazh, herë duket sikur e dënon e herë e lartëson. Por ajo që është e dukshme është se autori i vesh Balës virtytet më të larta si protagonist e artist njëherësh. Ai na e përshkruan si një artist të lindur, i cili shfaq që në moshë të vogël talent dhe zgjuarsi të madhe në krahasim me moshatarët e tij. Në këtë mënyrë autorit i ka interesuar të na e maskojë mjaft bukur personazhin. Si për të dashur të na ngatërrojë për ta kuptuar ne, nëse Bala është thjesht protagonist i veprës letrare apo mos vallë Dibra ka fshehur artistin mbas personazhit kryesor?! Bala si protagonist verbohet, pra kemi dëmtimin fizik të tij, ndërsa tek Bala artist kemi verbimin fizik e shpirtëror njëherësh për të mos vazhduar më pasionin e tij: vizatimin. Pse pikërisht Bala ngjante me atin vetëm në sy – si dy kokrra të papjekura ulliri? Ndoshta se sytë janë pasqyrimi artistik. Edhe ati qe artist, prandaj Bala e ati nuk kishin një përngjasim fizionomik, por i lidhte diçka shumë më e madhe së bashku: arti. Dashuria për artin. Këtë na e rrëfen edhe autori me të përbashkëtat që kishin atë-bir. Sidoqoftë, Bala, si artist/protagonist, është një hero i segmentuar, i cili rezulton më shumë një hero i meditimit e i revoltimit, sesa një hero që përmbush misionet e veta. Ai varet tërësisht nga fati i tij si personazh. Për asnjë çast në veprimet që kërkon të ndërmarrë personazhi në roman, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë element që shërben si zgjidhje e jashtme. Siç ndodh në eposin shqiptar, kur zanat ndihmojnë Zukun për t’u hakmarrë. Ashtu si edhe në veprat e ndryshme antike greke, që perëndeshat ndihmojnë protagonistët: Odiseja, Orestia etj. As në kohën kur Bala thur plane për eliminimin fizik të fqinjit, as në kohën që e përmbush me vështirësi misionin, as në kohën që ka mospërputhjet me shokët e tij, me nënën e tij etj. Duke qenë personazh që e bën vetë fatin e tij, për rrjedhojë ai është i destinuar të realizojë e mosrealizojë misionet, nismat e veta.

Përfund, Bala ndihet i përjashtuar nga mjedisi. I përjashtuar nga institucioni i familjes dhe i shoqërisë. Ai gjen përmbushje në vetminë e tij, larg këtyre institucioneve. Kështu heroi i veprës është një personazh, i cili na lidh me një arketip personazhi, por kjo nuk do të thotë që ka nevojë për parashtesa emërtesash (post-). Pse ndodh me Balën ky refuzim? – Sepse ai nuk pranohet as si njeri as si artist, sidomos në mjedisin shoqëror, e aq më tepër nga familja (në rastin tonë nga e ëma). Përmbushja e protagonistit është vetëm duke medituar me veten. Duke ngelur peng e së shkuarës e duke u rrekur pas projektimeve, që rezultojnë të dështuara. Pranimi i artistit në komunitet, nuk lidhet me defekte të artistit, por lidhet me vetë komunitetin, i cili kërkon ta “përpunojë simbas metrit që njeh”. Prandaj ne mbërrijmë në gjykimin se, shujtimi i vetëm i heroit të Dibrës është vetmia. E gjithë kjo na bën të kuptojmë, se konflikti mes artistit dhe institucionit do të jetë i përhershëm!

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency