Mbi debatin për listat e deputetëve

0
162

Çelo Hoxha

 

listatDërgimi i listave të deputetëve në KQZ u kthye në reality show, por me skenarist të zotin. Ai kishte gjithçka: Një spektakël me mister, dramë dhe ankth, që na mbajti ngjitur në ekran me orë të tëra dhe, në fund, shkuam në shtrat duke pritur me padurim të nesërmen. Skenaristët e tij, Sali Berisha dhe Edi Rama, edhe pse dhanë deklarata për shtyp në mesnatë, nuk e zbuluan gjithë misterin. Dhe, me sa kuptova unë, ata ishin njerëzit në pozicionin më të vështirë, pavarësisht se e përjetuan si të tillë persona të tjerë, ndonjëri që nuk iu shënua emri në listë.

Përcaktimi i deputetëve është një procedurë që gjithmonë pasohet me pakënaqësi. Ata e që ndjekin futbollin e kuptojnë logjikën që e shoqëron përzgjedhjen dhe mbi kë rëndojnë më shumë pasojat. Zoti Berisha dhe zoti Rama janë në rolin e trajnerit, të cilit i duhet të zgjedhë ekipin me të cilin mendon se do të fitojë, por, ndërkohë, të ruajë dhe unitetin e gjithë grupit, sepse, edhe sikur të zgjedhin lojtarët më të mirë, pa harmoni në ekip mund të dalin të humbur.

Përgatitja e listave mbart me vete gjithmonë një konflikt: deputetët ekzistues (lojtarët e ekipit) dhe kandidatët që aspirojnë të bëhen deputetë (rezervat ose blerjet e reja që janë ofruar në ekip). Kjo përplasje është e natyrshme, rregull i jetës, jo vetëm në politikë.

Nga listat e PD-së pati më shumë “spastrime”, por zhurma më e madhe u bë në kampin e PS-së. Arsyeja pse ndodhi kështu është kjo: te PS ka deputetë (ose kishte) që mendojnë se janë, në mos më të mëdhenj, të paktën me kryetarin. Në PD s’ka nga ata që mund t’i thonë zotit Berisha se unë jam themelues i PD-së. Themeluesit që në të shkuarën kanë bërë kryeneçin tashmë janë kthyer në dele perëndie.

Megjithatë, ata që u rebeluan, si për shembull Arben Malaj, nuk arrijnë të kuptojnë sa nga u erdhi e keqja, nëse mund ta quajmë të keqe moskandidimin e tyre. Ata përqendrohen te kryetari dhe nuk i vërejnë fare rregullat e lojës. Kryetari i partisë nuk ndodhet aty rastësisht e nuk sillet në mënyrë arbitrare. Sjellja e kryetarit të partisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe përgatitjen e listave është pasojë e një ligji, të cilin shumë nga të zhgënjyerit e kanë përgatitur e votuar vetë. Ironia është se të kritikosh kryetarin pse vepron në përputhje me ligjin nuk tregon se e drejta është me ty. Diskutimi i ligjit, në është i mirë apo i keq, nuk bëhet në minutat e fundit, kur je bindur se ai që e “hëngri” nuk janë të tjerët, por ti.

Shpallja e listave në minutat e fundit nuk u bën mirë as vetë kryetarëve dhe partive të tyre, pavarësisht se në dukje duket sikur i shpëton ata nga telashet, për shembull, nuk u jep kohë të pakënaqurve të mos kalojnë në parti të tjera në sekondat e fundit të ndeshjes, siç e bëri Preç Zogaj në zgjedhjet e 2009, ose, dje, Arben Malaj, i cili u regjistrua si i pavarur. Taktikisht duket sikur një veprim i tillë i frenon rrjedhjet, por bën dëm në një plan tjetër: i zhyt partitë në konflikte të brendshme, të cilat frenojnë fushatën. Të zhgënjyerit, deputetë apo aspirantë, pavarësisht se mund të mos flasin publikisht (një pjesë nuk flasin se nuk kanë as format publik të tërheqin gazetarët), do të kenë ndikim frenues në rrethin e mbështetësve të tyre brenda apo jashtë partisë. Ata demotivohen dhe, edhe nëse votën e tyre nuk e ndryshojnë (dhe shumica nuk e ndryshojnë), nuk e kanë më entuziazmin për t’i kthyer mendjen edhe ndonjë miku.

Ligji e lejon që listat mund të dorëzohen dhe minutën e fundit, por nuk e ndalon që ato të bëhen publike shumë ditë (muaj, akoma më mirë) më herët. Një publikim më i hershëm do të ndihmonte që personat e mundshëm për t’u kandiduar o t’i nënshtroheshin një vëzhgimi më të hollësishëm dhe një debati më të gjerë, në të cilin mund të marrin pjesë dhe njerëz që nuk kanë interesa të drejtpërdrejta personale (mund të mos jenë as deputetë dhe as aspirantë). Sigurisht, që kandidaturat e listave diskutohen dhe brenda partive, por nga e përvoja e deritanishme këto lloj diskutimesh janë shumë të mbyllura. Ditën e fundit të listave unë kam takuar deputetë që nuk dinin asgjë për fatin e tyre. Shumë prej tyre e shikonin spektaklin përmes televizorit dhe e morën vesh që ishin ose nuk ishin në listë njësoj me publikun e gjerë. Epërsia që ata kishin ndaj njerëzve anonimë ishte vetëm komunikimi me ndonjë sms me kryetarët e qarqeve, të cilët diheshin. Nëse pjesa më e madhe e listave do të përcaktoheshin më herët, atëherë do të kishte kohë që të lënduarit të mbyllnin plagët dhe në fushatë të gjithë të futeshin me të njëjtin ritëm në betejë. Në ditët e para pas dorëzimit të listave në KQZ, epërsia e palëve ndaj njëra-tjetrës është në faktin se kush ka më pak zemra të lënduara në kampin e vet, por ky nuk është një tregues shumë i saktë, sepse, me sa dimë nga ç’kemi parë e lexuar, dashnorët më të mirë e përjetojnë në heshtje – dhe më gjatë – thyerjen e zemrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency