Për sa u përket hipìve…

0
138

floktFragment nga artikulli i botuar së pari me titullin “Contro i capelli lunghi” në “Corriere della Sera”, në edicionin e 7 janarit 1973 dhe më pas në përmbledhjet me ese të P. P. Pasolini-t e ndeshim me titullin “Discorso sui capelli”; përktheu në shqip Arjan Leka, botuar në revistën “Poeteka”

 

Pier Paolo Pasolini

 

Për herë të parë hipìtë i ndesha në Pragë. Në hollin e hotelit ku bujtja, hynë dy rioshë të huaj, me flokët e gjatë gjer mbi shpatulla. Kaluan përmes hollit, gjetën një cep paksa të veçuar dhe zunë një tryezë. Për ndonjë gjysmë ore qëndruan ulur ashtu, të vëzhguar nga të tjerët, mes të cilëve edhe unë; më pas ikën. Edhe kur çanë përmes turmës së njerëzve në holl, edhe të ulur, ashtu, në qoshkun e tyre të mënjanuar, ata nuk u ndjenë (ndoshta – edhe pse nuk e kujtoj – pëshpëritën mes tyre diçka: por, ma do mendja, diçka shumë të koduar).

Ç’është e vërteta në atë gjendje të çuditshme që u ndodhën – gjendje kjo që ishte tërësisht publike, apo sociale, madje do ta quaja edhe zyrtare – ata nuk kishin pikën e ngasjes për të folur. Heshtja e tyre ishte përpikmërisht funksionale. Meqë fjala nuk kishte vlerë, ajo e tillë ishte normalisht. Në fakt, për të komunikuar me të pranishmit, me kureshtarët – me sivëllezërit e atyçastit – ata përdornin një gjuhë tjetër, ndryshe nga ajo që gjallon prej fjalëve. Gjuhën që zëvendësonte të folurën tradicionale, duke e bërë atë të panevojshme – dhe duke gjetur, veç kësaj, rendin e vetvetishëm në fushën e gjerë të “shenjave”, në lëmin e semiologjisë – ishte gjuha e flokëve.

Bëhej fjalë për një shenjë unike – pikërisht gjatësia e flokëve që u derdhej supeve – ku ishin të përqendruara gjithë shenjat e mundshme të një gjuhe të folur. Cili qe kumti i mesazhit të tyre të pazëshëm dhe a ishte ai detyrimisht fizik?

“Ne jemi dy hipì. I përkasim një kategorie të re njerëzore, asaj që i po shfaqet botës këtyre kohërave, që e ka qendrën në Amerikë, por jemi të shpërfillur në provincë (siç për shembull e për më tepër – këtu në Pragë). Pikërisht për këtë gjë ne jemi thjesht një Dukje për ju. Ushtrojmë predikimin tonë, përplot me një dituri që na rrëmbush dhe na shteron njëhësisht. Nuk kemi ç’t’i shtojmë më me fjalë dhe me arsyetime asaj që fizikisht dhe ontologjikisht shprehin flokët tanë. Dituria që na përplot, dhe predikimi ynë, do ju përkasë edhe juve një ditë. Tash për tash s’është veçse një Risi, një Risi e madhe, që përmes skandalit, krijon në botë një pritje: nga ato që nuk do të tradhtohen. Borgjezët bëjnë mirë të na shohin me urrejtje dhe frikë, sepse ajo që flokët tanë profetizojnë u kundërvihet plotësisht atyre. Veç të mos na pandehin si njerëz paedukatë dhe egërsira: jemi plotësisht të vetëdijshëm mbi përgjegjësitë tona. Nuk ju shohim, qëndrojmë në tonën. Bëni edhe ju si ne dhe prisni Ngjarjet”.

Unë isha ndërmjetësi i këtij komunikimi, dhe isha në gjendje ta deshifroja atë sakaq: ajo gjuhë pa leksik, pa gramatikë dhe pa sintaksë, mund të përvetësohej menjëherë, edhe pse, për t’u shprehur semiologjikisht, nuk ishte tjetër, veçse një formë e asaj “gjuhe të pranisë fizike”, që njerëzit janë në gjendje ta përdorin gjithmonë.

Kuptova dhe ndjeva një antipati të menjëhershme për ata të dy.

Më pas, m’u desh ta gëlltisja antipatinë e t’i mbroja hipìtë nga sulmet e policisë si dhe prej fashistëve: kam qenë natyrisht, në parim, nga ana e Living Theatre të Beats etj.: parimi që më bënte t’u mbaja anën ishte një parim rreptësisht demokratik.

Hipitë flokëgjatë u shtuan shumë – si të krishterët e parë: por, në mënyrë të pashpjegueshme, ata vazhduan të mbeten të heshtur; flokët e gjatë mbetën gjuha e tyre e vetme dhe e vërtetë, dhe nuk u tunduan për hiç t’i shtonin asaj tjetër gjë. E folura pasqyronte qenien e tyre. E pagoja, ishte ars retorica e protestës së tyre.

Çfarë shprehnin me gjuhën e paartikuluar, që përkon me shenjën monolitike të flokëve, “the flower’s children” e viteve ‘66-‘67? “Thoshin këtë: qytetërimi i konsumizmit na ngjall neveri. Protestojmë rrënjësisht. Përmes refuzimit, krijojmë imunitet ndaj këtij qytetërimi. Gjithçka dukej se u shkonte fjollë, ë? Brezi ynë duhej të ishte një brez të integruarish? Po ja që edhe punëve u doli boja! Ne kundërshtojmë marrëzinë ndaj fatit të ekzekutuesit. Krijojmë vlera të reja fetare në entropinë borgjeze, pikërisht në çastin kur ajo po shndërrohej thuajse e tëra në laike dhe hedonistike. Dhe e bëjmë këtë zhurmshëm, dhe me dhunë revolucionare (dhunë e jo të dhunshmëve!) sepse kritika jonë ndaj shoqërisë sonë është gjithëpërfshirëse dhe e paepur.

S’ma do mendja që të pyetur sipas sistemit tradicional të gjuhës së folur, do të ishin në gjendje ta shprehnin në mënyrë kaq të qartë tezën e flokëve: por është fakt se në thelb, ata e shprehnin këtë. Për mua, edhe pse dyshoja që atëherë se “sistemi i tyre i shenjave” qe produkt i një proteste nënkulturore, kundërvënie ndaj kulturës së pushtetit, se revolucioni i tyre jo marksist ishte i dyshimtë, vazhdova për njëfarë kohe t’u mbaja anën, duke iu bashkëngjitur së paku elementin anarkist të ideologjisë sime.

Gjuha e flokëve, edhe pse jo fort e qartë, shprehte “elemente” të së Majtës. Mbase të së Majtës së Re, lindur brenda universit borgjez (në një dialektikë të krijuar ndoshta artificialisht nga Mendja që rregullon, përtej ndërgjegjes së Pushteteve të veçanta dhe historike, fatin e Borgjezisë).

Mbërriti 1968-ta. Flokëgjatët u përthithën nga Lëvizja Studentore; valëvitnin flamuj të kuq mbi barrikada. Gjuha e tyre shprehte gjithmonë e më shumë “gjëra” të së Majtës. (Che Guevara ishte flokëgjatë !!!)

Në 1969-ën – në masakrën e Milanos, Mafia, emisarët e kolonelëve grekë, bashkëfajësia e Ministrave, komploti i zi, provokatorët – hipìtë, ishin përhapur

së tepërmi: edhe pse nuk ishin ende shumicë numerike, ata ishin të tillë për nga rëndësia ideologjike që kishin fituar. Në këtë pikë, flokëgjatët nuk ishin më heshturakë: nuk ia delegonin sistemit të shenjave të flokëve të tyre aftësinë e plotë komunikuese dhe shprehëse. Përkundrazi, prania fizike e flokëve kishte degraduar, në njëfarë mënyre, nga funksioni veçues. Ishte shndërruar në funksionin e përdorimit të zakonshëm të gjuhës së folur. Dhe nuk them rastësisht të folur. Për më tepër, që po e nënvizoj. U fol shumë nga ’68 në ’70, aq shumë sa, për një farë kohe, mund t’ia dalim mbanë edhe pa të folurën: u teprua me fjalën, dhe verbalizmi u bë një ars retorika i ri i revolucionit (gaukizmi, sëmundja verbale dhe marksizmit!).

Megjithëse flokët – të përthithur në furinë verbale – nuk u flisnin më në mënyrë të pavarur përfituesve të shastisur, unë gjeta forcën t’i fitoja aftësitë e mia dekodifikuese dhe në rrëmujë, u përpoqa të dëgjoja fjalimin e heshtur, në dukje të pandërprerë, të atyre flokëve gjithnjë e më të gjatë.

Çfarë thoshin ata tani? Thoshin: “Po, është e vërtetë, themi gjëra të së Majtës; kuptimi ynë – edhe se vërtetësisht mbështetës i kuptimit të mesazheve verbale – është një kuptim i së Majtës… Por… Por…” Arsyetimi i flokëgjatëve mbeti në vend: më duhej ta vijoja unë. Me atë “por” ata deshën të theksonin dy gjëra:

1) “Pashprehshmëria jonë nxjerr gjithmonë e më shumë në dukje natyrën racionale dhe pragmatike: epërsia që ne ia njohim heshturazi aksionit, ka tipar nënkulturor dhe kësisoj thelbësisht i djathtë”.

2) “Ne na u përshtatën edhe provokuesit fashistë, që iu përzien revolucionarëve verbalë (madje verbalizmi që mund të sjellë edhe aksion, mbi të gjitha mitizohet): dhe sajojmë kështu një maskë të përkryer, jo vetëm për nga këndvështrimi fizik – rrjedhja dhe tallazitja jonë e çrregullt mëton t’i pranojë të gjitha pamjet – por edhe nga këndvështrimi kulturor: në të vërtetë një nënkulturë e Djathtë mund të ngatërrohet mjaft mirë me një nënkulturë të Majtë”.

Së fundmi, kuptova se gjuha e flokëgjatëve nuk e shprehte më «gjëra» të së Majtës, por shprehte diçka të dyshimtë, Djathta-Majtas, gjë që krijoi kushte për shfaqjen e provokatorëve.

Përktheu nga italishtja Arjan Leka

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency